Luka 18

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Shëmbëlltyra e gjykatësit të padrejtë

18:1 Pastaj u tha atyre edhe një shëmbëlltyrë, për të treguar se duhet të lutemi vazhdimisht pa u lodhur,

18:2 duke thënë: “Në një qytet ishte një gjykatës që nuk kishte frikë nga Perëndia dhe nuk kishte respekt për njeri.

18:3 Tani po në atë qytet ishte një grua e ve që shkonte tek ai duke thënë: "Ma jep të drejtën para kundërshtarit tim".

18:4 Për një farë kohe ai nuk deshi ta bënte, por pastaj tha me vete: "Megjithse nuk kam frikë nga Perëndia dhe s`kam respekt për asnjeri,

18:5 duke qenë se kjo grua e ve po vazhdon të më mërzitë, do t`ia jap të drejtën, sepse, duke më ardhur vazhdimisht, do të më rraskapitë"“.

18:6 Dhe Zoti tha: “Dëgjoni ç`thotë gjykatësi i padrejtë.

18:7 Vallë Perëndia nuk do të marrë hak për të zgjedhurit e tij që i këlthasin atij ditë e natë? A do të vonojë, vallë, të ndërhyjë në favor të tyre?

18:8 Po, unë ju them se ai do t`ua marrë hakun së shpejti. Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?“.

Shëmbëlltyra e fariseut dhe tagrambledhësit

18:9 Ai tha edhe këtë shëmbëlltyre për disa që pretendonin se ishin të drejtë dhe i përbuznin të tjerët.

18:10 “Dy njerëz u ngjitën në tempull për t`u lutur; njëri ishte farise dhe tjetri tagrambledhës.

18:11 Fariseu rrinte në këmbë dhe lutej në vetvete kështu: "O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës, dhe as si ai tagrambledhës.

18:12 Unë agjëroj dy herë në javë dhe paguaj të dhjetën e gjithçkaje që kam".

18:13 Kurse tagrambledhësi rrinte larg dhe as që guxonte t`i çonte sytë drejt qiellit; por rrihte kraharorin e vet duke thënë: "O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit".

18:14 Dhe unë po ju them se ky, dhe jo tjetri, u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar; sepse kushdo që lartohet do të ulet, dhe kush ulet, do të lartohet“.

Jezusi bekon fëmijët

18:15 I prunë edhe disa fëmijë të vegjël që t`i prekte; por dishepujt, kur panë këtë, i qortuan.

18:16 Atëherë Jezusi i thirri fëmijët pranë vetes dhe tha: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë.

18:17 Në të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë atje“.

I riu pasanik

18:18 Një nga krerët e pyeti duke thënë: “Mësues i mirë, ç`duhet të bëj për të trashëguar jetën e përjetshme?“.

18:19 Dhe Jezusi i tha: “Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.

18:20 Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos thuaj dëshmi të rrem, ndero atin tënd dhe nënën tënde"“.

18:21 Dhe ai tha: “Të gjitha këto i kam zbatuar që nga rinia“.

18:22 Si e dëgjoi, Jezusi i tha: “Të mungon akoma një gjë: shit gjithçka që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq“.

18:23 Por ai, kur i dëgjoi këto gjëra, u trishtua shumë, sepse ishte shumë i pasur.

18:24 Atëherë Jezusi, kur pa se ai ishte trishtuar shumë, tha: “Sa është e vështirë për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!

18:25 Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë“.

18:26 Dhe ata që e dëgjonin thanë: “Po kush, pra, mund të shpëtohet?“.

18:27 Por ai tha: “Gjëra të pamundshme për njerëzit janë të mundshme për Perëndinë“.

18:28 Pastaj Pjetri tha: “Ja, ne kemi lënë çdo gjë dhe të kemi ndjekur“.

18:29 Dhe ai u tha atyre: “Në të vërtetë po ju them se nuk ka asnjë që të ketë lënë shtëpinë ose prindërit, ose vëllezërit, ose gruan ose fëmijët, për mbretërinë e Perëndisë,

18:30 që të mos marrë shumëfish në këtë kohë, dhe në kohën e ardhshme jetën e përjetshme“.

Jezusi paralajmëron mundimet e tij

18:31 Pastaj i mori me vete të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: “Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe të gjitha ato që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushen.

18:32 Ai, pra, do t`u dorëzohet paganëve, do të fyhet e do të poshtërohet dhe do ta pështyjnë.

18:33 Dhe, pasi ta fshikullojnë, do ta vrasin, por ai do të ringjallet të tretën ditë“.

18:34 Por ata nuk morën vesh asgjë nga të gjitha këto: këto fjalë për ta ishin fshehtësi dhe ata nuk kuptonin ato që u ishin thënë.

I verbri i Jerikos

18:35 Tani ndërsa ai po i afrohej Jerikos, një i verbër ishte ulur përgjatë rrugës dhe po lypte;

18:36 dhe kur dëgjoi se po kalonte turma, pyeti çfarë ishte;

18:37 iu përgjigjën se po kalonte Jezusi nga Nazareti.

18:38 Atëherë ai bërtiti duke thënë: “O Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua“.

18:39 Ata që ecnin përpara i bërtitën të heshtte, por ai bërtiste edhe më fort: “O Bir i Davidit: ki mëshirë për mua“.

18:40 Atëherë Jezusi ndaloi dhe urdheroi t`ia sillnin dhe, kur ai iu afrua, e pyeti

18:41 duke thëne: “Çfarë dëshiron të bëj për ty?“. Dhe ai tha: “Zot, të rimarr dritën e syve“.

18:42 Dhe Jezusi i tha: “Rimerr dritën e syve, Besimi yt të shëroi“.

18:43 Në çast rimori dritën e syve dhe e ndiqte duke përlëvduar Perëndinë; dhe gjithë populli, kur pa këtë, i dha lavdi Perëndisë.