A. Largimi nga shkretëtira e Sinait (10:11-36)
10:11 Vargu 11 shënon një ndarje të përcaktuar të librit. Deri në këtë pikë, populli kishte fushuar në malin Sinai. Nga vargu 11 deri te Num. 22:1 kemi regjistrimin e udhëtimit nga mali Sinai deri te fushat e Moabit, jashtë Tokës së Premtuar. Ky udhëtim përfshinte një periudhë kohe prej rreth dyzet vjetësh. Ata nuk filluan deri ditën e njëzet, për shkak të kremtimit të Pashkës së dytë (shikoni Numrat 9:10,11). 10:12,13 Pjesa e parë e udhëtimit ishte nga mali Sinai deri në shkretëtirën e Paranit. Megjithatë, kishte tri ndalesa para se të shkonin në këtë shkretëtirë – Taberahu, Kibroth-Hataavah dhe Haltseroth. Ata mbërritën në shkretëtirën e Paranit te Numrat 12:16. 10:14-28 Më pas jepet rendi i marshimit të fiseve. Prijësi i çdo fisi ishte në krye të tij. Rendi është i njëjti si në kapitullin 2, me një përjashtim: te Num. 2:17 duket se levitët marshuan pas Gadit dhe para Efraimit. Te Num. 10:17 gershonitët dhe meraritët renditen pas Zabulonit dhe kehathitët pas Gadit. Në pamje të parë gershonitët dhe meraritët marshuan përpara me pajisjet e tyre, në mënyrë që të kishin ngritur vendin e kampit kur të mbërrinin kehathitët me enët e shenjta. 10:29-32 Hobabi ishte kunati i Moisiut. Reueli (që është Jethroja) ishte babai i Hobabit dhe vjehrri i Moisiut. Duke qenë një madianit, Hobabi ishte mësuar me shkretëtirën. Mbase kjo është arsyeja se pse Moisiu e ftoi atë të shoqëronte izraelitët – «Ti do të jesh si sytë për ne». Shumë interpretues të Biblës besojnë se kjo ftesë tregonte një mungesë besimi nga ana e Moisiut, meqë Perëndia kishte premtuar tashmë t’i drejtonte. Një pikëpamje tjetër paraqitet nga Kurci (Kurtz), që hedh idenë:Kolona e resë përcaktoi drejtimin e përgjithshëm që duhej të ndërmerrej, vendin e fushimit dhe gjatësinë e qëndrimit në çdo vend; megjithatë kujdesi njerëzor nuk mund të përjashtohet nga gjetja e përshtatshme e vendit të fushimit që ndërthurte më së miri rrethanat e ujit, kullotës, strehës, nevojës për lëndë djegëse. Në tërë këto rrethana, përvoja e Hobabit dhe njohja e shkretëtirës do të ishin tejet të dobishme, po aq sa edhe plotësuese për drejtimin e resë{{6}}.10:33,34 Arka e besëlidhjes mbështillej nga një vel që ndante Vendin e Shenjtë nga Vendi Shumë i Shenjtë (Num. 4:5) dhe mbahej nga kehathitët në ballë të karvanit. Udhëtimi nga Sinai për në Kadesh-Barnea zgjati tri ditë. Reja e lavdisë mbuloi njerëzit, ndërsa Zoti kërkoi një vend ku ata të pushonin. 10:35,36 Nuk na thuhet nëse Hobabi i shoqëroi izraelitët apo jo. Megjithatë, duket nga Gjyqtaret 1:16 dhe Gjyqtaret 4:11 se i shoqëroi, meqë pasardhësit e tij gjenden midis izraelitëve. Kur nisej arka në mëngjes, Moisiu i drejtohej Zotit për fitore. Dhe kur në mbrëmje ndalej, ai lutej që Zoti të kthehej pranë popullit të Izraelit.
B. Rebelimi në kamp (kapitulli 11)
11:1-3 Lexuesi tronditet nga gatishmëria e popullit që u ankua kundër urdhrit të Perëndisë pas gjithçkaje që kishte bërë Ai për ta. Filli zbulohet në vargun 1 – «shkatërroi skajin e kampit». Ankuesit ndodheshin në një farë largësie nga arka. Zjarri nga Perëndia «shkatërroi» skajin e kampit, duke i dhënë emrin Taberah («djegie») atij vendi. Versioni i Mbretit Xhejms (King James) dhe Versioni i ri i Mbretit Xhejms (New King James) shkruajnë se zjarri shkatërroi disa nga ankuesit. Versioni AS pohon vetëm se zjarri përpiu pjesën e skajshme të kampit. Qoftë nëse ishte një paralajmërim i mëshirshëm ndaj popullit, qoftë nëse ishte tërësia e një gjykimi, ishte diçka e ashpër. 11:4-9 Ankimi i dytë ndodhi në mes të kampit, por këtë herë arsyeja mund të gjendet te shprehja fundërrinën heterogjene apo «llumin». Disa jobesimtarë kishin dalë nga Egjipti me izraelitët dhe kjo fundërrinë heterogjene ishte një burim trishtimi i vazhdueshëm për izraelitët. Ankesa e tyre u përhap te izraelitët, duke bërë që ata të dëshironin me një lakmi të madhe ushqimin e Egjiptit dhe të përçmonin manën. Shikoni Psalmi 78:17-33 për komentimin e Perëndisë rreth kësaj.Sa e çuditshme është që shpirtrat që Jezusi ushqen me mana nga sipër duhet të trishtojnë Atë me anë të veprave të tyre të liga dhe me mëkat kundër dashurisë së Tij. Por është akoma një mrekulli më e madhe: që Ai nga i cili largohen duhet të durojë vullnetin e tyre rebel dhe të pastrojë mëkatet e tyre.11:10-15 Moisiu në fillim i drejtua Zotit rreth paaftësisë së tij për t’u kujdesur për një popull të tillë vetëm; pastaj ai përshkruan pamundësinë e mëtejshme për të siguruar mish për një turmë të tillë. Së fundi, ai kërkoi vdekjen si një shpëtim nga probleme të tilla. 11:16,17 Përgjigjja e parë e Zotit ishte të siguronte caktimin e shtatëdhjetë […] pleqve për të ndarë barrën e popullit me Moisiun. Shumë studiues biblikë pyesin nëse kjo ishte më e mira e Perëndisë për Moisiun. Ata arsyetojnë se ngaqë Perëndia jep forcë për të bërë atë që urdhëron Ai, Moisiu vuajti një zvogëlim të aftësive hyjnore kur u zvogëluan përgjegjësitë e tij{{7}}. Më parë Moisiu kishte caktuar njerëz për të vepruar si pushtete qytetare sipas këshillës së vjehrrit të tij (Eksodi 18:25; Ligji i Perterire 1:9-15). Mbase shtatëdhjetë njerëzit e zgjedhur këtu shërbenin për ta ndihmuar që të mbante barrën frymërore. Këto dy caktime të veçanta nuk duhet të ngatërrohen. 