Luka 21

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Oferta e gruas së ve

21:1 Pastaj Jezusi i çoi sytë dhe pa pasanikët që qitnin dhuratat e tyre në arkën e thesarit,

21:2 dhe pa edhe një të ve të varfër që qiti dy pare të vogla

21:3 dhe tha: “Në të vërtetë po ju them se kjo e ve e varfër ka qitur më shumë se gjithë të tjerët.

21:4 Sepse të gjithë këta dhanë nga tepricat e pasurisë së tyre për shtëpinë e Perëndisë, kurse ajo, në varfërinë e vet, dha gjithçka që kishte për të jetuar“.

Predikimi profetik: Fillimi i dhembjeve të lindjes

21:5 Pastaj, kur disa po flisnin për tempullin dhe vinin në pah se ishte i stolisur me gurë të bukur dhe me oferta, ai tha:

21:6 “Nga të gjitha këto gjëra që ju admironi, do të vijnë ditët kur nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar“.

21:7 Atëherë ata e pyetën duke thënë: “Mësues, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja se këto janë duke u kryer?“.

21:8 Dhe ai tha: “Ruhuni se mos ju mashtrojnë, sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim duke thënë: "Unë jam", dhe: "Erdhi koha". Mos shkoni, pra, pas tyre.

21:9 Dhe kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për trazira, mos u trembni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin më parë, por mbarimi nuk do të vijë menjëherë“.

21:10 Atëherë u tha atyre: “Do të ngrihet kombi kundër kombit; dhe mbretëria kundër mbretërisë;

21:11 do të ngjajnë tërmete të mëdha, zi buke dhe murtaja në vende të ndryshme; do të ndodhin edhe dukuri të llahtarshme dhe shenja të mëdha nga qielli.

21:12 Por, para të gjitha këtyre gjërave, do të vënë dorë mbi ju dhe do t`ju përndjekin dhe do t`ju dorëzojnë në sinagoga e do t`ju futin në burg; dhe do t`ju nxjerrin përpara mbretërve dhe guvernatorëve për shkak të emrit tim,

21:13 por kjo do t`ju japë rastin që të dëshmoni.

21:14 Ta vini, pra, në zemrën tuaj që të mos mendoni më parë se si do përgjigjeni për t`u mbrojtur,

21:15 sepse unë do t`ju jap një gojë e një dituri të tillë të cilën të gjithë kundërshtarët tuaj nuk do të jenë në gjendje ta kundërshtojnë ose t`i rezistojnë.

21:16 Dhe ju madje do t`ju tradhtojnë edhe prindërit, dhe vëllezërit, dhe farefisi dhe miqtë; dhe disa prej jush do t`i vrasin.

21:17 Dhe të gjithë do t`ju urrejnë për shkak të emrit tim.

21:18 Por as edhe një fije floku e kokës suaj nuk do t`ju humbasë.

21:19 Me durimin tuaj ju do t`i fitoni shpirtrat tuaj“.

predikimi profetik(vazdhim): Mundimi i madh

21:20 “Dhe kur do të shikoni Jeruzalemin të rrethuar nga ushtritë, ta dini se shkretimi i saj është afër.

21:21 Atëherë ata që janë në Jude, të ikin në male; dhe ata që janë në qytet të largohen; dhe ata që janë në fushë të mos hyjnë në të.

21:22 Sepse ato janë ditë të hakmarrjes, që të përmbushen të gjitha ato gjëra që janë shkruar.

21:23 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëndin në ato ditë, sepse do të ketë mjerim të madh në vend dhe mëri mbi këtë popull.

21:24 Dhe ata do të bien nga tehu i shpatës, do t`i çojnë robër ndër të gjitha kombet, dhe Jeruzalemin do ta shkelin paganët, derisa të plotësohen kohët e paganëve“.

Predikimi profetik(vazhdim): Kthimi i Birit të njeriut

21:25 “Dhe do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje, dhe mbi tokë ankth popujsh, në përhumbjen prej gjëmës së detit dhe të valëve të tij;

21:26 njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja se çfare do ta pllakosë botën, sepse fuqitë qiellore do të lëkunden.

21:27 Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi një re, me fuqi dhe lavdi të madhe.

21:28 Dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër“.

21:29 Pastaj u tha atyre një shëmbëlltyrë: “Vini re fikun dhe të gjitha pemët.

21:30 Kur ata nisin e mugullojnë, duke i parë, ju vete e kuptoni se vera është afër;

21:31 kështu edhe ju, kur do të shikoni se po ndodhin këto, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër.

21:32 Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të kalojë ky brez, derisa të gjitha këto gjëra të kenë ndodhur.

21:33 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë“.

Predikimi profetik(fund): Gatishmëria

21:34 “Tani kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi.

21:35 Sepse do të vijë si një lak mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e mbarë dheut.

21:36 Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut“.

Besëlidhja e tradhtisë

21:37 Gjatë ditës ai mësonte në tempull, dhe natën dilte dhe e kalonte jashtë, në malin e Ullinjve.

21:38 Dhe gjithë populli, herët në mëngjes, erdhi tek ai në tempull për ta dëgjuar.