BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Lutja shembullore
11:1 Dhe ndodhi që ai ndodhej në një vend dhe lutej dhe, si mbaroi, një nga dishepujt e tij i tha: “Zot, na mëso të lutemi, ashtu siç i mësoi Gjoni dishepujt e vet“.
11:2 Dhe ai u tha: “Kur të luteni, thoni: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt si në qiell edhe në tokë.
11:3 Na jep çdo ditë bukën tonë të nevojshme.
11:4 Dhe na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë; dhe mos lejo të biem në tundim, por na shpëto nga i ligu"“.
Shëmbëlltyra e mikut të bezdisshëm
11:5 Pastaj u tha atyre: “A ka midis jush njeri që ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: "Mik, më jep hua tri bukë,
11:6 sepse më erdhi nga udha një miku im dhe unë s`kam çfarë t`i vë përpara";
11:7 dhe ai, nga brenda, duke u përgjigjur, i tha: "Mos më bezdis, dera është tashmë e mbyllur dhe fëmijët e mi ranë në shtrat me mua; nuk mund të çohem e të t`i jap"?
11:8 Unë po ju them se, edhe nëse nuk çohet t`ia japë sepse e ka mik, do të çohet gjithsesi për shkak të insistimit të tij dhe do t`i japë të gjitha bukët që i nevojiten.
11:9 Prandaj po ju them: Lypni dhe do t`ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t`ju hapet.
11:10 Sepse kushdo që lyp, merr, kush kërkon, gjen dhe do t`i hapet atij që troket.
11:11 Dhe cili nga ju është baba i tillë që, po t`i kërkojë bukë djali, i jep një gur? Ose po t`i kërkojë një peshk, në vend të peshkut i jep një gjarpër?
11:12 Ose, po t`i kërkojë një vezë, i jep një akrep?
11:13 Nëse ju, pra, që jeni të këqij, dini t`u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj qiellor do t`u dhurojë Frymën e Shenjtë atyre që ia kërkojnë“.
Blasfemia e farisenjve
11:14 Dhe Jezusi po dëbonte një demon që ishte memec; dhe ndodhi që, kur demoni doli, memeci foli dhe turmat u mrekulluan.
11:15 Por disa nga ata thanë: “Ai i dëbon demonët nëpërmjet Beelzebubit, princit të demonëve“.
11:16 Kurse disa nga ata, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë nga qielli.
11:17 Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha atyre: “Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete shkatërrohet, dhe çdo shtëpi e përçarë në vetvete rrëzohet.
11:18 Po të jetë, pra, edhe Satanai i përçarë në vetvete, si do të mund të qëndrojë mbretëria e tij? Sepse ju thoni se unë i dëboj demonët nëpërmjet Beelzebubit.
11:19 Por, nëse unë i dëbokam demonët nëpërmjet Beelzebubit, nëpërmjet kujt i dëbojnë ata bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.
11:20 Por në se unë i dëboj demonët me gishtin e Perëndisë, mbretëria e Perëndisë, pra ka arritur deri te ju.
11:21 Kur burri i fortë, i armatosur mirë, e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është në paqe.
11:22 Por në qoftë se vjen një më i fortë se ai dhe e mund atë, ia merr armët në të cilat kishte shpresë dhe i ndan plaçkat e tij.
11:23 Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan.
11:24 Kur fryma e ndyrë del nga një njeri, endet në vende të shkreta, duke kërkuar pushim, dhe duke mos e gjetur dot, thotë: "Do të kthehem në shtëpinë time nga dola".
11:25 Dhe, kur kthehet, e gjen të fshirë e të zbukuruar,
11:26 atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjerë më të këqij se ai, dha ata hyjnë aty dhe banojnë aty; dhe gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e para“.
11:27 Ndodhi që, ndërsa ai po thoshte këto gjëra, një grua nga turma e çoi zërin e saj dhe i tha: “Lum barku që të barti dhe gjinjtë që të mëndën“.
11:28 Por ai u tha: “Me tepër lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë“.
Shënja e Jonas
11:29 Duke qenë se turmat po i shtyheshin përreth, ai filloi të thotë: “Ky brez është i lig; ai kërkon nje shenjë, por asnjë shenjë nuk do t`i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.
11:30 Sepse, ashtu si Jona qe një shenjë për Ninivasit, kështu edhe Biri i njeriut do të jetë një shenjë për këtë brez.
