C. Hapja e shtatë vulave (Kapitulli 6)
6:1, 2 Kur Qengji hapi vulën e parë, një nga të katër qeniet e gjalla bërtiti “Eja e shiko”{{4}}. Si përgjigje një kalorës, ndoshta Antikrishti, që mbante një hark, erdhi mbi një kalë të bardhë . . . si fitimtar dhe i aftë për të fituar. Kjo mund të paraqesë atë që sot njihet si luftë e ftohtë. Harku paraqet kërcënimin e luftës, por nuk ka ndonjë përmendje të një shigjete. Ndoshta është edhe nënkuptimi i një beteje reaktive përderisa harku është një armë e luftimit në largësi. Në të vërtetë ky kalorës nuk shkakton betejë; kjo nuk ndodh deri në vulën e dytë, e cila heq paqen nga dheu.
6:3, 4 Qenia e dytë e gjallë thërriti kalorësin e dytë që të vinte. Ky mbante një shpatë të madhe dhe kalëroi mbi një kalë që ishte i kuq. Një shpatë përdoret në luftimin tek e tek. Pra, vula e dytë na bën të mendojmë për ushtri pushtuese në një betejë të fortë ballë për ballë. Kalorësi i dytë heq paqen nga dheu.
6:5, 6 Në bindje ndaj qenies së gjallë një kalorës që mbante një peshore erdhi i hipur mbi një kalë të zi. Ky përfaqëson zi që zakonisht vjen pas luftës. Një zë në mes të katër qenieve të gjalla lajmëroi se gruri dhe elbi po shiteshin shtrenjtë. Peshorja përdorej për të matur kokrrat me racion dhe ishin, pra, një simbol për zinë. Shprehja mos dëmto vajin, as verën është e vështirë. Disa thonë se këto ishin ushqimi i të varfërve. Nëse ato ishin ushqimi bazë, atëherë ato duhet të ruheshin për të shpëtuar jetën. Megjithatë, më e mundshme këtu është se janë menduar artikujt luksozë të të pasurve: historikisht, madje edhe në një zi të pasurit mund të marrin disa artikuj luksi.
6:7, 8 Qenia e katërt e gjallë thirri një kalë të zbehtë me Vdekjen dhe Hadesin si kalorës të tij. Vdekja ka të bëjë me trupin dhe Hadesi me frymën dhe shpirtin. Me anë të luftës, zisë, murtajës dhe bishave të egra është shkatërruar një e katërta e banorëve të dheut. Mund të mendojmë se sëmundjet nuk janë më një kërcënim për shkak të antibiotikëve modernë dhe ilaçeve çudibërëse. Megjithatë, sëmundjet e mëdha vrasëse nuk mund të shuhen por thjesht të vihen në gjumë. Ato mund të përhapen gjatë gjithë botës aq shpejt sa ç’mund t’i mbartë një avion reaktiv.
6:9 Tani na paraqiten dëshmorët e parë të periudhës së Mundimit (Mt. 24:9), besimtarë hebrenj që dalin dhe predikojnë ungjillin e mbretërisë dhe që janë therur për shkak të dëshmisë së tyre. Shpirtrat e tyre janë nën altar në qiell.
6:10 Ata i thërrasin Zotit{{5}} sovran që të marrë hak për gjakun e tyre. Siç është përmendur edhe më parë, “ata që banojnë mbi dhe” i referohet jobesimtarëve që e shohin këtë tokë si shtëpinë e tyre.
6:11 Petka të bardha u janë dhënë dëshmorëve, një simbol për drejtësinë e tyre. Atyre u është thënë që të presin derisa të jetë plotësuar numri përfundimtar i dëshmorëve të mundimit.
6:12, 13 Hapja e vulës së gjashtë solli trazira të llahtarshme të natyrës. Një tërmet i madh tundi tokë e det dhe qiejt e shndritshëm kaluan në parregullsi. Dielli u err dhe hëna u bë e kuqe si gjak. Yjet . . . ranë mbi dheun si fiqtë e pjekur kur fiku tundet fort.
6:14 Qielli u hoq sikur të ishte një fletë pergamene që mbështillet. Çdo mal dhe ishull u zhvendos nga përmbytje të tmerrshme.