11:18-23 Për sa i përket popullit, Perëndia tha se ata do të kishin mish me shumicë për të ngrënë. Ai do t’u dërgonte mish të mjaftueshëm, derisa të sëmureshin prej tij. Ata do ta kishin për një muaj të tërë. Moisiu pyeti për mundësinë e një ngjarjeje të tillë, por Zoti premtoi se do ta përmbushte. Rrugës për në malin Sinai Perëndia kishte siguruar në mënyrë të mrekullueshme mish për bijtë e Izraelit (Eksodi 16:13). Moisiu duhej ta kishte kujtuar këtë dhe të mos pyeste për aftësinë e Zotit. Sa shpejt i harrojmë mirësitë e shkuara të Zotit kur rrethanat na zënë frymën! 11:24-30 Kur shtatëdhjetë pleqtë u vendosën zyrtarisht, Fryma […] e Zotit […] u vu mbi ta dhe ata bënë profeci; pra, folën zbulimeve të drejtpërdrejta nga Perëndia. Edhe dy njerëz që kishin mbetur në kamp […] profetizuan. Jozueu në pamje të parë mendoi se kjo mrekulli përbënte një kërcënim për udhëheqësinë e Moisiut dhe u përpoq t’i ndalonte ata. Por Moisiu tregoi shpirtgjerësinë e tij me anë të përgjigjes fisnike në vargun 29. 11:31-35 Mishi i premtuar erdhi në formën e një mizërie shkurtash. Vargu 31 mund të nënkuptojë se shkurtat fluturuan dy kubitë nga toka ose ishin grumbulluar dy kubitë thellë në tokë. Kjo e fundit nuk është e mundur; njihet se shkurtat që ishin lodhur nga migrimi kanë hipur në një anije në një sasi të mjaftueshme për ta mbytur atë{{8}}. Populli doli për të festuar për mishin, por shumë prej tyre u goditën nga një plagë e tmerrshme. Vendi u quajt Kibroth-Hataavah («varret e epshit»), sepse epshet e popullit sollën rrjedhimisht varre. Haltserothi renditet si vendi i mëpasshëm i fushimit (v. 35).
C. Rebelimi i Aaronit dhe Miriamit (kapitulli 12)
12:1,2 Kapitulli tjetër i trishtuar në historinë e Izraelit ka të bëjë me dy nga drejtuesit e popullit, Miriamin dhe Aaronin. Edhe pse njëri ishte vëllai dhe tjetra motra e Moisiut, ata folën kundër atij, ngaqë ishte martuar me një grua etiopase. Të paktën ky qe pretendimi i tyre. Por arsyeja e vërtetë duket se jepet në vargun 2: ata nuk donin udhëheqjen e Moisiut dhe donin ta ndanin atë – ata ishin xhelozë. Në këtë kohë nuk kishte asnjë ligj kundër martesës me një grua etiopase, edhe pse kur shkuan në vendin e premtuar, izraelitëve iu ndalua të martoheshin me johebrenj. 12:3 Moisiu nuk u përpoq të hakmerrej për veten, por i besoi Perëndisë, që e vuri atë në një pozitë udhëheqësie. Familja e tij (kapitulli 12), drejtuesit (kapitulli 16) dhe së fundi tërë asambleja (Num. 16:41,42) e përçmuan pushtetin e tij. Megjithatë kur ra gjykimi i Perëndisë mbi kundërshtarët e tij, Moisiu nuk u gëzua në vetvete, por ndërmjetësoi për ta. Ai ishte me të vërtetë shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut. Fakti se ai e shkroi këtë rreth vetes nuk mohon përulësinë e tij; për më tepër e ilustron 2 Pjetrit 1:21b: ai shkroi i shtyrë nga Fryma e Shenjtë{{9}}. 12:4-8 Perëndia mblodhi Moisiun, Aaronin dhe Miriamin te hyrja e çadrës së mbledhjes, qortoi Miriamin dhe Aaronin dhe u kujtoi atyre se Moisiu kishte një pozitë afërsie me Të që nuk e ka pasur asnjë profet. Ai mund t’u flasë atyre në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, me anë të vegimeve dhe ëndrrave, por Ai i foli Moisiut drejtpërdrejt, sy për sy (pra, pa ndërmjetës). Dukja e Zotit do të thotë disa shfaqje apo përfaqësime të dukshme. Edhe pse vetë Miriami ishte një profeteshë (Eksodi 15:20), Zoti e bëri të qartë ndryshimin midis marrëdhënies së Tij me Moisiun dhe profetëve të tjerë. Gjëja tjetër e vetme e shkruar për Miriamin pas kësaj ndodhie është vdekja e saj (Num. 20:1). 12:9,10 Zoti ishte i zemëruar kundër tyre dhe u largua. Si ndëshkim për rebelimin e tyre, Miriami u godit nga lebra. Meqë Aaroni nuk u ndëshkua, disa mendojnë se Miriami ishte drejtuesja e thashethemit. Ata tregojnë se folja në vargun 1 është në numrin njëjës gjinia femërore. Të tjerë besojnë se ndëshkimi i Aaronit ishte të shihte motrën e tij lebroze. Aaroni ishte kryeprifti dhe ai do të ishte i paaftë të kryente funksionin në emër të popullit nëse ai do të ishte bërë lebroz. Pozita e tij e shpëtoi nga përulja që kaloi Miriami. 12:11-16 Aaroni i rrëfeu mëkatin e tij Moisiut dhe kërkoi që Miriami të mos ishte «si një fëmijë i sapolindur, që vjen në botë gjysmë i kalbur»{{10}}. Si përgjigje për ndërmjetësimin e Moisiut, Perëndia shëroi Miriamin nga lebra, por nguli këmbë që ajo të kalonte periudhën prej shtatë ditësh për pastrimin nga lebra. Zoti i kujtoi Moisiut se ajo duhej të izolohej nga kampi si e papastër, ashtu sikur ta kishte pështyrë i ati në fytyrë.D. Zbulimi i Tokës së Premtuar (kapitujt 13,14)
