BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Pagëzimi i Gjonit
 20:1  Dhe në një nga ato ditë ndodhi që, ndërsa ai po mësonte popullin në tempull dhe predikonte ungjillin, erdhën krerët e priftërinjve dhe skribët bashkë me pleqtë,
 20:2  dhe i thanë: “Na trego me ç`autoritet i bën këto gjëra; ose kush është ai që ta dha ty këtë pushtet?“.
 20:3  Dhe ai duke u përgjigjur, u tha atyre: “Edhe unë do t`ju pyes një gjë dhe ju m`u përgjigjni:
 20:4  Pagëzimi i Gjonit vinte nga qielli apo nga njerëzit?“.
 20:5  Dhe ata arsyetonin në mes tyre duke thënë: “Po të themi prej qiellit, ai do të na thotë: "Atëherë përse nuk i besuat?".
 20:6  Kurse po t`i themi prej njerëzve, gjithë populli do të na vrasë me gurë, sepse ai është i bindur se Gjoni ishte një profet“.
 20:7  Prandaj u përgjigjen se nuk dinin nga vinte.
 20:8  Atëherë Jezusi u tha atyre: “As unë nuk po ju them me ç`pushtet i bëj këto gjëra“.
Shëmbëlltyra e vreshtarëve të këqij
 20:9  Pastaj filloi t`i tregojë popullit këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri mbolli një vresht, ua besoi disa vreshtarëve dhe iku larg për një kohë të gjatë.
 20:10  Në kohën e të vjelave, dërgoi një shërbëtor tek ata vreshtarë që t`i jepnin pjesën e vet nga prodhimi i vreshtit; por vreshtarët e rrahën atë dhe e kthyen duarbosh.
 20:11  Ai dërgoi përsëri një shërbëtor tjetër; por ata, pasi e rrahën dhe e shanë edhe atë, e kthyen duarbosh.
 20:12  Ai dërgoi edhe një të tretë, por ata e plagosën edhe atë dhe e përzunë.
 20:13  Atëherë i zoti i vreshtit tha: "Çfarë duhet të bëj? Do të dërgoj djalin tim të dashur. Ndoshta, duke e parë atë, do ta respektojnë!".
 20:14  Por vreshtarët, kur e panë, thanë midis tyre: "Ky është trashëgimtari; ejani e ta vrasim që trashëgimia të na mbetet neve".
 20:15  Kështu e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. Ç`do t`u bëjë, pra, këtyre, i zoti i vreshtit?
 20:16  Ai do të vijë, do t`i vrasë ata vreshtarë dhe do t`ua japë vreshtin të tjerëve“. Por ata, kur e dëgjuan këtë, thanë: “Kështu mos qoftë“.
 20:17  Atëherë Jezusi, duke i shikuar në fytyrë, tha: “Ç`është, pra, ajo që është shkruar: "Guri që ndërtuesit e kanë hedhur poshtë u bë guri i qoshes"?
 20:18  Kushdo që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copë-copë, dhe ai mbi të cilin do të bjerë guri, do të dërrmohet“.
Çështja e taksës
 20:19  Në këtë moment, krerët e priftërinjve dhe skribët kërkuan të vënë dorë në të, sepse e morën vesh se ai e kishte treguar atë shëmbëlltyrë për ata, por kishin frikë nga populli.
 20:20  Ata e përgjonin me kujdes dhe i dërguan disa spiunë të cilët, duke u paraqitur si njerëz të drejtë, ta zinin në gabim në ndonjë ligjëratë dhe pastaj t`ia dorëzonin pushtetit dhe autoritetit të guvernatorit.
 20:21  Këta e pyetën duke thënë: “Mësues ne e dimë se ti flet dhe mëson drejt dhe që nuk je aspak i anshëm, por mëson rrugën e Perëndisë në të vërtetë.
 20:22  A është e lejueshme për ne t`i paguajmë taksë Cezarit apo jo?“.
 20:23  Por ai, duke e kuptuar ligësinë e tyre, u tha atyre: “Përse më provokoni?
 20:24  Më tregoni një denar: e kujt është fytyra dhe mbishkrimi që ka?“. Dhe ata, duke përgjigjur, thanë: “E Cezarit“.
 20:25  Atëherë ai u tha atyre: “I jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë“.
 20:26  Dhe nuk mundën ta zënë në gabim në ligjëratën e tij përpara popullit dhe, të habitur nga përgjigjja e tij, heshtën.
Saducenjtë dhe ringjallja
 20:27  Pastaj iu afruan disa saducej, të cilët mohojnë se ka ringjallje, dhe e pyetën,
 20:28  duke thënë: “Mësues, Moisiu na la të shkruar që, nëse vëllai i dikujt vdes kishte grua dhe vdiq pa lënë fëmijë, i vëllai ta marrë gruan e tij dhe t`i ngjallë pasardhës vëllait të vet.
 20:29  Tashti, ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq pa lënë fëmijë.
 20:30  I dyti e mori për grua dhe vdiq edhe ai pa lënë fëmijë.
 20:31  E mori pastaj i treti; dhe kështu që të shtatë vdiqën pa lënë fëmijë.
 20:32  Dhe pas tyre vdiq edhe gruaja.
 20:33  Atëherë, në ringjallje, e kujt do të jetë grua? Sepse që të shtatë e patën grua“.
 20:34  Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha atyre: “Bijtë e kësaj bote martohen dhe martojnë;
 20:35  por ata që do të gjenden të denjë të kenë pjesë në botën tjetër dhe në ringjalljen e të vdekurve, nuk martohen dhe nuk martojnë;
 20:36  ata as nuk mund të vdesin më, sepse janë si engjëjt dhe janë bij të Perëndisë, duke qenë bij të ringjalljes.
 20:37  Dhe se të vdekurit do të ringjallen, e ka deklaruar vetë Moisiu në pjesën e ferrishtes, kur e quan Zot, Perëndinë e Abrahamit, Perëndinë e Isakut dhe Perëndinë e Jakobit.
 20:38  Ai nuk është perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për të“.
 20:39  Atëherë disa skribë morën fjalën dhe thanë: “Mësues, mirë fole“.
 20:40  Dhe nuk guxuan më t`i bëjnë asnjë pyetje.
Krishti, Bir i Davidit
 20:41  Dhe ai i tha atyre: “Vallë, si thonë se Krishti është Bir i Davidit?
 20:42  Vetë Davidi, në librin e Psalmeve, thotë: "Zoti i tha Zotit tim: Ulu në të djathtën time,
 20:43  derisa unë t`i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua".
 20:44  Davidi, pra, e quan Zot; si mund të jetë bir i tij?“.
Jezusi qorton skribët
 20:45  Dhe, ndërsa gjithë populli po e dëgjonte, ai u tha dishepujve të vet:
 20:46  “Ruhuni nga skribët, të cilët shëtisin me kënaqësi me rroba të gjata, duan t`i përshëndesin nëpër sheshe, të jenë në vendet e para në sinagoga dhe në kryet e vendit nëpër gosti;
 20:47  ata gllabërojnë shtëpitë e te vejave dhe, për t`u dukur, bëjnë lutje të gjata. Ata do të marrin një dënim më të rëndë“.
