Gjërat që do të ndodhin për së shpejti (Zbulesa 21-22)

N. Qielli i ri dhe dheu i ri (21:1-22:5)

21:1 Kemi një pyetje në lidhje me kapitujt 21 dhe 22, nëse ata merren vetëm me gjendjen e përjetshme, apo nëse ata kalojnë herë nga Mijëvjeçari herë nga gjendja e përjetshme. Përderisa si Mijëvjeçari ashtu edhe përjetësia janë të ngjashme në shumë mënyra, nuk është çudi nëse ato duken se bashkohen nganjëherë në shkrimet e apostullit Gjon.

Gjendja e përjetshme është quajtur këtu një qiell i ri dhe një dhe i ri. Këto nuk duhet të ngatërrohen me qiellin e ri dhe tokën e re të përshkruara tek Isaia 65:17-25. Atje është në këndvështrim Mijëvjeçari, sepse mëkati dhe vdekja janë akoma të pranishëm. Këto do të jenë të përjashtuara krejtësisht nga Gjendja e Përjetshme.

21:2 Gjoni shikon qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që zbriste nga qielli, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e vet. Fakti që nuk është thënë kurrë që ai zbret në tokë i bën disa që të kuptojnë sikur ai rri pezull mbi tokën e re. Fakti që emrat e fiseve të Izraelit janë mbi porta tregon që Izraeli i shpenguar do të ketë hyrje për në qytet, edhe pse ata nuk janë pjesë e vetë kishës. Dallimi midis kishës (Nuses, Gruas së Qengjit, v9), Izraelit (v12) dhe kombeve johebrenj (v24) është bërë i njohur kudo.

21:3 Gjoni dëgjon një lajmërim nga qielli tabernakulli i Perëndisë është me njerëz dhe Ai do të banojë me ta. Si populli i Tij ata do të gëzojnë një bashkësi me Të shumë më të ngushtë se ç’mund të përfytyrohet ndonjëherë. Vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi i tyre në një marrëdhënie më të afërt dhe më të shtrenjtë.

21:4, 5 Shprehja “Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre” nuk do të thotë se atje në qiell do të ketë lot. Ajo është një mënyre poetike për të thënë se atje nuk nuk do të ketë! Po ashtu atje nuk do të ketë as vdekje, as brengë, as klithma. Këto gjëra do të marrin fund përgjithmonë për popullin e Perëndisë.

Ai që ulet mbi fron do t’i bëjë të gjitha gjërat të reja. Fjalët e Tij janë të vërteta dhe besnike, dhe do të ndodhin me siguri.

21:6 Shpallja e gjendjes së përjetshme shënon përfundimin e qëllimeve të Perëndisë për tokën në të cilën jetojmë. Ashtu si Alfa dhe Omega janë shkronja e parë dhe e fundit e alfabetit grek, po kështu Ai është Fillimi dhe Mbarimi, Krijuesi dhe Qëllimi i krijimit, Ai që filloi dhe Ai që e mbaron, i Amshuari. Është pikërisht Ai i cili jep ujin e jetës (shpëtimin) si dhuratë kujtdo që ka etje për të.

21:7 Është pikërisht Ai i cili e bekon fituesin me një trashëgimi të plotë dhe një afrimitet të ri, ashtu siç ndodh ndërmjet Atit dhe birit. Ashtu siç edhe është përmendur më parë, një fitues është ai që beson se Jezusi është Biri i Perëndisë (1 Gjonit 5:5). Me anë të besimit ai e mund botën (1 Gjonit 5:4).

21:8 Por nuk janë të gjithë fitues. Disa janë frikacakë, që kanë frikë për të rrëfyer Krishtin; të pabesë, jo të gatshëm për t’i besuar Shpëtimtarit të mëkatarit (mëkatarëve, shih NKJV dhe shumicën e dorëshkrimeve), të gjithë ata që mbeten në mëkatet e tyre, pavarësisht nëse janë fajtorë për paudhësitë e rënda të renditura këtu apo jo; të neveritshëm, që i janë dorëzuar imoralitetit të ndotur; vrasës, vrasës të djallëzuar dhe mizorë; kurvarë, që praktikojnë kurvërimin dhe forma të tjera mëkatesh seksuale; magjistarë, ata që bëjnë tregti me frymëra të ndyra; idhujtarë, ata që fyejnë Perëndinë duke adhuruar shëmbëlltyra [ikona, figura] dhe të gjithë gënjeshtarët. Këtyre do t’u caktohet liqeni i zjarrit si fati i tyre përfundimtar.

