Luka 1

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Parathënie

1:1 Mbasi shumë vetë ndërmorën të renditin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë,

1:2 ashtu si na i përcollën ata që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës,

1:3 m`u duk e mirë edhe mua, pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t`i shkruaj sipas radhës, fort i nderuari Teofil,

1:4 që ti të njohësh vërtetësinë e gjërave që të kanë mësuar.

Paralajmërimi i lindjes së Gjonit

1:5 Në ditën e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emër Zakaria, nga rendi i Abias; gruaja e tij ishte pasardhëse e Aaronit dhe quhej Elizabetë.

1:6 Që të dy ishin të drejtë në sytë e Perëndisë, duke ecur pa të metë në të gjitha urdhërimet dhe ligjet e Zotit.

1:7 Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte shterpe, dhe të dy ishin të kaluar në moshë.

1:8 Ndodhi që, kur Zakaria po ushtronte detyrën e tij priftërore para Perëndisë sipas rregullit të rendit të vet,

1:9 sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hyjë në tempullin e Zotit për të djegur temjanin.

1:10 Ndërkaq mbarë turma e popullit rrinte jashtë e lutej, në orën e temjanit.

1:11 Atëherë një engëll i Zotit iu shfaq duke qëndruar në këmbë në të djathtën e altarit të temjanit.

1:12 Zakaria, kur e pa, u trondit dhe e zuri frika.

1:13 Por engjëlli i tha: “Mos u tremb, Zakaria, sepse lutja jote u plotësua dhe gruaja jote Elizabeta do të lindë një djalë, të cilit do t`ia vësh emrin Gjon.

1:14 Dhe ai do të jetë për ty shkak gëzimi dhe hareje, dhe shumë vetë do të gëzohen për lindjen e tij.

1:15 Sepse ai do të jetë i madh përpara Zotit; nuk do të pijë as verë as pije dehëse dhe do të jetë i përplotë me Frymën e Shenjtë që në barkun e s`ëmës.

1:16 Dhe do t`i kthejë shumë prej bijve të Izraelit te Zoti, Perëndia i tyre.

1:17 Dhe do të shkojë përpara tij në frymë dhe pushtet të Elias, për t`i kthyer zemrat e prindërve te fëmijët dhe rebelët në urtinë e të drejtëve, për t`ia bërë gati Zotit një popull të përgatitur mirë“.

1:18 Dhe Zakaria i tha engjëllit: “Nga se do ta njoh këtë? Sepse unë jam plak dhe gruaja ime është e kaluar në moshë“.

1:19 Dhe engjëlli, duke iu përgjigjur, i tha: “Unë jam Gabrieli që rri në prani të Perëndisë, dhe më kanë dërguar që të flas me ty dhe të të njoftoj këto lajme të mira.

1:20 Dhe ja, ti do të jesh i pagojë dhe nuk do të mund të flasësh deri në atë ditë kur do të ndodhin këto gjëra, sepse nuk u ke besuar fjalëve të mia, të cilat do të përmbushen në kohën e tyre“.

1:21 Ndërkaq populli po priste Zakarian dhe çuditej që ai po vonohej aq shumë brenda tempullit.

1:22 Por, kur doli, nuk mundi t`u flasë atyre; atëherë ata e kuptuan se ai kishte pasur një vegim në tempull; ai u bënte shenja atyre, por mbeti i pagojë.

1:23 Dhe ndodhi që, kur u plotësuan ditët e shërbesës së tij, ai u kthye në shtëpinë e vet.

1:24 Dhe, pas atyre ditëve Elizabeta, gruaja e tij, u ngjiz; dhe u fsheh pesë muaj dhe thoshte:

1:25 “Ja ç`më bëri Zoti, në ato ditë kur e ktheu vështrimin e tij mbi mua për të më hequr turpin përpara njerëzve“.

Lajmërimi i lindjes së Jezusit

1:26 Në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret,

1:27 te një e virgjër, që ishte e fejuar me një njeri që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Maria.

1:28 Dhe engëlli hyri te ajo dhe tha: “Tungjatjeta, o hirplote, Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë“.

1:29 Por kur e pa atë, ajo mbeti e shqetësuar nga fjalët e tij, dhe pyeste vetveten çfarë kuptimi mund të kishte një përshëndetje e tillë.

1:30 Dhe engjëlli i tha: “Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë.

1:31 Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t`ia vesh emrin Jezus.

1:32 Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t`i japë fronin e Davidit, atit të tij;

1:33 dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur“.

1:34 Dhe Maria i tha engjëllit: “Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?“.

1:35 Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë.

1:36 Dhe ja, Elizabeta, e afërmja jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për të, që e quanin shterpë,

1:37 sepse me Perëndinë asgjë s`është e pamundshme“.

1:38 Atëherë Maria tha: “Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate“. Dhe engjëlli u largua prej saj.

