Luka 2

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Lindja e Jezu Krishtit

2:1 Tani, në atë ditë u shpall një dekret nga ana e Cezar Augustit, për të kryer regjistrimin e popullsisë të gjithë perandorisë.

2:2 Ky regjistrim qe i pari që u krye kur Kuirini ishte guvernatori i Sirisë.

2:3 Dhe të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet.

2:4 Tani edhe Jozefi doli nga qyteti i Nazaretit të Galilesë, për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Bethlehem, sepse ai ishte i shtëpisë dhe i familjes së Davidit,

2:5 për t`u regjistruar bashkë me Marinë, gruan e vet, me të cilën ishte martuar dhe që ishte shtatzënë.

2:6 Kështu, ndërsa ishin atje, asaj i erdhi koha të lindë.

2:7 Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta.

Barinjtë e Bethlehemit

2:8 Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre.

2:9 Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe.

2:10 Por engjëlli u tha atyre: “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin;

2:11 sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.

2:12 Dhe kjo do t`ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd“.

2:13 Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë:

2:14 “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!“.

2:15 Dhe ndodhi që, kur engjëjt u larguan prej tyre për t`u kthyer në qiell, barinjtë i thanë njeri tjetrit: “Le të shkojmë deri në Bethlehem për të parë ç`ka ndodhur dhe ç`na bëri të ditur Zoti“.

2:16 Shkuan, pra, me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin dhe fëmijën që ndodhej në një grazhd.

2:17 Mbasi e panë, përhapën ato që u ishte thënë për atë fëmijë.

2:18 Dhe të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga gjërat që u treguan barinjtë.

2:19 Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i medituar në zemrën e saj.

2:20 Dhe barinjtë u kthyen, duke përlëvduar dhe lavdëruar Perëndinë për të gjitha gjërat që kishin dëgjuar dhe parë, ashtu si u ishte thënë atyre.

Rrethprerja dhe paraqitja e Jezusit

2:21 Dhe kur kaluan të tetë ditët, pas të cilave ai duhej rrethprerë, ia vunë emrin Jezus, emër të dhënë nga engjëlli para se ai të ngjizej në bark.

2:22 Kur pastaj ishin plotësuar ditët e pastrimit të saj sipas ligjit të Moisiut, e çuan fëmijën në Jeruzalem për t`ia paraqitur Zotit,

2:23 ashtu siç është shkruar në ligjin e Zotit: “Çdo mashkull i parëlindur do të jetë thirrur shenjt për Zotin“,

2:24 dhe për të ofruar flijim, siç është thënë në ligjin e Zotit, një çift turtujsh ose dy pëllumbash të rinj.

Simeoni dhe Ana

2:25 Dhe ja, në Jeruzalem ishte një njeri që quhej Simeon; Ky njeri ishte i drejtë dhe i përshpirtshëm dhe priste ngushëllimin e Izraelit; dhe Fryma e Shenjtë ishte mbi të.

2:26 Dhe në mënyrë hyjnore atij i qe zbuluar nga Fryma e Shenjtë se nuk do të vdiste para se të kishte parë Krishtin e Zotit.

2:27 Ai pra, i shtyrë nga Fryma, erdhi në tempull; dhe, si prindërit i prunë fëmijën Jezus për të bërë me të ato që përshkruan ligji,

2:28 ai e mori në krah e bekoi Perëndinë duke thënë:

2:29 “Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate,

2:30 sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd

2:31 që ti e përgatite përpara gjithë popujve:

2:32 dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit tënd, Izraelit“.

2:33 Dhe Jozefi e nëna e fëmijës mrrekulloheshin për gjërat që thuheshin për të.

2:34 Pastaj Simeoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: “Ja, ky është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe për të qenë shenjë kundërshtimesh,

2:35 edhe ty vetë një shpatë do të ta tejshpojë shpirtin, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave“.

2:36 Aty ishte edhe Ana, një profeteshë, bija e Fanuelit, nga fisit i Aserit, e cila ishte shumë e kaluar në moshë, që kishte jetuar mbas virgjërisë së saj shtatë vjet me burrin.

2:37 Ajo ishte e ve dhe, megjithse ishte tetëdhjetë e katër vjeçe, nuk largohej kurrë nga tempulli duke i shërbyer Perëndisë natë e ditë me agjërime dhe lutje.

2:38 Edhe ajo erdhi në atë moment, lavdëroi Zotin dhe u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre që prisnin çlirimin në Jeruzalem.

Jezusi fëmijë në mes të dijetarëve

2:39 Dhe mbasi i kryen të gjitha ato që i takonin sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre, Nazaret.

2:40 Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë, duke qenë plot dituri; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të.

2:41 Tani prindërit e tij shkonin çdo vit në Jeruzalem për festën e Pashkës.

2:42 Dhe, kur ai i mbushi dymbëdhjetë vjeç, ata u ngjitën në Jeruzalem, sipas zakonit të festës.

2:43 Dhe si u përmbushën ato ditë, kur ata u kthyen, fëmija Jezus ndënji në Jeruzalem; por Jozefi dhe e ëma e tij nuk e dinin.

2:44 Duke menduar se ai ishte në shoqëri, ata bënë një ditë rrugë, pastaj filluan ta kërkojnë midis farefisit dhe të njohurve;

2:45 dhe, duke qenë se nuk e gjetën, u kthyen në Jeruzalem për ta kërkuar.

2:46 Dhe ndodhi që, pas tri ditësh, e gjetën në tempull, të ulur në mes të dijetarëve, duke i dëgjuar dhe duke u bërë atyre pyetje.

2:47 Dhe të gjithë ata që e dëgjonin, habiteshin nga zgjuarësia e tij dhe nga përgjigjet e tij.

2:48 Dhe, kur ata e panë, mbetën të habitur, dhe e ëma i tha: “Bir, pse na e bëre këtë? Ja, yt atë dhe unë, në ankth, po të kërkonim!“.

2:49 Por ai u tha atyre: “Përse më kërkonit? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?“.

2:50 Por ata nuk i kuptuan fjalët që ai u tha atyre.

2:51 Dhe ai zbriti bashkë me ta, u kthye në Nazaret dhe i bindej atyre. E ëma i ruante të gjitha këto fjalë në zemrën e saj.

2:52 Dhe Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve.