A. Përmbledhje e Besëlidhjes së Sinait (kapitulli 5)
5:1-6 Kapitulli 5 përmbledh dhënien e Dhjetë Urdhërimeve në malin Sinai (Horeb). Në vargun 3 shtoni fjalën «vetëm» para «etërit». Besëlidhja u bë me etërit, por, në fakt, kishte po ashtu si qëllim brezat e ardhshëm të izraelitëve. 5:7-21 Dhjetë Urdhërimet:- Nuk do të adhuroheshin perëndi të tjera (v. 7).
- Nuk do të bëhej apo adhurohej asnjë skulpturë (v. 8-10). Ky urdhër nuk përsërit të parin. Populli mund të adhuronte qeniet mitike, apo diellin e hënën, pa hyrë në mes idhujt. Bijtë që urrenin Perëndinë do të vuanin të njëjtin ndëshkim si etërit e tyre (v. 9).
- Emri i Zotit nuk duhej përmendur më kot (v. 11).
- Shabati duhej të shenjtërohej (v. 12-15). Këtu jepet një arsye tjetër për të shenjtëruar shabatin, përveç asaj te Eksodi 20:8-11 (pushimi i Perëndisë pas krijimit). Judenjtë duhej të kujtonin se kishin qenë skllevër në Egjipt (v. 15). Këto dy arsye janë plotësuese, jo kundërshtuese të njëra-tjetrës.
- Prindërit duheshin nderuar (v. 16).
- Vrasja ishte e ndaluar (v. 17).
- Shkelja e besnikërisë bashkëshortore ishte e ndaluar (v. 18).
- Vjedhja ishte e ndaluar (v. 19).
- Paraqitja e dëshmive të rreme kundër të afërmit ishte e ndaluar (v. 20).
- Lakmia ishte e ndaluar (v. 21).
B. Paralajmërime kundër mosbindjes (kapitulli 6)
6:1-9 Kur populli do të futej në Tokën e Premtuar, Perëndia donte që ai të ishte në gjendjen e drejtë morale. Që ta shijonin tokën ashtu siç kishte Ai qëllim, ai duhej të ishte një popull i bindur. Prandaj, Moisiu u dha njerëzve udhëzime praktike për të jetuar në Kanaan (v. 1,2). Izraelitët duhej të jepnin dëshmi për të vërtetën se Perëndia është Perëndia i vetëm i vërtetë (v. 3,4). Ata duhej ta donin Atë më tepër se çdo gjë dhe të zbatonin Fjalën e Tij (v. 5,6). Urdhërimet e Zotit u duheshin mësuar me zell bijve të tyre, për t’i udhëhequr në çdo fushë të jetës së tyre. Shumë prindër të krishterë e marrin këtë pjesë si një mandat për t’i mësuar bijtë e tyre, jo vetëm besimin, por gjithashtu edhe temat e ashtuquajtura të jetës praktike, duke mos i çuar në shkollat shtetërore që janë të prira pas humanizmit. Në kohën e Krishtit judenjtë lidhnin pjesë të ligjit në duart e tyre dhe i varnin ato midis syve të tyre (v. 8). Por pa dyshim, Zoti kërkonte që veprimet e tyre (duart) dhe dëshirat (sytë) duhej të kontrolloheshin nga ligji. Vargjet 4-9 njihen si «Shema» (hebraishte «dëgjoj») dhe recitoheshin përditë si një bindje nga judenjtë fanatikë bashkë me Ligji i Perterire 11:13-21 e Numrat 15:37-41. Fjala hebraike «një» në vargun 4 është domethënëse, parë në dritën e një zbulimi më të plotë të Dhiatës së Re. Ajo shpreh, jo unitetin absolut, por unitetin e përbërë dhe, kështu, është në përputhje me të dy emrat e Perëndisë përdorur në këtë varg. Jehovai (Zoti) thekson se Ai është një. Elohimi (Perëndi) thekson se është trin. Të njëjtat aluzione të mistershme të trinisë në unitet hasen që në vargun e parë të Biblës, ku «Elohim» pasohet nga një folje në njëjës (krijoi) dhe te Zanafilla 1:26, ku përemri pronor në shumës ne dhe sonë pasohen nga një emër në njëjës shëmbëlltyrë dhe ngjashmëri (Shënime të përditshme të Skripçër Juniën {Scripture Union}). 6:10-15 Kur populli do të futej në vend dhe do të gëzonte begatinë e tij të madhe, ekzistonte rreziku se do të harronte Atë që u dha ligjin atyre, apo se do të shkonin pas perëndive të tjera. Bindja ndaj ligjit nuk ishte një mjet për të fituar favor para Jehovait, por një dëftim dashurie ndaj Tij. Dashuria biblike nuk është një ndjenjë e ngrohtë, por një cilësi e drejtuar e përputhjes me vullnetin e shfaqur të Perëndisë. Dashuria nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri për mirëqenie. Xhelozia e Perëndisë (zelli për lavdinë e Tij) do ta shkatërronte popullin, nëse ai do të shkelte besëlidhjen e Tij me anë të mosbindjes. 6:16 Zoti Jezus e citoi këtë varg te Mateu 4:7 dhe Luka 4:12 për t’iu përgjigjur idesë së tunduesit që të hidhej nga maja e tempullit. Në Masa nuk kishte ujë të mjaftueshëm për të pirë dhe populli pyeti nëse Jehovai ishte me ta (Eksodi 17). Të dyshosh për kujdeshin dhe mirësinë e Perëndisë do të thotë ta tundosh Atë. 6:17-25 Bindja do të sillte fitore mbi armiqtë e Izraelit (v. 17-19). Brezat e ardhshëm duhej të udhëzoheshin me çlirimin e Perëndisë bërë popullit nga Egjipti dhe me dhënien e ligjit nga ana e Tij për të mirën dhe bekimin e tyre (v. 20-25). Krahasoni vargun 25 me Romakeve 3:21,22. Ligji thotë: «në rast se kujdesemi të zbatojmë»; hiri thotë: «për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë». Sot besimtarët janë veshur me drejtësinë mbi të cilën mbështetet ligji, drejtësia e Perëndisë (2 e Korintasve 5:21) dhe kjo sipas besimit, jo veprave (Rom. 4:5).C. Udhëzime për trajtimin e kombeve idhujtare (kapitulli 7)
7:1-5 Populli i Izraelit u paralajmërua me forcë kundër përzierjes me kombet pagane e idhujtare, që në atë kohë banonin në Kanaan. Për të ndëshkuar këto shtatë kombe – hitenjtë, girgashenjtë, amorejtë, kanaanejtë, perezenjtë, hivenjtë dhe gebusenjtë – për mëkatet e tyre të pamasa dhe për të ruajtur Izraelin nga ndotja, Perëndia shpalli që këta johebrenj duhej të shfaroseshin plotësisht dhe se duhej të shfarosej çdo gjurmë idhujtarie. Mbase vargu 3 pararend dështimin e judenjve për t’iu bindur vargut 2, sepse nëse ata do të shkatërronin tërë banorët e vendit, pa dyshim që nuk do të kishte kërcënim martesash të ndërkëmbyera. 7:6-11 Perëndia kishte zgjedhur Izraelin për të qenë […] një popull që të ishte i ndarë për Të. Ai nuk donte që ata të ishin si kombet e tjera. Ai nuk […] i zgjodhi për shkak të numrit të tyre më të madh (ata ishin më të vegjlit midis tërë popujve). Ai i zgjodhi thjesht ngaqë i deshi dhe donte që ata t’i bindeshin Atij në çdo gjë. Deri në brezin e njëmijtë do të thotë përgjithmonë. Zoti i urrente kombet kanaanease për shkak të veprave të tyre të liga. Ai e donte kombin e Izraelit, jo për shkak të ndonjë të mire, por thjesht ngaqë i donte ata dhe donte të mbante betimin që u kishte bërë etërve të tyre. Cili mund të kuptojë hirin zgjedhës të Perëndisë sovran! 7:12-26 Nëse populli i Perëndisë do të ishte besnik ndaj Tij në vend, Ai do t’i bekonte me bij të shumtë, të korra të bollshme, bagëti të shumta, shëndet dhe fitore mbi armiqtë e tij (v. 12-16). Nëse do të tundoheshin të kishin frikë armiqtë e tyre, ata do të kujtonin çlirimet e mëdha të Perëndisë në të shkuarën, sidomos çlirimin nga Egjipti (v. 17-19). Ashtu siç kishte bërë në të shkuarën, do të bënte të njëjtën gjë tani, duke dërguar grerat për të shkatërruar armiqtë e tyre. Grera, fjalë për fjalë, mund të jetë një figurë për një ushtri pushtuese (v. 20-24). Ai nuk do t’i shkatërronte armiqtë e tyre të gjithë menjëherë, sepse vendi do të mbushej me bishat e fushës (v. 22; zonat e papopulluara bëhen vende lakmuese për kafshët e egra, ndërsa zonat qytetëse shërbejnë për të kontrolluar numrin e tyre). Një arsye tjetër që fitorja nuk do të ishte e menjëhershme mund të gjendet te Gjyqtaret 2:21-23: Perëndia do të përdorte paganët e mbetur për të vënë në provë Izraelin. Tërë idhujt duheshin shkatërruar plotësisht që të mos bëheshin një tundim për Izraelin (v. 25,26). Kërcënimi më serioz ndaj Izraelit nuk ishin njerëzit e Kanaanit, por idhujt e tyre dhe imoraliteti i madh shoqëruar me këta idhuj. Betejat, për të cilat duhej të përgatiteshin më shumë, ishin frymërore e jo fizike.D. Mësime nga e kaluara (8:1-11:7)
