Gjërat që do të ndodhin për së shpejti (Zbulesa 16-18)

J. Gjykimet nga shtatë kupat (Kapitulli 16)

16:1, 2 Një zë i madh nga tempulli i urdhëron të shtatë engjëjt: “Shkoni dhe derdhni mbi dhe kupat e zemërimit të Perëndisë”.Këto gjykime janë të ngjashme për nga lloji dhe renditja me gjykimet e borive por këto janë më të mëdha për nga fuqia. Kupa e parë bën që të shpërthejë një ulcerë e ligë dhe e dhimbshme mbi ata që adhuronin bishën dhe figurën e saj.

16:3 Plaga e dytë i kthen ujërat e detit në gjak, gjak si i një të vdekuri dhe gjithë jeta detare ngordh.

16:4 Kupa e tretë bën që gjithë burimet e ujërave të bëhen gjak.

16:5, 6 Në këtë çast engjëlli i ujërave mbron të drejtën e gjykimeve të Perëndisë. Njerëzit janë veçse duke marrë dënimin e duhur për veprat e tyre mëkatare. Ata kanë derdhur gjak me bollëk. Tani ata shpërblehen me gjak,që ta pinë atë në vend të ujit. Është shpërblimi që ata meritojnë.

16:7 Altari ndoshta simbolizon shpirtrat e shenjtorëve që kanë rënë dëshmorë (Zbulesa 6:9). Ata kanë pritur gjatë dhe me durim për ndëshkimin e përndjekësve të tyre.

16:8, 9 Plaga e katërt bën që njerëzit të vuajnë shumë nga djegia e diellit ose rrezatimi diellor. Megjithatë kjo nuk i bën ata të pendohen. Në vend të kësaj ata mallkojnë Perëndinë që dërgoi këtë nxehtësi kaq të madhe [zheg] mbi ta.

16:10, 11 Engjëlli i pestë e derdh plagën e tijterrit mbi mbretërinë e bishës. Kjo iu shtohet vuajtjeve të njerëzve pasi ata nuk janë në gjendje të lëvizin për t’u lehtësuar nga vuajtja paraprirëse. Por kjo nuk zbut zemrat e tyre. Ata vetëm sa bëhen më të qëndrueshëm në urrejtjen e tyre ndaj Perëndisë.

16:12 Kur të derdhet kupa e gjashtë, uji i Eufratit thahet, duke lejuar ushtritë nga lindja të marshojnë drejt vendit të Izraelit.

16:13, 14 Gjoni sheh tri frymë si bretkosat që dilnin nga goja e dragoit, . . . e bishës dhe . . . profetit të rremë, triniteti i falsifikuar i Satanit. Këto janë frymë djallëzore, që bëjnë mrekulli për të mashtruar sunduesit e botës dhe që t’i tërheqin ata për luftën kritike të ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm.

16:15 Me përmendjen e asaj lufte Zoti jep një bekim të veçantë për shenjtorët e Mundimit, për ata që janë duke pritur për Kthimin e Tij dhe që e kanë ruajtur veten të pastër nga adhurimi i idhujve i asaj dite. Ai do të vijë si vjedhës për të pashpëtuarit, papritur dhe duke shkaktuar humbje.

16:16 Ushtritë e botës do mblidhen në një vend që hebraisht quhet “Armagedon” (shih NKJV, Megido){{17}}. Kjo është lidhur zakonisht me fushën e Ezdraelonit, me Megidon në buzën jugore. Tregohet se Napoleoni e quajti atë “fushë ideale për betejë”.

16:17 Që ky është gjykimi i fundit i kupave tregohet nga shpallja e engjëllit të shtatë: “U bë!”.Zemërimi i Perëndisë u krye për sa i përket periudhës së Mundimit.

16:18 Kur kupa e fundit të jetë derdhur, do të ketë trazira të dhunshme të natyrës: shpërthime, bubullima, vetëtima dhe një tërmet me një shkallë të padëgjuar.

