Luka 16

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Shëmbëlltyra e administratorit të pabesë

16:1 Tani ai u foli akoma dishepujve të vet: “Ishte një njeri i pasur që kishte një administrator; këtë e paditën se po ia shkapërderdhte pasurinë e tij.

16:2 Atëherë ai e thirri dhe i tha: "Ç`është kjo që po dëgjoj për ty? Më jep llogari për ato që ke administruar, sepse ti nuk mund të jesh më administratori im".

16:3 Dhe administratori tha me vete: "Ç`do të bëj unë tani, që zotëria im po ma heq administrimin? Të gërmoj, s`e bëj dot, dhe të lyp, më vjen turp.

16:4 E di ç`do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e tyre kur të hiqem nga administrimi".

16:5 I thirri atëherë një nga një ata që i detyroheshin zotërisë së tij dhe i tha të parit: "Sa i detyrohesh zotërisë tim?".

16:6 Ai u përgjigj: "Njëqind bato vaj". Atëherë ai i tha: "Merre dëftesën tënde, ulu dhe shkruaj shpejt pesëdhjetë".

16:7 Pastaj i tha një tjetri: "Po ti sa i detyrohesh?". Ai u përgjigj: "Njëqind kora grurë". Atëherë ai i tha: "Merre dëftesën tënde dhe shkruaj tetëdhjetë".

16:8 Zotëria e lavdëroi administratorin e pandershëm, se kishte vepruar me mençuri, sepse bijtë e kësaj bote, në brezin e tyre, janë më të mençur se bijtë e dritës.

16:9 Unë, pra, po ju them: Bëjini miqtë me pasuri të padrejta sepse, kur këto do t`ju mungojnë, t`ju pranojnë në banesat e përjetshme.

16:10 Kush është besnik në të vogla, është besnik edhe në të mëdhatë; dhe kush është i padrejtë në të vogla, është i padrejtë edhe në të mëdhatë.

16:11 Pra, në qoftë se ju nuk keni qenë besnikë në pasuritë e padrejta, kush do t`ju besojë pasuritë e vërteta?

16:12 Dhe, në qoftë se nuk keni qenë besnikë në pasurinë e tjetrit, kush do t`ju japë tuajën?

16:13 Asnjë shërbëtor nuk mund t`u shërbejë dy zotërinjve; sepse ose do ta urrejë njerin e tjetrin do ta dojë, ose do të lidhet me njerin dhe tjetrin do ta përbuzë; ju nuk mund t`i shërbeni Perëndisë dhe mamonit“.

Autoriteti i ligjit

16:14 Dhe farisenjtë, të cilët ishin shumë të dhënë pas parasë, i dëgjonin të gjitha këto dhe e tallnin.

16:15 Dhe ai u tha atyre: “Ju jeni ata që e justifikoni veten përpara njerëzve, por Perëndia i njeh zemrat tuaja; sepse ajo që vlerësohet shumë ndër njerëzit është gjë e neveritshme para Perëndisë.

16:16 Ligji dhe profetët arrijnë deri në kohën e Gjonit; që atëherë shpallet mbretëria e Perëndisë dhe gjithkush përpiqet të hyjë aty.

16:17 Por është më lehtë që të mbarojnë qielli dhe toka, se sa të bjerë poshtë qoftë edhe një pikë nga ligji.

16:18 Ai që lëshon gruan e vet dhe merr një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me një grua të lëshuar nga i burri, shkel kurorën“.

Pasaniku dhe lypësi Llazar

16:19 Por atje ishte një njeri i pasur, që vishej me të purpurta dhe me rroba të çmueshme prej liri dhe për ditë e kalonte shkëlqyeshëm.

16:20 Atje ishte edhe një lypës, i quajtur Llazar, që rrinte para derës së tij, dhe trupin e kishte plot me plagë të pezmatuara,

16:21 dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut; madje edhe qentë vinin e ia lëpinin plagët.

16:22 Por ndodhi që lypësi vdiq dhe engjëjt e çuan në gji të Abrahamit; vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.

16:23 Dhe, duke pasur mundime në ferr, i çoi sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij.

16:24 Atëherë ai bërtiti dhe tha: "O atë Abraham, ki mëshirë për mua, dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë.

16:25 Por Abrahami thoshte: "O bir, kujto se ti i ke marrë të mirat e tua gjatë jetës sate, kurse Llazari të këqijat; tashti, përkundrazi, ai po përdëllehet dhe ti vuan.

16:26 Dhe, veç të gjithave, midis nesh dhe jush është një humnerë e madhe, kështu që ata që do të donin të kalonin që këtej tek ju nuk munden; po ashtu askush nuk mund të kalojë që andej te ne".

16:27 Por ai i tha: "Atëherë, o atë, të lutem ta dërgosh atë te shtëpia e tim eti,

16:28 sepse unë kam pesë vëllezër e le t`i paralajmërojë rreptësisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh".

16:29 Abrahami u përgjigj: "Kanë Moisiun dhe profetët, le t`i dëgjojnë ata".

16:30 Ai tha: "Jo, o atë Abraham, por nëse dikush nga të vdekurit do të shkojë tek ata, do të pendohen".

16:31 Atëherë ai i tha: "Nëse ata nuk e dëgjojnë Moisiun dhe profetët, nuk do të binden edhe në se dikush ringjallet prej të vdekurish"“.