Maria shkon për vizitë te Elizabeta

1:39 Dhe në ato ditë Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim në krahinën malore, në një qytet të Judesë,

1:40 dhe hyri në shtëpinë e Zakarias e përshëndeti Elizabetën.

1:41 Dhe ndodhi që, sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Maries, fëmija i kërceu në bark, dhe Elizabeta u mbush me Frymën e Shenjtë,

1:42 dhe thërriti me zë të lartë, duke thënë: “Ti je e bekuar ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd.

1:43 Dhe përse po më ndodh kjo, që nëna e Zotit tim të vijë tek unë?

1:44 Sepse, ja, sapo arriti në veshët e mi zëri i përshëndetjes sate, fëmija nga gëzimi kërceu në barkun tim.

1:45 Tani, e lumur është ajo që besoi, sepse gjërat që i janë thënë nga ana e Zotit do të realizohen!“.

Kënga e Maries

1:46 Dhe Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin,

1:47 dhe fryma im ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim,

1:48 sepse ai e shikoi me pëlqim ultësinë e shërbëtores së tij; sepse ja, tani e tutje të gjitha brezat do të më shpallin të lume,

1:49 sepse i Pushtetshmi më bëri gjëra të mëdha, dhe i Shenjtë është emri i tij!

1:50 Dhe mëshira e tij shtrihet nga brezi në brez për ata që e druajnë.

1:51 Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet; i shpërndau krenarët me mendimet e zemrave të tyre;

1:52 i përmbysi pushtetarët nga fronat e tyre dhe i ngriti të përulurit;

1:53 i mbushi me të mira të uriturit dhe i ktheu duarbosh të pasurit.

1:54 Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar për mëshirën e tij,

1:55 ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, për gjithmonë“.

1:56 Dhe Maria ndenji me Elizabetën gati tre muaj, pastaj u kthye në shtëpinë e vet.

Lindja e Gjon Pagëzorit

1:57 Dhe Elizabetës i erdhi koha që të lindë dhe të nxjerrë në dritë një djalë.

1:58 Fqinjët e saj dhe të afërmit, kur dëgjuan se Zoti kishte treguar mëshirë të madhe ndaj saj, u gëzuan me të.

1:59 Dhe ndodhi që të tetën ditë erdhën për ta rrethprerë djalin, dhe donin t`ia quanin Zakaria, me emrin e atit të tij;

1:60 por e ëma ndërhyri dhe tha: “Jo, por përkundrazi do të quhet Gjon“.

1:61 Dhe ata i thanë: “S`ka njeri në fisin tënd që të quhet me këtë emër“.

1:62 Kështu me shenja e pyetën të atin, si donte që t`i quhej.

1:63 Ai atëherë kërkoi një tabelë shkrimi dhe shkroi mbi të: “Emri i tij është Gjon“. Dhe të gjithë u mrrekulluan.

1:64 Në atë çast goja e tij u hap dhe gjuha e tij u zgjidh, dhe fliste duke bekuar Perëndinë.

1:65 Dhe të gjithë fqinjëve të tyre u hyri druajtja, dhe të gjitha këto gjëra u përhapën nëpër krejt krahinën malore të Judesë.

1:66 Të gjitha ata që i dëgjuan, i vunë në zemrën e tyre duke thënë: “Vallë kush do të jetë ky fëmijë?“. Dhe dora e Zotit ishte me të.

Kënga e Zakarias

1:67 Dhe Zakaria, ati i tij, u mbush me Frymën e Shenjtë dhe profetizoi, duke thënë:

1:68 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, sepse e ka vizituar dhe e kreu çlirimin e popullit të vet;

1:69 dhe na ngriti një shpëtim të pushtetshëm në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

1:70 ashtu si ai e kishte deklaruar nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë që nga kohët e lashta, që ne të shpëtojmë

1:71 prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na urrejnë,

1:72 për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t`u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë,

1:73 betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë,

1:74 për të na lejuar që, pasi të çlirohemi nga duart e armiqve tanë, të mund t`i shërbejmë pa frikë,

1:75 në shenjtëri e në drejtësi përpara atij, të gjitha ditët e jetës sonë.

1:76 Dhe ti, o fëmijë i vogël, do të quhesh profet nga Shumë i Larti, sepse ti do të shkosh përpara fytyrës së Zotit për të përgatitur udhët e tij,

1:77 për t`i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit, në faljen e mëkateve të tyre;

1:78 për hir të thellësisë së mëshirës së Perëndisë sonë, për të cilën agimi nga lart na ka vizituar,

1:79 për të ndriçuar ata që dergjeshin në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për të udhëhequr hapat tona në udhën e paqes“.

1:80 Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë: dhe qëndroi në shkretëtirë deri në atë ditë, kur ai duhej t`i zbulohej Izraelit.