Luka 14

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Shërimi i një njeriu që kishte hidropizi

14:1 Dhe ndodhi që një ditë të shtunë, kur ai hyri në shtëpinë e një kryetari të farisenjve për të ngrënë bukë, ata po e përgjonin;

14:2 dhe ja, para tij ishte një njeri hidropik.

14:3 Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur mësuesve të ligjit dhe farisenjve, tha: “A është e lejueshme të shërosh ditën e shtunë?“.

14:4 Por ata heshtën. Atëherë ai e mori për dore atë, e shëroi dhe e nisi të shkojë.

14:5 Pastaj, duke iu përgjigjur atyre, tha: “Cili nga ju, po t`i bjerë gomari i vet ose kau në një pus, nuk e nxjerr menjëherë jashtë ditën e shtunë?“.

14:6 Por ata nuk mund të përgjigjeshin asgje për këto gjëra.

Shëmbëlltyra e vendeve të para dhe e ftesave

14:7 Dhe, duke vënë re se ata zgjidhnin vendet e para në tryezë, Jezusi u thoshte atyre këtë shëmbëlltyrë duke thënë:

14:8 “Kur je ftuar në dasmë, mos u ul në krye të vendit, sepse ai njeri mund të ketë ftuar një tjetër që është më i rëndësishëm se ti,

14:9 dhe ai që të ftoi ty dhe atë të të mos vijë e të thotë: "Lëshoja vendin këtij". Dhe atëherë ti, plot turp, do të shkosh të zësh vendin e fundit.

14:10 Por, kur je ftuar, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka ftuar, të thotë: "O mik, ngjitu më lart". Atëherë do të jesh i nderuar përpara atyre që janë në tryezë bashkë me ty.

14:11 Sepse kushdo që e larton veten do të poshterohet, dhe kush e poshtëron veten do të lartohet“.

14:12 Ai i tha edhe atij që e kishte ftuar: “Kur shtron drekë a darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, se mos ata një herë të të ftojnë ty, dhe kështu ta kthejnë shpërblimin.

14:13 Por, kur të bësh një gosti, thirr lypësit, sakatët, të çalët, të verbërit;

14:14 dhe do të jesh i lum, sepse ata nuk kanë se si të ta kthejnë shpërblimin; por shpërblimi do të të jepet në ringjallje të të drejtëve“.

Shëmbëlltyra e gostisë së madhe

14:15 Dhe një nga të ftuarit, si i dëgjoi këto gjëra, i tha: “Lum kush do të hajë bukë në mbretërinë e Perëndisë“.

14:16 Atëherë Jezusi i tha: “Një njeri përgatiti një darkë të madhe dhe ftoi shumë veta;

14:17 dhe, në kohë të darkës, dërgoi shërbëtorin e vet t`u thotë të ftuarve: "Ejani, sepse gjithçka tashmë është gati".

14:18 Por të gjithë, pa përjashtim, filluan të kërkojnë ndjesë. I pari i tha: "Bleva një arë dhe më duhet të shkoj ta shoh; të lutem, të më falësh".

14:19 Dhe një tjetër tha: "Bleva pesë pendë qe dhe po shkoj t`i provoj; të lutem, të më falësh".

14:20 Dhe një tjetër akoma tha: "Mora grua e prandaj nuk mund të vij".

14:21 Kështu shërbëtori u kthye dhe ia dëftoi të gjitha zotit të vet. Atëherë i zoti i shtëpisë, plot zemërim, i tha shërbëtorit të vet: "Shpejt, shko nëpër sheshet dhe nëpër rrugët e qytetit e sill këtu lypës, sakatë, të çalë dhe të verbër".

14:22 Pastaj shërbëtori i tha: "Zot, u bë ashtu siç urdhërove ti, por ka vend edhe më".

14:23 Atëherë zoti i tha shërbëtorit: "Dil nëpër udhë dhe përgjatë gardheve dhe detyroji të hyjnë që të mbushet shtëpia ime.

14:24 Sepse unë po ju them se asnjë nga ata njerëz që ishin të ftuar, nuk do ta shijojë darkën time"“.

Dishepulli i vërtetë; largpamja

14:25 Dhe turma të mëdha shkonin me të. Ai u kthye nga ata dhe tha:

14:26 “Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im.

14:27 Dhe kush nuk e mbart kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk mund të jetë dishepulli im.

14:28 Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar?

14:29 Që atëherë, kur t`i ketë hedhur themelet e të mos mundë ta përfundojë, të gjithë ata që e shohin, të mos fillojnë e të tallen,

14:30 duke thënë: "Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta përfundojë".

14:31 Ose cili mbret, kur niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të gjykojë në se mund ta përballojë me dhjetë mijë atë që po i vjen kundër me njëzet mijë?

14:32 Në mos, ndërsa ai është ende larg, i dërgon një delegacion për të biseduar për paqe.

14:33 Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im.

14:34 Kripa është e mirë, por nëse kripa bëhët e amësht, me se do të mund t`i kthehet shija?

14:35 Ajo nuk vlen as për tokë, as për pleh, por hidhet tutje. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë“.