Rreth kapitujve 8 e 9 Tompsoni (J. A. Thompson) tregon me një stil konciz:Këtu na paraqiten dy mësime të rëndësishme nga e shkuara. Së pari, përvoja e kujdesit të Perëndisë gjatë kohës në shkretëtirë, kur populli i Izraelit nuk mund të ndihmonte veten, u mësoi përulësinë nëpërmjet disiplinës parashikuese të Perëndisë. Kujtesa e asaj përvoje duhej t’i mbronte nga krenaria për arritjet e tyre përmes sigurisë dhe begatisë së vendit të ri (Ligji i Perterire 8:1-20). Së dyti, çdo sukses që mund të gëzonin në pushtimet e ardhshme nuk duhej interpretuar si një shenjë e miratimit hyjnor për drejtësinë e tyre (Ligji i Perterire 9:1-6). Në fakt, si në rastin e viçit të artë (Ligji i Perterire 9:7-21) dhe shumë herë të tjera (Ligji i Perterire 9:22-29), Izraeli kishte vërtetuar se ishte kryeneç dhe rebel{{5}}.8:1-5 Përsëri Moisiu nxit popullin t’i bindet Perëndisë, duke përdorur kujdesin e dashur dhe ruajtës të Perëndisë si një shtysë. Zoti kishte lejuar që të vinin prova në jetët e tyre me qëllim që të ulnin kokën, t’i sprovonte dhe që të provonte bindjen e tyre. Por Ai gjithashtu i ushqeu me mana nga qielli dhe siguroi veshje që nuk u konsumuan mbi trup, e sandale që i ruajtën këmbët e tyre nga enjtja gjatë dyzet vjetëve në ecejaket në shkretëtirë. Perëndia e dinte se çfarë kishte në zemrat e njerëzve. Ai nuk po përpiqej të mësonte diçka duke vënë në provë Izraelin në shkretëtirë (v. 2), por po u shfaqte njerëzve natyrën e tyre rebeluese në mënyrë që ata të vlerësonin më tepër mirësinë dhe hirin e Tij. Një mësim tjetër që duhej të nxirrnin nga ecejaket e tyre ishte frika ndaj Zotit. 8:6-20 Moisiu e paraqiti rastin e tyre jo vetëm në bazë të asaj që Perëndia kishte bërë, por në atë që do të bënte (v. 6,7). Bekimet e vendit të mirë të Kanaanit përshkruhen me hollësi (v. 7-9). Begatia mund të çojë në harresë dhe harresa në mosbindje, kështu populli duhej të hapte sytë kundër këtyre rreziqeve (v. 10-20). Besnikëria nga ana e Perëndisë duhej të ndeshte një besnikëri nga pala tjetër, Izraeli. Perëndia po mbante besëlidhjen e Tij të bërë me etërit (v. 18); populli, nga ana tjetër, duhej të mbante fjalën e tij ndaj Perëndisë (Eksodi 19:8). Në qoftë se populli harronte veprat e mëdha të Perëndisë ndaj tyre dhe ia atribuonin pasuritë fuqisë së tyre, Jehovai do t’i shkatërronte ashtu siç shkatërroi kombet pagane në Kanaan. 9:1-3 Kapitulli 9 hapet me një përshkrim të kombeve që Izraeli do të ndeshte së shpejti në betejë. Izraeli nuk duhej të kishte frikë, ashtu siç kishin pasur dyzet vjet më parë, sepse Perëndia do të luftonte për ta. «Ai do t’i shkatërrojë ata […] kështu që ju do t’i dëboni dhe do t’i shkatërroni menjëherë». Vini re veprën plotësuese të sovranitetit hyjnor dhe të veprimit njerëzor. Që të dy ishin thelbësorë për sigurimin e Tokës së Premtuar. 9:4-7 Kur […] Perëndia do të mundte banorët kanaaneas në vend, izraelitët nuk duhej të mburreshin. Tri herë paralajmërohen njerëzit rreth suksesit që i vishej drejtësisë së tyre (v. 4-6). Perëndia do t’u jepte atyre vendin […] për shkak të […] ligësisë së banorëve të asaj kohe (v. 4), për shkak të betimit të Tij ndaj Abrahamit, Isakut dhe Jakobit (v. 5), dhe jo për shkak të ndonjë merite në ta. E vërteta është se ata ishin kokëfortë (kryeneçë, v. 6), po ashtu edhe provokues e rebelë (v. 7). 9:8-23 Moisiu përmend si shembull sjelljen e popullit në malin Horeb (Sinai, v. 8-21). Vargjet 22 e 23 përmendin vende të tjera kur populli kishte mëkatuar: në Taberah (Num. 11:3); në Masa (Eksodi 17:7); në Kibroth-Atavah (Num. 11:34); në Kadesh-Barnea (Num. 13:31-33). Vini re se si ishte shkatërruar viçi i artë, pa pasur mundësi të ribëhej (v. 21). 9:24-29 Në malin Sinai ndërmjetësimi i Moisiut ishte gjëja e vetme që e shpëtoi popullin nga zemërimi i Jehovait. Ai nuk e mbështeti kërkesën e tij në drejtësinë e popullit (që më tej tregon se nuk kishin fare), por mbi zotërimin: «Popullin tënd dhe trashëgiminë tënde» (v. 26); premtimin: «Kujto shërbëtorët e tu: Abrahamin, Isakun dhe Jakobin» (v. 27); fuqinë: (fuqia e Perëndisë do të tallej nga egjiptianët): «me qëllim që vendi prej ku i nxore të mos thotë: ‘Meqenëse Zoti nuk ishte në gjendje t’i fuste në tokën që u kishte premtuar’» (v. 28). Në vargun 1 të kapitulli 10, rrëfimi kthehet te ngjarjet në malin Sinai dhe kështu pason vargun 29 të kapitullit 9. Bibla nuk është gjithmonë kronologjike; shumë herë rendi i ngjarjeve ka një rend frymëror apo moral, që është më tepër i rëndësishëm sesa rendi i thjeshtë kronologjik. Një vend më i përshtatshëm për ndarjen e kapitullit{{6}} duket se është pas vargut 11, sepse 11 vargjet e parë shtjellojnë ngjarjet në malin Sinai (tema e shtjelluar te 10:8), ndërsa vargjet 12 e më pas janë një nxitje për bindje, mbështetur në mirësinë e hirshme të Perëndisë. 10:1-5 Ky paragraf tregon për dhënien e dytë të ligjit dhe vendosjen e dy pllakave në arkë. Vargu 3 nuk do të thotë se Moisiu e bëri vetë arkën, por vetëm tregoi se si të bëhej. Zakonisht për një njeri thuhet se ka bërë diçka vetëm ngaqë e ka urdhëruar të bëhej. 10:6-9 Vargjet 6 e 7 duken se janë një ndryshim i menjëhershëm në këtë pikë. Në fakt, ato janë një parantezë, e cila tregon për ngjarje që kanë ndodhur në një datë të mëvonshme, ashtu siç tregon edhe versioni NKJV. Por ato i bëjnë të ditur lexuesit deri te vdekja e Aaronit (Versioni NKJ i vë vargjet 6-9 në kllapa, gjë e cila e bën pjesën më të lehtë për t’u lexuar). Moserahu ishte një zonë ku ndodhej mali Hor, meqë ky është mali ku vdiq Aaroni (Num. 20:25-28). Vendndodhja e saktë e Moserahut është e panjohur sot. Mbase kjo përmendje e vdekjes së Aaronit e bëri Moisiun të mendojë për priftërinë dhe kështu ai u kthye në zgjedhjen e Levit si fisin priftëror (v. 8,9). Detyra e trefishtë e priftërisë jepet në vargun 8:1. për të mbartur arkën e besëlidhjes; 2. për të qenë përpara Zotit dhe për t’i shërbyer; 3. për të bekuar në emër të Tij. Udhëzimet rreth priftërisë ishin të rëndësishme për këtë brez që do të futej në Kanaan. 10:10,11 Përsëri Moisiu u kujtoi qëndrimin e tij të dytë në Sinai, kur për dyzet ditë e dyzet net me radhë ndërmjetësoi për ta. Perëndia dëgjoi, ndaloi gjykimin dhe u tha të futeshin e të pushtonin vendin. 10:12-22 Dëshira e Jehovait për popullin e Tij u përmblodh në fjalët: «të kesh frikë […] të ecësh […] ta duash […] t’i shërbesh […] të respektosh» (v. 12,13). Tërë urdhërimet e Perëndisë u caktuan për të mirën e tyre (v. 13). Moisiu u dha zemër atyre t’i bindeshin Perëndisë për shkak të madhështisë së Tij (v. 14), zgjedhjes së Tij sovrane të Izraelit si popullin e Tij të veçantë (v. 15), paanësisë e drejtësisë së Tij (v. 17-20) dhe ndereve të Tij të shkuara ndaj kombit (v. 21,22). Një zemër e rrethprerë (v. 16) është një zemër që bindet. 11:1-7 Përsëri Moisiu përmblodhi historinë e shkuar të Izraelit që të nxirrte mësime frymërore prej saj. Në vargun 2, Moisiu po u flet të mbijetuarve të brezit të vjetër si të veçuar nga ata që lindën në shkretëtirë. Ushtarët që ishin mbi njëzet vjeç kur u larguan nga Egjipti u përjashtuan nga futja në Kanaan (Ligji i Perterire 2:14; Jozueu 5:6). Perëndia e çliroi popullin e Tij nga Egjipti dhe i drejtoi përmes shkretëtirës, por Ai nuk e toleroi rebelimin e Dathanit dhe Abiramit. Gjykimi i Perëndisë ndaj idhujtarëve egjiptian dhe gjykimi i tij i rreptë ndaj rebelëve brenda vetë kombit duhet të shërbejë si mësim ndaj marrëzisë për të shkaktuar mospëlqimin e Tij.
