I. Persona të rëndësishëm nga Mundimi i Madh (Kapitujt 12-15)
12:1 Një shenjë e madhe u duk në qiell, domethënë një grua e veshur me diellin, dhe me hënën poshtë këmbëve të saj, dhe mbi krye të saj një kurorë me dymbëdhjetë yje. Kjo grua është Izraeli. Dielli, hëna dhe yjet përshkruajnë lavdinë dhe sundimin që i është premtuar asaj në mbretërinë e ardhshme, pikërisht si ato përshkruan sundimin përfundimtar të Jozefit mbi atin, nënën dhe vëllezërit e tij (Zanafilla 37:9-11).
12:2 Gruan e kishin zënë mundimet, teksa priste lindjen e një foshnje. Shumica e historisë së Izraelit përmblidhet në këto vargje, pa asnjë shenjë se ka boshllëqe kohore midis ngjarjeve, ose që ngjarjet të jenë me patjetër në një renditje kronologjike.
12:3 Një shenjë e dytë në qiell është një dragua i madh i kuq me shtatë kokë dhe dhjetë brirë dhe nga një kurorë në secilën kokë. Ky dragua është Satani, por meqenëse përshkrimi ka lidhje me atë të Perandorisë së rigjallëruar Romake në Zbulesa 13:1, ai mund të jetë Satani që i jep energji atij pushteti botëror.
12:4, 5 Me një frushkullimë nga bishti i tij, dragoi mbledh të tretën pjesë të yjeve të qiellit . . . mbi tokë, një referim i mundshëm i luftës në qiell që ndodh në mes të Mundimit dhe që çon në hedhjen poshtë nga qielli në tokë të qenieve engjëllore të rëna (shih v 8,9).
Dragoi është gati për të gllabëruar Birin,sapo Ai të kishte lindur – përmbushur kjo në përpjekjen e Herodit të madh, një vasal i Romës, për të shkatërruar Mbretin e porsalindur të judenjve. Ky bir mashkull është e qartë që është Jezusi, i paracaktuar që të qeverisë gjithë kombet me skeptër të hekurt. Tregimi këtu kalon nga lindja e Tij te ngjitja e Tij.
12:6 Epoka e tanishme e kishës është lënë mënjanë midis vargjeve 5 dhe 6. Në mes të Mundimit një pjesë e kombit të Izraelit shkon për strehim në një vend të fshehtë në shkretëtirë (disa mendojnë se është Petra). Këta njerëz vazhdojnë të jenë të fshehur për tre vjet e gjysmë.
12:7 Shpërthen luftë në qiell, mes Mikaelit dhe engjëjvetë tij në një anë dhe dragoit dhe engjëjvetë tij nga ana tjetër. Kjo ndodh në mes të Mundimit. Mikaeli, kryeengjëlli, ka të bëjë me punët e kombit të Izraelit (Dan. 12:1).
12:8, 9 Dragoi mundet kaq rëndë saqë ai humbet çdo të drejtë hyrjeje në qiell. Ai dhe pasuesit e tij u hodhën poshtë mbi tokë. Megjithatë ky nuk është fati i tij përfundimtar (shih Zbulesa 20:1-3, 10). Vini re përshkrimin që Gjoni i bën atij: dragoi i madh, gjarpri i lashtë, që është quajtur djall, edhe Satan, ai që mashtron gjithë dheun.
12:10 Dëbimi i dragoit pasohet nga një thirrje e madhe në qiell për ardhjen e triumfit të Perëndisë dhe për ditën e pushtimit të njerëzve të Tij. Kjo i hap rrugën mbretërisë Mijëvjeçare. Ndërkohë kemi një ngjarje të lavdishme pasi u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë.
12:11 Lajmërimi vazhdon. Besimtarë të përndjekur judenj e mundën të ligun me anë të gjakut të Qengjit, dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre. Fitorja e tyre bazohej mbi vdekjen e Krishtit dhe mbi dëshminë e tyre ndaj vlerës së asaj vdekjeje. Në besnikëri ndaj Tij, ata e vulosën dëshminë e tyre me gjakun e tyre.
12:12, 13 Qiejt mund të gëzohen për largimin e dragoit, por është një lajm i keq për tokën dhe detin! Djalli . . . e di që ka pak kohë dhe është i vendosur që të derdhë zemërimin e tij sa më shumë që të jetë e mundur. Furia e dragoit shfryhet në mënyrë të veçantë kundër Izraelit, kombit prej nga erdhi Mesia.
12:14 Dy krahët e shqiponjës së madhe iu jepen mbetjes besnike judease, duke i dhënë asaj mundësinë për t’u larguar shpejt për në shkretëtirë, vendi i saj i fshehtë (Disa kanë hamendësuar se këto krahë flasin për një forcë të madhe ajrore). Mbetja kujdeset dhe mbrohet atje nga sulmet e gjarprit për tre vjet e gjysmë (një kohë, disa kohë dhe gjysmën e një kohe).
12:15, 16 Në një përpjekje për të penguar largimin e Izraelit gjarpri bën që ujë si një lumë të ndjekë njerëzit, por një tërmet e gëlltit ujin dhe djallit i prishet plani.
12:17, 18 I tërbuar nga ky poshtërim, ai përpiqet të shfryjë hakmarrje te judenjtë që kishin mbetur në vendin e tyre – judenj që e tregojnë realitetin e besimit të tyre duke mbajtur urdhërimet e Perëndisë dhe duke dhënë dëshminë e Jezu Krishtit.
13:1 Kapitulli 13 na paraqet dy bisha të mëdha: një bishë që ngjitej nga deti dhe një nga dheu ose toka, d.m.th. vendi i Izraelit. Nuk ka dyshim që këto bisha simbolizojnë njerëz të cilët do të luajnë role me rëndësi gjatë periudhës së Mundimit. Ato ndërthurin tiparet e të katër bishave të Danielit 7:3-7. Bisha e parë është koka e Perandorisë së rigjallëruar Romake, që do të ekzistojë në një formë prej dhjetë mbretërish. Ajo ngrihet nga deti, një tip (figurë) për kombet jojudease. Ai ka dhjetë brirë. Danieli parashikoi se Perandoria Romake do të rigjallërohej në një formë prej dhjetë mbretërish (Dan. 7:24). Ai ka shtatë krerë. Te Zbulesa 17:9, 10 thuhet se këto janë shtatë mbretër, një referencë e mundshme për shtatë lloje të ndryshme mbretërish ose shtatë faza të ndryshme të perandorisë. Ai ka dhjetë kurora mbi brirë. Këto flasin për pushtetin për të sunduar që iu dha atij nga dragoi, Satani. Ai ka emra blasfemie mbi krerë, dhe ai pretendon për veten sikur Ai të ishte Perëndi dhe jo thjesht një njeri.
13:2 Bisha i ngjante një leopardi; këmbët e saj si të ariut dhe goja e saj si e luanit. Te Danieli 7 leopardi simbolizon Greqinë; ariu është një figurë e Medo-Persisë, dhe luani përfaqëson Babiloninë. Si rrjedhim Perandoria e rigjallëruar Romake i përngjan pararendësve të saj në atë që ajo është e shpejtë për të pushtuar si një leopard, e fortë si një ari dhe e babëzitur si një luan. Me pak fjalë ajo ndërthur të gjitha veçoritë e këqija të perandorive pararendëse botërore. Perandoria dhe sunduesi i saj marrin fuqi mbinatyrore nga Satani.
13:3 Bisha ka një plagë vdekjeprurëse në një nga krerët e saj. Skofildi (Scofield) shpjegon: “Kurrë nuk kanë ndaluar së ekzistuari, në mbretëri të veçanta, pjesë të Perandorisë së lashtë Romake. Ajo që mori fund ishte forma perandorake e qeverisjes; një nga krerët e plagosur për vdekje”{{13}}. Plaga vdekjeprurëse shërohet. Me fjalë të tjera perandoria është rigjallëruar me një perandor në krye të saj, d.m.th. bishën.
13:4 Bisha adhurohet nga njerëzit. Ata nuk janë vetëm të çuditur nga ai; ata në fakt e adhurojnë atë si Perëndi. Ata adhurojnë gjithashtu dragoin.
