Psalmi 72

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Mbretëria e drejtë e Salomonit, tip mbretërie mesianike

72:1 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

72:2 dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.

72:3 Malet do t`i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.

72:4 Ai do t`u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.

72:5 Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.

72:6 Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.

72:7 Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.

72:8 Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.

72:9 Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.

72:10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t`i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t`i ofrojnë dhurata.

72:11 Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t`i shërbejnë.

72:12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.

72:13 Atij do t`i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.

72:14 Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.

72:15 Dhe ai do të jetojë; dhe do t`i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën.

72:16 Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.

72:17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.

72:18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.

72:19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.

72:20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait.