Veprat e Apostujve

Krishti është tema, Kisha është përmbajtja, dhe Fryma është fuqia.W. Graham Scroggie

I. Vendi unik në Kanun

Veprat e Apostujve është e vetmja histori e frymëzuar e Kishës, ajo është gjithashtu historia e Kishës së parë dhe e vetmja histori parësore e Kishës që tregon ditët më të hershme të besimit. Gjithë të tjerat vetëm përdorin punën e Lukës me pak gojëdhëna (e shumë supozime) të shtuara. Mosqenia e këtij libri do të ishte një humbje e madhe. Do të ishte një kapërcim i madh nga përshkrimi i jetës së Zotit tonë, dhënë në Ungjijtë, tek Letrat. Por si erdhën Letrat dhe kujt i ishin drejtuar ato? Veprat e Apostujve u përgjigjen këtyre dhe shumë pyetjeve të tjera. Është një urë jo vetëm midis jetës së Krishtit (nga Ungjijtë) dhe të jetuarit sipas Tij (nga Letrat) por është edhe një urë kalimi midis Judaizmit dhe Krishterimit, midis Ligjit dhe Hirit. Kjo përbën një nga vështirësitë kryesore në interpretimin e Veprave, që është hapja graduale e horizonteve nga një lëvizje e vogël Judiste e përqendruar në Jeruzalem në një besim mbarëbotëror që ka depërtuar befasishëm edhe në perandorinë kapitale [Romë].

II. Autorësia

Autorësia e Lukës dhe ajo e Veprave është e njëjtë, kështu pothuajse të gjithë njerëzit janë të një mendjeje. Nëse Ungjilli i tretë është nga Luka, kështu edhe Libri i Veprave është nga Luka, dhe anasjelltas (shih parathënien e Lukës).

Evidenca e jashtme që Luka shkroi Veprat është e hershme, e fuqishme dhe gjerësisht e përhapur. P.sh. shkrimet e ndryshme të vjetra [Prologu anti-marcionit i Lukës (rreth 160-180 e.s.), Kanuni Muratorian (170-200 e.s.) dhe baballarët e hershëm të Kishës, Ireneus, Tertulian, Klementi i Aleksandrisë dhe Origeni] të gjithë pajtohen me mendimin që Luka është autori i Veprave. Po kështu dhe gjithë të tjerët pas tyre në historinë e Kishës, duke përfshirë dhe autoritete si Eusebius dhe Jeroma.

Evidenca e brendshme që tregon se Luka e shkroi atë, është e trefishtë. Në fillim të Veprave shkrimtari në mënyrë specifike i referohet punës së tij të hershme dedikuar Teofilit. Luka 1:1-4 tregon se përse është shkruar Ungjilli i tretë. Stili, vështrimi i dhembshur, fjalori, theksimet shfajësuese, dhe shumë detaje të tjera të vogla lidhin të dy punët bashkë. Ashtu si radhiten 1 & 2 Korintasve, në të njëjtën mënyrë mund të lidhet Luka me Veprat.

Së dyti, nga konteksti i veprave është e qartë se autori ishte një bashkëudhëtar me Palin. Kjo duket në paragrafët e famshëm ku gjendet “ne” (Veprat e Apostujve 16:10-17; 20:5-21:18; 27:1-28:16) ku autori është aktualisht i pranishëm në ngjarjet që kujtohen. Përpjekjet skeptike për ta shpjeguar këtë si një “trillim” nuk janë bindëse. Në qoftë se ato do të ishin shtuar vetëm për të bërë punën të dukej më e mirëfilltë, pse janë paraqitur kaq rrallë dhe hollësisht dhe pse s’është dhënë një emër në vend të “unë” e cila është përfshirë tek “ne”?

Përfundimisht kur shoqëruesit e tjerë të Palit që janë përmendur nga autori në vetën e tretë janë eliminuar, ashtu si dhe shoqërues që s’kanë qenë me Palin gjatë pjesëve ku “ne” është përdorur, Luka është i vetmi person i qëndrueshëm që mbetet.

III. Data

Ndërsa data e disa librave të Dhjatës së Re nuk është kritike, ajo është më e rëndësishme për librin e Veprave, që është veçanërisht një histori e Kishës, dhe është historia e parë.

Tre data janë propozuar për Veprat, dy që pranojnë autorësinë e Lukës dhe një që e hedh poshtë atë.

  1. Një datë e shekullit të dytë përjashton Lukën si autor sepse ai s’mund të ketë jetuar mbas viteve 80-85 e.s.. Ndërsa liberalët mendojnë se autori përdori “Antikitetet” e Jozueuephus-it (93 pes), paralelizmat që ata përdorin përsa i përket Teudas (Veprat e Apostujve 5:36) nuk përputhen, dhe ngjashmëritë s’janë bindëse.
  2. Një pikëpamje shumë e zakonshme është se Luka shkroi ungjillin sipas Lukës dhe Veprat midis viteve 70-80. Kjo lejonte Lukën të përdorte Markun në Ungjillin e tij (ndoshta prej 60’tës).
  3. Një argument i fuqishëm është që Luka mbaroi Veprat aty ku mbaron historia e librit, gjatë burgosjes së parë të Palit në Romë.