13:5, 6 Bisha krenohet me të madhe dhe shqipton blasfemi shumë të këqija. Ai është lejuar të bëjë luftë (shih NKJV) për dyzet e dy muaj. Ai flet me një çnderim të pashpirt kundër emrit të Perëndisë, tabernakullit të Tij dhe ushtrisë së qiellit.
13:7 Ai bën luftë me njerëzit e Perëndisë dhe mund shumë nga ata. Ata më mirë vdesin sesa t’i nënshtrohen atij. Sundimi i Tij shtrihet mbi gjithë botën – perandoria e fundit botërore përpara mbretërimit të Krishtit.
13:8 Ata që nuk janë besimtarë të vërtetë e adhurojnë me dëshirë bishën. Ngaqë ata kurrë nuk i besuan Krishtit, emrat e tyre nuk u shkruan kurrë në librin e jetës së Qengjit. Dhe ngaqë emrat e tyre nuk janë gjendur midis emrave të të shpenguarve, ata i janë dorëzuar gabimit. Ata nuk i besuan të vërtetës; tani ata i besojnë një gënjeshtre.
13:9 Ky duhet të jetë një paralajmërim për këdo, për të pranuar dritën e Fjalës së Perëndisë ndërsa ka dritë. Pasoja e mospranimit të dritës është të kesh dritën të mohuar.
13:10 Besimtarët e vërtetë sigurohen se përndjekësit e tyre do të bien në robëri dhe të vriten me shpatë. Kjo i jep shenjtorëve mundësi për të pritur në qëndrueshmëri dhe besim.
13:11 Bisha e dytë është një tjetër figurë e rëndësishme e periudhës së Mundimit. Ai punon në bashkëpunim të plotë me bishën e parë, madje organizon edhe një fushatë ndërkombëtare për adhurimin e bishës së parë dhe të një idhulli të stërmadh që përfaqëson perandorin romak. Bisha e dytë ngrihet nga dheu ose toka. Në qoftë se është Izraeli në pamje të parë, atëherë ky udhëheqës është pothuajse pa dyshim një jude. Ai është Profeti i Rremë (shih Zbulesa 16:13; 19:20; 20:10). Ai ka dy brirë që u ngjanin atyre të qengjit, që japin formën e butësisë dhe parrezikshmërisë, por që sugjerojnë gjithashtu se ai shtiret si Biri i Perëndisë. Ai flet si një dragua, që tregon se ai frymëzohet dhe fuqizohet drejtpërsëdrejti nga Satani.
13:12-14 Ajo ushtronte gjithë pushtetin e bishës së parë, në kuptimin që perandori romak i jep atij pushtet të pakufishëm për të vepruar në interes të tij. Ai ka fuqi mbinatyrore, aq sa bënte që zjarr të binte nga qielli. Sigurisht që qëllimi i mrekullive të tij është të mashtrojë njerëzit që të adhurojnë një njeri si Perëndi.
13:15 Ai i jep gjallëri figurës së madhe, neverisë së shkretimit, që ajo të mund të flasë vërtet. Ndëshkimi për kundërshtimin e adhurimit të saj është vdekja.
13:16 Bisha e dytë këmbëngul që njerëzit ta tregojnë besnikërinë e tyre ndaj perandorit romak duke vënë një damkë të bishës mbi dorën e tyre të djathtë ose mbi ballin e tyre.
13:17 Përveç kësaj damke bisha ka një emër dhe një numër të mistershëm. Çdo njeri nuk do të jetë në gjendje të blejë ose të shesë, veçse nëse ai merr damkën, emrin ose numrin e bishës. Është një përpjekje për t’i detyruar njerëzit që me anë të mënyrave ekonomike të braktisin Krishtin për idhujtari. Kjo do të jetë një sprovë e ashpër, por besimtarët e vërtetë do të parapëlqejnë vdekjen sesa të mohojnë Shpëtimtarin e tyre.