E. Shpërblime për bindjen (11:8-32)
11:8-17 Nga ana tjetër, mënyra për të zgjatur ditët e tyre në vendin e premtuar (v. 9) ishte duke respektuar […] tërë urdhërimet (v. 8). Toka që ata do të gëzonin, nëse do të bindeshin, përshkruhet në vargjet 10-12. Shprehja: «e vaditnit me këmbën tuaj» mund t’i referohet përdorimit të ndonjë mjeti me këmbë për nxjerrjen e ujit. Egjipti ishte një vend djerrë që u bë i frytshëm me anë të ujitjes, por Toka e Premtuar gëzonte përkrahjen e veçantë të Perëndisë së natyrës (v. 11,12). Shiu dhe të vjelat e bollshme do të ishin shpërblimi i bindjes (v. 13-15), por harresa ndaj Perëndisë apo idhujtaria do të pasohej nga thatësira dhe shterpësia. 11:18-21 Fjala e Perëndisë duhej të ishte tema e bashkëbisedimeve shtëpiake. Ajo duhej dashur dhe jetuar. Shpërblimi për praktikimin e Fjalës ishte se ditët e tyre do të ishin të shumta si ditët e qiellit mbi tokë (v. 21).Judenjtë e mëvonshëm e morën 18b fjalë për fjalë dhe kështu vinin xhepa të vegjël me pjesë të Shkrimit në ballet e tyre dhe i vinin në shtalkat e tyre (disa e bëjnë akoma një gjë të tillë). Por vargu 19a hedh, në fakt, idenë e së vërtetës – Fjala në dorë do të thotë një palë duar që nuk do t’i kushtohen mjeshtërisë së keqe apo të padenjë; Fjala midis syve tanë përfaqëson kontrollin e Perëndisë mbi pamjen tonë – mbi atë që shohim dhe që dëshirojmë; Fjala në shtalkat e dyerve nënkupton jetën shtëpiake e familjare nën shtytjen e përgjegjësisë ndaj Perëndisë, sidomos për çdo jetë të re që i besohet kujdesit tonë (Shënime të përditshme të Skripçër Juniën {Scripture Union}).11:22-25 Ata që ecnin në rrugët e Zotit do të dëbonin kanaanejtë paganë dhe do të zotëronin tërë vendin mbi të cilin do të shkelnin këmbët e tyre. Rregulli i zotërimit jepet në vargun 24. Tërë toka ishte e tyre me anë të premtimit, por ata duhej të futeshin në të dhe ta bënin të tyren, ashtu siç duhet të bëjmë ne tonat premtimet e Perëndisë. Kufijtë në vargun 24 nuk janë realizuar kurrë historikisht nga Izraeli. Është e vërtetë se mbretëria e Salomonit u shtri nga lumi (Eufrat) deri në kufijtë e Egjiptit (1 i Mbreterve 4:21), por izraelitët nuk e zotëruan tërë territorin. Por ajo përfshinte shtete që i paguanin haraçe Salomonit, pra, ato mbajtën qeverisjen e tyre. Vargun 24, bashkë me shumë pjesë të tjera, do të përmbushet plotësisht në Mbretërimin Mijëvjeçar të Zotit Jezus Krisht. 11:26-32 Kështu do të kishte bekim apo mallkim për Izraelin – bekimi në rastin e bindjes dhe mallkimi në rastin e mosbindjes. Dy male në Kanaan përfaqësojnë këtë të vërtetë – mali Gerizim ishte për bekimin dhe mali Ebal për mallkimin. Këta dy male, ndodhur afër Sikemit, kishin një luginë të vogël midis. Gjysma e fiseve u mendua të qëndronin në malin Gerizim ndërsa priftërinjtë do të shpallnin bekimet që do të vinin nga bindja. Gjashtë fiset e tjera do të qëndronin në malin Ebal ndërsa priftërinjtë do të shpallnin mallkimet që do të vinin si pasojë e mosbindjes. Në secilin prej rasteve populli duhej të thoshte: «Amen!». Shikoni Ligji i Perterire 27:11-26 për hollësi rreth domethënies së këtyre dy maleve. Lisi i Morehut mbase është ai që përmendet te Zanafilla 35:1-4. Atje, disa shekuj më parë, Jakobi kishte pastruar shtëpinë e tij nga idhujt. Mbase ky referim kishte si qëllim të jepte jo vetëm drejtim gjeografik, por edhe frymëror.
F. Statutet e adhurimit (kapitulli 12)
12:1-3 Kur të futeshin në vendin e premtuar, populli i Perëndisë duhej të shkatërronte tërë idhujt dhe altarët e tyre, tërë vendet ku ishte kryer adhurimi i rremë. Shëmbëlltyrat prej druri (hebraishte ash_rîm) ishin simbole të një hyjnie femërore. Kolonat ishin simbole të Baalit, hyjnisë mashkullore. 12:4-14 Perëndia do të veçonte një vend për adhurimin, një vend ku do të çoheshin flijimet dhe ofertat. Ky vend ishte atje ku u vendos për herë të parë tabernakulli (Shiloh – Jozueu 18:1) dhe më vonë atje ku u ngrit tempulli (Jerusalem). Vetëm në këtë vend të caktuar miratohej adhurimi. Qendra e adhurimit të të krishterit është një Person, Zoti Jezus Krisht, shfaqja e dukshme e Perëndisë së padukshëm. …Perëndia nuk u kishte dhënë rëndësi disa parregullsive në shkretëtirë që tani nuk duhej të praktikoheshin në tokën e Kanaanit (v. 8,9). 12:15-28 Te Levitiku 17:3,4 Perëndia kishte urdhëruar që kur një kafshë për flijim, si për shembull një ka, dele apo dhi, do të therej, duhej çuar në tabernakull. Tashmë që populli do të vendosej në Kanaan ligji duhej të ndryshohej. Që këtej e tutje judenjtë mund të vrisnin dhe të hanin kafshët shtëpiake të përdorura zakonisht për flijime, ashtu siç mund të hanin gazelën dhe drerin (kafshët e pastra që nuk përdoreshin për flijime). Ky lejim u dha për ata që ishin të papastër, pa kaluar përmes larjes ceremoniale, po ashtu edhe për ata që ishin të pastër. Megjithatë, ata u paralajmëruan shumë herë që të mos hanin gjak, sepse gjaku është jeta e mishit dhe jeta i përket Perëndisë. 12:29-32 Izraelitët u paralajmëruan solemnisht që as të mos hetonin praktikat idhujtare të paganëve, që të mos tundoheshin të përfshinin në ato praktika të liga adhurimin e Perëndisë së vërtetë. Vargu 31 i referohet praktikave të tmerrshme të shoqëruara me adhurimin e Molekut dhe Kemoshit. Në DhR Pali na thotë se forca shtytëse pas idhujtarisë është djalli (1 e Korintasve 10:20). A duhet të habitemi me mizorinë dhe rënien e idhujtarisë kur kuptojmë natyrën e vërtetë të saj? Fakti që zemra njerëzore priret më shpejt kah kjo lloj errësire sesa kah drita e Perëndisë së vërtetë ilustrohet nga kombi të cilit i është drejtuar Ligji i Përtërirë. Salomoni, mbreti i tretë i Izraelit, ndërtoi një altar për Molekun dhe Kemoshin në Jerusalem, qyteti në të cilin Zoti kishte vënë emrin e Tij (1 i Mbreterve 11:7).G. Ndëshkimi i profetëve të rremë dhe idhujtarëve (kapitulli 13)
Njerëz të veçantë apo grupe të ndryshme, që mund të tundonin popullin e Perëndisë për të praktikuar idhujtarinë, duhej të vriteshin me gurë, qoftë profet (v. 1-5), një kushëri i afërt (v. 6-11), apo një bashkësi (v. 12-18). Një profet që nxiste njerëzit në idhujtari nuk duhej të ndiqej, edhe sikur të realizohet mrekullia që parathoshte. Një njeri i tillë ishte një profet i rremë dhe duhej të vritej. Edhe sikur një i afërm i ngushtë nxiste familjen e tij për të praktikuar idhujtarinë, edhe ai duhej të vritej. Njerëzit e çoroditur të vargut 13 ishin ndjekës të ulët apo «bij të padenjë» (hebraishte belîyya’al). Nëse një gangster i tillë i çonte njerëzit e qytetit të tij larg Perëndisë për tek idhujt duhej të vritej, bashkë me banorët e qytetit të tij dhe qyteti duhej të digjej. E njëjta metodë përdorej si për një qytet idhujtar izraelit ashtu edhe për qytetet e kanaanejve – pra, shkatërrim i plotë; Ai do të sillet ashpër me mëkatin, edhe midis popullit të Tij. Por shtysat e Tij janë të ndryshme. Në rastin e një qyteti jude shtysa e Tij do të ishte disiplina atërore, duke pasur si qëllim ndreqjen e kombit si të tërë.H. Ushqimet e pastra e të papastra (14:1-21)
14:1,2 Këto dy vargje ndalojnë praktikat idhujtare të shfytyrimit të trupit prej mbajtjes zi për një të vdekur. Judenjtë kishin një respekt më të lartë për trupin si krijimi i Perëndisë sesa johebrenjtë. 14:3-21a Ky paragraf përmbledh temën e ushqimeve të pastra e të papastra, qoftë kafshë (v. 4-8), peshq (v. 9,10), insekte fluturuese (v. 19), apo zogj (v. 11-18,20; për përjashtime të vargut 19, shikoni Lev. 11:21,22). Një listë e ngjashme jepet te Levitiku 11. Dy listat nuk janë të njëjta në çdo pikë, as nuk kanë qëllimin të jenë të tilla. Disa kafshë ishin të papastra për arsye higjienike dhe të tjerat ngaqë përdoreshin në ritet idhujtare apo nderoheshin nga paganët. Parimi i DhR rreth ushqimeve mund të gjendet te Marku 7:15, Romakeve 14:14 dhe 1 Timoteut 4:3-5b. Johebrenjtë lejoheshin të hanin mishin e një kafshe që ngordhte në mënyrë të natyrshme, ndërsa judenjtë jo (v. 21a). Një gjë e tillë shkelte Ligji i Perterire 12:23, ngaqë gjaku nuk ishte hequr ashtu siç duhej nga kafsha. 14:21b Një kec nuk duhej të gatuhej në të njëjtë enë me qumështin e nënës së tij (v. 21b; kjo duket sikur ka qenë një praktikë e kanaanejve. Ndalohet tri herë në tërë Pentateukun). Nga një pikëvështrim natyral, ky rregull do të shpëtojë njerëzit nga helmimi që është aq i zakontë kur mishi (që është gatuar bashkë me qumësht ose djathë) prishet shpejt. Përveç kësaj, është bërë e qartë se vlera e kalciumit zhduket kur hahet mishi që është gatuar bashkë me qumësht ose djathë. Nga kjo ndalesë rregullat e përpunuara të rabinëve rreth enëve të ndryshme për mishin dhe prodhimet bulmetore kanë përparuar.I. E dhjeta (14:22-29)