21:9 Një nga të shtatë engjëjt i përfshirë në gjykimet e kupave i dha Gjonit mundësinë për të parë një pamje më të detajuar e të mëtejshme të Jerusalemit të Ri, të cilin ai e quajti nusen, gruan e Qengjit. Kjo mund të nënkuptojë se qyteti është vendbanimi i nuses.

21:10, 11 I çuar në Frymë mbi një mal të madh dhe të lartë, Gjoni pa përsëri Jerusalemin që zbriste nga qielli, rrezatues me lavdinë e Perëndisë dhe i shkëlqyeshëm si një gur i çmuar i shtrenjtë.

21:12, 13 Ai ishte i rrethuar nga një mur masiv në të cilin kishte dymbëdhjetë porta, të stolisura me dymbëdhjetë engjëj dhe që mbanin emrat e të dymbëdhjetë fiseve të . . . Izraelit. Secili drejtim i busullës (horizontit) kishte nga tri porta.

Numri dymbëdhjetë është përdorur njëzet e një herë në këtë libër dhe shtatë herë në këtë kapitull. Zakonisht ai është kuptuar për të përfaqësuar qeverisje ose administrim.

21:14 dymbëdhjetë themelet e mureve mbanin emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit. Kjo mund të ketë lidhje me faktin që ata hodhën themelin e kishës në çfarë ata mësuan në lidhje me Krishtin (Efesianeve 2:20).

21:15, 16 Me një kallam matës ari engjëlli llogariti se qyteti ishte afërsisht dymbëdhjetë mijë stade (2240-2400 km) nga gjatësia, gjerësia dhe lartësia. Pavarësisht nëse ai kishte apo jo formën e një kubi ose piramide, ai i tejkalonte shumë kufijtë e Izraelit të rindërtuar.

21:17 Muri ishte njëqind e dyzet e katër kubitë i trashë. Shprehja “me matje njeriu, domethënë engjëlli” do të thotë se engjëlli i vargjeve 9 dhe 15 përdori njësi matjeje të përdorura nga njeriu.

21:18 Përshkrimi i murit (prej diaspri) dhe qytetit (prej ari të kulluar),megjithëse është i vështirë për ne për ta përfytyruar, është skicuar për të krijuar një imazh madhësie dhe madhështie. Në këtë kuptim ai ia del mbanë.

21:19, 20 dymbëdhjetë themelet ishin të stolisura me dymbëdhjetë gurë të çmuar, të ngjashme me ato të vendosura në parzmoren e kryepriftit, që përfaqësojnë të dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Nuk është bërë e mundur që të njëjtësohen me saktësi gjithë gurët e çmuar ose të caktohet kuptimi i tyre frymëror.

21:21 Të dymbëdhjetë portat janë dymbëdhjetë margaritarë, një kujtim i asaj që kisha është ai margaritari i çmimit të madh për të cilën Shpëtimtari shiti gjithçka që kishte (Mt. 13:45, 46).

Sheshi i qytetit ishte prej ari të kulluar, si kristali transparent, gjë që flet për një lavdi të panjollë.

21:22, 23 Janë disa gjëra që mungojnë në këtë qytet. Asnjë tempull nuk është i nevojshëm sepse atje është Zoti Perëndia i Plotfuqishëm dhe Qengji. Atje nuk ka as diell as hënë,pasi atë e ndriçon lavdia e Perëndisë dhe llamba është Qengji.

21:24 Kombet johebrenj do të gëzojnë bukurinë e tij dhe mbretërit e dheut do të vijnë me ofertat e tyre te Zoti.

21:25 Atje nuk ka porta të mbyllura pasi atje ka një siguri dhe një liri hyrjeje të përsosur. Atje nuk ka asnjëherë natë; ai është një vend i ditës së përhershme.