13:18 Numri i bishës është 666. Gjashta është numri i njeriut. Fakti që ai është një më pak se shtatë mund të sugjerojë se njeriu është privuar nga lavdia ose përsosmëria e Perëndisë. Të tri gjashtat janë një trinitet i së ligës.
Një nga pyetjet më me rëndësi që është ngritur në lidhje me kapitullin 13 është nëse Antikrishti është bisha e parë apo bisha e dytë. Në parim, argumenti që bisha e parë duhet të jetë Antikrishti është se ai këmbëngul për t’u adhuruar si Perëndi. Ata që besojnë se bisha e dytë është Antikrishti përmendin se asnjë jude nuk do të pranonte ndonjëherë një jojude si Mesian dhe prandaj përderisa bisha e dytë është një jude, ai duhet të jetë mesia i rremë.
14:1 Qengji është parë që rrinte në këmbë në mal të Sionit me njëqind e dyzet e katër mijë ndjekës, ku të gjithë ishin vulosur mbi ballin e tyre. Kjo parashikon kohën kur Zoti Jezus do të kthehet në tokë dhe do të qëndrojë në Jerusalem me këtë grup besimtarësh nga secili prej të dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Të njëqind e dyzet e katër mijët janë po ata që janë përmendur në kapitullin 7. Tani ata janë gati për të hyrë në mbretërinë e Krishtit.
14:2, 3 Gjoni dëgjon muzikë që vjen nga qielli si ushtima e shumë ujërave dhe si tingulli i një bubullime të madhe dhe si kitaristë që u bien qesteve të tyre. Kantikun mund ta mësonte vetëm grupi i njëqind e dyzet e katër mijëve.
14:4, 5 Ata janë përshkruar si të virgjër, si ata që nuk e kanë ndotur veten me femra. Ata e kishin ruajtur veten të pazënë nga idhujtaria dhe imoraliteti i tmerrshëm i kësaj periudhe dhe kishin ndjekur Qengjin me një bindje dhe përkushtim të padiskutueshëm. Pentekosti (Pentecost) thotë: “Ata janë quajtur ‘fryte të parë për Perëndinë dhe Qengjin’, d.m.th. ata janë të parët e korrjes së periudhës së mundimit që do të hyjnë në mijëvjeçar për të populluar tokën mijëvjeçare.”{{14}}. Ata nuk e pranuan gënjeshtrën e Antikrishtit, që të adhurohej një njeri i thjeshtë. Ata ishin të paqortueshëm për sa i përket rrëfimit të palëkundur të tyre të Krishtit.
14:6, 7 Engjëlli që fluturonte në mes të qiellit me ungjillin e përjetshëm duket se i përgjigjet [vargut te] Mateu 24:14: “Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi”. Tema e ungjillit është dhënë në vargun 7. Njerëzit janë urdhëruar të druajnë Perëndinë dhe jo bishën, t’i japin lavdi Atij dhe jo figurave adhuronjëse dhe të adhurojnë Atë dhe jo thjesht një njeri. Sigurisht që ka vetëm një ungjill – lajmi i mirë i shpëtimit nëpërmjet besimit në Krishtin. Por ka theksime të ndryshme në epoka të ndryshme. Gjatë Mundimit të Madh ungjilli do të përpiqet që t’i kthejë njerëzit nga adhurimi i bishës dhe t’i përgatitë ata për mbretërinë e Krishtit në tokë.
14:8 Engjëlli i dytë lajmëron rënien e Babilonisë. Kjo paraprin kapitullin 17 dhe 18. Babilonia përfaqëson judaizmin femohues dhe botën e krishterë femohuese, që do të jetë një konglomerat [bashkim] i madh tregtar dhe fetar me zyra qendrore në Romë. Të gjithë kombet do të kenë pirë verën e zemërimit të kurvërimit të saj.
14:9, 10 Kohën e shpalljes së engjëllit të tretë ne mund ta caktojmë në mes të Mundimit, që është dhe fillimi i Mundimit të Madh. Engjëlli paralajmëron se çdokush që bie dakord me adhurimin e bishës në cilëndo formë të saj do të vuajë zemërimin e Perëndisë tani dhe përjetë. Vera e zemërimit të Tij do të jetë derdhur mbi tokë gjatë Mundimit të Madh. Por ajo do të jetë vetëm një shijim paraprak i dhembjeve të ferrit të përjetshëm ku jobesimtarët do të mundohen me zjarr e squfur.
