Festat e Zotit (Levitiku 23)

A. Shabati (23:1-3)

Kalendari fetar i Izraelit tashmë bëhet temë e legjislacionit të Perëndisë. Zoti u tha bijve të Izraelit me anë të Moisiut t’i shpallnin festat e Zotit si mbledhje të shenjta. Pas gjashtë ditësh pune, dita e shtatë, shabati, duhej të ishte ditë pushimi nga puna. Kjo ishte dita e vetme e pushimit në javë.

B. Pashka (23:4,5)

Pashkët e Zotit kremtoheshin muajin e parë, ditën e katërmbëdhjetë të muajit (nisan apo abib). Kjo përkujtonte shpengimin e Izraelit nga skllavëria në Egjipt. Qengjii Pashkës ishte një simbol i Krishtit, Qengji i Perëndisë, Pashka jonë (1 e Korintasve 5:7), gjaku i të cilit u derdh për të na shpenguar nga skllavëria e mëkatit. Ai nuk vdiq në momentin e Krijimit, por kur u plotësuan kohërat (Gal. 4:4-6).

C. Festa e të Ndormëve (23:6-8)

Festa e bukës së ndorme bëhej në lidhje me Pashkën. Ajo zgjaste për një periudhë prej shtatë ditësh, duke filluar me ditën e Pashkës – pra, nga dita e pesëmbëdhjetë e nisanit deri në ditën e njëzet e një. Emrat e këtyre dy festave zakonisht përdoren në mënyrë të shkëmbyeshme. Gjatë kësaj kohe judenjve u kërkohej të hiqnin mënjanë tërë majanë nga shtëpitë e tyre. Në Shkrim majaja flet për mëkatin. Festa simbolizon një jetë nga e cila majaja e ligësisë dhe e paudhësisë është lënë mënjanë dhe një jetë që karakterizohet nga «buka pa maja e sinqeritetit dhe e së vërtetës» (1 e Korintasve 5:8). Nuk kishte hapësirë kohore midis Pashkës (shpengimit tonë) dhe festës së bukës së ndorme (detyrimi ynë për të ecur në shenjtëri) Edhe sot judenjtë hanë bukë pa maja gjatë kësaj feste. Buka quhet matzo. Përgatitja e matzos përfshin shpimin e bukës dhe procesi i pjekjes bëhet shkallë-shkallë. Kjo bukë e ndorme na kujton qartë Mesian e pamëkatë. Ai u tejshpua për ne dhe me anë të vurratave të Tij ne jemi shëruar.

D. Festa e Prodhimit të Parë (23:9-14)

Paraqitja e një demeti të tundur prej elbi ndodhte ditën e dytë të festës së Bukës së Ndorme (një ditë pas shabatit – pra, ditën e parë të javës). Kjo njihet si festa e prodhimit të parë. Ajo shënonte fillimin e korrjes së elbit, drithit të parë të vitit. Një demet elbi tundej përpara Zotit si falënderim për korrjen. Paraqiteshin gjithashtu një olokaust dhe blatimi i ushqimit. Kjo korrje e parë shihej si premtimi i korrjes më të madhe që do të vinte. Kjo simbolizon Krishtin në ringjallje – «Krishti fryti i parë i atyre që kanë fjetur» (1 e Korintasve 15:20). Ringjallja e Tij është siguria se të gjithë ata që vendosin besimin e tyre në Të do të fitojnë gjithashtu pavdekësi me anë të ringjalljes.

E. Festa e Javëve (23:15-22)

Festa e Javëve (hebraishte Shavûôt) apo Rrëshajë (greqisht «pesëdhjetë») kremtohej pesëdhjetë ditë pas shabatit të Pashkës. Ajo ishte një festë korrjeje për të falënderuar Perëndinë për fillimin e korrjes së grurit. Prodhimi i parë i korrjes së grurit paraqitej në këtë kohë bashkë me një olokaust, një blatim ushqimi, një libacion dhe një flijim falënderimi. Sipas traditës judaike, Moisiu mori ligjin në këtë ditë të vitit. Festa është tipike e zbritjes së Frymës së Shenjtë Ditën e Rrëshajëve, kur kisha filloi të ekzistonte. Oferta e tundur përbëhej nga dy bukë të bëra nga majë mielli (kjo ishte oferta e vetme që bëhej me maja). Këto bukë përfaqësonin, si simbol, judeun dhe johebreun të bërë në [Krishtin] «një njeri të ri» (Efesianeve 2:15). Pas Rrëshajëve kishte një periudhë të gjatë kohe, rreth katër muaj, para se të vinte festa tjetër. Kjo hapësirë kohore mund të simbolizojë epokën e tashme të kishës, në të cilën ne me zjarr presim kthimin e Shpëtimtarit tonë.

F. Festa e Borive (23:23-25)

Festa me bori kremtohej në muajin e shtatë, ditën e parë të muajit. Rënia e borive thërriste bijtë e Izraelit për një mbledhje të shenjtë solemne. Në këtë kohë kishte një periudhë kohe prej dhjetë ditësh për vetëshqyrtim dhe pendim, duke pasur parasysh Ditën e Shlyerjes. Ajo simbolizon kohën kur Izraeli do të mblidhet në vend para pendimit të tij kombëtar. Kjo ishte dita e festës e vitit qytetar, sot quhet Rosh Hashanah (hebraishte kreu i vitit). Disa e shohin këtë festë si simbolin e mbledhjeve të tjera – pra, mbledhjen e shenjtorëve për të takuar Zotin në ajër kur të ndodhë Rrëmbimi.