6:15 Nuk është për t’u çuditur që të gjitha klasat e shoqërisë u kapën nga paniku. Duke pranuar që Perëndia po zbrazte zemërimin e Tij, ata u fshehën nëpër shpella dhe midis krepave të maleve.
6:16, 17 Ata parapëlqyen më mirë që të shtypeshin nga malet dhe shkëmbinjtë sesa të duronin gjykimin e Perëndisë dhe zemërimin e Qengjit. Ata e kuptuan se asnjë rebel nuk mund të qëndrojë para mërisë së Tij. Por e kuptuan tepër vonë.
D. Të shpëtuarit nga Mundimi i Madh (Zbulesa 7)
Kapitulli 7 ndodh midis vulës së gjashtë dhe të shtatë dhe na paraqet dy grupe të rëndësishme besimtarësh. Ky kapitull i përgjigjet pyetjes në fund të kapitullit 6: “Kush mund të qëndrojë?”. Ata që përshkruhen në këtë kapitull do të qëndrojnë, në kuptimin që ata do të ruhen për të hyrë me Krishtin në Mijëvjeçar.
7:1-4 Vizioni i të katër engjëjve të cilët rrinin në këmbë në të katër këndet e dheut dhe pengonin të katër erërat e dheut do të thotë se një stuhi e madhe është gati për të shpërthyer mbi botën. Megjithatë, engjëjve u është thënë që ta shtyjnë këtë shkatërrim derisa shërbëtorët e Perëndisë të jenë vulosur në ballë. Kështu u vulosën dymbëdhjetë mijë vetë nga secili prej dymbëdhjetë fiseve të Izraelit.
7:5-8 Është e qartë se të 144 000-të janë besimtarë hebrenj dhe jo anëtarë të ndonjë kulti johebre të shekullit të 20-të. Këta shenjtorë hebrenj shpëtohen gjatë pjesës së parë të Mundimit. Vula mbi ballin e tyre i shënon ata si njerëz që i përkasin Perëndisë dhe garanton se ata do të ruhen të gjallë gjatë shtatë viteve të ardhshme.
Mungojnë dy fise nga lista: Efraimi dhe Dani. Ato janë hequr ndoshta sepse ato kishin një rol kryesor në idhujtari. Disa mendojnë se Antikrishti do të vijë nga Dani (Zanafilla 49:17). Fiset e Jozefit dhe të Levit janë përfshirë në listë, ku padyshim Jozefi zë vendin e birit të tij, Efraimit.
7:9 Njerëzit që përshkruhen në këtë pjesë janë johebrenj prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve. Ata qëndrojnë në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me rroba të bardha (veprat e drejta të shenjtorëve, Zbulesa 19:8) dhe që mbanin degë palmash, që janë një simbol fitoreje.
7:10 Këta janë johebrenj që do të shpëtohen gjatë Mundimit të Madh, duke i besuar Zotit Jezus. Në këngën e tyre ata kremtojnë shpëtimin e tyre dhe ia kushtojnë atë Perëndisë së tyre dhe Qengjit.
7:11, 12 Engjëjt . . . dhe pleqtë dhe katër qeniet e gjalla bashkohen në adhurim ndaj Perëndisë, megjithëse tema e shpengimit mungon në lavdërimin e tyre. Ashtu siç tha autori i himneve: “Engjëjt nuk e ndiejnë kurrë gëzimin që sjell shpëtimi ynë.” Por megjithatë ata i këndojnë lavdërimet e Tij dhe e shpallin Atë të denjë për shtatë forma të veçanta nderi.
7:13, 14 Kur një nga pleqtë e pyeti Gjonin se cilët ishin këta njerëz që janë veshur me rroba të bardha dhe se nga kanë ardhur, Gjoni tregoi paditurinë e tij, por edhe një dëshirë për ta ditur. Më pas plaku i shpjegoi se ata kishin ardhur nga shtrëngimi i madh, dhe i kishin larë rrobat e tyre dhe zbardhur ato në gjakun e Qengjit. “Kur ne qëndrojmë ballë për ballë me një mister të pashpjegueshëm,” shkuan Majër (F. B. Meyer), “sa zemërdhënëse është që të mund të jesh në gjendje të thuash me besim të plotë: ‘Ti e di'”.