14:22-27 Vargjet 22-29 shtjellojnë temën e së dhjetës. Disa komentues mendojnë se kjo pjesë nuk i referohet të dhjetës së parë (Lev. 27:30-33), e cila i përket vetëm Perëndisë, iu dha levitëve dhe nuk duhej të hahej nga izraelitët. Për më tepër i referohet një të dhjete të dytë, që quhej e dhjeta festuese, pjesë nga e cila hante vetë ofruesi. Në përgjithësi, këto të dhjeta të dyta duhej të çoheshin në vendin që caktonte Perëndia si qendrën e adhurimit. Megjithatë, nëse ofruesi banonte aq larg nga vendi ku Perëndia vendoste emrin e Tij, sa nuk mund t’i çonte deri atje të dhjetat e tij, ai mund të këmbente prodhimin me para, të merrte paratë me vete për t’i çuar te shenjtërorja e Perëndisë dhe të blinte ushqimin dhe pijen atje për t’u gëzuar përpara Zotit. Vini re në vargun 26 se Bibla nuk mëson mospirjen e plotë, por mëson thjeshtësinë, vetëkontrollin, jo narkomaninë dhe ndalimin nga çdo gjë që shkakton fyerje ndaj një tjetri. Ndryshimi midis verës dhe pijes së fortë është se vera bëhet nga rrushi dhe pija e fortë nga gruri, frutat apo mjalti. Për dy vjet ofruesit i kërkohej të shkonte ose me të dhjetën, ose barasvlerën e saj në para. 14:28,29 Vitin e tretë ai përdorte të dhjetën në shtëpi për të ushqyer levitin, të huajin, jetimin dhe të venë. Përsëri shohim se i varfri dhe nevojtari kanë një përparësi të lartë për sa i përket Zotit. «Ai që ka mëshirë për të varfrin i jep hua Zotit, i cili do t’ia kthejë ato që i ka dhënë» (Fjalët e Urta 19:17).J. Trajtimi i borxhlinjve dhe i shërbëtorëve (kapitulli 15)
15:1-3 Në mbarim të çdo shtatë viteve tërë borxhet midis bijve të Izraelit duhej të shfuqizoheshin. Viti i shtatë përkonte me vitin e shabatit. Judenjve nuk u kërkohej të shfuqizonin borxhet e marra nga të huajt; ky ligj vlente vetëm për borxhet midis judenjve. Methju Henri (Matthew Henry) komenton:Çdo vit i shtatë ishte një vit pushimi, në të cilin toka pushonte së pluguari dhe shërbëtorët ishin të lirë nga detyrat e tyre; dhe, midis veprave të tjera të hirit, ata që kishin marrë borxh para dhe nuk kishin mundur të paguanin më parë, liroheshin nga detyrimi këtë vit; dhe megjithatë, nëse mundnin ta paguanin, ishin të shtyrë nga ndërgjegjja ta shlyenin borxhin, edhe pse kreditori nuk mund ta kërkonte me ligj{{7}}.Shtata është numri i plotësisë në Shkrim. Kur u plotësua koha, Perëndia dërgoi Birin e Tij dhe me anë të Tij shpalli shlyerjen e mëkateve – një «vit shpengimi» jo vetëm për judenjtë (v. 3), por për tërë njerëzit. 15:4-6 Vargu 4 duket sikur bie në kundërshtim me vargun 11. Vargu 4 hedh idenë e një kohe kur nuk do të ketë asnjë nevojtar […] në vend, ndërsa vargu 11 thotë se gjithmonë do të ketë të varfër. Shënimi i Bullinxhër (Bullinger) është i dobishëm për këtë pikë. Ai hedh idenë se vargu 4 do të thotë: «Nuk do të ketë asnjë nevojtar midis jush»{{8}}. Me fjalë të tjera, ata duhet të çlirojnë vëllezërit e tyre borxhlinj çdo shtatë vjet në mënyrë që të mos ketë njerëz në varfëri të vazhdueshme. Kredituesi nuk do të vuajë, sepse Perëndia do ta bekojë atë madhërisht. Ideja në vargun 11 është se gjithmonë do të ketë të varfër, pjesërisht si ndëshkim dhe pjesërisht për t’u mësuar të tjerëve dhembshurinë në dhënie. 15:7-11 Fakti që tërë borxhet shfuqizoheshin në vitin e shtatë nuk duhej të bënte që dikush të mos pranonte të jepte para hua një izraeliti të varfër, meqë viti i familjes ishte afër. Mospranimi është mendimi i keq apo i ulët i vargut 9. Për këtë lidhje, judenjtë janë njohur më së miri për kujdesin për veten e tyre përgjatë historisë. Pali flet për të njëjtën gjë te 2 e Korintasve 9:7, gjë që Moisiu e thotë në vargun 10: «Perëndia do një dhurues të gëzuar». Ky varg nuk është vetëm një urdhër, por edhe një premtim, sepse Perëndia nuk është borxhliu i askujt. «Njeriu bujar do të pasurohet dhe ai që vadit do të vaditet gjithashtu» (Fjalët e Urta 11:25). 15:12-15 Një skllav hebre duhej të lirohej gjithashtu gjatë vitit të shtatë (v. 12-18). Por ai nuk duhej të largohej pa marrë më parë diçka bujarisht. Perëndia kishte siguruar bollëk për popullin e Tij kur i nxori nga skllavëria në Egjipt (Eksodi 12:35,36), dhe për këtë arsye një skllav i lirë nuk duhej të shkonteduarbosh. Dëshira e Zotit është që populli i Tij të ndjekë shembullin e Tij, ose, për të përsëritur rregullin e artë: «Bëj për vëllanë tënd atë që Zoti ka bërë për ty». 15:16-18 Nga ana tjetër, skllavi mund të mos e pranonte lirinë dhe të vendoste të bëhej «skllavi me dashuri të përjetshme». Ai e tregonte këtë duke shpuar veshin e tij me një fëndyell […]përkundrejt portës së shtëpisë së të zotit. Një shërbëtor ishte dyfish i dobishëm si një argat. 15:19-23 Duke filluar me vargun 19 dhe duke vazhduar deri te Ligji i Perterire 16:17, paraqiten rregulla rreth disa detyrave që duhej të zbatoheshin në vendin ku Jehovai kishte vendosur emrin e Tij:
- Veçimi i kafshëve të parëlindura (Ligji i Perterire 15:19-23);
- Pashka dhe festa e të Ndormëve (Ligji i Perterire 16:18);
- Festa e Javëve, apo e Rrëshajëve (Ligji i Perterire 16:9-12);
- Festa e Kasolleve (Ligji i Perterire 16:13-17).
K. Tri festat e caktuara (kapitulli 16)
16:1-8 Kapitulli 16 përmbledh tri festat për të cilat njerëzit e Izraelit duhej të shkonin në shenjtëroren qendrore çdo vit. Për sa i përket qëllimit të tyre, Moudi (Moody) shkruan: Festat e shenjta ishin caktuar, në përgjithësi, për këto qëllime e përdorime:- Për të dalluar popullin e Perëndisë nga kombet e tjera.
- Për të mbajtur gjallë kujtesën e të mirave të marra tashmë.
- Për të qenë një simbol apo figurë e të mirave që do të merrnin me anë të Krishtit.
- Për të bashkuar popullin e Perëndisë në adhurim të shenjtë.
- Për të ruajtur pastërtinë në adhurim të shenjtë të përshkruar nga Perëndia{{9}}.
- Me anë të mëshirës së kryqit: vuajtja;
- Me anë të ardhjes së Frymës së Shenjtë: hiri;
- Me anë të triumfit përfundimtar të ardhjes së Mbretit: lavdia{{10}}.
L. Gjyqtarët dhe mbretërit (kapitulli 17)
17:1 Kafshët për t’u flijuar duhej të ishin pa të meta. Ato ishin simbol i Qengjit të pamëkatë, të panjollë të Perëndisë. 17:2-7 Një njeri që dyshohej për idhujtari duhej të hetohej me kujdes. Në këtë rast kërkohej deponimi i dy apo tre dëshmitarëve. Nëse dënohej, duhej të goditeshin për vdekje me gurë. 17:8-13 Nëse dilnin probleme ligjore, të cilat ishin shumë të vështira për t’u zgjidhur nga pleqtë e qytetit, ata duhej të shkonin te një gjykatës. Duke krahasuar Ligji i Perterire 17:9 me Ligji i Perterire 17:12 dhe Ligji i Perterire 19:17, duket se kishte një grup priftërinjsh dhe gjykatësish që dëgjonin këto çështje të vështira. Kryeprifti dhe kryegjyqtari ishin udhëheqësit përkatës, duke u nënkuptuar kjo nga nyja shquese e përdorur në vargun 12. Ky gjyq mbahej në vendin ku ndodhej shenjtërorja e Perëndisë; kjo ishte Gjykata e Lartë e Izraelit. Nëse i padituri nuk pranonte të dëgjonte priftin […] apo gjykatësin, duhej të vdiste (v. 12,13). 17:14-20 Perëndia pararendi dëshirën e popullit për një mbret rreth 400 vjet para dhe pohoi cilësitë e një sunduesi të tillë, si vijon: 1. Ai duhej të ishte një njeri i zgjedhur nga Perëndia (v. 15). 2. Ai duhej të ishte një izraelit – midis vëllezërve të tu (v. 15). 3. Ai nuk duhej të kishte një numër të madh kuajsh – pra, të varej nga këto mjete natyrore për fitoret mbi armiqtë e tij (v. 16). Besimi i tij duhej të ishte në Zotin. 4. Ai nuk duhej ta kthente popullin në Egjipt, duke menduar se kuajt që mund të gjenin atje mund t’i shpëtonin (v. 16). 5. Ai nuk duhej të kishte një numër të madh grash (v. 17). Ky nuk është vetëm një ndalim kundër poligamisë dhe një paralajmërim kundër rrezikut të grave që do ta çonin në idhujtari, por gjithashtu një pengesë për martesat e bëra për të formuar aleanca politike (v. 17). 6. Ai nuk duhej të grumbullonte për vete një sasi të madhe argjendi dhe ari, meqë këto mund ta largonin nga varësia e Zotit (v. 17). 7. Ai duhej të shkruante, lexonte dhe t’i bindej ligjit të Zotit, që të mos bëhej krenar dhe kryeneç (v. 18-20). Duke kaluar vazhdimisht kohë me ligjin, mbreti duhej të bëhej shembull për popullin. 8. Ai nuk duhej të ngrihej me krenari mbi të tjerët (v. 20). Salomoni, që sundoi mbi Izrael në ditët e tij të arta, shkeli gati të gjitha këto pika – duke sjellë vetëshkatërrimin dhe rrënimin e mbretërisë së tij (1 i Mbreterve 10:14 – 1 i Mbreterve 11:10).M. Priftërinjtë, levitët dhe profetët (kapitulli 18)