16:19 Qyteti i madh i Babilonisë, i ndarë në tri pjesë, pi kupën e furisë së Perëndisë. Ai nuk e ka harruar idhujtarinë, ashpërsinë dhe çoroditjen e saj fetare. Pikërisht në këtë kohë qytetet e kombeve janë shkretuar.

16:20 Çdo ishull dhe malet zhduken ndërsa toka lëkundet.

16:21 Një breshër me peshë mbi 45 kg bombardon tokën, por njerëzit në vend që të pendohen blasfemojnë Perëndinë.

K. Rënia e Babilonisë së madhe (Kapitujt 17,18)

17:1, 2 Një nga të shtatë engjëjt e fton Gjonin që të shohë gjyqin e kurvës së madhe. Ky është një sistem i madh fetar dhe tregtar me qendër në Romë. Shumë besojnë se kapitulli 17 përshkruan Babiloninë fetare dhe kapitulli 18 aspektin tregtar. Patjetër që Babilonia fetare përfshin botën femohuese të krishterë, si protestante ashtu edhe atë katolike. Ajo mund të përfaqësojë më së miri kishën ekumenike. Vini re përshkrimin! Kurva është ulur në ujëra të shumta, duke pasur nën kontroll territore të mëdha të botës joçifute. Mbretërit e dheut u kurvëruan me të. Ajo i ka mashtruar udhëheqësit politikë me kompromiset dhe intrigat e saj. Banorët e dheut u dehën me verën e kurvërisë së saj; një numër i madh njerëzish gjenden nën ndikimin e saj të lig dhe janë të shfrenuar për sa i përket mëkatit.

17:3 Kisha femohuese është parë duke ndenjur mbi një bishë të kuqe. Tashmë ne kemi thënë në kapitullin 13 se kjo bishë është Perandoria e rigjallëruar Romake (dhe nganjëherë koka e asaj perandorie). Bisha është plot me emra blasfemues dhe ka shtatë krerë dhe dhjetë brirë.

17:4 Për një farë kohe duket sikur kisha e rreme është në zotërim të perandorisë. Ajo qëndron në një gjendje të plotë qiellore, duke mbajtur simbolet e pasurisë së saj të madhe dhe duke paraqitur një kupë ari plot me idhujtarinë dhe imoralitetin e saj.

17:5 Një emër misteri është mbi ballin e saj: Babilona e madhe, nëna e lavireve dhe e neverive të dheut. Kjo është ajo kishë që ka derdhur gjakun e martirëve të krishterë përgjatë shekujve dhe që akoma është duke bërë këtë gjë. Ajo është dehur me gjakun e tyre.

17:6 Si shumë të tjerë Gjoni u çudit kur pa gruan, të dehur nga gjaku i shenjtorëve. Kjo u referohet shenjtorëve të gjithë epokave të historisë së kishës, por sidomos martirëve të Jezusit gjatë Mundimit.

17:7, 8 Engjëlli i jep Gjonit mundësinë për t’i treguar misterin e gruas dhe të bishës. Bisha që Gjoni pa ishte (Perandoria Romake që ka ekzistuar në të kaluarën), edhe nuk është (ajo u thye dhe sot ajo nuk ekziston më si një perandori botërore), dhe do të ngjitet nga humnera (ajo do të rishfaqet në një formë djallëzore të veçantë) dhe do të vejë në përhumbje (ajo do të shkatërrohet tërësisht dhe përfundimisht). Rigjallërimi i perandorisë dhe të shfaqurit e udhëheqësit të saj karizmatik [tërheqës] do të bëjnë që bota jobesimtare të çuditet.

17:9 Engjëlli thotë se kjo kërkon një mendje me dituri. Të shtatë krerët janë shtatë male, ku ulet gruaja. Një interpretim i zakonshëm është se lavirja e ka qendrën e saj në Romë, e cila është e ndërtuar mbi shtatë kodra.

17:10 Disa komentatorë i shpjegojnë këta shtatë mbretër si shtatë forma të qeverisjes romake; disa të tjerë i shpjegojnë ato si shtatë perandorë. Të tjerë thonë se mbretërit përfaqësojnë fuqi të mëdha të botës: Egjipti, Asiria, Babilonia, Persia, Greqia, Roma dhe Perandoria e ardhme e rigjallëruar Romake.