7:15 Plaku vazhdoi të shpjegojë vendin dhe shërbesën e tyre të tanishme. Studiues të Biblës nuk bien dakord nëse kjo turmë e madhe është parë në qiell apo mbi tokën mijëvjeçare. Bekimet e përshkruara janë të vërteta për secilin vend. Nëse bëhet fjalë për Mijëvjeçarin, atëherë froni i Perëndisë dhe tempulli i Tij i referohen tempullit që do të ndodhet në Jerusalem gjatë epokës së mbretërisë (Eze. 40-44).
Vini re bekimet që janë përshkruar:
Afërsi e përsosur: Prandaj edhe janë përpara fronit të Perëndisë.
Shërbim i përsosur: dhe i shërbenin Atij ditë e natë në tempullin e Tij.
Përbashkësi e përsosur: Ai që rri ulur mbi fron do të banojë në mes tyre.
7:16 Kënaqësi e përsosur: Ata nuk do të kenë më uri, as nuk do të kenë etje;
Siguri e përsosur: as nuk do t’i godasë më dielli, as kurrfarë vape.
7:17 Udhëheqje e përsosur: sepse Qengji, që është në mes të fronit, do t’i kullosë dhe do t’i çojë te burimet e ujërave të jetës (shih NKJV);
Gëzim i përsosur: Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre“.
E. Vula e shtatë dhe fillimi i shtatë borive (Kapitujt 8-9)
8:1 Mbas parantezave të kapitullit 7, në të cilin ne pamë dy grupe shenjtorësh të Mundimit, arrijmë tani te vula e shtatë dhe e fundit. Kjo është bërë e njohur nëpërmjet një heshtjejeprej tridhjetë minutash në qiell, një qetësi tmerruese që paraprin gjykimet që vijnë, ku secili është më i tmerrshëm se gjykimi që ndodhi përpara.
8:2 Nuk është përmendur ndonjë gjykim i veçantë në hapjen e vulës së shtatë. Tregimi shkon menjëherë në gjykimet e shtatë borive. Prej kësaj ne arrijmë në përfundimin se vula e shtatë përbëhet nga shtatë bori.
8:3, 4 Engjëlli në këtë varg shpesh besohet të jetë Zoti Jezus. Ai është quajtur Engjëlli i Jehovait në DhV (Zanafilla 16:13; 31:11, 13; Gjyqtaret 6:22; Osea 12:3, 4). Lutjet e të gjithë shenjtorëve ngrihen tek Ati nëpërmjet Tij (Efesianeve 2:18). Ai merr shumë erë të këndshme [temjan] për ta ofruar me lutjet e shenjtorëve. Era e këndshme flet për aromën e Personit dhe veprës së Tij. Kur lutjet arrijnë Atin Perëndi, ato janë krejtësisht të përsosura dhe krejtësisht të frytshme.
Në kontekst, lutjet janë ato të shenjtorëve të Mundimit, të cilët i kërkojnë me ngulm Perëndisë që të ndëshkojë armiqtë e tyre, megjithëse rregulli është i vërtetë për të gjitha lutjet.
8:5 Në përgjigje të lutjeve të tyre, engjëlli . . . hodhi qymyr të ndezur mbi dhe, duke shkaktuar shpërthime të forta, bubullima, vetëtima dhe një tërmet. Ashtu siç thotë edhe Sueti (H. B. Swete), “Lutjet e shenjtorëve kthehen në zemërim mbi tokë”{{6}}. Kështu gjykimet e shtatë borive janë paraqitur me çrregullime të ashpra të natyrës.
8:6 Tani ne kemi arritur në mes të Mundimit. Këto gjykime të borive na çojnë në kohën kur Krishti zbret mbi tokë, shkatërron armiqtë e Tij dhe futet në mbretërinë e Tij. Katër gjykimet e para dëmtojnë mjedisin natyror të njeriut; tre të fundit godasin vetë njeriun. Shumë komentatorë përmendin ngjashmërinë midis këtyre plagëve dhe atyre që ranë mbi Egjipt (Eksodi, kapitujt 7-12).
8:7 Kur engjëlli i parë i ra borisë, një e treta e dheut (shih NKJV), e pemëve dhe e barit u dogjën nga breshëri dhe zjarri . . . të përzier me gjak. Më mirë ta marrim këtë pjesë fjalë për fjalë si një katastrofë të tmerrshme në zonat prej nga njeriu nxjerr shumicën e ushqimit të tij.