18:1-8 Përsëri shihet kujdesi i Perëndisë për priftërinjtë dhe levitët. Ngaqë ata nuk morën një trashëgimi fisnore të vendit, duhej të mbështeteshin nga populli. Pjesa e tyre në ofertat ishin shpatullat, dy nofullat, plëndësi, prodhimi i parë i grurit, i mushtit,i vajit dhe qethjen. Vargjet 6-8 përshkruajnë një levit që shiti shtëpinë e tij dhe shkoi në vendin ku Perëndia kishte vendosur emrin e Tij për t’i shërbyer Atij. Pastaj ai kishte të drejtë të ndante në ofertat me levitët e tjerë. Pra, shitja e pasurisë së tij ishte një shtesë mbi këto oferta. (levitët mund të kishin pasuri të tyren edhe pse nuk u trashëgohej një pronë fisnore). 18:9-14 Izraelitët ndaloheshin të kishin lidhje me dikë që shpallte se komunikonte me botën e padukshme. Këtu paraqiten tetë mjete të komunikimit me botën frymërore. Ato quhen të neveritshme nga Perëndia. Ato përfshijnë: ndonjë që praktikon shortarinë (një shtrigë apo shtrigan) […], bën parashikime (një parashikues, një profet i rremë) […], interpreton shenjat (një lexues i dorës, një fallxhor, një astrolog) […], merret me magji (një magjistar) […], përdor yshtje (një shtrigan, magjistar) […], mediume (mediume të frymërave) […], konsulton frymërat (një udhëheqës seancash psikoterapie) […], ndjell të vdekurit (një nekromant). Disa nga këto «profesione» kanë gjëra të përbashkëta me njëra-tjetrën. Tragjikisht, afërsisht 3 400 vjet ndalimi u deshën për të «ndriçuar» kohët moderne, ashtu siç ishte kohë më parë. Henri Bosh (Henry G. Bosch) shkruan:Satanizmi, demonët dhe tërë okultet janë realitete të zymta, të mbrapshta dhe jo hile. Një nga shenjat që po i afrohemi fundit të kësaj kohe është interesi shumë i përhapur për magjinë, astrologjinë dhe forma të tjera të okultit. …Mijëra dëgjojnë horoskopin e tyre çdo ditë, shkojnë në seanca psikoterapike, apo përpiqen të komunikojnë me të dashurit e tyre të vdekur. Ka gjithashtu një interes të madh për satanizmin dhe demonët. Bibla, në mënyrë të përsëritur, paralajmëron kundër praktikave të tilla (Lev. 19:31; 20:27 dhe 2 i Kronikave 33:6; Jer. 10:2; Gal. 5:19,20). Sa të ngutshme dhe të kohës janë paralajmërimet e Shkrimit! Le të mos luajmë me diçka që mund të bëhet një puthje e vdekjes{{11}}.Të jesh i përkryer (v. 13) ndaj këtyre «komunikimeve» të ndaluara do të thotë të dëgjosh vetëm zërin e Perëndisë. 18:15-19 Në përqasje e fortë me ligësitë e udhëheqësve të okultit, vargu 15 paraqet një profeci të bukur rreth Krishtit, Profetit të vërtetë të Perëndisë (Veprat e Apostujve 3:22,23). Vini re përshkrimin te vargjet 15,18 e 19. 1. Një profet – pra, ai që flet fjalën e Perëndisë; 2. Në mes teje – pra, plotësisht njeri; 3. mes […] vëllezërve të tu – pra, një izraelit; 4. si unë – pra, si Moisiu, që do të thotë se do të ngrihej nga Perëndia; 5. Unë […] do të vë në gojën e tij fjalët e mia – plotësia e frymëzimit; 6. Ai do t’u thotë atyre të gjitha ato që unë do t’i urdhëroj – plotësia e zbulimit; 7. Të gjithë janë përgjegjës për ta dëgjuar dhe për t’iu bindur Atij. Kjo pjesë mëson gjithashtu se ky Profet do të shërbejë si një Ndërmjetësues midis Perëndisë dhe njeriut. Njerëzit ishin aq tepër të frikësuar në malin Sinai, saqë kërkuan që Perëndia të mos u fliste më drejtpërdrejt dhe që të mos shikonin zjarrin e të vdisnin. Si përgjigje ndaj kësaj kërkese, Perëndia premtoi Krishtin si Ndërmjetësues. Prandaj kjo pjesë paraqet shpresën mesianike që judenjtë mund ta shohin qartë tek ungjijtë (Gjoni 6:14; 7:40). 18:20-22 Profetët e rremë mund të dalloheshin në mënyra të ndryshme. Kemi mësuar më parë se ata ishin të rremë, sepse përpiqeshin ta largonin popullin nga adhurimi i Perëndisë së vërtetë (Ligji i Perterire 13:1-5). Këtu kemi një mjet tjetër dallimi: nëse një parashikim nuk dilte, ai profet duhej të vritej dhe askush nuk duhej të frikësohej nga mallkimi që shqiptonte ai.
N. Ligjet kundër krimeve (kapitulli 19)
19:1-10 Tashmë ishin ngritur tre qytete strehimi në lindje të lumit Jordan. Këtu Moisiu kujtoi popullin të ngrinte tri qytete në anën tjetër, të vendosura në mënyrë të volitshme që një vrasëspa dashje të strehohej nga hakmarrësi i gjakut (v. 1-7). Nga udhëzimi i mëparshëm për këtë temë shtohet parashikimi i tri qyteteve të tjera të strehimit, nëse populli do të zotëronte plotësisht territorin e premtuar atyre më parë (v. 8-10). Nuk përmenden më këto tri qytete shtesë, sepse Izraeli nuk e ka pushtuar kurrë tërë Tokën e Premtuar te Zanafilla 15:18. Tri qytetetnë perëndim të Jordanit ishin Kedeshi, Hebroni dhe Sikemi (Jozueu 20:7). 19:11-13 Qyteti i strehimit nuk qe për sigurinë e vrasësit me vetëdije. Edhe pse ai strehohej në një nga këto qytete, pleqtë duhej të gjykonin provat dhe duhej t’ia dorëzonin hakmarrësit të gjakut, nëse shpallej fajtor. 19:14 Kufijtë ishin gurë të vendosur në një fushë për të treguar cakun e tokës së dikujt. Këta mund të lëvizeshin fshehtas natën për të zgjeruar fermën e dikujt, duke mashtruar në të njëjtën kohë të afërmin. Se pse vihet ky varg në mes të pjesës që shtjellon praktikën ligjore – pra, qytetet e strehimit dhe dëshminë e rremë e të vërtetë – është e vështirë të thuhet, por pozicioni nuk errëson mësimin e tij. 19:15-21 Një dëshmitar i vetëm nuk mjaftonte në çështjet ligjore. Duhej të ekzistonin dy ose tre dëshmitarë. Një dëshmitar i rremë duhej të vërtetohej prej priftërinjve dhe gjykatësve (Ligji i Perterire 17:8,9) dhe duhej të ndëshkohej për krimin me të cilin padiste të pandehurin (v. 16-21). Parimi «sy për sy»dhe «dhëmb për dhëmb» quhet Lex talionis në kulturën perëndimore (latinisht «ligji i shpagimit»). Zakonisht është keqparaqitur si hakmarrës, por nuk është kështu. Ky ligj nuk është një leje për mizori, por një kufi ndaj saj. Në kontekst i referohet atij lloj dënimi që i caktohej dëshmitarit të rremë.O. Ligjet rreth mirëqenies (kapitulli 20)
20:1-8 Kapitulli 20 është një udhëzues rreth luftës së popullit të Perëndisë. Priftërinjtë u ngarkuan për të dhënë zemër popullit ndërsa ata përlesheshin kundër armikut. Klasa të ndryshme ishin të përjashtuara nga shërbimi ushtarak: 1. Ata që sapo kishin ndërtuar një shtëpi të re; 2. Ata që sapo kishin mbjellë një vresht dhe që kurrë nuk kishin marrë nga frutat e tij; 3. Ata që ishin të fejuar dhe ende nuk ishin martuar; 4. Ata që kishin frikë dhe të cilëve u mungonte guximi.Shkrimtarët judenj bien dakord se kjo liri për t’u kthyer lejohej vetëm në ato luftëra që ata i bënin vullnetarisht […], jo në ato që urdhëroheshin nga Perëndia kundër amalekitëve dhe kanaanejve, në të cilat çdo burrë ishte i detyruar të luftonte{{12}}.20:9 Meqë në çdo ushtri të mirë duhet të ketë organizim dhe rend, oficerët caktonin komandantët e trupave të popullit. 20:10-20 Jo si kombet e tjerë, Izraeli duhej të bënte dallime në gjendjen e tij të luftës nën drejtimin e Jehovait. Këto dallime ishin një vlerësim i mëtejshëm i Izraelit si një popull i shenjtë nën një Perëndi të dashur. Lufta ishte e domosdoshme, por Zoti do të kontrollonte të keqen që shkaktonte ajo. Duhen studiuar praktikat mizore të kombeve të tjera, siç janë asirët{{13}}, për të vlerësuar këto rreshta. Jepen udhëzime se si duhej të zhvillohej lufta. Vini re dallimet e mëposhtme:
- Qytetet […] afër dhe lart (10-18). Qytetet në vend ishin një rrezik i menjëhershëm, plotësisht të mallkuara dhe të denja për t’u shkatërruar. Qyteteve jashtë vendit, por brenda pjesës tjetër të zonës së premtuar Abrahamit, u duheshin afruar në fillim me kushtet e paqes. Nëse ata kundërshtonin, duhej të vriteshin vetëm burrat; gratë dhe fëmijët nuk duheshin vrarë. Këto qytete nuk përbënin një kërcënim të madh për të ndotur Izraelin, sa ato qytete brenda kufijve.
- Pemët frutore dhe jofrutore (19,20). Parimi këtu është që Izraeli nuk duhej të praktikonte «luftën shkretuese». Ata duhej të ruanin atë që ishte e dobishme, në vend që të ndërmerrnin shkatërrimin e tërësishëm të vendit.