13:1-20 Në këtë kapitull dërgimi i zbuluesve u urdhërua nga Zoti. Te Ligji i Perterire 1:19-22 u hodh ideja nga populli. Pa dyshim udhëzimi i Perëndisë ishte si përgjigje e kërkesës së popullit, edhe pse qëndrimi i tyre ishte mosbesues. Emrat e dymbëdhjetë zbuluesve jepen në vargjet 4-15. Vini re në mënyrë të veçantë Kalebin (v. 6) dhe Hoshean (v. 8). Moisiui vuri Hosheas […] emrin e Jozueut (v. 16). Moisiu u kërkoi dymbëdhjetë zbuluesve të sillnin një raport të plotë rreth vendit dhe banorëve të saj (v. 17-20). Në fillim ata duhej të shkonin në Negev në jug, pastaj në vendin malor në pjesën qendrore të vendit. 13:21-29 Vëzhguesit kërkuan vendin nga shkretëtira e Sinit në jug të Rehobit në veri (v. 21). Vargjet 22-24 përshkruajnë operacionin e zbulimit në Negev. Në Hebron ata panë tre bijtë e Anakut, që ishin gjigantë, sipas Ligji i Perterire 2:10,11. Afër Hebronit ata shkuan në një luginë vreshti. Ata prenë një degë të madhe me një vile rrushi dhe, duke e varur në një purtekë […] dy burra, e çuan në kampin e Izraelit, bashkë me ca shegë dhe fiq. Ai vend u quajt lugina e Eshkolit, që do të thotë «vile». Pjesa më e madhe e raportit të vëzhguesve përshkruante një vend të mrekullueshëm me banorë të rrezikshëm. Vëzhguesit dyshuan për aftësinë e Izraelit për të pushtuar banorët e vendit (duke mos menduar për premtimin e Perëndisë për t’i dëbuar ata). 13:30-32 Referenca e nefilimëve (v. 33 hebraishte) nuk do të thotë se këta gjigantë mbijetuan pas Përmbytjes. Izraelitët kishin dëgjuar për nefilimët që jetuan para Përmbytjes dhe ata i njëjtësonin këta gjigantë me ta. Kalebi (duke folur për Jozueun dhe veten e tij) shprehu besimin se Izraeli do të dilte fitimtar. Por të tjerët e mohuan prerazi këtë. Shprehja «një vend që i ha banorët e tij» do të thotë se banorët e asaj kohe do të shfarosnin gjithë të tjerët që përpiqeshin të vendoseshin atje. 13:33 Dhjetë nga vëzhguesit kishin ide të gabuara. Ata e panë veten ashtu siç e shohin banorët e Kanaanit (si karkaleca). Jozueu dhe Kalebi e panë Izraelin nga pikëpamja e Perëndisë, se ishin të aftë të pushtonin vendin. Për dhjetë vëzhguesit mosbesues problemi i gjigantëve ishte i pakapërcyeshëm. Për dy vëzhguesit besues prania e gjigantëve ishte e papërfillshme. 14:1-10 Atëherë tërë asambleja shpërtheu në një ankim të hidhur kundër Moisiut dhe kundër Aaronit, duke paditur Zotin, sepse i kishte çliruar nga Egjipti në mënyrë që të vriteshin në Tokën e Premtuar dhe hodhën idenë për një kryetar të ri që do t’i kthente në Egjipt (v. 1-3). Kur Jozueu […] dhe Kalebi u përpoqën të siguronin popullin se ata do të dilnin fitimtarë kundër armikut, izraelitët u përpoqën për t’i vrarë me gurë (v. 6-10). Vargjet 3 e 4 tregojnë në mënyrë grafike marrëzinë e mosbesimit. Të kthehemi në Egjipt! Të ktheheshin në një vend të shkatërruar nga Perëndia i tyre! Të ktheheshin në një vend që po mbante zi akoma për të parëlindurit e tyre! Të ktheheshin në një vend, të cilin e kishin plaçkitur në pragun e largimit të tyre! Të ktheheshin përmes Detit të Kuq ku ishte mbytur ushtria egjiptiane, duke i përndjekur ata! Dhe çfarë mikpritjeje të këndshme do t’i jepte faraoni? Megjithatë kjo dukej më e sigurt sesa të besonin se Perëndia do t’u jepte fitoren në Kanaan. Jehovai kishte goditur Egjiptin, kishte ndarë detin në dy pjesë, i kishte ushqyer me bukë nga qielli dhe i kishte drejtuar në shkretëtirë, megjithatë ata akoma nuk mund të besonin te fuqia e Tij për të mposhtur disa gjigantë! Veprimet e tyre zbuluan qartësisht se çfarë mendonin për Perëndinë. Ata vunë në dyshim fuqinë e Tij; a mund të krahasohej Zoti me gjigantët? Ata nuk arritën të kuptojnë atë që u ishte zbuluar aq dukshëm në vitet e shkuara – pra, natyrën dhe rrugët e Jehovait. Një koncept i ulët për Perëndinë mund ta shkatërrojë një njeri apo një komb të tërë, ashtu siç ilustrohet këtu mjaft dhimbshëm. 14:11-19 Zoti kërcënoi se do t’i braktiste judenjtë dhe do të ngrinte një komb të ri nga pasardhësit e Moisiut (v. 11,12). Por Moisiu ndërmjetësoi për ta duke kujtuar Zotin se kombet pagane do të thoshin se Zoti nuk ka qenë i zoti ta futë popullin e tij në Tokën e Premtuar (v. 13-19). Nderi i Perëndisë ishte në rrezik dhe Moisiu u lut me forcë të madhe. Tek Eksodi 34:6,7 Zoti i ishte shfaqur Moisiut. Te vargu 18 Moisiu përsëriti gati fjalë për fjalë përshkrimin e Perëndisë për Veten e Tij si bazën e lutjes së Tij. Sa e ndryshme është teologjia e Moisiut nga teologjia e popullit! Teologjia e tij mbështetet në zbulimin hyjnor; teologjia e tyre mbështetet në imagjinatën njerëzore. 14:20-35 Edhe pse Perëndia u përgjigj se nuk do ta shfaroste popullin, Ai shpalli se nga tërë njerëzit njëzet vjeç e lart, që dolën nga Egjipti dhe që ishin të aftë të shkonin në luftë (Num. 26:64,65; Ligji i Perterire 2:14), vetëm Jozueu dhe Kalebi do të hynin në Tokën e Premtuar. Populli do të endej në shkretëtirë për dyzet vjet, derisa të vdiste brezi mosbesues. Bijtë duhej të mbanin ndëshkimin për pabesitë e etërve të tyre (v. 33). Megjithatë, atyre do t’u lejohej pas dyzet vjetëve të futeshin në Tokën e Premtuar. Dyzet vjetët u caktuan, sepse vëzhguesit kaluan dyzet ditë në vend gjatë ekspeditës së tyre (v. 34). Dyzet vjet këtu është një numër i përafërt; kaluan rreth tridhjetë e tetë vjet. Kaluan dyzet vjet që nga koha kur Izraeli u largua nga Egjipti, derisa arriti në Kanaan. Populli kundërshtoi të mirën që Zoti deshte t’i jepte, kështu atij iu desh të vuante të keqen që zgjodhi. Megjithatë, fakti që u përjashtuan nga Toka e Premtuar nuk do të thotë se ata humbën përjetësisht. Shumë prej tyre u