Gjërat që Gjoni pa (Zbulesa 1)

A. Titulli dhe përshëndetja (1:1-8)

1:1-2 Vargu i parë shpall temën e librit, d.m.th. gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti. Libri i Zbulesës është kryesisht zbulim i së ardhmes. Këtë zbulim të ngjarjeve të ardhshme Perëndia ia dha Jezu Krishtit. Pastaj, Zoti Jezus ia tregoi engjëllit të Tij, i cili ia dërgoi shërbëtorit të vet Gjon. Gjoni e shkroi librin që t’ua ndante informacionin shërbëtorëve të Zotit, të gjithë besimtarëve të vërtetë. Duke e bërë Gjoni këtë gjë, dëshmoi fjalën profetike të Perëndisë (të cilën Perëndia ia dha atij) dhe dëshminë e Jezus Krishtit (gjërat që Jezusi tha). Shkurt, Gjoni dëshmoi për të gjitha gjërat që pa në vizionet qiellore.

1:3 Dëshira e qartë e Perëndisë ishte që libri të lexohej në mbledhjen e besimtarëve, sepse Ai i premtoi një bekim të veçantë njeriut që e lexon me zë dhe të gjithëve në kishë që e dëgjojnë dhe e ruajnë. Koha e përmbushjes së profecive është afër.

1:4 Gjoni ua drejton librin shtatë kishave që janë në provincën romake të Azisë. Kjo provincë gjendej në Azinë e Vogël (Turqia e sotme). Më së pari Gjoni thotë “hir për ju dhe paqe”. Hiri do të thotë mëshira e pamerituar e Perëndisë dhe fuqia që është e domosdoshme në jetën e përditshme të krishterë. Paqja do të thotë qetësia e cila rrjedh nga hiri që e fuqizon besimtarin për të përballuar përndjekje, trishtim, madje edhe vdekje. Këto vijnë nga ana e Atij që është dhe që ishte dhe që do të vijë. Kjo i referohet Atit Perëndi dhe jep kuptimin e vërtetë të emrit Jehova. Ai është ai që ka ekzistuar nga përjetësia në përjetësi. Ai është ai që është gjithmonë i njëjtë. Edhe këto bekime vijnë nga të shtatë frymërat që janë përpara fronit të Tij. Kjo i referohet Frymës së Shenjtë (i cili është gjithashtu Perëndi) në plotësinë e Tij, meqë numri 7 është numri i përsosmërisë dhe i plotësisë. Nuk është për t’u çuditur që numri 7 gjendet 54 herë në këtë libër të fundit të Biblës.

1:5-6 Këto vijnë edhe nga Jezu Krishti, dëshmitari besnik, i parëlinduri prej së vdekurish dhe Princ i mbretërve të dheut. Kjo i referohet qartas Birit të Perëndisë. Ai është dëshmitari besnik. Si i parëlinduri prej së vdekurish, Ai është i pari që ringjallet për të mos vdekur më dhe ka vendin e parësisë dhe të nderit ndërmjet të gjithë atyre që janë ringjallur nga të vdekurit, të cilët gëzojnë jetën e përjetshme. Gjithashtu Ai është Sunduesi mbi të gjithë mbretërit.

Pas përshëndetjes së tij Gjoni lavdëron Zotin Jezus. Më së pari ai e lavdëron sepse Ai na deshi (ose do{{1}}) dhe na lau nga mëkatet tona në gjakun e Tij. Vini re kohën e foljeve: do është në kohën e tashme dhe lau në kohën e kryer. Vini re po ashtu radhitjen e foljeve: Ai na do dhe na deshi shumë kohë përpara se të na lante. Gjithashtu vini re çmimin që Ai pagoi: gjakun e Tij. Nëse jemi të sinqertë me vetveten, duhet të rrëfejmë që çmimi ishte tepër i shtrenjtë. Ne nuk e merituam të laheshim me një çmim kaq të shtrenjtë.

Megjithëse dashuria e Tij mund të kishte mbaruar me larjen tonë ajo vazhdon ende. Ai na bëri mbretër dhe priftër për Perëndinë dhe Atin e tij. Si priftër të shenjtë ne i ofrojmë Perëndisë flijime frymërore, vetveten, pronat tona, adhurimin tonë dhe shërbesën tonë. Si priftër mbretërorë ne shpallim mrekullitë e Atij që na thirri nga terri në dritën e Tij të mrekullueshme. Nëse përsiasim mbi këtë lloj dashurie, do të arrijmë në përfundimin që Ai është i denjë për çdo lavdi, nder dhe adhurim që ne mund t’i japim. Ai është i denjë edhe që të ketë pushtet mbi jetën tonë, mbi kishën, botën dhe gjithë universin. Amen.

1:7 Ky njeri i bekuar po vjen me retë. Ardhja e Tij nuk do të ndodhë në qoshen e botës, as nuk do të jetë e padukshme, sepse çdo sy do ta shohë (shih Mt. 24:29-30). Njerëzit që ishin fajtorë për kryqëzimin e Tij do të habiten. Në fakt, të gjitha fiset e dheut do të vajtojnë për Të, sepse Ai vjen për të gjykuar armiqtë e Tij dhe për të filluar mbretërimin e Tij. Besimtarët nuk vajtojnë për ardhjen e Tij. Ata thonë “Po, amen“.