14:11 Ky varg na kujton se ferri përfshin një ndëshkim të përjetshëm dhe të ndërgjegjshëm. Bibla nuk mëson kurrë se të vdekurit e ligj do të asgjësohen. Tymi i mundimit të tyre ngjitet përjetësisht dhe nuk ka prehje ditë e natë.
14:12 Kjo do të jetë një kohë kur shenjtorëve do t’u bëhet thirrje për të duruar me këmbëngulje egërsinë e bishës, për t’iu bindur Perëndisë duke mos pranuar që të adhurojnë një njeri apo një idhull dhe që të mbajnë fort rrëfimin e besimit në Jezusin. Dënimi përfundimtar i të ligjve (v 9-11) shërben për t’i dhënë zemër besnikut për të qëndruar.
14:13 Besimtarët që vdesin gjatë kësaj periudhe nuk do t’i humbasin bekimet e mbretërisë Mijëvjeçare. Njeriu thotë: “Lum ata që jetojnë!”. Perëndia thotë: “Lum të vdekurit që këtej e tutje vdesin në Zotin” dhe “veprat e tyre do t’i ndjekin”. Çdo gjë e bërë për Krishtin dhe në emrin e Tij për të tjerët do të shpërblehet shumë: çdo mirësi, dhuratë sakrifikuese, lutje, lot, fjalë dëshmie.
14:14 Nëse krahasojmë këtë pjesë me [atë te] Mateu 13:39-43 dhe Mateu 25:31-46, ne mësojmë se korrja e tokës ndodh në Ardhjen e Dytë të Zotit tonë. Këtu thuhet se Ai bën korrjen; në Mateu 13:39 korrësit janë engjëjt; Krishti e bën atë nëpërmjet veprimit të engjëjve.
Krishti këtu është parë duke zbritur mbi një re të bardhë, . . . i cili kishte mbi krye një kurorë të artë dhe në dorë një drapër të mprehtë.
14:15 Një engjëll nga tempulli i thotë Atij të vërë dorë mbi draprin e Tij, sepse të korrat e dheut janë pjekur. Kjo nuk duhet marrë si një urdhër; engjëjt nuk kanë asnjë të drejtë për të urdhëruar Perëndinë. Më saktë ajo është një lutje ose një mesazh i përcjellë nga Perëndia Atë.
14:16 Ka dy mënyra për të kuptuar korrjen e parë. Para së gjithash ajo mund të përshkruajë mbledhjen e besimtarëve të mundimit për të hyrë në Mijëvjeçar. Sipas kësaj pikëpamjeje ajo do t’i përgjigjet farërave të mira të Mateut, kap. 13, d.m.th. bijve të mbretërisë. Ose ajo mund të jetë një korrje gjykimi. Po të jetë kështu, subjektet e gjykimit mund të jenë johebrenj, përderisa në korrjen pasuese duket se është Izraeli në plan të parë (v17-20).
14:17 Tani të dhënat kthehen nga gjykimet e fundit të tmerrshme që do të bien mbi pjesën mosbesuese të kombit të Izraelit, vreshtin e dheut (shih Psa. 80:8; Isa. 5:1-7; Jer. 2:21; 6:9). Një engjëll vjen nga tempulli që është në qiell, i pajisur me një drapër të mprehtë.
14:18 Një engjëll tjetër jep sinjalin për të filluar korrjen. Ky engjëll ka pushtet mbi zjarrin, që mund të simbolizojë gjykimin që pason.
14:19 Hardhitë e pjekura janë mbledhur dhe hedhur në vozën e madhe të zemërimit të Perëndisë. Shtypja e rrushit në procesin e bërjes së verës është përdorur këtu si një përfytyrim për gjykimin dërrmues.