shpëtuan përmes besimit në Zotin, edhe pse vuajtën ndëshkimin e Tij qeveritar në këtë jetë, për shkak të mosbindjes së tyre. Ka tepër zymtësi rreth drejtimit të saktë të ndjekur nga izraelitët gjatë endjeve të tyre në shkretëtirë. Ka gjithashtu pasiguri rreth periudhës që ata qëndruan në çdo vend. Disa besojnë, për shembull, se mbi tridhjetë e shtatë vjet ata kaluan në Kadesh dhe një vit në udhëtim në jug të bregdetit të Detit të Kuq, tashmë i njohur si Gjiri i Akabasë. Shumë nga emrat e vendeve në rrugën midis Sinait dhe fushave të Moabit nuk mund të njëjtësohen më. Lavdia e Zotit në vargun 21 i referohet lavdisë së Tij si Gjykatësi i drejtë, që ndëshkon popullin e pabindur të Izraelit. Izraelitët kishin tunduar Perëndinë dhjetë herë (v. 22). Këto tundime ishin si më poshtë: te Deti i Kuq (Eksodi 14:11,12), në Mara (Eksodi 15:23), në shkretëtirën e Sinit (Eksodi 16:2), dy rebelime rreth manës (Eksodi 16:20,27), në Refidim (Eksodi 17:1), në Horeb (Eksodi 32:7), në Taberah (Num. 11:1), në Kibroth-Hataavah (Num. 11:4) dhe në Kadesh (murmuritja pas raportimit të vëzhguesve – Num. 14). Nga 603.550 burrat për luftë që dolën nga Egjipti, vetëm Jozueu dhe Kalebi u futën në Tokën e Premtuar (v. 29,30; Ligji i Perterire 2:14). 14:36-38 Dhjetë vëzhguesit mosbesues që kishin përpiluar raportin e keq u vranë nga një plagë, por Jozueu dhe Kalebi jo. 14:39-45 Duke dëgjuar rrënimin që ra mbi ta, populli i tha Moisiut se do t’i bindej Perëndisë dhe do të shkonin në vendin e premtuar, mbase duke nënkuptuar drejtpërdrejt veriun nga Kadesh-Barnea (v. 40). Por Moisiu u tha atyre se ishte shumë vonë, se Zoti ishte larguar prej tyre dhe se ata do të mundeshin në përpjekje e sipër. Duke mos ia vënë veshin këshillës së Moisiut, ata përparuan në majë të malit, por i thyen dhe i vunë përpara disa banorë paganë të vendit (v. 45).E. Ligje të ndryshme (kapitulli 15)
15:1,2 Ne nuk e dimë se sa kohë kaloi midis kapitujve 14 dhe 15, por dallimi është i dukshëm: «…me siguri nuk kanë për ta parë vendin» (Num. 14:23) – «Kur do të hyni në vendin» (Num. 15:2). Qëllimet e Perëndisë, edhe pse ndonjëherë fshihen nga mëkati, nuk tërhiqen mbrapsht. Ai ia premtoi vendin e Kanaanit Abrahamit dhe nëse një brez i pasardhjes së tij ishte shumë i pabesë për ta marrë atë, Ai do t’ia jepte brezit tjetër. 15:3-29 29 vargjet e para të këtij kapitulli përshkruajnë ofertat që u sollën nga bijtë e Izraelit kur u vendosën në vend. Shumë nga këto oferta tashmë janë përshkruar me hollësi. Theks të veçantë u jepet këtu mëkateve nga padituria të kryer nga asambleja (v. 22-26) apo nga një individ (v. 27-29). Vargu 24 përmend dy oferta për asamblenë, një dem dhe një dhi. Megjithatë, Levitiku 4 pohon se asambleja duhej të sillte vetëm një viç. Por Levitiku 4 thotë gjithashtu se një udhëheqës, kur ka mëkatuar, duhej të sillte edhe një dhi. Mbase rrëfimi këtu te Numrat përmend këto oferta bashkë, ndërsa te Levitiku ato janë përmendur veçmas. Te vargjet 20 e 21 gjejmë një urdhër të përsëritur shpesh në Shkrim: «Nga gjëja e parë […] Zotit». Qoftë me të parëlindurit apo me prodhimet e para, Zoti duhej të merrte më të mirën e çdo gjëje. Kjo gjithashtu shërbente si kujtim për popullin, që çdo gjë që ata zotëronin vinte dhe i përkiste Jehovait. 15:30-36 Nuk bëhej ofertë për mëkatin me vetëdije – pra, për rebelimin me dashje e mospërfillës kundër fjalës së Zotit. Të gjithë ata që kryenin një mëkat të tillë duhej të shfaroseshin (v. 30,31). Një shembull i mëkatit me vetëdije jepet te vargjet 32-36. Gjetën një njeri që mblidhte dru ditën e shtunë, një shkelje e qartë e Ligjit. U bë e ditur që ai duhej të vritej (Eksodi 31:15), por mënyra e ekzekutimit nuk ishte pohuar asnjëherë. Zoti tashmë shpalli se ai duhej të vritej me gurë jashtë kampit. 15:37-41 Judenjtë u urdhëruan të bënin thekë në cepat e rrobave të tyre dhe të vënë në çdo cep një kordon në ngjyrë manushaqeje. Manushaqja është ngjyra qiellore dhe kishte si qëllim t’u fliste atyre për shenjtërinë dhe bindjen që duhej të kishin si bij të Perëndisë.F. Rebelimi i Koreut (kapitujt 16,17)
16:1-3 Koreu, një kushëri i Aaronit (Eksodi 6:18-21), ishte një levit, por jo prift. Ai në pamje të parë u zemërua për faktin se familja e Aaronit kishte të drejtën e vetme të priftërisë. Dathani, Abirami dhe Oni ishin nga fisi i Rubenit dhe ata nuk ishin dakord me udhëheqjen e Moisiut mbi ta. Oni nuk përmendet pas vargut 1 dhe është e pamundur të dimë nëse ai pësoi të njëjtin rrënim si të tjerët. Dyqind e pesëdhjetë princër – prijës të Izraelit – u bashkuan në rebelim kundër priftërisë dhe pushtetit qytetar (v. 2). Ata thanë se tërë njerëzit ishin të shenjtë dhe nuk duheshin përjashtuar nga flijimet e ofruara (v. 3). 