8:8, 9 Diçka si një mal i madh në flakë . . . u hodh në det, duke e kthyer një të tretën e detit në gjak, duke shkatërruar një të tretën e jetës detare dhe duke shkatërruar një të tretën e anijeve. Kjo jo vetëm që do të pakësojë më shumë ushqimin lokal të njeriut, por do të zvogëlojë edhe mënyrat e tij për të siguruar ushqim prej vendeve të largëta.
8:10, 11 Kjo bori e tretë sinjalizoi rënien e një ylli flakërues të quajtur Pelin, duke shkaktuar që një e treta e furnizimeve me ujë të njeriut të bëhej e hidhur në burimet e saj. Me sa duket uji i hidhur ishte edhe i helmuar, meqenëse shumë njerëz vdiqën. Është vështirë për ta identifikuar Pelinin. Kur boria të bjerë, këto vargje do të jenë të gjitha shumë të qarta për banorët e dheut. Kur studiojmë profecinë, është mirë që të kujtojmë se ka shumë gjëra që nuk do të jenë të qarta derisa ato të ndodhin vërtet.
8:12 Duket që dielli, . . . hëna dhe yjet do të dëmtohen aq shumë, sa ato do të japin vetëm dy të tretën e dritës së tyre normale. Kjo bori e katërt i ngjan plagës së errësirës në Egjipt.
8:13 Një shqiponjë (shih NKJV){{7}} që fluturonte në mes të qiellit shpalli një mjerim të trefishtë kundër atyre që banojnë mbi dhe, d.m.th. kundër atyre që e kanë botëkuptimin plotësisht të kësaj bote, të cilët ndodhen në shtëpi këtu mbi botë, të cilët nuk janë besimtarë të vërtetë. Tre gjykimet e mbetura njihen edhe si tre mjerime për shkak të ndikimit të tyre të llahtarshëm mbi njerëzit.
9:1, 2 Ylli që ra nga qielli mund të jetë një engjëll i rënë ose madje edhe vetë Satani. Ai kishte çelësin e pusit të humnerës (në greqisht është abyss). Ky është vendbanimi i demonëve. Kur ai hapi hyrjen për në abis, doli jashtë tymi i dendur si nga një oxhak gjigant, që e mbuluan pamjen me errësirë.
9:3, 4 Nga tymi u shfaqën mizëri karkalecash, që ishin në gjendje të shkaktonin dhimbje torturuese të ngjashme me pickimin e akrepave. Por pushteti i tyre ishte i kufizuar. Atyre u ndalohej të dëmtonin bimësinë. Viktimat e tyre ishin ata të cilët nuk e kishin vulën e Perëndisë mbi ballë, d.m.th. të gjithë ata që ishin jobesimtarë.
9:5, 6 Megjithëse pickimi i tyre nuk ishte vdekjeprurës, ai shkaktoi mundim që zgjati pesë muaj. Ai ishte kaq i tmerrshëm saqë njerëzit dëshironin të vdisnin, por nuk ishte e mundur. Këta karkaleca ndoshta përfaqësojnë demonë të cilët, kur u liruan nga humnera, pushtuan burrat dhe gratë e pashpëtuar. Ky pushtim nga demonët shkaktoi vuajtjet më të mëdha fizike dhe torturat më të mëdha mendore, ashtu siç ndodhi me Legjionin në Marku 5:1-20.
9:7 Përshkrimi i karkalecave është formuluar për të lënë një përshtypje pushtimi dhe fitoreje. Si kuaj të gatitur për luftë, ata ishin një ushtri pushtuese. Duke mbajtur kurora si prej ari, ata ishin autorizuar që të sundonin në jetën e njerëzve. Me fytyra të ngjashme me ato të njerëzve, ata ishin krijesa të mençura.
9:8-10 Me flokë si flokë grash ata ishin tërheqës dhe joshës. Me dhëmbë si prej luani ata ishin mizorë dhe të egër. Me parzmore si parzmore hekuri ata ishin të vështirë për t’u sulmuar dhe shkatërruar. Me krahë, që bënin një zhurmë të madhe, ata ishin tmerrues dhe demoralizues. Bishtat që u ngjanin akrepave i armatosnin ata, me qëllim që të torturonin si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Fuqia e tyre . . . të dëmtonin njerëzit për pesë muaj do të thotë vuajtje pa ndihmë.