21:26 Siç edhe u përmend, pasuria e kombeve do të derdhet në atë qytet dhe gjithë lavdia dhe nderi i tyre.

21:27 Atje nuk do të mund të hyjë ndonjëherë ndonjë gjë e papastër, por vetëm ata që janë të shkruar në Librin e Jetës të Qengjit.

22:1, 2 Një lumë i pastër i ujit të jetës rrjedh nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit përgjatë mesit sheshit. Këtej e andej lumit rritet druri i jetës me dymbëdhjetë llojet e tij të frutave dhe jo më të ndaluara. Kjo është një sugjerim për furnizimin pa pushim të Perëndisë për çdo kohë. “Gjethet e drurit janë për shërim të kombeve“është një mënyrë figurative për të thënë që ata do të gëzojnë shëndet të vazhdueshëm.

22:3-5 Pirsoni(A. T. Pierson) e përmbledh këtë kështu:

“Dhe asnjë mallkim nuk do të ketë më” – pamëkatshmëri e përsosur;
“dhe në të do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit” – qeverisje e përsosur;
“dhe shërbëtorët e Tij do t’i shërbejnë” – shërbim i përsosur;
“ata do të shohin fytyrën e Tij” – bashkësi e përsosur;
“dhe emri i Tij do të jetë mbi ballin e tyre” – ngjashmëri e përsosur;
“Dhe atje natë nuk do të ketë” – bekim i përsosur;
“dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve” – lavdi e përsosur{{20}}.

O. Paralajmërime të fundit, ngushëllime, ftesa dhe bekime (22:6-21)

22:6 Engjëlli shpjegues e kujton përsëri Gjonin për besueshmërinë e gjithë atyre gjërave që ai kishte zbuluar. Zoti, Perëndi ka dërguar engjëllin e Tij, për t’u treguar shërbëtorëve të Tij panoramën e atyre ngjarjeve që duhet të ndodhin për së shpejti.

22:7 Kulmi, pra pika më e lartë e të gjithë kësaj do të jetë ardhja e lavdishme e Shpëtimtarit. Ai na siguron që do të vijë shpejt. Kjo mund të nënkuptojë ose shpejt ose papritmas, por parapëlqehet shpejt. Një bekim i veçantë i është dhënë çdokujt që i ruan fjalët e kësaj profecie. Ne mund ta bëjmë këtë gjë duke jetuar me shpresën e ardhjes së Tij.

22:8, 9 Kur Gjoni pa dhe dëgjoi këto gjëra, ai ra përpara këmbëve të engjëllit, por atij nuk iu lejua që ta bënte këtë gjë. Engjëlli ishte vetëm një qenie e krijuar; vetëm Perëndia duhet të adhurohet.

22:10 Gjoni nuk duhej ta vuloste profecinë sepse koha e përmbushjes ishte afër. Fjala vulos këtu do të thotë të shtysh hapjen.

22:11 Kur të vijë koha e përmbushjes, i padrejti do të jetë i bllokuar në mospendimin e tij. I ndyri nuk do të ketë një mundësi tjetër për të ndryshuar kur Zoti të kthehet në tokë. Por i drejti do të vazhdojë të jetojë me drejtësi dhe i shenjti në shenjtëri.

22:12, 13 Prapë Zoti shpall ardhjen e Tij të shpejtë, këtë herë me premtimin e shpërblimit për gjithsecilin sipas veprave që ai ka bërë. Dhe prapë Ai e njëjtëson Veten si Alfa dhe Omega. Ai që krijoi të gjitha gjërat është po Ai që do të tërheqë perden në skenën e kohës.

22:14 Ky varg mund të lexohet: “Lum ata që i kryejnë urdhërimet e Tij” ose “Lum ata që i lajnë rrobat e tyre”. Asnjë nga leximet nuk mëson shpëtimin me anë të veprave, por më saktë veprat si frytin dhe provën e shpëtimit. Vetëm besimtarët e vërtetë kanë hyrje për te druri i jetës dhe te qyteti i përjetshëm.

22:15 Të përjashtuar përgjithmonë nga qielli do të jenë qentë, magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe gënjeshtarët. Fjala qentë këtu mund t’u referohet prostitutave meshkuj [meshkujve të përdalë] (Ligji i Perterire 23:18), johebrenjve të papastër (Mt. 15:26) ose judenjve (Filipianeve 3:2).