16:4-11 Për të zgjidhur çështjen Moisiu urdhëroi Koreun dhe rebelët e tij të vinin të nesërmen me temjanica (v. 6,7). Djegia e temjanit ishte një funksion priftëror; nëse Perëndia nuk do t’i pranonte ata si priftërinj, Ai do të tregonte përçmimin e Tij. 16:12-15 Dathani dhe Abirami nuk pranuan të largoheshin nga çadrat e tyre kur u thirrën nga Moisiu, por e qortuan ashpër për udhëheqjen e tij. Këta njerëz po i referoheshin një premtimi të mëparshëm (Eksodi 3:8) se Perëndia do t’i çonte ata «në një vend ku rrjedh qumështi dhe mjalti» dhe po ankoheshin këtu (me sarkazëm) se Moisiu i kishte nxjerrë ata nga një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë (Egjipti) dhe i nxori në një vend ku nuk rrjedh qumësht dhe mjaltë (shkretëtirë). Ideja e vargut 14 mund të jetë se, duke mos përmbushur atë premtim, Moisiu tani po përpiqej të verbonte njerëzit ndaj dështimit të tij apo ndaj qëllimeve të tij të vërteta. Moisiu i kujtoi Zotit se ai nuk kishte kërkuar haraçe nga populli, ashtu siç bëjnë zakonisht sunduesit. 16:16-22 Të nesërmen, Koreu, Aaroni dhe dyqind e pesëdhjetë rebelët dolën para tabernakullit me temjanica. U mblodh gjithashtu asambleja e Izraelit, mbase në përkrahje të Koreut. Dhe lavdia e Zotit u shfaq para tërë asamblesë. Atëherë Zoti u foli Moisiut dhe Aaronit të ndaheshin nga asambleja para se t’i shkatërronte. Për shkak të ndërmjetësimit të Moisiut dhe Aaronit gjykimi nuk u ekzekutua. 16:23-35 Tani skena ndryshon te banesa ku jetonin Koreu, Dathani dhe Abirami (v. 24). Moisiu paralajmëroi pjesën tjetër të popullit që të qëndrojë larg atyre çadrave. Më pas Moisiu shpalli se në qoftë se këta njerëz vdisnin me një vdekje natyrale, apo në qoftë se fati i tyre ishte fati i përbashkët i të gjithë njerëzve, atëherë Moisiu do të turpërohej. Por në qoftë se Zoti, në mënyrë të mrekullueshme, bënte që toka t’i gëlltiste ata, atëherë njerëzit do të mësonin që ata njerëz ishin fajtorë për rebelim (v. 30). Sapo tha ato fjalë, toka hapi gojën e saj dhe gëlltiti Dathanin, Abiramin dhe familjet e tyre, që të mund të ishin të bashkuar në rebelimin e tyre (v. 32,33). Është vënë në diskutim të madh se kur vdiq Koreu. Disa besojnë se ai u përpi nga toka me Dathanin dhe Abiramin (v. 32,33). Të tjerë mendojnë se ai u shfaros nga i njëjti zjarr që vrau dyqind e pesëdhjetë rebelët (v. 35). Duket nga Numrat 26:10 se ai u gëlltit bashkë me Dathanin dhe Abiramin. Vargu 11 i të njëjtit kapitull tregon se bijtë e tij u kursyen. Profeti i mëvonshëm i madh i Izraelit, Samueli, ishte një pasardhës i Koreut (1 i Kronikave 6:22,23,28). Te vargu 30 Sheol (hebraishte) do të thotë varr, por gjithashtu nënkupton edhe gjendjen ku shpirti dhe fryma nuk ndodhet në trup. Në disa çaste të caktuara të historisë Perëndia ka treguar përçmimin e Tij të madh ndaj disa mëkateve, duke i gjykuar ato menjëherë. Ai gjykoi Sodomën dhe Gomorën (Zanafilla 19:24,25); Nadabin dhe Abihun (Lev. 10:1,2); Miriamin (Num. 12:10); Koreun, Dathanin dhe Abiramin, duke shtuar edhe 250 prijës (në këtë kapitull); Ananian dhe Safirën (Veprat e Apostujve 5:5,10). Në fakt Ai nuk e bën një gjë të tillë sa herë kryhen këto mëkate, por Ai ndërhyn në histori në raste të veçanta si një paralajmërim për brezat e ardhshëm. Njerëzit që mbanin anën e Koreut (v. 32) mund të nënkuptojë shërbëtorët apo ndjekësit e tij. 16:36-40 Temjanicat e shenjta të përdorura nga mëkatarët u bënë petëza të rrahura për të mbuluar altarin e olokaustit. Këto ishin një kujtesë se vetëm familja e Aaronit gëzonte privilegjet priftërore. Zjarri në temjanicë u shpërnda larg. 16:41-50 Të nesërmen, pasi ndodhën këto ngjarje solemne, populli paditi Moisiun dhe Aaronin për vrasje të popullit të Perëndisë. Zoti, në zemërim e sipër, kërcënoi t’i shfaroste, por Moisiu dhe Aaroni shkuan përpara çadrës së mbledhjes, pa dyshim për të ndërmjetësuar për ta. Zoti më pas goditi popullin me një fatkeqësi të tmerrshme. Vetëm kur Aaroni u turr në mes të asamblesë me temjanicën dhe bëri shlyerjen për popullin, fatkeqësia u ndal. Por edhe me këtë, katërmbëdhjetë mijë e shtatëqind veta vdiqën. Prijësit, bashkë me asamblenë, kishin sfiduar priftërinë e Aaronit. Tani ishte ndërmjetësimi priftëror i Aaronit që ndalifatkeqësinë. Moisiu dhe Aaroni nuk ishin ata që vranë popullin e Zotit, por ata që i shpëtuan! 17:1-9 Që t’i bëhej e qartë popullit se priftëria i ishte caktuar vetëm familjes së Aaronit, Perëndia urdhëroi që për çdo fis të Izraelit të vihej një shufërnë tabernakull gjatë natës. Në shufrën e Levit ishte emri i Aaronit sipër. E drejta e priftërisë i përkiste shufrës që do të lulëzonte. Në mëngjes u gjet se shufra e Aaronit kishte lulëzuar; kishte nxjerrë lastarë, kishte çelur lule dhe kishte prodhuar bajame. Shufra e Aaronit simbolizon Krishtin e ringjallur si Priftin e zgjedhur nga Perëndia. Ashtu siç është bajamja pema që lulëzon e para në pranverë, po kështu Krishti është fryti i parë i ringjalljes (1 e Korintasve 15:20,23). Shandani i artë në vendin e shenjtë ishte «në formë të bajames, me një mollë dhe një lule» (Eksodi 25:33,34). Ishte një detyrë priftërore të kujdeseshe përditë për shandanin. Shufra e Aaronit përputhej në formë me frutin e shandanit, duke nënkuptuar se familja e Aaronit ishte zgjedhur nga Perëndia për të shërbyer si priftërinj. 17:10-13 Që tani e tutje shufra e Aaronit duhej të ruhej në arkën e besëlidhjes si një shenjë qortimi për rebelët. Pas kësaj, populli u kap nga tmerri dhe pati frikë t’i afrohej tabernakullit.G. Udhëzime ndaj levitëve (kapitujt 18,19)