G. Dita e Shlyerjes (23:26-32)

Dita e shlyerjes (hebraishte Yôm Kippur), që ishte dita e dhjetë e muajit të shtatë, është përshkruar me hollësi te kapitulli 16. Ajo paraqet pendimin kombëtar të Izraelit, kur një tepricë e penduar do të kthehet te Mesia dhe do të falet (Zakaria 12:10; 13:1). Gati në çdo varg që shtjellon Ditën e Shlyerjes Perëndia përsërit urdhrin nuk do kryeni asnjë punë. Njeriu i vetëm që duhej të ishte në shërbim në këtë ditë ishte kryeprifti. Zoti e përforcoi përsëri detyrën duke kërcënuar se do të shkatërronte çdo njeri që e shkelte këtë urdhër. Ky është shkaku se pse shpëtimi, që Kryeprifti ynë siguroi për ne, nuk është «me anë të veprave të drejta që ne bëmë» (Titi 3:5). Nuk mund të ketë vepër njerëzore që përfshihet në çështjen e heqjes së mëkateve tona. Vepra e Krishtit dhe vetëm vepra e Tij është burimi i shpëtimit tonë. «Do të përulni shpirtin tuaj» (v. 27,29) do të thotë të agjërosh. Edhe sot judenjtë fetarë e ruajnë këtë ditë si kohën e agjërimit dhe lutjes. Edhe pse Dita e Shlyerjes renditet midis festave të Jehovait, ajo ishte një kohë agjërimi më tepër se festimi. Megjithatë, pasi u zgjidh çështja e mëkatit, erdhi koha e gëzimit në Festën e Kasolleve.

H. Festa e Kasolleve (23:33-44)

Festa e kasolleve (hebraishte Sukkôth, «kasolle») fillonte ditën e pesëmbëdhjetë muajit të shtatë. Për shtatë ditë izraelitët banonin në kasolle (v. 42). Kjo simbolizon prehjen dhe korrjen përfundimtare, kur Izraeli do të banojë në siguri në vend gjatë Mijëvjeçarit. Kjo festë quhet gjithashtu Festa e të Vjelave (Eksodi 23:16). Ajo shoqërohej me korrjen. Në fakt disa nga festat e përmendura në këtë kapitull kanë të bëjnë me korrjen. Dy shabatet mund të simbolizojnë Mijëvjeçarin dhe Prehjen e Përjetshme. Moisheu dhe Seil Rozeni (Ceil Rosen) përshkruajnë këtë traditë:
Populli jude ndërtonte ndërtesa si kasolle dhe jetonte në to gjatë kësaj feste si një kujtesë e banesave të përkohshme që izraelitët patën në shkretëtirë. Edhe sot shumë judenj ndërtojnë baraka pa çati, me tri faqe për këtë festë. Ata i zbukurojnë me degë druri dhe fruta vjeshte për t’u kujtuar për vjeljen. Ai që mundte shkonte në Jerusalem për festën e tij të korrjes çdo vit. Adhurimi i tempullit për festën përfshinte derdhjen rituale të ujit nga pellgu i Shiloamit, simbol i lutjeve për shirat e dimrit. Në këtë kohë Jezusi thirri: «Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë» (Gjoni 7:37-38). Pas sitës përfundimtare të Shlyerjes, Festa e Kasolleve kremtohej përsëri në Jerusalem (Zakaria 14:16){{23}}.
Një ndër gjërat që Zoti u përpoq t’i mësonte popullit të Tij me anë të festave ishte lidhja e ngushtë midis aspekteve frymërore dhe fizike të jetës. Kohët e bollëkut dhe bekimit duhej të ishin kohë gëzimi përpara Zotit. Zoti paraqitej para tyre si Ai që kishte plotësuar me mbushulli nevojat e tyre të përditshme. Përgjigjja e tyre si komb ndaj mirësisë së Tij shprehej me anë të festave lidhur me korrjet. Vini re përsëritjen e urdhërimit që izraelitët nuk duhej të kryenin asnjë punë të rëndë në këto raste solemne (v. 3,7,8,21,25,28,30,35,36). Një rritje e përcaktuar kronologjike mund të nxirret nga festat e Jehovait. Shabati na kujton pushimin e Perëndisë pas krijimit. Pashka dhe festa e Bukëve të Ndorme na flet për Kalvarin. Më pas vjet festa e Prodhimeve të Para, duke treguar ringjalljen e Krishtit. Festa e Rrëshajëve simbolizon ardhjen e Frymës së Shenjtë. Më pas, duke hedhur vështrimin nga e ardhmja, festa e Borive simbolizon mbledhjen e Izraelit. Dita e Shlyerjes hedh hije në kohën kur mbetja e Izraelit do të pendohet dhe do të pranojë Jezusin si Mesi. Së fundi, festa e Kasolleve shikon Izraelin tek gëzon mbretërimin mijëvjeçar të Krishtit. [23] Moishe dhe Ceil Rosen, Christ in the Passover, numri i faqes nuk është i disponueshëm.[[23]]
[previous][next]