«Vini re atë që dëgjoni» (Marku 4:24).
Zoti Jezus na porosit që të jemi të kujdesshëm se çfarë dëgjojmë. Ne jemi përgjegjës për të kontrolluar atë që hyn përmes portës së veshit dhe po aq përgjegjës që ta përdorim siç duhet atë që dëgjojmë.
Ne nuk duhet të dëgjojmë atë që është paturpësisht e rremë. Kultet janë duke deklamuar propagandën e tyre me një rritëm pa precedent. Ata janë gjithmonë duke kërkuar dikë që do të pranojë t’i dëgjojë. Gjoni thotë se ne nuk duhet t’i pranojmë kultistët në shtëpinë tonë ose madje edhe t’i përshëndetim. Ata janë kundër Krishtit.
Ne nuk duhet të dëgjojmë atë që është armiqësisht mashtruese. Të rinjtë në kolegje, universitete dhe seminare përballen shpesh me pengesa të përditshme dyshimi dhe mohimi për sa i përket Fjalës së Perëndisë. Ata dëgjojnë se si mrekullitë hidhen poshtë përmes të ashtuquajturave shpjegime, se si Zoti Jezus dënohet me lavdërim të dobët dhe se si sheqeroset kuptimi i qartë i Shkrimit. Është e pamundur që të ulesh në praninë e mësimeve mashtruese dhe të mos ndikohesh prej tyre. Edhe nëse nuk është shkatërruar besimi i studentit, mendja e tij është ndotur. «A mund të mbajë një njeri një zjarr në gji të tij pa djegur rrobat e trupit? Ose a mund të ecë një njeri mbi qymyr të ndezur pa djegur këmbët e tij?» (Fjalet e Urta 7:27, 28, NASB). Përgjigja e qartë është «Jo».
Ne nuk duhet të dëgjojmë atë që është e papastër ose e pahijshme. Forma më e keqe e ndotjes në shoqërinë e sotme është ndotja e mendjes. E vetmja fjalë që përshkruan shumicën e gazeta, revistave, librave, programeve në radio dhe TV, filmave dhe bisedave të njerëzve është fëlliqësi. Duke e ekspozuar vazhdimisht veten para kësaj, i krishteri është në rrezik që të humbasë ndjenjën e ligësisë së tmerrshme të mëkatit. Dhe ky nuk është i vetmi rrezik! Kur ne pranojmë në mendjen tonë histori të ndyra dhe të pahijshme, ato kanë mënyrën e tyre që të na vijnë përsëri në mendje, duke na ndjekur nga pas, gjatë çasteve tona më të shenjta.
Ne nuk duhet t’i mbushim mendjet tona me gjëra që janë të kota ose të papërfillshme. Jeta është tepër e shkurtër dhe detyra është tepër urgjente për ato. «Gjithçka duhet të jetë serioze në një botë si e jona».
Në aspektin pozitiv, ne duhet të jemi të kujdesshëm që të dëgjojmë Fjalën e Perëndisë. Sa më shumë që i ngopim mendjet tona me Fjalën e Perëndisë dhe iu bindemi porosive të shenjta të saj, aq më shumë mendimet tona do të jenë sipas Perëndisë, aq më shumë ne do të transformohemi sipas shëmbëlltyrës së Krishtit dhe aq më shumë ne do të shkëputemi nga ndotja morale e mjedisit tonë.