Është e mundshme Luka të planifikonte një vëllim të tretë (por me sa duket nuk ishte në vullnetin e Perëndisë) dhe kështu Luka nuk mundi të përmendë ngjarjet shkatërruese të të krishterëve midis viteve 63-70 e.s.. Megjithatë mangësitë e mëposhtme sugjerojnë datën e hershme: Persekutimin mizor të Neros ndaj të krishterëve në Itali pas djegies së Romës (66-70); martirizimi i Pjetrit dhe Palit (pas 60 e.s.); dhe trauma që kapi Judenjtë dhe të krishterët hebrenj nga shkatërrimi i Jeruzalemit (70 e.s.). Prandaj është e mundur që Luka shkroi Veprat ndërkohë që Pali ishte në burg në Romë, rreth 62-63 e.s..

IV. Përmbajtja dhe Temat

Veprat e Apostujve pulson nga jeta dhe veprimi. Në të ne shohim Frymën e Shenjtë në punë, duke formuar Kishën, duke forcuar Kishën dhe duke përhapur ungjillin. Është dëshmia e mrekullueshme e Shpirtit Sovran duke përdorur njerëzit e zakonshëm, duke kapërcyer pengesat më të tmerrshme, duke përdorur metodat më të pazakonshme dhe duke arritur rezultate që vlejnë të shënohen.

Veprat fillojnë me ngjarjet që Ungjijtë lënë. Më pas na çojnë ne në përshkrimet dramatike dhe vitet e vështira të Kishës së sapo lindur. Është dëshmi e periudhës së tranzicionit kur Kisha e Dhjatës së Re po hidhte tej qefinin [d.m.th. rrobat që mbështilli të vdekurin] e Judaizmit dhe po shfaqte karakterin e saj synues si një bashkësi e re ku Judenj e Johebrenj janë një në Krisht. Për këtë arsye, Veprat janë quajtur historia e “kohës së zvordhjes së Isakut” (shih Zanafilla 21:8).

Kur lexojmë, ne ndjejmë gjallërimin shpirtëror që është i pranishëm kur Perëndia punon. Në të njëjtën kohë ne ndjejmë tensionin që rritet kur mëkati dhe Satani kundërshtojnë dhe pengojnë.

Në 12 kapitujt e parë apostulli Pjetër merr një rol vendimtar, kur ai i predikon guximshëm kombit të Izraelit. Nga kapitulli 13 e në vazhdim apostulli Pal vjen në qendër si i zellshmi, i frymëzuari dhe i palodhshmi apostull që predikon tek Johebrenjtë.

Veprat mbulojnë një periudhë rreth 33 vjeçare. J.B. Phillips ka treguar se në asnjë periudhë tjetër të historisë njerëzore s’ka patur një grup të tillë të vogël të njerëzve të zakonshëm që lëvizën botën në mënyrë të tillë që armiqtë e tyre thanë me lotë tërbimi në sy, këta burra “kthyen botën përmbys.” [1]

PËRMBLEDHJE

  1. KISHA NË JERUZALEM (Kapitujt 1 deri 7).
    A. Premtimi i Zotit të Ringjallur për Frymën (1:1-5).
    B. Urdhëresa për apostujt nga Zoti kur ngrihej (1:6-11).
    C. Dishepujt në lutje duke pritur në Jeruzalem (1:12-26).
    D. Dita e Rrëshajëve dhe Lindja e Kishës (2:1-47).
    E. Shërimi i një lebrozi dhe detyra e Pjetrit ndaj Izraelit (3:1-26).
    F. Persekutimi dhe rritja e Kishës (4:1-7:60).
  2. KISHA NË JUDE DHE NË SAMARI (8:1-9:31).
    A. Shërbesa e Filipit në Samari (8:1-25).
    B. Filipi dhe Eunuku Etiopas (8:26-40).
    C. Kthimi i Saulit të Tarsit (9:1-31).
  3. KISHA DERI NË SKAJIN E TOKËS (9:32-28:31).
    A. Predikimi i Ungjillit nga Pjetri ndaj Johebrenjve (9:32-11:18).
    B. Lulëzimi i Kishës në Antioki (11:19-30).
    C. Persekutimi nga Herodi dhe vdekja e tij (12:1-23).
    D. Udhëtimi i parë misionar i Palit: Galatia (12:24-14:28).
    E. Këshilli në Jeruzalem (15:1-35).
    F. Udhëtimi i dytë misionar i Palit: Azi e Vogël, Greqi (15:36-18:27).
    G. Udhëtimi i tretë misionar i Palit: Azi e Vogël, Greqi (18:23-21:26).
    H. Arrestimi i Palit dhe gjyqet (21:27-26:32).
    I. Udhëtimi i Palit për në Romë dhe fundosja e anijes (27:1-28:16).
    J. Pali në arrest shtëpie dhe dëshmia për Judenjtë e Romës (28:17-31).


Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)

  1. J. B. Philips, The Young Church in Action, fq. 7 ↵ Kthehu mbrapa