Psalmi 135

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Ftesë për të lëvduar Zotin për veprat e tij të mëdha. Kotësia e idhujve.

135:1 Aleluja. Lëvdoni emrin e Zotit, lëvdojeni, o shërbëtorë të Zotit,

135:2 që rrini në shtëpinë e Zotit, në oborret e shtëpisë së Perëndisë tonë.

135:3 Lëvdoni Zotin, sepse Zoti është i mirë; i këndoni lavde emrit të tij, sepse ai është i dashur.

135:4 Sepse Zoti ka zgjedhur për vete Jakobin, dhe Izraelin si thesar të tij të veçantë.

135:5 Po, unë pranoj që Zoti është i madh dhe që Zoti ynë është përmbi të gjitha perënditë.

135:6 Zoti bën ç`të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat.

135:7 Ai i larton avujt nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun, e nxjerr erën nga depozitat e tij.

135:8 Ai i goditi të parëlindurit e Egjiptit, si të njerëzve ashtu edhe të kafshëve,

135:9 dërgoi shenja dhe mrekulli në mes teje, o Egjipt, mbi Faraonin dhe mbi të gjithë shërbëtorët e tij.

135:10 Ai goditi kombe të mëdha dhe vrau mbretër të fuqishëm:

135:11 Sionin, mbretin e Amorejve, Ogun, mbretin e Bashanit, dhe tërë mbretëritë e Kanaanit.

135:12 Dhe vendet e tyre ua dhe në trashëgimi, në trashëgimi Izraelit, popullit të tij.

135:13 O Zot, emri yt rron përjetë; kujtimi yt, o Zot, brez pas brezi.

135:14 Sepse Zoti do t`i sigurojë drejtësinë popullit të tij dhe do të ketë mëshirë për shërbëtorët e tij.

135:15 Idhujt e kombeve janë argjendi dhe ari, vepra të dorës së njeriut;

135:16 kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,

135:17 kanë veshë por nuk dëgjojnë; nuk kanë frymë në gojën e tyre.

135:18 Të ngjashëm me ta janë ata që i bëjnë, kushdo që ka besim tek ata.

135:19 Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin; shtëpi e Aaronit, bekoje Zotin.

135:20 Shtëpi e Levit, bekoje Zotin; ju që keni frikë nga Zoti, bekojeni Zotin.

135:21 Nga Sioni u bekoftë Zoti, që banon në Jeruzalem. Aleluja.