Veprat e Apostujve 3

SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI

Shërimi i të çalit; fjala e Pjetrit në tempull

3:1 Por Pjetri dhe Gjoni po ngjiteshin bashkë për në tempull, rreth orës së nëntë, në orën e lutjes.

3:2 Dhe aty ishte një njeri i çalë që prej lindjes, të cilin e sillnin çdo ditë dhe e linin afër derës së tempullit, e t`u quajtur "E bukura", për t`u kërkuar lëmoshë atyre që hynin në tempull.

3:3 Ai, kur pa se Pjetri dhe Gjoni po hynin në tempull, u kërkoi lëmoshë.

3:4 Atëherë Pjetri, me Gjonin, duke i ngulur sytë mbi të, i tha: “Na shiko“.

3:5 Dhe ai po i shikonte me kujdes, duke shpresuar se do të merrte ndonjë gjë prej tyre.

3:6 Por Pjetri tha: “Unë nuk kam as argjend, as ar, por atë që kam po ta jap: në emër të Jezu Krishtit Nazarenas, çohu dhe ec!“.

3:7 Dhe, si e kapi nga dora e djathtë, e ngriti në këmbë; dhe në atë çast iu forcuan këmbët dhe nyjet.

3:8 Dhe me një të hovur u ngrit në këmbë dhe filloi të ecë; dhe hyri me ta në tempull, duke ecur, duke u hedhur dhe duke lavdëruar Perëndinë.

3:9 Dhe gjithë populli e pa duke ecur dhe duke lavdëruar Perëndinë,

3:10 dhe e njohën se ishte ai që rrinte ulur para derës së Bukur të tempullit për të kërkuar lëmoshë; dhe u mbushën me habi dhe çudi për atë që i kishte ndodhur atij.

3:11 Atëherë, ndërsa i çali që ishte shëruar rrinte ngjitur pas Pjetrit dhe Gjonit, gjithë populli, i çuditur, rendi drejt tyre te portiku të quajtur i Salomonit.

3:12 Dhe Pjetri, duke parë këtë gjë, i foli popullit duke thënë: “Burra të Izraelit, pse po mrrekulloheni për këtë? Ose pse po na i ngulni sytë sikur ne me fuqinë tonë të vetme ose me perëndishmëri të kishim bërë që ky njeri të ecë?

3:13 Perëndia e Abrahamit, e Isakut dhe e Jakobit, Perëndia e etërve tanë e ka përlëvduar Birin e tij Jezusin, të cilin ju ia dorëzuat Pilatit dhe e mohuat përpara tij, megjithëse ai kishte vendosur ta lironte.

3:14 Por ju e mohuat të Shenjtin, të Drejtin, dhe kërkuat që t`ju jepej një vrasës,

3:15 dhe vratë princin e jetës, që Perëndia e ka ringjallur prej së vdekuri dhe për të cilin ne jemi dëshmitarë!

3:16 Dhe për besimin në emër të Jezusit, ky njeri, të cilin ju po e shihni dhe e njihni, u fortesua nga emri i tij; dhe besimi, që është nëpërmjet tij, i ka dhënë shërimin e plotë të gjymtyrëve, në praninë e të gjithëve ju.

3:17 Por tani, o vëllezër, unë e di që e keni bërë nga padija, ashtu siç kanë bërë edhe krerët tuaj.

3:18 Por kështu Perëndia i ka përmbushur ato që kishte parathënë me gojën e të gjithë profetëve të vet, se Krishti i tij do të vuante.

3:19 Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja, dhe që të vijnë kohët e flladit nga prania e Zotit,

3:20 dhe ai të dërgojë Jezu Krishtin që ju ishte predikuar më parë juve,

3:21 të cilin qielli duhet ta mbajë deri në kohën e ripërtëritjes të të gjitha gjërave, për të cilën Perëndia ka folur nëpërmjet gojës së gjithë profetëve të tij të shenjtë, që nga fillimi i botës.

3:22 Vetë Moisiu, në fakt, u tha etërve: "Zoti, Perëndia juaj do të ngjallë për ju një profet si unë nga mesi i vëllezërve tuaj; dëgjojeni në të gjitha gjërat që ai do t`ju thotë!

3:23 Dhe do të ndodhë që kushdo që nuk do ta dëgjojë atë profet, do të shkatërrohet në mes të popullit".

3:24 Gjithashtu të gjithë profetët, të gjithë ata që kanë folur qysh nga Samueli e këtej, i kanë shpallur këto ditë.

3:25 Ju jeni bij të profetëve dhe të besëlidhjes që bëri Perëndia me etërit tanë, duke i thënë Abrahamit: "Dhe në pasardhësit e tu do të bekohen të gjitha kombet e dheut".

3:26 Perëndia më së pari, mbasi e ringjalli Birin e tij Jezusin, jua ka dërguar juve që t`ju bekojë, duke larguar secilin nga ju nga paudhësitë e tij“.