P. Ligjet e ndryshme (kapitujt 21-25)
1. Shlyerja për vrasjen e pazgjidhshme (Ligji i Perterire 21:1-9)
Nëse një njeri gjendej i vrarë, i shtrirë në një fushë dhe vrasësi nuk mund të gjendej, pleqtë […] rreth e rrotull […] qytetit duhej të bënin heqjen e fajit. Ata çonin një mëshqerrë […] pranë një rrjedhe uji dhe e vrisnin atje. Duke larë duart mbi mëshqerrën, shpallnin pafajësinë e tyre ndaj krimit dhe kërkonin që asnjë faj gjakderdhjeje të mos i prekte. Edhe kur faji individual nuk mund të ishte i sigurt, mbetej akoma një faj i përbashkët që duhej të hiqej; vendi duhej të pastrohej nga ndotja e gjakut. Kjo u bë përgjegjësia e qytetit […] rreth e rrotull. Dikush i ka quajtur vargjet 1-9 «Hetimi i madh i Perëndisë ndaj Birit të Tij». Izraeli është fajtor për gjakderdhje ndaj vdekjes së Krishtit dhe duhet të pastrohet në një mënyrë të drejtë.2. Robëreshat e luftës (Ligji i Perterire 21:10-14)
Një izraelit lejohej të martohej me një grua të pashme të kapur në luftë, pasi ajo kalonte nëpër pastrimin dhe ndarjen ceremoniale (por pjesa nuk vlen për banorët femra të vendit të Kanaanit). Martesa kishte një natyrë të përkohshme; ai më pas mund ta linte atë nëse nuk i pëlqente. Megjithatë, ai nuk mund ta shiste për para as ta trajtonte si skllave.3. Të drejtat e parëbirnisë (Ligji i Perterire 21:15-17)
Birit të një gruaje të urryer nuk mund t’i hiqej e drejta e parëbirnisë, nëse ai ishte i parëlinduri. Këto vargje nuk vërtetojnë se Perëndia miratonte bigaminë, por thjesht garantojnë të drejtën e parëlindjes, edhe në rastin e martesave me shumë gra. Ndonjëherë Perëndia, në mënyrë sovrane, vë mënjanë të parëlindurin e një familjeje për të bekuar më të riun – për shembull, rasti i Jakobit me Ezaun, rasti i Efraimit dhe i Manasit. Megjithatë, ky ishte një përjashtim, mbështetur në zgjedhjen e Perëndisë dhe jo një rregull, i cili pohohet këtu.4. Bijtë kryeneçë e rebelë (Ligji i Perterire 21:18-21)
Një fëmijë kokëfortë duhej të goditej për vdekje me gurë, pasi ishte shpallur fajtor nga pleqtë e qytetit. Krahasoni këtë me pranimin që iu dha djalit të penduar plangprishës te Luka 15.5. Trupat e kriminelëve të varur (Ligji i Perterire 21:22,23)
Ky tekst flet përfundimisht për Krishtin. Edhe pse Vetë ishte i pafajshëm, u var në një dru. Ai po merrte mallkimin që meritonim ne. Kufoma e tij nuk u lejua të qëndronte në kryq tërë natën (shikoni Gjoni 19:31). Atij, që vuajti në dru, shpirtrat tanë me çmimin e shpirtit të Tij fitoi. I qofshin bekime, lavde e lavdi! I denjë është Qengji që u ther! Atij, i kurorëzuar nga e drejta birnore, tërë fuqinë në qiell e tokë shpall. I qofshin ndere, madhështi dhe fuqi! I denjë është Qengji që u ther! Xhejms Montgomeri (James Montgomery)6. Nëntë ligje të sjelljes (Ligji i Perterire 22:1-22)
22:1-3 Kapitulli 22 është një shtojcë për Levitiku 19:18, që përshkruan urdhrin e përgjithshëm: «Duaje të afërmin tënd». Edhe me armiqtë vetjakë duhej të silleshin sikur të ishin të afërm (Eksodi 23:4,5). Një izraelit nuk lejohej të vepronte ndryshe ndaj çdo gjëje të humbur nga i afërmi i vet (vëllai). Qoftë kafshë, rrobë apo ndonjë gjë tjetër, ai detyrohej ta merrte në shtëpinë e vet dhe ta ruante, derisa të kërkohej. 22:4 Izraelitët ishin gjithashtu të detyruar të ndihmonin një kafshë të të afërmit që ishte rrëzuar. 22:5 Burrat nuk duhej të vishnin rroba grash, ose anasjelltas. Perëndia urren veshje të tilla [transvestizëm]. 22:6,7 Zogjtë e vegjël mund të merreshin nga një fole zogu, por nëna duhej të lihej e lirë, mbase për të vazhduar riprodhimin. 22:8 Një parapet apo parmak duhej të ngrihej rreth çatisë së një shtëpie për të parandaluar që të mos binin njerëzit. Çatia ishte vendi i përbashkësisë. Është e rëndësishme të ruash përbashkësinë, sidomos të të rinjve dhe të të shkujdesurve. 22:9-11 Judenjtë e kishin të ndaluar: 1. të mbillnin në vresht farëra të llojeve të ndryshme; 2. të të punonin njëkohësisht me një ka (kafshë e pastër) dhe një gomar (e papastër) në një zgjedhë; 3. të vishnin rroba të bërë nga përzierja e leshit dhe e lirit. Ndalimi i parë hedh idenë e shtimit të mësimit të pastër të Fjalës së Perëndisë. I dyti përshkruan zgjedhën e pabarabartë në shërbim. I treti flet për përzierjen e drejtësisë dhe të padrejtësisë në jetën praktike të besimtarit. 22:12 Judenjtë duhej të vinin thekë në katër cepat e rrobave të tyre si kujtesë e vazhdueshme për t’iu bindur Zotit (Num. 15:37-41). Arsyeja e këtyre thekëve jepet te Numrat 15:37 e më pas. [Te Diodati në shqip është gabim. Shkruhet «Nuk do të vësh theka», por duhet bërë «Duhet të veshësh thekë…»].7. Shkeljet ndaj pastërtisë seksuale (Ligji i Perterire 22:13-30)
22:13-21 Ky paragraf shtjellon rastin kur një burrë martohet me një vajzë dhe më pas dyshon se nuk kishte gjetur tek ajo shenjat e virgjërisë. Shenjat e virgjërisë mbase kishin të bënin me njollat në pëlhurën e shtratit martesor pas përvojës së parë seksuale me një grua{{14}}. Nëse babai dhe nëna mund të sillnin provat e shenjave të virgjërisë së vajzës, burri dyshues ndëshkohej, gjobitej me njëqind sikla argjendi dhe duhej të jetonte me të. Megjithatë, nëse vajza kishte qenë imorale para martesës së tij, atëherë ajo goditej për vdekje me gurë. 22:22-30 Vargjet që mbeten të këtij kapitulli shtjellojnë llojet e ndryshme të imoralitetit seksual: 1. Si burri ashtu edhe gruaja që kapeshin gjatë veprës së tradhtisë bashkëshortore duhej të vriteshin. 2. Nëse një burrë përdhunonte një vajzë të virgjër të fejuar […] në qytet dhe nuk ka bërtitur për ndihmë, atëherë që të dy ishin fajtorë për shkelje të tradhtisë bashkëshortore dhe duhej të vdisnin. 3. Në rast se burri përdhunon një vajzë të fejuar, në arë, ku thirrjet e saj për ndihmë nuk mund të dëgjoheshin, atëherë burri duhej të vritej, por vajza ishte e pafajshme. 4. Një burrë që kishte marrëdhënie seksuale me një vajzë të virgjër kërkohej që t’i paguante pesëdhjetë sikla argjendi atit të saj dhe të martohej me të. 5. Vargu 30 ndalon incestin – pra, marrëdhëniet seksuale me një pjesëtar të familjes.8. Të ndaluarit për të hyrë në asamble (Ligji i Perterire 23:1-8)
Njerëz të ndryshëm pengoheshin të futeshin në asamblenë e Zotit, pra, nga të drejtat e plota si qytetarë dhe adhurues: 1. një njeri, organet riprodhuese të të cilit ishin me cene apo mungonin; 2. një njeri kopil – pra, dikush që ka lindur jashtë martese{{15}}; 3. amoniti dhe moabiti; 4. një idume apo egjiptian. Vargu 4 thotë se moabitët «nuk ju pritën në rrugë me bukë dhe me ujë», ndërsa Ligji i Perterire 2:29 nënkupton se disa moabitë u shitën ushqim judenjve. «Nuk ju pritën në rrugë me bukë dhe me ujë» është një shprehje frazeologjike që do të thotë të ftosh në shtëpi me mikpritje. Këtë moabitët nuk e bënë. Eunuku ishte i përjashtuar nga asambleja. Kopili, moabiti dhe amoniti nuk lejoheshin të futeshin në asamble […] në çadrën e mbledhjes. Idumeu dhe egjiptiani mund të futeshin vetëm pas tre brezash. Megjithatë, kishte përjashtime nga këto rregulla të përgjithshme kur individë kërkonin Jehovain. Midis trimave të Davidit mund të gjendeshin si amonitë ashtu edhe moabitë (1 i Kronikave 11:39,46). Disa mendojnë se rregullat e përjashtimit vlenin vetëm për meshkujt dhe kështu nuk vlenin për Ruthin, për shembull. Disa mendojnë se «në brezin e dhjetë» është një shprehje frazeologjike që do të thotë pafundësisht.9. Pastërtia në kamp (Ligji i Perterire 23:9-14)
Vargu 9 paralajmëron kundër tundimeve që hasin burrat kur janë larg nga shtëpia në shërbimin ushtarak (ose mbase shërben si një hyrje për vargjet 10-14). Ligji rreth nevojës personale gjatë natës tregon shenjtërinë me të cilën shikohej jeta riprodhuese. Çdo ushtar duhej të mbante një lopatë në armët e tij për shenjtërimin e fushës. Çdo jashtëqitje duhej të mbulohej menjëherë me dhè. Nëse tërë ushtritë gjatë tërë historisë do të kishin ndjekur këtë rregull të thjeshtë, do të kishin shmangur përhapjen e plagëve shumë herë.10. Ligjet shoqërore e fetare (Ligji i Perterire 23:15-25)