1:8 Folësi ndryshon tani. Zoti Jezus paraqet vetveten si Alfa dhe Omega (shkronja e parë dhe e fundit e alfabetit grek), Fillimi dhe Mbarimi{{2}}. Ai e tejkalon kohën dhe përjetësinë. Përshkrimi për Të harxhon të gjitha fjalët e madhështisë. Ai është burimi dhe qëllimi i krijimit dhe që e filloi dhe do ta mbarojë planin hyjnor për botën. Ai është dhe ishte dhe vjen, i Plotfuqishmi në fuqi.

B. Vizioni i Krishtit në rrobat gjyqësore (1:9-20)

1:9 Tani Gjoni flet. Ai paraqet vetveten si vëlla i të gjithë besimtarëve dhe pjesëtar bashkë me ta në pikëllimin, në mbretërinë dhe në durimin e Jezu Krishtit. Ai i lidh bashkë pikëllimin, durimin dhe mbretërinë. Edhe Pali i lidhi (Veprat e Apostujve 14:22) kur fuqizoi shpirtrat e dishepujve dhe i këshilloi “që të ngulmojnë në besim”, duke thënë se “me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë”.

Gjoni ishte në burg në ishullin që quhej Patmos në detin Egje për besnikërinë ndaj fjalës së Perëndisë dhe për dëshminë e Jezu Krishtit. Por burgu u bë një dhomë qiellore kur ai mori vizionet e lavdisë dhe gjykimit.

1:10 Gjoni ishte në Frymë, d.m.th. duke ecur në përbashkësi të papenguar me Të. Pra, ai ishte në gjendjen frymërore për të marrë komunikimin hyjnor. Kjo na kujton që një njeri duhet të jetë afër Zotit që ta dëgjojë Atë. “Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej tij” (Psa. 25:14). Ishte dita e Zotit, d.m.th. dita e parë e javës (e diel). Kjo ishte dita e ringjalljes së Krishtit, dita kur Ai iu shfaq dishepujve dhe dita e ardhjes së Frymës në ditën e Rrëshajave. Dishepujt mblidheshin në ditën e Zotit për të thyer bukën dhe Pali u tha besimtarëve në Korint që “të parën ditë të çdo jave, secili nga ju le të vërë mënjanë aq sa mundet sipas të ardhurave të tij . . .” (1 e Korintasve 16:2). Disa njerëz mendojnë që Pali i referohet kohës së gjykimit për të cilën ai do të flasë më vonë te Zbulesa, por teksti origjinal grek nuk e përkrah këtë pikëpamje{{3}}.

Papritmas Gjoni dëgjoi pas tij një zë të madh i cili kishte pastërtinë, vëllimin dhe tingullin e një borie.

1:11,12 Ishte Jezusi duke e drejtuar Gjonin që të shkruante në një libër atë që do të shikonte dhe t’ua dërgonte shtatë kishave. Duke u kthyer që të shikonte folësin, Gjoni pa shtatë shandanë ari, secili me një këmbë, një bisht vertikal dhe sipër një llambë prej vaji.

1:13 Personi në mes të shtatë shandanëve ishte një i ngjashëm me një bir njeriu. S’kishte asgjë midis Atij dhe secilit shandan, asnjë agjenci, asnjë hierarki, asnjë organizatë. Secila kishë ishte e pavarur. Duke e përshkruar Zotin, Mekkonkej (McConkey) tha:

Fryma kërkon ato simbole në gjithë natyrën të cilat mund t’u japin mendjeve tona të dobëta një ide të vogël rreth lavdisë, shkëlqimit dhe madhështisë së Atij që po vjen, i cili është Krishti i Zbulesës{{4}}.
Rroba e Tij e jashtme ishte një petk i gjatë prej gjykatësi. Brezi rreth gjoksit simbolizon drejtësinë dhe besnikërinë me të cilat Ai gjykon (shih Isa. 11:5).

1:14 Koka dhe flokët e tij ishin të bardhë si lesh i bardhë që simbolizojnë përjetësinë e Tij, si i Lashti i ditëve (Dan. 7:9) e mençurinë dhe pastërtinë e gjykimeve të Tij. “Sytë e tij i ngjanin një flake zjarri“, i cili simbolizon diturinë e përsosur, njohurinë e pagabueshme dhe hetimin e pashmangshëm.

1:15 Këmbët e Zotit ngjanin me bronz të kulluar, si të skuqur në furrë. Ngaqë bronzi simbolizon gjykimin, kjo përkrah pikëpamjen që kjo pjesë e shfaq Jezusin si gjykatës. Zëri i Tij dëgjohet si zë shumë ujërash, ose si valët e detit, madhështore dhe të tmerrshme.

1:16 Ai kishte në dorën e Tij të djathtë shtatë yje që do të thotë pronësi, pushtet, kontroll dhe nder. Nga goja e Tij dilte një shpatë e mprehtë, me dy tehe, d.m.th. Fjala e Perëndisë (Heb. 4:12). Kjo u referohet gjykimeve të vërteta që u takojnë njerëzve të Tij, siç duken në letrat drejtuar shtatë kishave (kap. 2-3). Fytyra e tij ishte si dielli që ndrin me forcën e tij. Kjo simbolizon madhështinë e shkëlqyeshme dhe lavdinë e madhe të hyjnisë së Tij.

Duke bashkuar të gjitha këto mendime, ne shohim Krishtin në gjithë përsosmërinë e Tij. Kjo do të thotë që Ai është tepër i aftë të gjykojë shtatë kishat. Më vonë në libër Ai do të gjykojë armiqtë e Tij, por gjyqi fillon nga shtëpia e Perëndisë (1 Pjetrit 4:17). Vini re që në secilin rast ka një gjyq të ndryshëm. Kishat gjykohen që të pastrohen dhe të shpërblehen. Kurse bota gjykohet që të ndëshkohet.

1:17 Kur Gjoni e pa Gjykatësin, ra para këmbëve të Tij si i vdekur, por Zoti e ngriti duke i zbuluar vetveten atij si I Pari dhe I Fundit, një titull i Jehovait (Isa. 44:6; 48:12).

1:18 Gjykatësi është I Gjalli, i cili ishte i vdekur, por tani është i gjallë në shekuj të shekujve. Ai i ka çelësat e vdekjes e të Hadesit. Kjo do të thotë që Ai ka kontroll mbi të dy dhe ka fuqi të ringjallë të vdekurit. Hadesi i referohet frymës dhe vdekja i referohet trupit. D.m.th. kur një njeri vdes, fryma shkon në Hades, një emër që përdoret për të përshkruar gjendjen e patrupëzuar të dikujt. Trupi shkon në varr. Për besimtarin gjendja e patrupëzuar do të thotë që ai është në praninë e Zotit. Në ringjallje fryma bashkohet me trupin e përlëvduar dhe rrëmbehet te shtëpia e Atit.

1:19 Gjoni duhet të shkruajë gjërat që pa (kap. 1), gjërat që janë (kap. 2-3), dhe gjërat që do të ndodhin pas atyre (kap. 4-22). Këto tri pika e përshkruajnë shumë mirë përmbledhjen e librit.

1:20 Pastaj Zoti i shpjegoi Gjonit kuptimin e fshehur të shtatë yjeve dhe të shtatë shandanëve prej ari. Yjet përfaqësojnë engjëjt (ose lajmëtarët) e shtatë kishave, kurse shandanët përfaqësojnë shtatë kishat.

Për sa u përket engjëjve janë disa interpretime të ndryshme. Disa thonë që ata ishin qenie engjëllore të cilat përfaqësojnë kishat, siç i përfaqësojnë engjëjt kombet (shih Dan. 10:13,20,21). Të tjerë thonë që ata ishin peshkopët (ose barinjtë) e kishave, një shpjegim që nuk gjen mbështetje biblike. Edhe të tjerë thonë që ata ishin lajmëtarë njerëzorë të cilët i morën letrat nga Gjoni kur ai ishte në Patmos dhe pastaj ua dërguan ato shtatë kishave. Fjala greke “angelos” do të thotë engjëll ose lajmëtar, por në këtë libër kuptimi i parë është shumë i zakonshëm.

Megjithëse letrat u janë drejtuar engjëjve, patjetër përmbajtjet e tyre u janë drejtuar besimtarëve të kishave.

Shandanët, si mjete ndriçimi, e simbolizojnë shumë mirë punën e kishave lokale, të cilat duhet të ndriçojnë me hirin e Perëndisë në mesin e errësirës së kësaj bote.

[1] Leximi anësor këtu është i pari i shumë të tjerave në NKJV i Zbulesës ku si leximi më i vjetër (NU) ashtu edhe Majority (Maxhoriti) (M) bien dakord kundër interpretimeve të TR, KJV dhe NKJV. Arsyeja për këtë është se Erasmusi, i cili botoi të parën DhR në greqisht (1516), kishte vetëm një kopje [dorëshkrim] të Zbulesës dhe ajo ishte me gabime. Prandaj ne kemi shumë variante të vogla në shënimet në fund të faqes ose në buzë të saj. Për fat të mirë, librat e tjerë të DhR u paraqitën nga dorëshkrimet që përputheshin me shumë dorëshkrime që do të zbuloheshin në të ardhmen [pas vitit 1516]. Në këtë komentar janë shënuar vetëm ndryshimet kritike. Ne besojmë se kombinimi i NU me M do të jetë leximi origjinal. Atje ku ato ndryshojnë nga njëri-tjetri është parapëlqyer teksti Majority.[[1]] [2] Teksti NU dhe M e lënë jashtë “Fillimi dhe Mbarimi”.[[2]] [3] “Dita e Zotit” është he hemera tou Kuriou në greqisht; “Dita prej Zotit” është “he Kuriake hemera” (që nga del fjala “kirk, kishë”).[[3]] [4] James H. McConkey. The Book of Revelation: A Series of Outline Studies in the Apocalypse.Fq. 9.[[4]]


[previous][next]