BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Ringjallja
24:1 Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato me gra të tjera shkuan te varri, duke sjellë erërat e mira që kishin përgatitur.
24:2 Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri.
24:3 Por, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus.
24:4 Dhe, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, iu paraqitën atyre dy burra të veshur me rroba të ndritshme.
24:5 Dhe, mbasi ato, të tmerruara, e mbanin fytyrën të përkulur për dhe, ata u thanë: “Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?
24:6 Ai nuk ështe këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile,
24:7 duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë“.
24:8 Dhe ato kujtonin fjalët e tij.
24:9 kur u kthyen nga varri, ato ua treguan të gjitha këto gjëra të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve.
24:10 Ato që u treguan apostujve këto gjëra ishin Maria Magdalena, Joana, Maria, nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që ishin me to.
24:11 Por këto fjalë atyrë iu dukën si dokrra; dhe ata nuk u besuan atyre.
24:12 Megjithatë Pjetri u çua, vrapoi te varri, u përkul dhe nuk pa tjetër përveç çarçafëve që dergjeshin vetëm; pastaj u largua, i mrekulluar me veten e tij për sa kishte ndodhur.
Dy dishepujt në rrugën për Emaus
24:13 Po ate ditë, dy nga ata po shkonin drejt një fshati, me emër Emaus, gjashtëdhjetë stade larg Jeruzalemit.
24:14 Dhe ata po bisedonin midis tyre për të gjitha ato që kishin ndodhur.
24:15 Dhe ndodhi që, ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, vetë Jezusi u afrua dhe nisi të ecë me ta.
24:16 Por sytë e tyre ishin të penguar kështu që të mos e njihnin.
24:17 Dhe ai u tha atyre: “Ç`janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?“.
24:18 Dhe një nga ata, i me emër Kleopa, duke u përgjigjur tha: “Je ti i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?“.
24:19 Dhe ai u tha atyre: “Cilat?“. Ata i thanë: “Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit.
24:20 Dhe se si krerët e priftërinjve dhe kryetarët tanë e kanë dorëzuar për ta dënuar me vdekje dhe e kanë kryqëzuar.
24:21 Por ne kishim shpresë se ai do të ishte ky që do ta çlironte Izraelin; por, megjithkëtë, sot është e treta ditë që kur ndodhën këto gjëra.
24:22 Por edhe disa gra në mes nesh na kanë çuditur, sepse, kur shkuan herët në mëngjes te varri,
24:23 dhe nuk e gjetën trupin e tij, u kthyen duke thënë se kishin parë nië vegim engjëjsh, të cilët thonë se ai jeton.
24:24 Dhe disa nga tanët shkuan te varri dhe e gjetën ashtu si kishin treguar gratë, por atë nuk e panë“.
24:25 Atëherë ai u tha atyre: “O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët!
24:26 Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?“.
24:27 Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.
24:28 Kur iu afruan fshatit për ku ishin drejtuar, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje.
24:29 Por ata e detyruan duke thënë: “Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron“. Edhe ai hyri që të rrijë me ta.
24:30 Dhe, siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre.
24:31 Atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre.
24:32 Dhe ata i thanë njeri tjetrit: “Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?“.
24:33 Në po atë çast u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, ku e gjetën të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin mbledhur bashkë me ta.
24:34 Ata thoshnin: “Zoti u ringjall me të vërtetë dhe iu shfaq Simonit“.
24:35 Ata atëherë treguan ç`u kishte ndodhur rrugës dhe si e kishin njohur në ndarjen e bukës.
Jezusi u shfaqet të njëmbëdhjetëve
24:36 Dhe, ndërsa ata po bisedonin për këto gjëra, vetë Jezusi u shfaq në mes tyre dhe u tha atyre: "Paqja me ju!“.
24:37 Por ata, të tmerruar dhe gjithë frikë, mendonin se po shihnin një frymë.
24:38 Atëherë ai u tha atyre: “Pse jeni shqetësuar Dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime?
24:39 Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!“.
24:40 Dhe, si i tha këtë, u tregoj atyre duart dhe këmbët.
24:41 Por, duke qenë se ende nuk besonin prej gëzimit dhe ishin të çuditur, ai u tha atyre: “A keni këtu diçka për të ngrënë?“.
24:42 Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe një huall mjalti.
24:43 Dhe ai i mori dhe hëngri para tyre.
24:44 Pastaj u tha atyre: “Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet“.
24:45 Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet,
24:46 dhe u tha atyre: “Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë,
24:47 dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt, duke filluar nga Jeruzalemi.
24:48 Dhe ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave.
24:49 Dhe ja, unë po dërgoj mbi ju premtimin e Atit tim, por ju qëndroni në qytetin e Jeruzalemit deri sa të visheni me pushtet nga lart“.
Ngjitja
24:50 Pastaj iu priu jashtë deri në Betani dhe, si i ngriti lart duart, i bekoi.
24:51 Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i bekonte, u nda prej tyre dhe e morën lart në qiell.
24:52 Dhe ata, pasi e adhuruan, u kthyen në Jeruzalem me gëzim të madh.
24:53 Dhe rrinin vazhdimisht në tempull duke lavdëruar dhe bekuar Perëndinë. Amen!