23:15,16 Një skllav i huaj që kishte ikur nuk duhej të kthehej te pronari i tij. Kështu Izraeli duhej të ishte një vendstrehim për të shtypurit. 23:17,18 Prostitucioni mashkullor apo femëror nuk duhej toleruar në vend dhe paratë që rridhnin nga një trafik i tillë imoral nuk duhej të çoheshin kurrë në shtëpinë e Zotit si pagesë e një kushti. Një «qen» nënkupton një prostitutë mashkull. 23:19,20 Judenjtë nuk duhej t’i jepnin hua me kamatë një judeu tjetër, edhe pse lejohej t’i jepnin hua me kamatë […] të huajit. Ky është një plotësim i parimit të dhënë tashmë tek Eksodi 22:25, që ndalonte marrjen e fajdes nga një i varfër. 23:21-23 Kushtet ishin vullnetare. Një njeri që lidhte një kusht me Zotin, nëse e bënte, ishte i detyruar ta kryente. 23:24,25 Udhëtarët lejoheshin të hanin rrush nëse kishin uri, por nuk lejoheshin të mbushnin shportën. Në të njëjtën mënyrë, ata lejoheshin të merrnin grurë nga ara, por vetëm atë që merrnin me duart e tyre, jo me drapër. Në kohën e Zotit tonë, dymbëdhjetë dishepujt e përdorën këtë privilegj (Marku 2:23).11. Ndarja dhe të martuarit përsëri (Ligji i Perterire 24:1-4)
Një burrë mund të ndahej me gruan e tij për shkak të diçkaje të turpshme, duke i shkruar një shkresë ndarjeje dhe duke ia dhënë asaj. Atëherë ajo ishte e lirë të martohej me dikë tjetër. Por në qoftë seburri i saj i dytë vdiste apo e ndante, burri i parë nuk lejohej të martohej përsëri me të. Jehovai i dha Izraelit një shkresë ndarjeje (Jer. 3:1-8); megjithatë në një ditë të ardhshme, Ai do ta marrë përsëri afër Vetes, duke e ndëshkuar më parë për pabesinë e tij. Oh, ç’thellësi të pasurive të dashurisë së Perëndisë; sa poshtë u ul për të dashur të padëshirueshmit!12. Ligje të ndryshme shoqërore (Ligji i Perterire 24:5-25:5)
24:5 Një burrë që sapo ishte martuar nuk duhej të shkonte në luftëvitin e parë. Kjo i jepte atij kohë të kultivonte dhe të forconte lidhjen martesore dhe të fillonte një familje. Nëse duhej të shkonte në luftë dhe vritej, emri i tij do të zhdukej nga Izraeli dhe nëse të afërmit e tij shpengues nuk linin pasardhës në emër të tij. Ky «kushëri shpengues»{{16}} ishte i afërmi më i ngushtë që ishte i aftë dhe i gatshëm të martohej me një vejushë. Mashkulli i parë që lindte nga një lidhje e tillë bëhej trashëgimtari i burrit të parë. Kjo mbante gjallë emrin e familjes dhe e mbante tokën brenda familjes. 24:6 Meqë një gur mokre ishte mjeti i jetesës së dikujt, nuk mund të kërkohej si peng në rast shkëmbimi pune. Të merrje qoftë gurin e mokrës së poshtme apo atë të sipërme do të linte dikë pa mjetet e bluajtjes së grurit. 24:7 Një rrëmbyes apo një tregtar skllevërish duhej të vritej. 24:8,9 Kushte paraprake të veçanta duhej të ndiqeshin në rastet e lebrës, duke ndjekur udhëzimet e mëparshme dhënë levitëve. Miriami citohet si një paralajmërim. 24:10-13 Shtëpia e dikujt nuk mund të pushtohej për të marrë peng nga ai. Nëse një njeri ishte aq i varfër saqë jepte rrobat si peng, duhej t’i ktheheshin atij çdo natë në mënyrë që ai të mund të flinte në to. 24:14,15 Haku i argatit të varfër duhej të jepej siç duhej. 24:16 Askush nuk duhej të dënohej me vdekje për mëkatin e një njeriu tjetër. 24:17-22 Ndaj të huajit, jetimit dhe gruas së ve duhej të tregohej e drejta. Një arë nuk duhej të korrej deri në rrëzë. Kallinjtë duhej të liheshin për të varfrin dhe nevojtarin. E njëjta gjë vlente edhe për vjeljen e ullinjve dhe të vreshtave. Roland Sajdëri (Sider) komenton:Kujtimi i varfërisë dhe i shtypjes së tyre në Egjipt duhej të nxiste ata të linin shumë kallinj për udhëtarin e varfër, gruan e ve dhe jetimin{{17}}.Kur Xhon Njutoni (John Newton) rilindi, e shtypi vargun 22 me shkronja të mëdha dhe e vari mbi oxhak, ku mund ta shikonte dhe të kujtohej. 25:1-3 Kur një shkelës shpallej fajtor dhe dënohej të rrihej, nuk duhej të merrte më tepër se dyzet goditje. Zakonisht judenjtë përdornin tridhjetë e nëntë goditje apo fshikullime, që të mos numëronin gabim dhe kështu të shkelnin këtë rregull (shikoni 2 e Korintasve 11:24). 25:4 Kaut që shinte grurin nuk duhej t’i mbyllej goja, por duhej të lejohej të hante nga gruri. Pali e përdor këtë varg te 1 e Korintasve 9:9-11 për të mësuar se njeriu që punon në gjërat frymërore duhet të kujdeset për gjërat materiale. Prandaj Pali na tregon se në këtë ligj ka një aspekt frymëror. Kjo nuk zvogëlon domethënien fjalë për fjalë, por tregon vetëm se shumë herë ka një mësim frymëror nën sipërfaqe. Studenti i zellshëm duhet të kërkojë dhe t’i vërë veshin mësimit frymëror.
13. Ligji i martesës brenda familjes (Ligji i Perterire 5:5-10)
Nëse një izraelit vdiste dhe linte gruan e tij pa fëmijë, ekzistonte rreziku që emri i tij të humbiste dhe pasuria e tij t’i hiqej familjes. Prandaj, një vëlla i të vdekurit duhej të martohej me vejushën. Kjo praktikë e martesave «brenda familjes» ekzistonte në shumë kombe të ndryshme. Në rast se vëllai nuk do të pranonte ta bënte këtë, atëherë vejusha shkonte te pleqtë dhe i jepte një mundësi për të miratuar mosdashjen e tij. Nëse ai ngulte këmbë në kundërshtimin e tij, vejusha hiqte njërën nga sandalet dhe e pështynte në fytyrë. Që nga ajo kohë ai merrte një emër përçmimi për shkak të mosdashjes së tij për të bërë të përjetshëm emrin e të vëllait. Levitiku 20:21 ndalonte që një burrë të martohej me gruan e të vëllait; këtu urdhërohet të martohet. Pjesa te Levitiku, pa dyshim, vlen kur vëllai është akoma gjallë, ndërsa Ligji i Përtërirë i referohet kohës kur burri ka vdekur, duke mos lënë pas trashëgimtar mashkull.14. Tre ligje të veçanta (Ligji i Perterire 25:11-19)
25:11,12 Nëse një grua ndërhynte duke kapur organet gjenitale të një burri gjatë përleshjes në të cilën ishte përfshirë i shoqi, dora e saj shkelëse duhej të pritej. Veprimet e saj mund të vinin në rrezik pasjen e një trashëgimtari për burrin tjetër [duke dëmtuar organet gjenitale të tij], prandaj ajo duhej të ndëshkohej. 25:13-16 Peshat dhe masat e ndershme kërkoheshin me ligj. Zakonisht njerëzit kishin një palë peshore për të blerë dhe një tjetër për të shitur. Këta njerëz urrehen nga Zoti. 25:17-19 Pasardhësit e Amalekut duhej të shkatërroheshin plotësisht për shkak të mashtrimit dhe mizorisë së tij (Eksodi 17:8-16). Izraelit i kërkohet të kujtojë që të shkatërrojë amalekitët, por duket se kishin harruar. Sauli nuk iu bind Zotit, duke mos i shfarosur në kohën e tij (1 i Samuelit 15). Në fakt, vetëm në kohën e Ezekisë «ata vranë mbeturinat e amalekitëve që kishin shpëtuar» (1 i Kronikave 4:43).Q. Ritet dhe lëniet në fuqi (kapitulli 26)
1. Riti për prodhimet e para (Ligji i Perterire 26:1-11)
Pasi të ishin vendosur njerëzit në vend, ata duhej të shkonin në shenjtëroren e Perëndisë dhe të paraqisnin prodhimet e para të të gjitha prodhimeve te prifti, në mirënjohje të gëzueshme për atë që kishte bërë Perëndia. Më pas ata duhej të rrëfenin me hollësi marrëveshjet e hirshme që kishte bërë Zoti me ta, duke filluar me paraardhësit e tyre, Jakobin (një sirian endacak), duke vazhduar me skllavërinë në Egjipt, çlirimin e fuqishëm të Perëndisë dhe duke përfunduar me zotërimin e tyre të vendit ku rrjedh qumësht dhe mjaltë. Filip Keleri (Phillip Keller) shpjegon këtë term shumëngjyrësh:Në Shkrim figura e simbolizuar për Tokën e Premtuar, në të cilën Perëndia u përpoq aq shumë ta drejtonte Izraelin nga Egjipti, ishte ajo e një «vendi ku rrjedh qumësht dhe mjaltë». Kjo nuk është vetëm një gjuhë figurative, por gjithashtu një terminologji shkencore. Në gjuhën agrokulturore flasim për një «rrjedhje të qumështit» dhe «të mjaltit». Me këtë nënkuptojmë kulmin e sezonit të pranverës dhe të verës, kur kullotat janë në fazën e tyre më prodhuese. Bagëtia që ushqehet me foragjere dhe bletët që vizitojnë lulet e çelura thuhet se prodhojnë një «rrjedhë» që i përgjigjet të qumështit e mjaltit. Kështu, një vend që rrjedh qumësht e mjaltë është një tokë me kullota të pasura, të njoma dhe të harlisura. Dhe kur Perëndia i fliste për një tokë të tillë Izraelit, kishte ndërmend gjithashtu jetën e bollshme me gëzim e fitore dhe kënaqjen për popullin e Tij{{18}}.