14:20 Vjelja ndodh jashtë qytetit të Jerusalemit, ndoshta në luginën e Jozueuafatit. Kërdia do të jetë kaq e madhe saqë do të rrjedhë gjak në një rrëke 288 km të gjatë dhe të thellë sa frerët e kuajve. Kjo do të shtrihet nga Jerusalemi deri në jug të Edomit.
15:1 Një shenjë tjetër në qiell, që përfshin shtatë engjëj që kanë shtatë plagët e fundit, të cilat, pasi të jenë lëshuar, shënojnë përfundimin e zemërimit të Perëndisë. Nga kjo ne kuptojmë se jemi drejt fundit të Mundimit.
15:2 Gjoni shikon një grup të madh njerëzish në qiell, që qëndronin mbi një si det të qelqtë, të përzier me zjarr. Ai i njeh si ata të cilët nuk pranuan që të adhuronin bishën ose figurën e saj. Sigurisht që ata u bënë dëshmorë për shkak të kësaj.
15:3, 4 Por tani ata janë në qiell duke kënduar këngën e Moisiut . . . dhe këngën e Qengjit, e krijuar pothuajse plotësisht me citime nga DhV. Ata dëshmojnë për drejtësinë e gjykimeve të Perëndisë në pritje të asaj që Ai është gati për të bërë ndaj vrasësve të tyre mbi tokë. Ata lëvdojnë Perëndinë e Plotfuqishëm për veprat dhe udhët e Tij. Në kontekst kjo nënkupton veprat e Tij të gjykimit, megjithëse patjetër ajo mund të zbatohet për të gjitha veprat dhe udhët e Tij. Mbret i të shenjtëve duhet të jetë Mbret i kombeve (shih NKJV){{15}}.
Kënga e Moisiut i thuri Perëndisë lavde për çlirimin e popullit të Tij nga skllavëria në Egjipt. Kënga e Qengjit kremton çlirimin përfundimtar nga Satani dhe nga të gjithë armiqtë e jetës frymërore. Kështu siç edhe Pirsoni (A. T. Pierson) e ka nxjerrë në pah shumë bukur: “Ata shënojnë dy kufijtë e historisë së shpengimit dhe midis tyre shtrihet e gjithë historia e të shpenguarve të Perëndisë”{{16}}.
Gjykimet e Perëndisë mbi tokën e kanë paraqitur Atë si Ai që është Perëndia i shenjtërisë. Ato do të bëjnë që të gjitha kombet ta druajnë, lëvdojnë dhe adhurojnë Atë.
15:5 Pas këtyre gjërave Gjoni sheh tempullin e tabernakullit të dëshmisë në qiell . . . që u hap. Kjo me sa duket është realiteti qiellor për të cilin tempulli tokësor ishte një model ose kopje (Heb. 9:23). Ajo i referohet kryesisht Vendit Shumë të Shenjtë.
15:6 Të shtatë engjëjt dalin, të veshur me lin të pastër dhe të shndritshëm, dhe të ngjeshur përreth gjoksit me breza ari. Kjo do të thotë se ata janë të pajisur për të ushtruar gjykim të drejtë nëpërmjet të cilit Perëndia do të lavdërohet. Këta engjëj janë gati për të lëshuar shtatë plagët e fundit.
15:7 Një nga të katër qeniet e gjalla i jep secilit engjëll nga një kupë. Këto kupa përmbajnë gjykimet përfundimtare të Mundimit të Madh, të cilat do të kryhen mbi të gjithë armiqtë e Perëndisë, dhe jo vetëm mbi një pjesë të tyre.
15:8 Fakti që askush nuk mund të hynte në tempull derisa këto shtatë plagë të mbaroheshin mund të nënkuptojë se tani asnjë lloj ndërhyrjeje priftërore s’mund ta vonojë zemërimin e Perëndisë.
[13] The Scofield Reference Bible, fq. 1342.[[13]] [[14]](14:4, 5) J. D. Pentecost. Things to Come.Fq. 300.[[14]] [[15]](15:3, 4) “Shenjtorët” është një lexim që është shumë pak i mbështetur. Si teksti NU ashtu edhe M mbështesin “kombet”.[[15]] [[16]](15:3, 4) Arthur T. Pierson, Knowing the Scriptures, fq. 248.[[16]]