Gjërat që do të ndodhin për së shpejti (Zbulesa 10-11)

F. Engjëlli i fuqishëm dhe libri i vogël (Kapitulli 10)

10:1 Tani Gjoni shikon një engjëll tjetër të fuqishëm që zbriste nga qielli. Përshkrimi bën që shumë njerëz të besojnë se Ai është Zoti Jezus. Ai kishte një ylber mbi krye, shenja e besëlidhjes së Perëndisë. Fytyra e Tij ishte si dielli, një shprehje e lavdisë së zbuluar. Këmbët e Tij ishin si shtylla zjarri. Shtylla flet për forcë dhe zjarri për gjykim.

10:2 Ai mbante një libërth ose rrotull, që pa dyshim ishte një regjistrim i gjykimeve të pashmangshme. Me këmbën e Tij të djathtë mbi det dhe të majtën mbi dhe, Ai shpalli të drejtën e Tij për sundim mbarëbotëror.

10:3-6 Kur Ai thërriti me zë të madh, . . . u dëgjuan shtatë bubullima. Me sa duket Gjoni ishte në gjendje të kuptonte mesazhin e këtyre bubullimave, por kur ai u gatit të shkruante, engjëlli e ndaloi atë. Më pas engjëlli bëri be për Perëndinë, Krijuesin se nuk do të vonohet më.

10:7 Misteri i Perëndisë do të kryhet gjatë kohës së borisë së shtatë. Misteri i Perëndisë ka të bëjë me planin e Perëndisë për të ndëshkuar të gjithë keqbërësit dhe për të shpallur mbretërinë e Birit të Tij.

10:8, 9 Gjoni u urdhërua të gllabërojë libërthin, d.m.th. atij i duhej që ta lexonte dhe të përsiaste mbi gjykimet e regjistruara brenda tij.

10:10 Ashtu siç edhe u paratha nga engjëlli, rrotulla ishte e ëmbël si mjaltë në gojën e tij, por e hidhur barkun e tij. Është një gjë e këndshme për besimtarin të lexojë për vendosmërinë e Perëndisë për të lavdëruar Birin e Tij atje ku Ai ishte kryqëzuar njëherë. Është e këndshme të lexosh për triumfin e Perëndisë mbi Satanin dhe gjithë ushtrinë e tij. Është e këndshme të lexosh për atë kohë kur çdo e keqe e dheut do të rregullohet. Por brenda studimit të profecisë ka edhe hidhërim. Është hidhërimi i vetëgjykimit që paraqitet në Shkrimet profetike. Është hidhërimi i të parit të gjykimeve që shpejt kanë për të ardhur mbi judaizmin femohues dhe botën e krishterë femohuese. Është edhe hidhërimi i mendimit të dënimit të përjetshëm për gjithë ata që nuk e pranojnë Shpëtimtarin.

10:11 Gjonit iu tha se ai duhet përsëri të profetizojë mbi shumë popuj, kombe, gjuhë dhe mbretër. Kapitujt e mbetur të Zbulesës e përmbushin këtë urdhër.

G. Dy dëshmitarët (11:1-14)

11:1, 2 Tani Gjoni u urdhërua të matë tempullin dhe altarin, dhe të numërojë adhuruesit. Matja këtu duket se mbart idenë e ruajtjes. Ai nuk duhet të maste oborrin e johebrenjve, sepse ai do të shkelej nga kombet për dyzet e dy muaj – gjysmën e dytë të periudhës së Mundimit (shih Luka 21:24). Tempulli i përmendur këtu është ai që do të ndodhet në Jerusalem gjatë Mundimit. Veprimi i numërimit të adhuruesve mund të ketë kuptimin se Perëndia do të ruajë një mbetje adhuruesish për Veten e Tij. Altari përshkruan mënyrën me anë të së cilës ata do t’i afrohen Atij, d.m.th. me anë të veprës së Krishtit në Kalvar.

11:3 Perëndia do të nxjerrë dy dëshmitarë gjatë gjysmës së dytë të Mundimit. Të veshur me thasë, që ështënjë simbol vajtimi, ata do të bërtasin kundër mëkateve të njerëzve dhe do të bëjnë të ditur zemërimin e ardhshëm të Perëndisë.

11:4 Të dy dëshmitarët janë krahasuar me dy drurët e ullirit dhe dy shandanët. Si drurë ulliri ata janë të mbushur me Frymën (vaj). Si shandanë ata japin dëshmi për të vërtetën e Perëndisë në një ditë të errësirës (Për një lidhje me DhV shih Zakaria 4:2-14).

11:5 Dëshmitarët janë të mbrojtur në mënyrë të mrekullueshme nga ndonjë dëmtim për tre vjet e gjysmë. Zjarri që buron nga goja e tyre i përpin armiqtë e tyre dhe madje edhe përpjekja për t’u bërë keq atyre ndëshkohet me vdekje.

11:6 Ata kanë pushtet të sjellin thatësirë mbi dhe, t’i kthejnë ujërat në gjak dhe për të goditur dheun me çdo plagë. Nuk është për t’u çuditur që zakonisht ata janë lidhur me Moisiun dhe Elian. Pushteti i tyre që t’i kthejnë ujërat në gjak dhe për të goditur dheun me çdo plagë na kujton atë çfarë bëri Moisiu në Egjipt (Eksodi 7:14-20; 8:1-12:29). Pushteti i tyre mbi zjarrin dhe motin na kujton për shërbesën e Elias (1 i Mbreterve 17:1; 18:41-45 dhe 2 i Mbreterve 1:9-12).