18:1-7 Kapitulli 18 lidhet ngushtë me dy vargjet e fundit të kapitulli të mëparshëm. Për të zbutur frikën e popullit, Zoti përsëriti udhëzimet rreth shërbimit në tabernakull. Nëse u bindeshin këtyre udhëzimeve, nuk kishte pse të kishin frikë nga zemërimi i Tij. Vargu 1 është në dy pjesë. «Ti, bijtë e tu, dhe shtëpia e atit tënd bashkë me ty» i referohet tërë levitëve, duke përfshirë edhe priftërinjtë. «Ti, bijtë e tu» i referohet vetëm priftërinjve. Të parët mbartin barrën e paudhësive të kryera kundër shenjtërores; të dytët barrën e paudhësive të kryera gjatë ushtrimit të priftërisë së tyre. Të «mbash barrën e paudhësisë» do të thotë të jesh përgjegjës për çdo moskokëçarje apo dështim për të plotësuar detyrat e shenjta. Levitët ishin ndihmës të priftërinjve, por nuk duhej të futeshin në çadrën e mbledhjes në shërbim,përndryshe do të vriteshin. 18:8-20 Priftërinjve u lejohej një farë pjese nga ofertat e ndryshme si shpërblim (v. 8-11). Ata gjithashtu kishin të drejtën e prodhimeve të para të vajit, mushtit, grurit dhe frutave (v. 12,13), nga gjërat e kushtuara Zotit (v. 14) dhe i parëlinduri. Në rastin e bijve të parëlindur dhe kafshëve të papastra, priftërinjtë merrnin paranë e shpengimit në vend të bijve apo të kafshëve. Në rastin e kafshëve të flijimit, i parëlinduri i flijohej Zotit dhe priftërinjtë merrnin pjesën e tyre (v. 17-19). Një besëlidhje kripe (v. 19) do të thotë një besëlidhje e padhunueshme dhe e përhershme. Priftërinjtë nuk merrni asnjë vend, sepse Zoti duhej të ishte pjesa dhe trashëgimia e tyre e veçantë (v. 20). 18:21-32 Levitët merrnin të dhjetat nga populli, por ata nga ana tjetër ishin përgjegjës t’u jepnin të dhjetat priftërinjve. Kjo e dhjetë ofrohej si një ofertë e lartë ndaj Zotit. 19:1-10 Kapitulli 19 shtjellon një nga simbolet më të forta të pastrimit në DhV, përdorimin e hirit të një mëshqerre të kuqe. Kjo ofertë kishte të bënte në mënyrë të veçantë me heqjen e ndotjes së shkaktuar nga prekja e një trupi të vdekur. Bijtë e Izraelit sapo kishin ngritur krye kundër Zotit në Kadesh. Tani ata do të çoheshin në shkretëtirë për të vdekur për shkak të mosbesimit të tyre. Mbi 600.000 vetë do të vdisnin në periudhën tridhjetëvjeçare, ose mbi dyzet njerëz në ditë. Mund të shohim nevojën e hirit të mëshqerrave të kuqe, sepse kush mund të shmangte prekjen me një të vdekur në një udhëtim të tillë? Mëshqerra çohej jashtë kampit dhe therej atje (v. 3). Prifti Eleazar spërkaste gjakun e saj […] shtatë herë përpara çadrës së mbledhjes dhe pastaj mëshqerrës i vihej zjarri, lëkurës dhe gjithçkaje, bashkë me dru kedri, hisop dhe një copë të kuqërremtë. Të njëjtat materiale përdoreshin për pastrimin e lebrës (Lev. 14:4,6). Prifti dhe njeriu që digjte mëshqerrën ishin të papastër deri në mbrëmje. Pastaj një njeri i pastër mblidhte me kujdes hirin e mëshqerrës dhe e ruante jashtë kampit për përdorim të mëvonshëm (v. 9); pastaj ai ishte i papastër deri në mbrëmje. 19:11-19 Ky paragraf na tregon se si duhej të përdorej hiri. Nëse dikush ishte bërë ceremonialisht i papastër me anë të prekjes së një trupi të vdekur, apo duke qenë në një çadër bashkë me një të vdekur, një njeri i pastër merrte nga hiri dhe e përziente me ujë të rrjedhshëm. Njeriu i pastër spërkaste ujin me hisop te njeriu apo gjëja e papastër ditën e tretëdhe ditën e shtatë. Ditën e shtatë njeriu i papastër lante rrobat e tij, lahej vetë dhe ishte i pastër atë mbrëmje (v. 19). Uilliamsi hedh idenë se mëshqerra e kuqe simbolizon Krishtin: i panjollë nga ana e jashtme dhe nga ana e brendshme, pa pasur mbi supe robërinë e mëkatit, por u vesh me baltën e kuqe të njerëzimit{{11}}. Por duhet të kemi kujdes për të mos e tepruar me simbolikën. Regjistrimi i vetëm historik i përdorimit të hirit të një mëshqerre jepet te Numrat 31. Mentëlli (Mantle) thotë se:…hiri shihej si përqendrimi i përbërjeve thelbësore të ofertës për mëkatin dhe [kryeprifti] mund të gjente në çdo kohë pa problem dhe pa humbje kohe. Një mëshqerrë e kuqe vlen për shekuj me radhë. Vetëm gjashtë prej tyre janë nevojitur gjatë tërë historisë judaike; sepse sasia më e vogël e hirit vlente për të dhënë virtytin (cilësinë) e pastrimit të ujit të pastër{{12}}.Shkrimtari i Letrës së Hebrenjve argumenton se ndërsa hiri i një mëshqerre të kuqe mund të bëjë që t’i hiqej një njeriu ndotja e jashtme dhe ceremoniale, gjaku i Krishtit ka fuqi të pafundme për të sjellë një pastrim të brendshëm të ndërgjegjes nga veprat e vdekura (Heb. 9:13,14). Një autor anonim komenton:
Mëshqerra e kuqe është parashikimi i Perëndisë për prekjen e pashmangshme me vdekjen frymërore që është përreth nesh. Me siguri që kjo ka referim të veçantë me fajësinë e Izraelit në lidhje me derdhjen e gjakut të Mesias. Ajo i ngjan ofertës për shkeljen, por nuk e zëvendëson atë.Rregullat e DhV rreth larjes me ujë, ndonjëherë me ujë të rrjedhshëm (Lev. 15:13), tashmë janë një teknikë mjekësore e pranuar për dezinfektim. 19:20-22 Ndëshkimi ishte i pashmangshëm për një njeri të papastër që nuk e përdorte ujin e pastrimit. Gjithashtu, Perëndia shpalli se çdokush që prekte apo spërkaste ujin ishte i papastër deri në mbrëmje dhe çdokush që prekte ai ishte gjithashtu i papastër për pjesën e mbetur të ditës.
