BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Misioni i të dymbëdhjetëve
9:1 Pastaj, mbasi i thirri bashkë të dymbëdhjetë dishepujt e vet, u dha atyre pushtet dhe autoritet mbi të gjithë demonët dhe të shërojnë sëmundjet.
9:2 Dhe i nisi të predikojnë mbretërinë e Perëndisë dhe të shërojnë të sëmurët.
9:3 Dhe u tha atyre: “Mos merrni asgjë për rrugë: as shkop, as trastë, as bukë, as para dhe asnjë prej jush të mos ketë dy tunika me vete.
9:4 Në atë shtëpi ku të hyni, aty rrini deri sa të largoheni.
9:5 Nëse disa nuk ju pranojnë, duke dalë prej atij qyteti, shkundni edhe pluhurin nga këmbët tuaja, si dëshmi kundër tyre“.
9:6 Atëherë ata u nisën dhe përshkuan fshatrat duke përhapur ungjillin dhe duke shëruar kudo.
Herodi tetrark dhe Gjon Pagëzori
9:7 Herodi, tetrarku, kishte dëgjuar për të gjitha gjërat që kishte kryer Jezusi dhe ishte në mëdyshje, sepse disa thoshin se Gjoni ishte ringjallur së vdekuri,
9:8 të tjerë se ishte shfaqur Elia, e disa të tjerë se ishte ringjallur një nga profetët e lashtë.
9:9 Por Herodi tha: “Gjonit unë ia kam prerë kokën; kush do të jetë ky, për të cilin po dëgjoj të thuhen të tilla gjëra?“. Dhe kërkonte ta shihte.
Shumimi i parë i bukëve
9:10 Kur u kthyen apostujt, i treguan Jezusit të gjitha gjërat që kishin bërë. Atëherë ai i mori me vete dhe u tërhoq mënjanë, në një vend të shkretë të një qyteti, që quhej Betsaida.
9:11 Po, kur turmat e morën vesh, i ndiqnin; dhe ai i mirëpriti dhe u fliste për mbretërinë e Perëndisë, dhe shëronte ata që kishin nevojë për shërim.
9:12 Tani kur dita filloi të mbarojë, të dymbëdhjetët iu afruan dhe i thanë: “Nise turmën, që të shkojë nëpër fshatra e nëpër fushat përreth, që të gjejë strehë dhe ushqim, sepse këtu jemi në një vend të shkretë“.
9:13 Por ai u tha atyre: “U jepni ju të hanë“. Ata u përgjigjen: “Ne nuk kemi tjetër veç se pesë bukë e dy peshq; vetëm nëse shkojmë vetë të blejmë ushqim për gjithë këta njerëz“.
9:14 Ishin, pra, rreth pesë mijë burra. Por ai u tha dishepujve të vet: “I vini të ulen në grupe nga pesëdhjetë“.
9:15 Ata vepruan në këtë mënyrë dhe i ulën të gjithë.
9:16 Atëherë ai i mori të pesë bukët dhe të dy peshqit dhe, pasi i ngriti sytë drejt qiellit, i bekoi, i ndau dhe ua dha dishepujve të vet që t`ia shpërndajnë turmës.
9:17 Dhe të gjithë hëngrën e u ngopën; nga copat që tepruan mblodhën dymbëdhjetë shporta.
Rrëfimi i Pjetrit
9:18 Dhe ndodhi që, ndërsa Jezusi po lutej në vetmi, dishepujt ishin bashkë me të. Dhe ai i pyeti duke thënë: “Kush thonë turmat se jam unë?“.
9:19 Ata duke u përgjgjur thanë: “Disa thonë "Gjon Pagëzori", të tjerë "Elia" dhe të tjerë një nga profetët e lashtë që është ringjallur“.
9:20 Dhe ai u tha atyre: “Po ju, kush thoni se jam unë?“. Atëherë Pjetri duke u pergjigjur tha: “Krishti i Perëndisë“.
9:21 Atëherë ai i porositi rreptë dhe i urdhëroi të mos i tregojnë kurrkujt,
9:22 duke thënë: “Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, ta përbuzin pleqtë, krerët e priftërinjve dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ringjallet“.
Mbi marrjen e kryqit të vet
9:23 Pastaj u tha të gjithëve: “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë.
9:24 Sepse kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë.
9:25 E pra, ç`dobi ka njeriu po të fitojë tërë botën, dhe pastaj të shkatërrojë veten dhe të shkojë në humbje?
9:26 Sepse, nëse dikujt i vjen turp për mua dhe për fjalët e mia, edhe Birit të njeriut do t`i vijë turp për të, kur të vijë në lavdinë e vet dhe të Atit e të engjëjve të shenjtë.
9:27 Në të vërtetë po ju them se këtu janë të pranishëm disa që nuk do ta shjojnë vdekjen, para se ta shohin mbretërinë e Perëndisë“.
Shpërfytyrimi
9:28 Dhe ndodhi që afërsisht tetë ditë pas këtyre thënieve, Ai mori me vete Pjetrin, Gjonin Jakobin dhe u ngjit në mal për t`u lutur.
9:29 Dhe ndërsa po lutej, pamja e fytyrës së tij ndryshoi dhe veshja e tij u bë e bardhë dhe e ndritshme.