22:16 Zoti dërgoi engjëllin e Tij me këtë mesazh nëpër kisha. Ai flet për Veten si Rrënja dhe Pasardhja e Davidit. Për sa i përket hyjnisë së Tij, Ai është Krijuesi i Davidit; për sa i përket karakterit njerëzor të Tij, Ai është Pasardhës i Davidit. Ylli i ndritshëm i mëngjesit shfaqet në qiell përpara se të lindë dielli. Krishti do të vijë më parë për kishën si Ylli i Ndritshëm i Mëngjesit, d.m.th. te Rrëmbimi. Më vonë Ai do të vijë në tokë si Dielli i Drejtësisë me shërimin në krahët e Tij (Mal. 4:2).

22:17 Ka dy mënyra për ta kuptuar këtë varg. Së pari, ai mund të jetë një thirrje ungjillore e bërë kudo, me Frymën, nusen dhe dëgjuesin që nxisin të eturin të vijë te Krishti për shpëtim. Ose tre përdorimet e para të fjalës eja mund të jenë lutje për Krishtin që Ai të kthehet, të pasuara nga dy ftesa për të pashpëtuarit që të vijnë tek Ai për ujin e jetës (shpëtimin)dhe kështu ata të jenë gati për kthimin e Tij.

22:18, 19 Nëse njerëzit i shtojnë gjërave të shkruara në këtë libër të Zbulesës, ata do të vuajnë plagët e përshkruara në të. Përderisa temat në këtë libër janë ndërthurur kudo në Bibël, vargu, në fakt, dënon çfarëdolloj ngacmimi ndaj fjalës së Perëndisë. Një gjykim i ngjashëm është shpallur mbi këdo që heq nga fjalët e librit të kësaj profecie. Kjo nuk zbatohet për ndryshimet më të vogla të interpretimit, por për një sulm të drejtpërdrejtë mbi frymëzimin dhe përfundimin e Biblës. Dënimi është vdekje e përjetshme. Perëndia do t’i heqë pjesën e tij nga druri i jetës (shih NKJV){{21}}. Kjo do të thotë që nuk do të mund të marrë pjesë kurrë në bekimet e atyre që kanë jetën e përjetshme.

22:20 Zbulesa përfundon me një premtim dhe një bekim. Premtimi është që Zoti Jezus po vjen shpejt. Siç është përmendur më parë, kjo mund të nënkuptojë shpejt ose papritmas. Shpresa e një kthimi të papritur nuk do të mund të ngjallë të njëjtën pritje ose vigjilencë sa shpresa e një kthimi të shpejtë. Çdo njeri i shpenguar i përgjigjet shpresës së bekuar: “Amen. Po, eja, Zoti Jezus!”.

Ashtu si Zanafilla është libri i fillimeve, po ashtu Zbulesa është libri i plotësimit. Tema të cilat u paraqitën në librin e parë janë kryer në atë të fundit. Vini re pikat që vijojnë:

ZAN.: Krijimi i qiejve dhe i tokës (Zanafilla 1:1).
ZBU.: Shkatërrimi i qiellit dhe i tokës (Zbulesa 20:11b). Krijimi i një qielli dhe toke të re (Zbulesa 21:1).

ZAN.: Fillimi i sundimit të Satanit mbi tokë (Zanafilla 3:1-7).
ZBU.: Satani i flakur në Liqenin e Zjarrit (Zbulesa 20:10).

ZAN.: Hyrja e mëkatit (Zanafilla 3:1-7).
ZBU.: Mëkati i dëbuar (Zbulesa 21:27).

ZAN.: Shpallja e mallkimit mbi krijimin (Zanafilla 3:17-19).
ZBU.: Mallkimi i hequr (Zbulesa 22:3).

ZAN.: Humbja e së drejtës për drurin e jetës (Zanafilla 3:24b).
ZBU.: Rivendosja e së drejtës për drurin e jetës (Zbulesa 2, 19).