H. Mëkati i Moisiut (20:1-13)
20:1 Ndërsa hapet ky kapitull, kanë kaluar dyzet vjet që kur izraelitët u larguan nga Egjipti dhe tridhjetë e tetë vjet që kur dërguan vëzhgues në Tokën e Premtuar. Populli ishte endur për tridhjetë e tetë vjet dhe tashmë ishte kthyer në Kadesh, në shkretëtirën e Sinit – vendi nga i cili kishin dërguan vëzhguesit. Ata nuk ishin më afër Tokës së Premtuar nga sa ishin tridhjetë e tetë vjet më parë! Këtu Miriami […] vdiq dhe u varros. Mbi 600.000 njerëz kishin vdekur gjatë viteve të kaluara midis kapitujve 19 e 20. Fryti i hidhur i mosbesimit u vol në heshtje për një brez të tërë. 20:2-9 Njerëzit që u ankuan kundër Moisiut dhe Aaronit për mungesën e ujit ishin një brez i ri, por ata vepruan si etërit e tyre (v. 2-5). Zoti i tha Moisiut t’i fliste shkëmbit dhe ai do të jepte ujin e tij. Ai duhej të merrte bastunin e Aaronit që ishte vendosur në tabernakull (v. 9; krahasoni Num. 17:10), edhe pse ishte «bastuni i tij» në vargun 11. Bastuni i Aaronit ishte bastuni i priftërisë; bastuni i Moisiut ishte bastuni i gjykimit dhe fuqisë. 20:10-13 Më parë, në një vend të quajtur Masa (dhe Meriba), populli kishte murmuritur për ujë. Në atë kohë, Zoti i tha Moisiut të godiste shkëmbin (Eksodi 17:1-7). Por tani durimi i Moisiut ishte shterur. Në fillim, ai foli në mënyrë jo të zgjuar me buzët e tij, duke i quajtur njerëzit rebelë (v. 10). Së dyti, ai e goditi shkëmbin […] dy herë në vend që t’i fliste atij. Shkëmbi i goditur tek Eksodi 17 ishte një simbol i Krishtit, i goditur në Kalvar. Por Krishti duhej të goditej vetëm një herë. Pas vdekjes së Tij do të jepej Fryma e Shenjtë, simbol i të cilit është uji në vargun 11. Për shkak të mëkatit të Moisiut dhe Aaronit në këtë çështje, Perëndia shpalli se ata nuk do të futeshin në Tokën e Premtuar. Ai e quajti vendin Meriba, por nuk është i njëjti Meriba si te Eksodi 17. Ky vend njihet si Meriba-Kadeshi. Morgani (G. Campbell Morgan) komenton:Me anë të kësaj shfaqjeje zemërimi, për të cilën thamë se është shumë i natyrshëm, shërbëtori i Perëndisë përfaqësoi keqas Perëndinë ndaj njerëzve. Dështimi i tij erdhi për shkak se besimi i tij dështoi për të arritur nivelin më të lartë të veprimtarisë. Ai akoma vazhdonte të besonte në Perëndinë dhe në fuqinë e Tij, por ai nuk besoi në Të për ta shenjtëruar Atë në sytë e njerëzve. Mësimi me të vërtetë është tepër kërkues. Gjërat e drejta mund të bëhen në një mënyrë kaq të gabuar, sa të shkaktojnë rrjedhoja të këqija. Ekziston një himn, në të cilin mund të humbasim domethënien e thellë, nëse nuk mendojmë thellë – O Zot, më fol që unë të flas me jehona të gjalla të zërit Tënd. Kjo është më tepër se një lutje, që ne të mund të jemi të aftë të paraqesim mesazhin e Zotit. Ne duhet ta bëjmë këtë me zërin e karakterin e Tij. Kjo është pika në të cilën dështoi Moisiu dhe për këtë dështim u përjashtua nga Toka e Premtuar{{13}}.
I. Vdekja e Aaronit (20:14-29)
20:14-21 Plani për t’u futur në Tokën e Premtuar nuk ishte të shkonin drejtpërdrejt veriut nga shkretëtira, por për të udhëtuar në lindje përmes territorit të edomitëve dhe më pas drejt veriut, përgjatë bregut lindor të Detit të Vdekur. Atëherë populli do të kalonte Jordanin. Por mbreti i Edomit […] refuzoi të lejojë kalimin e popullit të Izraelit – dhe kjo pavarësisht nga siguria e dhënë nga judenjtë për të mos ngrënë, pirë, apo për të mos dëmtuar sendet e Edomit. Më vonë në histori, Izraeli nën drejtimin e Saulit luftoi kundër tyre dhe i mundën, ata pasardhës të vëllait të Jakobit, Esaut. 20:22-29 Kur tërë njerëzit u nisën nga Kadeshi dhe arritën në malin Hor, në kufijtë e vendit të Edomit […], Aaroni vdiq dhe u zëvendësua nga Eleazari, biri i tij (v. 22-29). Methju Henri (Matthew Henry) shkruan:Aaroni, edhe pse vdiq për shkeljen e tij, nuk vdiq si një keqbërës, nga një plagë apo nga zjarr i zbritur nga qielli, por vdiq në paqe e nder. Ai nuk u hoq nga populli i tij, siç përdoret shprehja për ata që vdesin nga dora e drejtësisë hyjnore, por ai u bashkua me popullin e tij, si një njeri që vdes në krahët e hirit hyjnor…. Moisiu, duart e të cilit e veshën në fillim Aaronin me rrobat e tij priftërore, tani e zhveshin nga ato; sepse, në nderim ndaj priftërisë, nuk ishte mirë që ai të vdiste me to i veshur{{14}}.
