Luka 23

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Jezusi përpara Pilatit dhe Herodit

23:1 Atëherë u ngrit gjithë asambleja dhe e çuan te Pilati.

23:2 Dhe filluan ta paditin duke thënë: “Këtë ne e gjetëm që përmbyste kombin tonë dhe ndalonte t`i jepeshin taksa Cezarit, duke u vetëquajtur një mbret, Krishti“.

23:3 Atëherë Pilati e pyeti duke thënë: “A je ti mbreti i Judenjve?“. Dhe Jezusi iu përgjigj dhe tha: “Ti po thua“.

23:4 Pilati u tha atëherë krerëve të priftërinjve dhe popullit: “Unë nuk po gjej asnjë faj te ky njeri“.

23:5 Por ata ngulnin këmbë, duke thënë: “Ai po ngre popullin në kryengritje duke mësuar në mbarë Judenë, që nga Galilea e deri këtu“.

23:6 Atëherë Pilati, kur dëgjoi se u fol për Galilenë, pyeti në se ai njeri ishte Galileas.

23:7 Dhe kur mori vesh se ai i takonte juridiksionit të Herodit, e dërgoi te Herodi, i cili, ndër ato ditë, ndodhej edhe ai në Jeruzalem.

23:8 Kur Herodi pa Jezusin, u gëzua shumë; prej shumë kohësh ai donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të dhe shpresonte të shihte ndonjë mrekulli të kryer prej tij.

23:9 Ai i drejtoi shumë pyetje, por Jezusi nuk u përgjigj fare.

23:10 Ndërkaq krerët e priftërinjve dhe skribët rrinin aty dhe e paditnin me furi.

23:11 Atëherë Herodi, me ushtarët e vet, mbasi e fyu dhe e talli, e veshi me një rrobe të shkëlqyeshme dhe ia riktheu Pilatit.

23:12 Atë ditë Herodi dhe Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, ndërsa më parë ishin armiq.

23:13 Atëherë Pilati, mblodhi krerët e priftërinjve, kryetarët dhe popullin,

23:14 dhe u tha atyre: “Ju më prutë këtë njeri si çoroditës të popullit; dhe ja, unë, pasi e hetova para jush, nuk kam gjetur tek ai asnjë nga fajet për të cilat ju e paditni,

23:15 dhe as Herodi, sepse na e ktheu përsëri te ne; në fakt ai s`ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen.

23:16 Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj“.

23:17 Tani me rastin e festës së Pashkës qeveritari duhet të lironte dikë.

23:18 Por ata, të gjithë njëzeri, bërtitën duke thënë: “Vraje këtë dhe na liro Barabën“.

23:19 Ky ishte hedhur në burg për një trazirë të bërë në qytet dhe për vrasje.

23:20 Prandaj Pilati, duke dashur të lëshojë Jezusin, u foli përsëri.

23:21 Por ata bërtitnin duke thënë: “Kryqëzoje!“.

23:22 Për të tretën herë ai u tha atyre: “Po ç`të keqe bëri ky? Unë nuk gjeta në të asnjë faj që të meritojë vdekjen. Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj“.

23:23 Por ata ngulnin këmbë me britma te mëdha duke kërkuar që ta kryqëzonin; dhe britmat e tyre dhe të krerëve të priftërinjve u bënë mbisunduese.

23:24 Atëherë Pilat vendosi që të bëhej çka ata kërkonin.

23:25 Dhe ua lëshoi atë që qe burgosur për trazirë dhe vrasje dhe që ata e kishin kërkuar; dhe Jezusin ia dorëzoi vullnetit të tyre.

Jezusi në udhën e Golgotës

23:26 Ndërsa po e çonin, kapën njëfarë Simoni nga Kirena, që po kthehej nga fusha, e ngarkuan me kryqin që ta mbarte pas Jezusit.

23:27 Dhe e ndiqte një turmë e madhe populli dhe disa gra që hidhëroheshin dhe vajtonin për të.

23:28 Por Jezusi u kthye nga ato dhe u tha: “O bija të Jeruzalemit, mos qani për mua, por qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj.

23:29 Sepse ja, do të vijnë ditët kur do të thuhet: "Lum gratë shterpe dhe lum barqet që nuk kanë pjellë dhe gjinjtë që nuk kanë mëndur!".

23:30 Atëherë do të fillojnë t`u thonë maleve: "Bini përmbi ne!", dhe kodrave: "Na mbuloni!".

23:31 Sepse, në se bëhet kështu me drurin e njomë, ç`do të bëhet me të thatin?".

23:32 Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t`i vrarë.

Kryqëzimi

23:33 Dhe kur arritën në vendin që quhet “Kafka“, aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë.

23:34 Dhe Jezusi tha: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç`bëjnë“. Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short.

23:35 Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: “Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë“.

23:36 Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull,

23:37 dhe duke thënë: “Nëse ti je mbreti i Judenjve, shpëto veten“.

23:38 Përveç kësaj përmbi kryet e tij ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: "KY ÉSHTÉ MBRETI I JUDENJVE".

23:39 Tani një nga keqberësit e kryqëzuar e shau duke thënë: “Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve“.

23:40 Por ai tjetri duke e përgjigjur e qortoi duke i thënë: “A s`ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim?

23:41 Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe“.

23:42 Pastaj i tha Jezusit: “Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde“.

23:43 Atëherë Jezusi i tha: “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë“.

23:44 Ishte afërsisht ora e gjashtë dhe errësira e mbuloi gjithë vendin deri në orën e nëntë.

23:45 Dielli u err dhe perdja e tempullit u nda në mes.

23:46 Dhe Jezusi bërtiti me zë të lartë dhe tha: “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!“. Dhe, si tha këto, dha fryma.

23:47 Atëherë centurioni, kur pa ç`ndodhi, përlëvdoi Perëndinë duke thënë: “Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë!“.

23:48 Dhe gjithë turma, që ishte mbledhur për të parë ç`po ndodhte, kur e pa këtë, u kthye duke rrahur kraharorin.

Varrimi

23:49 Të gjithë të njohurit e tij dhe gratë që e kishin ndjekur që nga Galilea qendronin larg, duke parë këto gjëra.

23:50 Tani ishte një burrë me emër Jozef, që ishte anëtar i sinedrit, njeri i drejtë dhe i mirë;

23:51 ai nuk kishte miratuar vendimin dhe veprimin e të tjerëve. Ai ishte nga Arimatea, qytet i Judesë dhe priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë.

23:52 Ai iu paraqit Pilatit dhe kërkoi trupin e Jezusit.

23:53 Dhe, pasi e zbriti poshtë nga kryqi, e mbështolli në një çarçaf dhe e vuri në një varr të gërmuar në shkëmb, ku ende nuk ishte varrosur asnjeri.

23:54 Ishte dita e Përgatitjes dhe e shtuna po fillonte.

23:55 Gratë që kishin ardhur me Jezusin nga Galilea duke e ndjekur nga afër, e panë varrin dhe mënyrën se si ishte vënë trupi i Jezusit;

23:56 pastaj ato u kthyen dhe përgatitën erëra të mira dhe vajra; dhe gjatë së shtunës pushuan, sipas urdhërimit.