Luka 20

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Pagëzimi i Gjonit

20:1 Dhe në një nga ato ditë ndodhi që, ndërsa ai po mësonte popullin në tempull dhe predikonte ungjillin, erdhën krerët e priftërinjve dhe skribët bashkë me pleqtë,

20:2 dhe i thanë: “Na trego me ç`autoritet i bën këto gjëra; ose kush është ai që ta dha ty këtë pushtet?“.

20:3 Dhe ai duke u përgjigjur, u tha atyre: “Edhe unë do t`ju pyes një gjë dhe ju m`u përgjigjni:

20:4 Pagëzimi i Gjonit vinte nga qielli apo nga njerëzit?“.

20:5 Dhe ata arsyetonin në mes tyre duke thënë: “Po të themi prej qiellit, ai do të na thotë: "Atëherë përse nuk i besuat?".

20:6 Kurse po t`i themi prej njerëzve, gjithë populli do të na vrasë me gurë, sepse ai është i bindur se Gjoni ishte një profet“.

20:7 Prandaj u përgjigjen se nuk dinin nga vinte.

20:8 Atëherë Jezusi u tha atyre: “As unë nuk po ju them me ç`pushtet i bëj këto gjëra“.

Shëmbëlltyra e vreshtarëve të këqij

20:9 Pastaj filloi t`i tregojë popullit këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri mbolli një vresht, ua besoi disa vreshtarëve dhe iku larg për një kohë të gjatë.

20:10 Në kohën e të vjelave, dërgoi një shërbëtor tek ata vreshtarë që t`i jepnin pjesën e vet nga prodhimi i vreshtit; por vreshtarët e rrahën atë dhe e kthyen duarbosh.

20:11 Ai dërgoi përsëri një shërbëtor tjetër; por ata, pasi e rrahën dhe e shanë edhe atë, e kthyen duarbosh.

20:12 Ai dërgoi edhe një të tretë, por ata e plagosën edhe atë dhe e përzunë.

20:13 Atëherë i zoti i vreshtit tha: "Çfarë duhet të bëj? Do të dërgoj djalin tim të dashur. Ndoshta, duke e parë atë, do ta respektojnë!".

20:14 Por vreshtarët, kur e panë, thanë midis tyre: "Ky është trashëgimtari; ejani e ta vrasim që trashëgimia të na mbetet neve".

20:15 Kështu e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. Ç`do t`u bëjë, pra, këtyre, i zoti i vreshtit?

20:16 Ai do të vijë, do t`i vrasë ata vreshtarë dhe do t`ua japë vreshtin të tjerëve“. Por ata, kur e dëgjuan këtë, thanë: “Kështu mos qoftë“.

20:17 Atëherë Jezusi, duke i shikuar në fytyrë, tha: “Ç`është, pra, ajo që është shkruar: "Guri që ndërtuesit e kanë hedhur poshtë u bë guri i qoshes"?

20:18 Kushdo që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copë-copë, dhe ai mbi të cilin do të bjerë guri, do të dërrmohet“.

Çështja e taksës

20:19 Në këtë moment, krerët e priftërinjve dhe skribët kërkuan të vënë dorë në të, sepse e morën vesh se ai e kishte treguar atë shëmbëlltyrë për ata, por kishin frikë nga populli.

20:20 Ata e përgjonin me kujdes dhe i dërguan disa spiunë të cilët, duke u paraqitur si njerëz të drejtë, ta zinin në gabim në ndonjë ligjëratë dhe pastaj t`ia dorëzonin pushtetit dhe autoritetit të guvernatorit.

20:21 Këta e pyetën duke thënë: “Mësues ne e dimë se ti flet dhe mëson drejt dhe që nuk je aspak i anshëm, por mëson rrugën e Perëndisë në të vërtetë.

20:22 A është e lejueshme për ne t`i paguajmë taksë Cezarit apo jo?“.

20:23 Por ai, duke e kuptuar ligësinë e tyre, u tha atyre: “Përse më provokoni?

20:24 Më tregoni një denar: e kujt është fytyra dhe mbishkrimi që ka?“. Dhe ata, duke përgjigjur, thanë: “E Cezarit“.

20:25 Atëherë ai u tha atyre: “I jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë“.

20:26 Dhe nuk mundën ta zënë në gabim në ligjëratën e tij përpara popullit dhe, të habitur nga përgjigjja e tij, heshtën.

Saducenjtë dhe ringjallja

20:27 Pastaj iu afruan disa saducej, të cilët mohojnë se ka ringjallje, dhe e pyetën,

20:28 duke thënë: “Mësues, Moisiu na la të shkruar që, nëse vëllai i dikujt vdes kishte grua dhe vdiq pa lënë fëmijë, i vëllai ta marrë gruan e tij dhe t`i ngjallë pasardhës vëllait të vet.

20:29 Tashti, ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq pa lënë fëmijë.

20:30 I dyti e mori për grua dhe vdiq edhe ai pa lënë fëmijë.

20:31 E mori pastaj i treti; dhe kështu që të shtatë vdiqën pa lënë fëmijë.

20:32 Dhe pas tyre vdiq edhe gruaja.

20:33 Atëherë, në ringjallje, e kujt do të jetë grua? Sepse që të shtatë e patën grua“.

20:34 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha atyre: “Bijtë e kësaj bote martohen dhe martojnë;

20:35 por ata që do të gjenden të denjë të kenë pjesë në botën tjetër dhe në ringjalljen e të vdekurve, nuk martohen dhe nuk martojnë;

20:36 ata as nuk mund të vdesin më, sepse janë si engjëjt dhe janë bij të Perëndisë, duke qenë bij të ringjalljes.

20:37 Dhe se të vdekurit do të ringjallen, e ka deklaruar vetë Moisiu në pjesën e ferrishtes, kur e quan Zot, Perëndinë e Abrahamit, Perëndinë e Isakut dhe Perëndinë e Jakobit.

20:38 Ai nuk është perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për të“.

20:39 Atëherë disa skribë morën fjalën dhe thanë: “Mësues, mirë fole“.

20:40 Dhe nuk guxuan më t`i bëjnë asnjë pyetje.

Krishti, Bir i Davidit

20:41 Dhe ai i tha atyre: “Vallë, si thonë se Krishti është Bir i Davidit?

20:42 Vetë Davidi, në librin e Psalmeve, thotë: "Zoti i tha Zotit tim: Ulu në të djathtën time,

20:43 derisa unë t`i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua".

20:44 Davidi, pra, e quan Zot; si mund të jetë bir i tij?“.

Jezusi qorton skribët

20:45 Dhe, ndërsa gjithë populli po e dëgjonte, ai u tha dishepujve të vet:

20:46 “Ruhuni nga skribët, të cilët shëtisin me kënaqësi me rroba të gjata, duan t`i përshëndesin nëpër sheshe, të jenë në vendet e para në sinagoga dhe në kryet e vendit nëpër gosti;

20:47 ata gllabërojnë shtëpitë e te vejave dhe, për t`u dukur, bëjnë lutje të gjata. Ata do të marrin një dënim më të rëndë“.