J. Gjarpri prej bronzi (21:1-22:1)
21:1-3 Mbreti […] i Aradit jetonte në pjesën jugore të Tokës së Premtuar. Kur dëgjoi që izraelitët kishin fushuar në shkretëtirë dhe po planifikonin të pushtonin vendin, sulmoi, por u mund në atë vend që u quajt Hormah (v. 1-3). 21:4-9 Deti i Kuq (v. 4) nuk do të thotë gjiri që izraelitët kaluan në arratisjen e tyre nga Egjipti, por pjesë e Detit të Kuq që ne e njohim si gjirin e Akabës. Kalimi nga Deti i Kuq mund të jetë emri i një rruge; izraelitët mund të mos kenë shkuar në gjirin e Akabës këtë herë. Përsëri populli u ankua për kushtet e tyre të jetesës, me pasojën që Perëndia dërgoi midis tyre gjarpërinj flakërues. Shumë njerëz vdiqën dhe shumë të tjerë ishin në prag të vdekjes. Si përgjigje ndaj ndërmjetësimit të Moisiut, Perëndia urdhëroi që të ngrihej një gjarpër prej bronzi në një shtizë dhe premtoi se kushdo që do të shikonte gjarprin prej bronzi, do të shërohej nga kafshimi i tij. Kjo ndodhi u përdor nga Zoti Jezus për t’i mësuar Nikodemit se Krishti duhej të ngrihej në një shtizë (në kryq), në mënyrë që mëkatarët që do të shikonin drejt Tij me anë të besimit të kishin jetën e përjetshme (Gjoni 3:1-16). Gjarpri më vonë u bë një gur pengese për kombin dhe u shkatërrua përfundimisht në ditët e Ezekisë (2 i Mbreterve 18:4). 21:10-20 Udhëtimet e bijve të Izraelit nga mali Hor për në fushat e Moabit nuk mund të gjurmohen më me saktësi. Megjithatë, ndalimet renditen te Numrat 21:10 deri te Num. 22:1. Libri i Luftërave të Zotit (v. 14) ishte një regjistër historik i luftërave të hershme të Izraelit. Ky libër nuk ekziston më. Në Beer (v. 16-18) Zoti në mënyrë të mrekullueshme siguroi ujë kur princat e kanë gërmuar […] me bastunët e tyre shkretëtirën e thatë. 21:21-26 Kur Izraeli iu afrua vendit të Amonit, ata kërkuan leje që të kalonin, por u kundërshtuan. Në fakt, Sihoni, mbret i amorejve, i shpalli luftë Izraelit, por u shpartallua plotësisht. Ky mbret amonit, ashtu si faraoni para tij, u ngurtësua nga Zoti në mënyrë që ai dhe populli i tij të mundeshin në betejë nga Izraeli (Ligji i Perterire 2:30). «Padrejtësia e amorejve» (Zanafilla 15:16) ishte plotësuar dhe Izraeli ishte vegla e gjykimit nga Jehovai. 21:27-30 Kënga proverbiale e vargjeve 27-30 duket se shpreh këtë: Heshboni u ishte marrë kohët e fundit moabitëve nga amorejtë. Tani Heshboni kishte rënë në duart e popullit të Izraelit. Nëse ata që pushtuan këtë qytet të Moabit ishin pushtuar vetë, atëherë Moabi duhet të ishte një fuqi e klasit të tretë. Gjithashtu, kjo fjalë e urtë është cituar mbase si një provë se vendi ishte plotësisht në duart e mbretit të amorejve, Sihonit dhe nuk ishte më një territor i moabitëve. Ky fakt ishte i rëndësishëm për t’u nxjerrë në pah, sepse Izraelit iu ndalua të merrte pjesë toke nga Moabi (Ligji i Perterire 2:9). 21:31-22:1 Rruga e saktë e izraelitëve është e vështirë të paraqitet. Mendohet se ata kryesisht u zhvendosën në lindje nga mali Hor, më pas në veri, jashtë kufijve perëndimorë të Edomit, drejt lumit Zered. Ata ndoqën bregun lindor të Zeredit midis Edomit dhe Moabit, më pas në veri përgjatë kufijve lindorë të Moabit drejt Arnonit, më pas në perëndim të Rrugës së Mbretit. Ata pushtuan Sihonin, mbretin e amorejve, më pas u zhvendosën për në veri për të pushtuar Bashanin, mbretërinë e Ogut. Bashani ishte një tokë e pasur me kullota në lindje të Jordanit dhe në veri të vendit ku Izraeli do të kalonte Jordanin për në tokën e premtuar. Pasi pushtuan Bashanin, izraelitët u kthyen në fushat e Moabit dhe ngritën kampin e tyre […] në bregun e kundërt të Jerikos (v. 1). Këto fusha u ishin marrë Moabit nga amorejtë (Num. 21:26), por emri i Moabit kishte mbetur. [[6]](10:29-32) Cituar nga John W. Haley, Alleged Discrepancies of the Bible, f. 431.[[6]] [[7]](11:16,17) Në mbrojtje të Moisiu janë të vlefshme të përmenden këto pika: 1. Perëndia nuk e qorton Moisiun; 2. Perëndia në fakt i jep zemër atij, duke i premtuar se, pasi të mbusheshin me Frymën e Tij të shtatëdhjetët, ata do të mbanin barrën e tij; 3. Vetë Perëndia iu përgjigj nevojës së tij; 4. Moisiu po drejtonte rreth 2.000.000 njerëz ankues e jofrymërorë; 5. Vargu 17 nuk tregon një rënie të fuqisë së Frymës në Moisiun, por një shpërndarje të të njëjtit Frymë te të shtatëdhjetët.[[7]] [[8]](11:31-35) Shikoni International Standard Bible Encyclopedia me titullin «Quails», IV:2512.[[8]] [[9]](12:3) Është gjithnjë e mundur që një botues i frymëzuar (siç është Jozueu) t’i ketë shtuar këto fjalë më vonë.[[9]] [[10]](12:11-16) Keil dhe Delitzsch, “Numbers”, III:81.[[10]] [[11]](19:11-19) Williams, Student’s Commentary, f. 88.[[11]] [[12]](19:11-19) J. G. Mantle, Better Things, f. 109.[[12]] [[13]](20:10-13) G. Campbell Morgan, Searchlights from the Word, f. 47,48.[[13]] [14] Matthew Henry, “Numbers”, te Matthew Henry’s Commentary on the Whole Bible, I:662.[[14]][previous][next]