Luka 17

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Skandalet. Falja, fuqia e besimit. Shërbëtorët e padobishëm

17:1 Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: “Éshtë e pamundur që të mos ndodhin skandale; por mjerë ai për faj të të cilit vijnë!

17:2 Për të do të ishte më mirë t`i varnin në qafë një gur mulliri dhe ta hidhnin në det, se sa të skandalizojë një të vetëm nga këta të vegjël.

17:3 Kini kujdes veten tuaj! Në se yt vëlla mëkaton kundër teje, qortoje; dhe në se pendohet, fale.

17:4 Edhe sikur të mëkatonte shtatë herë në ditë kundër teje, dhe shtatë herë në ditë do të kthehet te ti duke thënë: "Pendohem", fale“.

17:5 Atëherë apostujt i thanë Zotit: “Na e shto besimin“.

17:6 Dhe Zoti tha: “Po të kishit besim sa një kokërr sinapi, do të mund t`i thonit këtij mani: "Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det", dhe ai do t`ju bindej.

17:7 Tani cili nga ju, po të ketë një shërbëtor që i lëron tokën ose i kullot kopenë, do t`i thotë kur ai kthehet nga fusha në shtëpi: "Eja menjëherë në tryezë"?

17:8 A nuk do t`i thotë përkundrazi: "Ma bëj gati darkën, përvishu e më shërbe që unë të ha e të pi e pastaj të hash dhe të pish edhe ti"?

17:9 Do ta falënderojë ndoshta atë shërbëtor sepse i zbatoi ato që i ishin urdhëruar? Mendoj se jo.

17:10 Kështu edhe ju, kur të keni bërë të gjitha ato që ju urdhërohen, thoni: "Jemi shërbëtorë të padobishëm. Bëmë atë që kishim detyrë të bënim"“.

Shërimi i dhjetë lebrosëve

17:11 Dhe ndodhi që duke udhëtuar për në Jeruzalem, ai kaloi nëpër Samari dhe Galile.

17:12 Dhe, kur po hynte në një fshat, i dolën para dhjetë lebrozë, të cilët ndaluan larg,

17:13 dhe duke ngritur zërin, thanë: “Mjeshtër, Jezus, ki mëshirë për ne“.

17:14 Dhe ai, si i pa, u tha atyre: “Shkoni e paraqituni te priftërinjtë“. Dhe ndodhi që, ndërsa ata po shkonin, u pastruan.

17:15 Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë.

17:16 Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e Jezusit, duke e falënderuar. Ky ishte Samaritan.

17:17 Jezusi atëherë filloi të thotë: “A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët?

17:18 A nuk gjet asnjë që të kthehet për të dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?“.

17:19 Dhe i tha atij: “Çohu dhe shko; besimi yt të shëroi“.

Ardhja e papritur e mbretërisë së Perëndisë

17:20 Tani kur u pyet nga farisenjtë se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, ai u përgjigj atyre dhe tha: “Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme;

17:21 dhe as nuk do të mund të thuhet: "Ja, këtu", ose: "Ja, atje"; sepse ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush“.

17:22 Pastaj u tha dishepujve të vet: “Do të vijnë ditë kur ju do të dëshironi të shihni një nga ditët e Birit të njeriut, por nuk do ta shihni.

17:23 Dhe do t`ju thonë: "Ja, është këtu" ose: "Ja, është atje", por ju mos shkoni dhe mos i ndiqni.

17:24 Sepse ashtu si rrufeja, që vetëtin nga njëri skaj i qiellit te tjetri e ndriçon, kështu do të jetë edhe Biri i njeriut në ditën e tij.

17:25 Por më parë i duhet të vuajë shumë dhe të hidhet poshtë nga ky brez.

17:26 Dhe, ashtu siç ndodhi në kohën e Noes, ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut.

17:27 Njerëzit hanin, pinin, martonin dhe martoheshin, deri ditën kur Noeu hyri në arkë; dhe erdhi përmbytja dhe i zhduku të gjithë.

17:28 Po kështu ndodhi në kohën e Lotit: njerëzit hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin dhe ndërtonin;

17:29 por ditën kur Loti doli nga Sodoma, ra shi zjarri e squfuri nga qielli dhe i zhduku të gjithë.

17:30 Kështu do të jetë edhe atë ditë kur Biri i njeriut do të shfaqet.

17:31 Në atë ditë, ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë të mos zbresë në shtëpi për të marrë gjërat e tij; e po kështu ai që ndodhet në ara, të mos kthehet prapa.

17:32 Kujtoni gruan e Lotit.

17:33 Ai që do të kërkojë të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë, do ta shpëtojë.

17:34 Unë po ju them: atë natë dy veta do të jenë në një shtrat; njëri do të merret dhe tjetri do të lihet.

17:35 Dy gra do të bluajnë bashkë; njëra do të merret e tjetra do të lihet.

17:36 Dy burra do të jenë në ara: njëri do të merret e tjetri do të lihet“.

17:37 Atëherë dishepujt u përgjigjën dhe thanë: “Ku, o Zot?“ Dhe ai u tha atyre: “Ku të jetë trupi, atje do të mblidhen shqiponjat“.