ZAN.: Dëbimi i njeriut nga Kopshti i Edenit (Zanafilla 3:24a).
ZBU.: Njeriu mirëpritet prapë në [Parajsë] (Zbulesa 22:1-7).

ZAN.: Hyrja e vdekjes në botë (Zanafilla 2:17, 5:5).
ZBU.: Vdekja e hequr përgjithmonë (Zbulesa 21:4).

ZAN.: Dasma e Adamit të parë (Zanafilla 4:1).
ZBU.: Dasma e Adamit të fundit (Zbulesa 19:7).

ZAN.: Dhimbja vjen te njeriu (Zanafilla 3:16a).
ZBU.: Dhimbja e hequr (Zbulesa 21:4).

22:21 Dhe tani ne kemi arritur te ky bekim i fundit i këtij libri të mrekullueshëm të Zbulesës dhe i fjalës së Perëndisë. Është një mbyllje në qetësi për një libër të mbushur me bubullimat e gjykimit hyjnor.

Gjoni uron që “Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht të jetë me popullin e Perëndisë”. Ka tre lexime të ndryshme e interesante në dorëshkrimet:

  1. Në tekstin kritik (NU) Gjoni dëshiron hirin e Krishtit për të gjithë – gjë e cila mezi i përshtatet temës së Zbulesës, që është zemërimi i pashmangshëm mbi shumicën.

  2. Teksti tradicional (TR, KJV, NKJV) është lexim më i mirë. Hiri i Krishtit dëshirohet mbi “ju të gjithë” – shumë nga dëgjuesit dhe lexuesit e Zbulesës duhet të jenë besimtarë të vërtetë.

  3. Interpretimi më i mirë në dritën e përqasjes së fortë midis shenjtorëve dhe mëkatarëve në këtë libër është gjendur në tekstin Majority (M) dhe NKJV (leximi anësor): “Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me të gjithë shenjtorët. Amen.”.

[20] Pierson. The Ministry of Keswick, First Series.fq. 144.[[20]] [[21]](22:18, 19) Leximi “libri i jetës” nuk ka mbështetjen e dorëshkrimeve greke këtu! Gjashtë vargjet e fundit mungonin në kopjen greke të Erasmusit të Zbulesës. Kështu ai i përktheu këto vargje nga Vulgata latine.[[21]]

BIBLIOGRAFI

Criswell, Wallie Amos. Exposition of Sermons on Revelation. Grand Rapids: Zondervan Publishing House, 1962.
Dennett, Edward. “The Seven Churches”, The Serious Christian, Vol XI. Charlotte, NC: Books for Christians, nd.
Gaebelein, Arno C. The Revelation. New York: Publication Office “Our Hope,” 1915.
Grant, F.W. The Revelation of Christ. New York: Loizeaux Brothers, nd.
Ironside, H.A. Lectures on the Revelation. New York: Loizeaux Brothers, 1919.
Kelly, William. Lectures on the Book of Revelation. New Edition. London: G. Morrish, nd.
Lenski, R.C.H. The Interpretation of St. John’s Revelation. Minneapolis: Augsburg Publishing House, 1943.
McConkey, James H. The Book of Revelation: A Series of Outline Studies in the Apocalypse. Pittsburgh: Silver Publishing Co., 1921.
Morgan, G. Campbell. The Letters of Our Lord. Westwood, N.J.: Fleming H. Revell Co., nd.
Morris, Leon. The Revelation of Jesus Christ (TBC). Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 1969.
Mounce, Robert H. The Book of Revelation (NIC). Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 1977.
Ryrie, Charles Caldwell. Revelation. Chicago: Moody Press, 1968.
Scott, Walter. Exposition of the Revelation of Jesus Christ. London: Pickering & Inglis Ltd., nd.
Stanley, Charles. The Revelation of Jesus Christ. New York: Loizeaux Brothers Publishers, nd.
Swete, Henry Barclay. The Apocalypse of St. John. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., nd.
Tenney, Merrill C. Interpreting Revelation. Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 1957.
Trench, Richard Chevenix. Commentary on the Epistles to the Seven Churches in Asia. Minneapolis: Klock and Klock Christian Publishers, 1978.
Walvoord, John F. The Revelation of Jesus Christ. Chicago: Moody Press, 1966.


[previous][next]