9:30 Dhe ja, dy burra po bisedonin me të; ata ishin Moisiu dhe Elia,
9:31 të cilët, të shfaqur në lavdi, i flisnin për ikjen e tij nga kjo jetë që do të kryhej së shpejti në Jeruzalem.
9:32 Pjetri dhe shokët e tij ishin të këputur nga gjumi; po kur u zgjuan plotësisht, panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që ishin bashkë me të.
9:33 Dhe, ndërsa këta po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit: “Mësues, për ne është mirë të rrijmë këtu; le të bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian“; por ai nuk dinte ç`thoshte.
9:34 Dhe ndërsa ai po fliste kështu, erdhi një re që i mbuloi në hijen e vet; dhe dishepujt i zuri frika, kur hynë në re.
9:35 Dhe një zë dilte nga reja duke thënë: “Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni“.
9:36 Dhe ndërsa fliste ky zë, Jezusi u gjet krejt vetëm. Ata heshtën dhe në ato ditë nuk i treguan kurrkujt asgjë nga ç`kishin parë.
Shërimi i një fëmije epileptike
9:37 Të nesërmen, kur ata zbritën nga mali, ndodhi që një turmë e madhe i doli përpara Jezusit.
9:38 Dhe ja, një burrë nga turma filloi të bërtasë, duke thënë: “Mësues, të lutem, ktheje vështrimin mbi djalin tim, sepse është i vetmi që kam.
9:39 Dhe ja, një frymë e kap dhe menjëherë ai bërtet; pastaj e përpëlit dhe e bën të nxjerrë shkumë dhe mezi largohet, pasi e ka sfilitur.
9:40 U jam lutur dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata nuk kanë mundur“.
9:41 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: “O brez mosbesues dhe i çoroditur, deri kur do të jem me ju dhe deri kur do t`ju duroj? Sille këtu djalin tënd“.
9:42 Dhe, ndërsa fëmija po afrohej, demoni e përpëliti atë dhe e sfiliti. Por Jezusi e qortoi frymën e ndyrë, e shëroi djalin dhe ia dorëzoi atit të vet.
9:43 Të gjithë mbetën të mahnitur nga madhëria e Perëndisë. Dhe, ndërsa të gjithë po mrekulloheshin për gjithçka bënte Jezusi, ai u tha dishepujve të vet:
9:44 “I shtini mirë në vesh këto fjalë, sepse Biri i njeriut do të bjerë në duart e njerëzve“.
9:45 Por ata nuk i kuptuan këto fjalë; ato ishin të fshehta dhe për këtë shkak ata nuk i kuptonin dot, dhe druanin ta pyesnin për ato që kishte thënë.
Më i madhi në mbretërinë e qiejve
9:46 Pastaj midis tyre filloi një grindje: cili prej tyre do të ishte më i madhi.
9:47 Atëherë Jezusi, duke ditur ç`mendime kishin në zemrat e tyre, mori një fëmijë të vogël dhe e afroi pranë vetes,
9:48 dhe u tha atyre: “Ai që e pranon këtë fëmijë të vogël në emrin tim, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më dërgoi mua, sepse ai që është më i vogli nga ju të gjithë, ai do të jetë i madh“.
Kush nuk është kundër nesh, është me ne
9:49 Atëherë Gjoni e mori fjalën dhe tha: “Mësues, ne pamë një që i dëbonte demonët në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse ai nuk të ndjek bashkë me ne“.
9:50 Por Jezusi i tha: “Mos ia ndaloni, sepse kush nuk është kundër nesh është me ne“.
Samaritanët nuk e pranojnë Jezusin
9:51 Ndodhi që kur po plotësohej koha që Jezusi duhet të ngrihej në qiell, ai vendosi prerazi të shkojë në Jeruzalem,
9:52 dhe dërgoi përpara lajmëtarët. Këta, si u nisën, hynë në një fshat të Samaritanëve, për t`i përgatitur ardhjen.
9:53 Por ata të fshatit nuk deshën ta pranonin, sepse ai ecte me fytyrë të drejtuar nga Jeruzalemi.
9:54 Kur e panë këtë gjë, dishepujt e vet Jakobi dhe Gjoni thanë: “Zot, a do ti që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t`i përvëlojë, ashtu si bëri edhe Elia?“.
9:55 Por ai u kthye nga ata dhe i qortoi duke thënë: “Ju nuk e dini nga cili frymë jeni;
9:56 sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të shkatërruar shpirtërat e njerëzve, po për t`i shpëtuar“. Pastaj shkuan në një fshat tjetër.
Të shkuarit pas Jezusit
9:57 Ndodhi që, ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: “Zot, unë do të të ndjek kudo të shkosh“.
9:58 Por Jezusi i tha: “Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit fole; kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën“.
9:59 Pastaj i tha një tjetri: “Ndiqmë!“. Por ai përgjigjej: “Zot, më lejo më parë të shkoj e të varros atin tim“.
9:60 Jezusi i tha: “Lëri të vdekurit t`i varrosin të vdekurit e vet; por ti shko dhe prediko mbretërinë e Perëndisë“.
9:61 Akoma një tjetër i tha: “Zot, unë do të të ndjek ty, por më lejo më parë të ndahem me ata të familjes sime“.
9:62 Jezusi i tha: “Asnjëri që ka vënë dorë në parmendë dhe kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë“.