17:11 Mbreti i tetë është identifikuar në mënyra të ndryshme si koka e Perandorisë së rigjallëruar Romake dhe të Antikrishtit. Kuptimi i saktë i kësaj profecie ka mundësi që nuk do të jetë kurrë plotësisht i qartë derisa ajo të jetë përmbushur.

17:12 Të dhjetë brirët mund të simbolizojnë mbretërit e ardhshëm, të cilët do të shërbejnë nën autoritetin e bishës romake. Ata do të mbretërojnë për një orë, d.m.th. për një kohë të shkurtër (shih v10b).

17:13 Të dhjetë mbretërit, njëzëri, ia japin fuqinë dhe pushtetin e tyre bishës romake. Me fjalë të tjera, dhjetë vende (ose qeveri) ia dorëzojnë atij pavarësinë e tyre kombëtare.

17:14 Kjo perandori e përbërë nga dhjetë mbretër shkon në luftë kundër Zotit Jezus kur Ai kthehet në tokë në fund të Mundimit. Por ata e pësojnë si Napoleoni në Vaterlo. Megjithëse Ai është Qengji, Ai është edhe Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve. Ndjekësit e Tij janë të thirrur, të zgjedhur dhe besnikë.

17:15 Engjëlli vazhdon të shpjegojë më tej se ujërat në vargun 1 janë popuj dhe turma, dhe kombe, dhe gjuhë. Lavirja ulet mbi ujërat në kuptimin që ajo sundon në pjesë të mëdha të popullsisë.

17:16 Duket që Perandoria e rigjallëruar Romake e lejon veten që të kontrollohet, ose të paktën të ndikohet për pak kohë nga kisha lavire. Megjithatë ajo nuk e pranon këtë zgjedhë të padurueshme dhe kështu e shkatërron atë. Lavirja e urryer zhvishet, shkretohet dhe digjet nga bisha mbi të cilën ajo ulej.

17:17 Është fshehurazi dora e Perëndisë në gjithë këtë çështje. Është Ai i cili bën që mbretëritë të bashkohen nën autoritetin e bishës romake dhe që më pas të ngrenë krye kundër lavires. E gjitha kjo është që të kryejnë mendjen e Tij sovrane [të përmbushin qëllimin e Tij sovran].

17:18 Qyteti i madh është Misteri Babilona, që sundon mbi mbretëritë e dheut. Por siç edhe e kemi parë, gruaja e ka qendrën e saj në Romë.

18:1 Kapitulli 18 kryesisht përmban një këngë funerali, që kremton rënien e Babilonisë. Siç edhe është përmendur, kjo i referohet kishës lavire, e cila jo vetëm që është një sistem shumë i madh fetar, por ndoshta është institucioni tregtar më i madh në botë. Me sa duket ajo kontrollon tregun botëror.

Kur një engjëll tjetër me pushtet të madh zbret nga qielli për të njoftuar lajmin, ndodh diçka që duket sikur ndizen dritat. Lavdia e tij ndriçon dheun.

18:2 Babilona e madhja ka rënë dhe gërmadhat e saj janë bërë vend ushqimi për demonët, për çdo frymë të ndyrë dhe shpendi të ndyrë e të urryer.

18:3 Shkak për rënien e saj është korruptimi i plotë që ajo ka ushtruar ndaj kombeve dhe tregtarëve të tyre.

18:4 Një zë tjetër nga qielli paralajmëron njerëzit e Perëndisë që të dalin prej këtij sistemi të dënuar që është në prag të shkatërrimit të tij. Një marrëdhënie me të do të thotë të marrësh pjesë në plagët e saj.

18:5, 6 Mëkatet e saj janë mbledhur deri në qiell, dhe Perëndia kujtoi paudhësitë e saj . Ajo ka për të marrë një shpagim dyfish për veprat e saj të këqija, jo prej njerëzve të Perëndisë, por prej engjëllit i cili është mjeti i hakmarrjes së Tij.