2. Riti për të dhjetën e vitit të tretë (Ligji i Perterire 26:12-15)
Përveç prodhimeve të para, judenjtë duhej të ofronin një të dhjetë të dytë, që quhej e dhjeta e festës, që duhej të ndahej me levitët, të huajt, jetimët dhe gruan e ve […] në vitin e tretë. Kjo e dhjetë duhej të ndahej me nevojtarët në qytetet e tyre. Populli duhej të dëshmonte përpara Zotit se i ishte bindur […] tërë urdhrave rreth së dhjetës.3. Lënia në fuqi e besëlidhjes (Ligji i Perterire 26:16-19)
Meqë populli kishte rënë dakord të ecte në rrugët e Zotit, Ai, nga ana tjetër, do ta pranonte si popullin e Tij të veçantë dhe premtoi t’i ngrinte mbi të gjitha kombet e tjera. Ata ishin një popull i shenjtëruar, sepse Perëndia i kishte veçuar nga kombet e tjera – jo për shkak të ndonjë merite të tyre të qenësishme. Ata ishin ndryshe nga çdo komb tjetër në tokë, duke qenë thesari i veçantë i Jehovait. Përgjigjja e tyre ndaj një nderi të tillë duhej të ishte bindja ndaj urdhërimeve të Tij.R. Mallkimet dhe bekimet (kapitujt 27,28)
27:1-8 Pasi kaluan lumin Jordan në Tokën e Premtuar, izraelitët duhej të ngrinin një lapidar të madh prej gurësh të lyer me gëlqere dhe të shkruanin mbi ta tërë fjalët e […] ligjit. Ky lapidar duhej të ngrihej në malin Ebal, bashkë me një altar që duhej të bëhej me gurë të palatuar. 27:9,10 Judenjtë kishin qenë populli i Perëndisë, duke qenë të zgjedhur prej Tij për pak kohë, por tani që do të hynin në vendin e premtuar, do të bëheshin populli i Tij në kuptimin më të veçantë. Favori që po u tregonte Ai atyre i shtynte ata të bindeshin. 27:11-13 Gjashtë fise u caktuan të rrinin në malin Gerizim që të «vërtetonin» bekimet. Këta gjashtë fise ishin pasardhës të Leas dhe Rakelës. Fiset e tjera duhej të rrinin në malin Ebal për të miratuar mallkimet. Vini re se Efraimi dhe Manasi nuk përmenden veças, por përmendet fisi i Jozefit. Rubeni, i parëlinduri i Izraelit (që e humbi të drejtën e parëbirnisë) dhe Zabuloni, më i vogli i Leas, ishin në malin Ebal me bijtë e shërbyeses. Fiset e favorizuara ishin në malin Gerizim. 27:14-26 Levitët (shikoni v. 9) duhej të qëndronin në luginën midis dy maleve. Ndërsa ata shqiptonin mallkimet apo bekimet, populli duhej të përgjigjej: «Amen!». Mallkimet jepen në vargjet 15-26. Ato kanë të bëjnë me idhujtarinë, mosrespektimin e prindërve (v. 16), pandershmërinë në lëvizjen e vijës kufizuese (v. 17), mashtrimin e të verbrit (v. 18), përfitimin ndaj të varfrit dhe të papërkrahurit (v. 19), forma të ndryshme incesti (v. 20,22,23), marrëdhënie seksuale me kafshët (v. 21), vrasjen e fshehtë ndaj të afërmit, vrasjen e të pafajshmit për të marrë dhurata (v. 25) dhe mosbindjen ndaj ligjit të Perëndisë (v. 26). Rrëfimi historik i kësaj ceremonie mund të gjendet te Jozueu 8:30 e më pas. Vini re se sa rreptësisht i ndjek Jozueu këto udhëzime të dhëna nga Moisiu. Është kuptimplote se vetëm mallkimet jepen në kapitullin 27. Nuk mund të ndodhte ndryshe, sepse, ashtu siç na kujton Pali, «të gjithë ata që themelohen mbi veprat e ligjit janë nën mallkim» (Gal. 3:10). Nuk ishte thjesht që izraelitët mund të shkelnin ligjin, por se ata ishin nën ligj në parim. 28:1-14 Vargu 1 i referohet fundit të kapitullit 26 me fjalët: «Perëndia yt, do të të lartësojë». Kjo i jep kapitullit 27 paraqitjen e të qenit i ndërmjetëm. Shumë studiues biblikë mendojnë se bekimet e shpallura në vargjet 3-6 nuk ishin ato të drejtuara gjashtë fiseve në malin Gerizim, por se i tërë ky kapitull është një ligjëratë nga Moisiu për sa i përket asaj që do të priste bijtë e Izraelit. Katërmbëdhjetë vargjet e para flasin për bekimet që do të vinin si rrjedhojë e bindjes, ndërsa pesëdhjetë e katër vargjet e fundit përshkruajnë mallkimet që do të bien mbi popullin nëse ata braktisin Zotin. Bekimet e premtuara përfshijnë epërsinë midis kombeve, begatinë materiale, frytdhënien, pjellorinë, bollëkun në të korra, fitoren në betejë dhe suksesin në tregtinë ndërkombëtare. 28:15-37 Mallkimet përfshinin pamjaftueshmërinë, shterpësinë, verbërinë, thatësirën, mundjen në betejë, marrëzinë, tmerrin, vështirësitë, fatkeqësitë dhe pafuqinë (v. 15-32). Vargjet 33-37 parashikojnë robërinë në një vend të huaj dhe kjo u përmbush nga robëritë asire dhe babilonase. Izraeli do të bëhej objekt habie, proverbi dhe talljeje në mes tërë popujve. 28:38-46 Judenjtë do të mallkoheshin me të korra, vreshta dhe ullinj të këqij. Fëmijët e tyre do të shkonin në skllavëri dhe karkalecat do të hanin pemët dhe frytet e tyre. I huajido të ngrihej gjithnjë e më lart dhe izraelitët do të binin gjithnjë e më poshtë. Nuk ka asnjë kundërshtim midis vargjeve 12 e 44. Nëse do të bindeshin, judenjtë do të bëheshin huadhënës ndërkombëtarë. Nëse nuk do të bindeshin, ata do të merrnin hua nga të huajt. 28:47-57 Tmerret e një rrethimi nga një pushtues i huaj përshkruhen në vargjet 49-57: aq të egra saqë njerëzit do të hanin njëri-tjetrin. Kjo ndodhi kur Jerusalemi u rrethua nga babilonasit dhe më vonë nga romakët. Në të dyja rastet, kanibalizmi ishte tepër i përhapur. Njerëzit që ishin më parë të pastër dhe zemërbutë u bënë armiq dhe kanibalë. 28:58-68 Mjerime dhe sëmundje do të zvogëlonin shumë popullsinë e Izraelit. Të mbijetuarit do të shpërndaheshin në tërë tokën dhe ata do të jetonin në frikë të vazhdueshme përndjekjeje. Perëndia do të kthejë popullin e Tij në Egjipt me anije. Sipas Jozefusit (Josephus), profecia që Izraeli do të kthehej përsëri në Egjipt u përmbush pjesërisht në kohën e Titit, kur judenjtë u morën me anije dhe u shitën si skllevër. Por emri «Egjipt» këtu mund të nënkuptojë skllavëri në përgjithësi. Perëndia e kishte çliruar Izraelin nga skllavëria e vërtetë egjiptiane në të shkuarën, por, nëse ai nuk do ta kishte dashur Atë dhe nuk do të kishte pranuar të drejtën e Tij sovrane për bindje, nëse nuk do ta kishte ruajtur veten të pastër si gruaja e Tij, nëse nuk do të ishte thesari i Tij i veçantë, duke zgjedhur të ishte si kombet e tjera, atëherë do të shitej përsëri në skllavëri. Por në atë kohë ai do të ishte shumë i shtypur, saqë askush nuk do ta donte as si skllav. «Kujt iu dha shumë, do t’i kërkohet shumë» (Luka 12:48). Izraelit i ishin dhënë privilegjet më të mëdha se kombet e tjera dhe, për këtë arsye, përgjegjësia e tij ishte më e madhe dhe ndëshkimi i tij më i ashpër. Duke menduar thellë rreth këtyre mallkimeve, dikush mund të habitet me vërshimin e zemërimit të Jehovait. Asnjë fjalë nuk mund të hiqet, asnjë hollësi nuk i lihet imagjinatës. Moisiu e ngjyros pikturën me realizëm të guximshëm. Izraeli duhej të dinte se çfarë sillte mosbindja në mënyrë që të mësonte të kishte frikë nga ky emër i lavdishëm dhe i tmerrshëm, Zoti, Perëndia yt. [[4]](5:22) Thompson, Deuteronomy, f. 119.[[4]] [[5]](8: Hyrje) Thompson, Deuteronomy, f. 134.[[5]] [[6]](10: Hyrje) Ndarjet në kapituj e vargje në Bibël u bënë shumë shekuj pasi ishin shkruar.[[6]] [[7]](15:1-3) Matthew Henry, “Deuteronomy”, Matthew Henry’s Commentary on the Whole Bible, I:786.[[7]] [[8]](15:4-6) E. W. Bullinger, The Companion Bible, f. 259.[[8]] [[9]](16:1-8) D. L. Moody, Notes from My Bible, f. 44,45.[[9]] [[10]](16:16,17) D. L. Moody, Notes from My Bible, f. 45.[[10]] [[11]](18:9-14) Henry G. Bosch, Our Daily Bread, Grand Rapids: Radio Bible Class, qershor-korrik-gusht 1989, 31 gusht.[[11]] [[12]](20:1-8) Henry, “Deuteronomy”, I:806.[[12]] [[13]](20:10-20) Shikoni hyrjen te Jona për hollësi të mëtejshme.[[13]] [[14]](22:13-21) Një domethënie tjetër e mundshme është se togu «shenjat e virgjërisë» mund të përkthehet «shenjat e adoleshencës», pra, «që vajzës t’i kenë ardhur të përmuajshmet rregullisht. Një burrë që martohej me një vajzë të tillë duhej të shikonte provat e kësaj pas martesës së tyre, nëse, sigurisht, mbetej me barrë me vetë atë. Ajo që duhej ishte prova se në kohën e martesës vajza nuk ishte me barrë dhe i vinin të përmuajshmet rregullisht. Nëse ajo do të ishte fajtore për sjellje të keqe seksuale pas fejesës, çdo barrë para martese do të dukej dhe një foshnjë do të lindte para se të kalonin nëntë muajt. Ligji i vargjeve 13-21 mund të ketë të bëjë me sjelljen e nuses gjatë periudhës së fejesës së saj para martesës dhe ‘shenjat e adoleshencës’ mund të kenë qenë një provë shtatzanie» (Thompson, Deuteronomy, f. 236. Shikoni gjithashtu shtjellimin në f. 235).[[14]] [[15]](23:1-8) Kategoria mund t’i referohet në mënyrë të veçantë fëmijës që do të lindte nëpërmjet incestit midis judenjve apo marrëdhënieve të përziera me paganët.[[15]] [[16]](24:5) «Kushëri shpengues» është një term i vjetër nga versioni KJ.[[16]] [[17]](24:17-22) Ronald Sider, Rich Christians in an Age of Hunger, f. 92.[[17]] [18] Phillip Keller, A Shepherd Looks on the Old Psalm 23, f. 46,47.[[18]][previous][next]