9:11 Ata kishin një mbret . . . emri i tij në hebraisht është Abadon (shkatërrim) dhe në greqisht . . . Apolion (shkatërrues). Kjo në përgjithësi është nënkuptuar si një referim për Satanin.
9:12 Nga tre mjerime i pari kaloi. Më e keqja është akoma për të ardhur. Gjykimet rriten në fuqi.
9:13-15 Përmendja e altarit të artë që është përpara Perëndisë lidh gjykimet në vazhdim me lutjet e njerëzve të shtypur të Perëndisë. Borizani i gjashtë çliron katër engjëj që janë të lidhur në lumin e madh, Eufratin. Këta katër engjëj, ndoshta demonë, ishin mbajtur në gatishmëri pikërisht për këtë çast, që të dalin dhe të vrasin të tretën pjesë të njerëzve.
9:16, 17 Ata i ndiqnin dy qind milion{{8}} kalorës mbi kuaj me parzmore që ishin ngjyrë zjarri, hiacinti dhe squfuri. Kokat e kuajve ishin si ato të luanëve dhe gojët e tyre nxirrnin zjarr, tym dhe squfur.
9:18, 19 Këto të treja (zjarri, tymi dhe squfuri) përfaqësojnë tri plagë të cilat vrasin një të tretën e njerëzve. Kuajt jo vetëm që vrasin me gojët e tyre, por edhe me bishtat e tyre gjarpërues.
Ka shumë pyetje pa përgjigje në këtë pjesë. A janë të katër engjëjt në vargun 14 të njëjtë me ata në 7:1? A janë kalorësit njerëz të vërtetë, apo ata përfaqësojnë demonë, sëmundje, ose forca të tjera shkatërruese? Çfarë janë të tri plagët që janë përshkruar me anë të zjarrit, tymit dhe squfurit?
Ja vlen të vëresh se vdekja shkaktohet nga kuajt, jo nga kalorësit. Një autor sugjeron se ushtria e madhe e kalorësve mund të simbolizojë “një mashtrim të papërmbajtshëm të djallit, që vjen nga Lindja”. Hamilton Smithi thotë:
“Pushteti i tyre ishte në gojën e tyre” mund të sugjerojë se ky mashtrim do të bëhet i njohur me të gjithë gojëtarinë bindëse të të folurit. Por prapa mashtrimit është fuqia e Satanit, që është simbolizuar me anë të bishtave të tyre që janë si të gjarpërinjve”{{9}}.9:20, 21 Megjithëse dy e treta e njerëzve i mbijetoi këtyre plagëve, ata nuk u penduan, por vazhduan që të përkulen para demonëve dhe idhujve të bërë me dorë, të pajetë dhe pa fuqi. Ata nuk u larguan nga vrasjet, magjia (që ka lidhje me ilaçe{{10}}), kurvërimi dhe vjedhjet. Ndëshkimi dhe vuajtja nuk mund të ndryshojnë karakterin e një mëkatari; këtë gjë mund ta bëjë vetëm lindja e re. [[4]](6:1, 2) Teksti NU dhe M e lënë jashtë “e shiko”.[[4]] [5] Fjala greke këtu është e fortë: Despotes (por pa ngjyrimin negativ të kuptimit anglez).[[5]] [6] Henry Barclay Swete. The Apocalypse of ST. John.Fq. 109.[[6]] [7] “Engjëll” dhe “shqiponjë” duken disi të ngjashme në greqisht (angelos dhe aetos), prandaj kemi një gabim kopjimi. “Shqiponjë” është e saktë.[[7]] [[8]](9:16, 17) Në shumicën e dorëshkrimeve lexohet “një qind milion”.[[8]] [[9]](9:18, 19) Hamilton Smith. The Revelation: An Expository Outline.Fq. 57.[[9]] [[10]](9:20, 21) Fjala greke këtu është pharmakon “ilaç” (në shqip fjala farmak që do të thotë helm e ilaç dhe kujto fjalën farmaci).[[10]]