18:7 Mundimi dhe brenga e saj do të jetë në përpjesëtim me vetëlartësimin dhe mënyrën e saj luksoze të të jetuarit. Ajo e mendon veten porsi mbretëreshë, që qëndron në majë të çdo gjëje dhe e sigurt nga brenga.

18:8 Gjykimi i saj do të vijë në një ditë të vetme dhe do të përfshijë vdekje dhe vajtim dhe zi buke. Është Zoti, Perëndia i fuqishëm Ai që do ta ndëshkojë atë në zjarr.

18:9, 10 Mbretërit e dheut do të vajtojnë për djegien e ish-zonjës së tyre. Megjithatë vajtimi i tyre nuk është bujar. Ata qajnë për humbjen e kënaqësisë dhe luksit. Ata qëndrojnë larg,duke u çuditur nga shtrirja e mundimit të saj dhe nga befasia e fundit të saj.

18:11-13 Tregtarët qajnë kryesisht sepse shpresa e tyre e fitimit ka ikur. Askush nuk do të blejë më mallrat e tyre.

Lista e prodhimeve me të cilat Babilonia bënte tregti duket që arrin atë të tregtisë botërore: metale të çmuara, artikuj argjendarie, pëlhura, dru, fildish, bronz, hekur, mermer, erëza, parfume, verë, vaj, drithëra, bagëti, qerre, trupa e shpirtra njerëzish. Si kisha femohuese ashtu edhe bota tregtare, që të dyja janë fajtore për shitjen e shpirtrave të njerëzve, kisha nëpërmjet shitjes së favoreve etj., dhe bota tregtare nëpërmjet përdorimit.

18:14 Tregtarët vajtojnë për sistemin e rënë sepse përfitimet që ata shpresonin të merrnin janë zhdukur dhe pasuritë dhe madhështitë e tij janë zhdukur papritur dhe përgjithmonë.

18:15, 16 Ashtu si mbretërit, edhe tregtarët . . . rrinë të shtangur, qajnë dhe vajtojnë për faktin se si gjithë ato përfitime humbën brenda një ore. Ata tregojnë me hollësi luksin e mëparshëm të qytetit, se si njerëzit ishin të veshur dhe të stolisur mirë me xhevahire.

18:17, 18 Tani gjithë ai bollëk u shkatërrua papritmas dhe një depresion i madh ekonomik afrohet. Ata që merren me tregti detare rrinë larg dhe qajnë: “Ç’gjë mund të krahasohet me këtë qytet të madh?”.

18:19 Ata hedhin pluhur mbi kryet, qajnë dhe vajtojnë për qytetin që e ka pasuruar industrinë botërore detare dhe që tani është rrënuar për një moment.

18:20 Por ndërkohë që gjithë këta lot të pafe janë duke u derdhur mbi dhe, ka një gëzim të madh në qiell. Të paktën Perëndia ka marrë hakun për shenjtorët (shih NKJV), apostujt dhe profetët e Tij. Ai e ka gjykuar Babiloninë për mënyrën se si ajo u soll me njerëzit e Tij.

18:21 Një engjëll i fuqishëm hedh një gur të madh me përmasat sa një mokër . . . në det, një pikturë e gjallë e fatit përfundimtar të Babilonisë.

18:22 Zëri i veprimtarive të saj të mëparshme, qoftë i muzikës, i industrisë përpunuese, ose i bluarjes hesht përgjithmonë.

18:23 Çdo dritë është fikur dhe nuk do të gjendet më kurrë gëzimi i një dasme. Përse? Sepse udhëheqësit e Babilonisë i mashtruan të gjitha kombet me magjinë e tyre.

18:24 Ajo ishte fajtore për gjakun e shenjtorëve të Perëndisë, e të gjithë besimtarëve që janë vrarë për besimin e tyre. Tani Ai është duke e shpërblyer atë në masë të plotë.

[17] “Armagedon” vjen nga fjalët hebraisht “Har” (mali) dhe “Megido”. Në tekstin Majority lexohet thjesht “Megido”.[[17]]


[previous][next]