11:31 Mbretëresha e Mesditës do të ngrihet ditën e gjyqit me njerëzit e këtij brezi dhe do t`i dënojë, sepse ajo po vjen nga skaji i dheut për të dëgjuar urtësinë e Salomonit; dhe ja, këtu është dikush më i madh se Salomoni.
11:32 Ninivasit, ditën e gjyqit, do të ringjallen me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan për predikimin e Jonas; dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jona“.
Llamba e trupit
11:33 Asnjëri, kur ndez një llambë, nuk e vë në një vend të fshehtë ose nën babunë, po përmbi dritëmbajtësen, që të shohin dritë ata që hyjnë.
11:34 Llamba e trupit është syri; në se syri yt është i shëndoshë, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar; por në se syri yt është i sëmurë, edhe gjithë trupi yt do të jetë plot me errësirë.
11:35 Prandaj trego kujdes që drita që është në ty të mos jetë terr.
11:36 Në se gjithë trupi yt është i ndriçuar, pa asnjë pjesë të errët, gjithçka do të jetë e ndriçuar, sikurse ndodh kur llamba të ndriçon me shkëlqimin e saj“.
Jezusi qorton farisenjtë dhe skribët
11:37 Por ndërsa Jezusi po fliste, një farise e ftoi për drekë në shtëpinë e vet. Dhe ai hyri dhe u vendos në tryezë.
11:38 Fariseu e vuri re këtë dhe u mrekullua që Jezusit nuk lau para buke.
11:39 Dhe Zoti i tha: “Tani ju farisenjtë pastroni të jashtmen e kupës dhe të pjatës, ndërsa brendinë tuaj e keni plot me grabitje dhe ligësi.
11:40 Të pamend! Ai që bëri anën e jashtme, vallë nuk bëri edhe të brendshmen?
11:41 Por jepni si lëmoshë atë që është përbrenda, dhe çdo gjë do të jetë e pastër për ju.
11:42 Por mjerë ju, o farisenj! Sepse ju paguani të dhjetën e ryzës, të mendrës dhe të çdo barishteje, dhe pastaj lini pas dore drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë. Këto gjëra duhet t`i bënit, pa i lënë pas dore të tjerat.
11:43 Mjerë ju, o farisenj! Sepse ju e doni vendin e parë ndër sinagoga dhe përshëndetjet nëpër sheshe.
11:44 Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse jeni si varret që nuk shihen dhe njërëzit ecin sipër tyre, pa e ditur“.
11:45 Atëherë, duke u përgjigjur, një nga mësuesit e ligjit, i tha: “Mësues, duke folur kështu, ti po na fyen edhe ne“.
11:46 Dhe ai thoshte: “Mjerë edhe ju, o mësues të ligjit! Sepse i ngarkoni njerëzit me barrë që me vështirësi baren, dhe ju nuk i prekni ato barrë as edhe me një gisht.
11:47 Mjerë ju! Sepse ju ndërtuat varret e profetëve dhe etërit tuaj i patën vrarë ata.
11:48 Duke vepruar në këtë mënyrë, ju dëshmoni se i miratoni veprat e etërve tuaj; në fakt ata vranë profetët dhe ju ndërtoni varret e tyre.
11:49 Për këtë arsye edhe urtësia e Perëndisë tha: "Unë do t`u dërgoj profetë dhe apostuj, dhe ata do të vrasin disa prej tyre kurse të tjerët do t`i përndjekin",
11:50 me qëllim që këtij brezi t`i kërkohet llogari për gjakun e të gjithë profetëve, i cili u derdh që nga krijimi i botës:
11:51 nga gjaku i Abelit deri te gjaku i Zakarias, që u vra ndërmjet altarit dhe tempullit; po, unë po ju them, se këtij brezi do t`i kërkohet llogari.
11:52 Mjerë ju, o mësues të ligjit! Sepse ju e morët çelësin e dijes; ju vetë nuk hytë dhe penguat hyrjen e atyre që po hynin“.
11:53 Po ndërsa ai u fliste atyre këto gjëra, skribët dhe farisenjtë filluan të zemërohen shumë kundër tij dhe ta sulmojnë atë me shumë pyetje,
11:54 për t`i ngritur kurthe, për ta zënë në gabim e për të mundur ta akuzojnë për ndonjë fjalë të tij.