Mekkonkej (McConkey) thotë:

Këta do të paralajmërojnë ata njerëz të cilët mbushin tempullin e Njeriut të Mëkatit, të cilin ata vijnë për ta adhuruar. Këta do t’i paralajmërojnë ata për kohën e tij të shkurtër të triumfit; për ardhjen e Jezusit që ta shkatërrojë atë; për rreziqet që do të sjellë mundimi; për nevojën për të mos i vlerësuar jetët e tyre të shtrenjta për veten kur sprova e jetës dhe e vdekjes të vijë; për nevojën e tyre për të mos pasur frikë atë që mund të vrasë vetëm trupin, por të kenë frikë nga Ai që mund t’ua hedhë edhe trupin edhe shpirtin në ferr; për shkëlqimin dhe afrimin e Mbretit dhe mbretërisë së Tij pasi ata të kenë vuajtur për pak kohë; për sigurinë se nëse ata vuajnë me Të ata do të mbretërojnë me Të; dhe për paqen, drejtësinë dhe lavdinë e përjetshme që do të jetë e atyre që qëndrojnë deri në fund, megjithëse ajo mund të nënkuptojë martirizim në orën e madhe të sprovës nëpër të cilën ata po ecin. Me të vërtetë, e fuqishme do të jetë dëshmia e tyre nga Libri{{11}}.
11:7 Kur ta kryejnë dëshminë e tyre, bisha nga humnera do t’i vrasë. Kjo bishë duket se është e njëjta me atë te 13:8 – koka e Perandorisë së rigjallëruar Romake.

11:8 Kufomat e dëshmitarëve dergjen në sheshin e Jerusalemit për tri ditë e gjysmë. Jerusalemi quhet Sodomë këtu për shkak të krenarisë, favorit, shkujdesjes së begatë dhe indiferencës së tij ndaj nevojave të të tjerëve (shih Eze. 16:49). Dhe ai është quajtur Egjipt për shkak të idhujtarisë, keqtrajtimit dhe skllavërimit të tij prej mëkatit dhe padrejtësisë.

11:9 Njerëz nga të gjitha kombet shohin kufomat e tyre,por nuk lejojnë që ata të varrosen, një fyerje e pamasë në pothuajse çdo kulturë.

11:10 Shpërthejnë festime të mëdha, sepse profecitë e tyre jo të ëmbla nuk dëgjohen më dhe njerëzit i dërgojnë njëri-tjetrit dhurata, pothuajse e njëjta gjë që bëhet sot për Krishtlindje. Të vetmit profetë që duhen nga njerëzit janë ata të vdekur.

11:11, 12 Mbas tri ditë e gjysmë . . . Perëndia i ringjall ata prej së vdekurish, më tepër për të shtangur popullin, dhe i merr ata në qiell ndërkohë që armiqtë e tyre shohin.

11:13, 14 të njëjtën kohë Jerusalemi tronditet nga një tërmet i madh, një e dhjeta pjesë e qytetit bie dhe janë vrarë shtatë mijë njerëz. Të mbijetuarit i japin lavdi Perëndisë, jo adhurim të vërtetë, por një pranim (me zor) të fuqisë së Tij. Mjerimi i dytë kaloi.

Kjo nuk do të thotë se gjithçka që nga Zbulesa 9:13 deri Zbulesa 11:13 përbën mjerimin e dytë. Përkundrazi, kapitulli 10 dhe 11:1-13 janë një parantezë mes mjerimit të dytë (borisë së gjashtë) dhe mjerimit të tretë (borisë së shtatë).

H. Boria e shtatë (11:15-19)

11:15 Rënia e borisë së shtatë bën të njohur se Mundimi i Madh ka mbaruar dhe ka filluar mbretërimi i Krishtit. Mbretëritë{{12}} e botës u bënë mbretëri të Zotit tonë dhe të Krishtit të Tij, dhe ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve.

11:16, 17 Duke rënë mbi fytyrat e veta përpara Perëndisë, të njëzet e katër pleqtë Ishprehin falënderim Atij, sepse Ai ka marrë pushtetin e tij të madh dhe ka përuruar mbretërimin e Tij.

11:18 Kombet mosbesuese janë të zemëruar me Atë dhe përpiqen që të pengojnë kurorëzimin e Tij. Por tani ka ardhur koha për Perëndinë që të jetë i zemëruar me ta, që të gjykojë ata që nuk kanë jetë frymërore, që të shkatërrojë shkatërruesit. Dhe është koha për Zotin që t’u japë pagën profetëve dhe njerëzve të Tij, të vegjëlve dhe të mëdhenjve.

11:19 Perëndia nuk e ka harruar besëlidhjen e Tij me popullin e Tij, Izraelin. Kur të hapet tempulli i Perëndisë në qiell, arka e besëlidhjes së Tij do të duket, një simbol se gjithçka që Ai i premtoi Izraelit do të ndodhë. Ka vetëtima, dhe zëra, dhe bubullima, dhe tërmet dhe një rrebesh i fortë breshëri.

[11] McConkey. The Book of Revelation.Fq. 68, 69.[[11]] [12] Në tekstin NU dhe M lexohet “mbretëria . . . ka ardhur”.[[12]]


[previous][next]