BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Tundimi
4:1 Dhe Jezusi, plot me Frymën e Shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Fryma e çoi në shkretëtirë,
4:2 ku për dyzet ditë e tundoi djalli; gjatë atyre ditëve ai nuk hëngri asgjë, por kur ato kaluan, e mori uria.
4:3 Dhe djalli i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, i thuaj këtij guri të bëhet bukë“.
4:4 Por Jezusi u përgjigj duke thënë: “Éshtë shkruar: "Njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, por me çdo fjalë të Perëndisë"“.
4:5 Pastaj djalli e çoi në një mal të lartë dhe, për një çast, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës.
4:6 Dhe djalli i tha: “Unë do të të jap gjithë pushtetin e këtyre mbretërive dhe lavdinë e tyre, sepse m`u dha mua në dorë dhe unë ia jap kujt të dua.
4:7 Në qoftë se ti, pra, duke rënë përmbys, më adhuron, do të jetë krejt jotja“.
4:8 Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Largohu prej meje, Satana. Éshtë shkruar: "Adhuro Zotin, Përëndinë tënd dhe shërbeji vetëm atij"“.
4:9 Pastaj e çoi në Jeruzalem, e vuri në majë të tempullit, në cep, dhe i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë që këtej;
4:10 sepse është shkruar: "Ai do t`u urdhërojë engjëjve të vet rreth teje të të ruajnë.
4:11 Dhe ata do të të mbajnë mbi duart e tyre që këmba jote të mos ndeshë me asnjë gur"“.
4:12 Dhe Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Éshtë thënë: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd"“.
4:13 Dhe kur djalli i mbaroi të gjitha tundimet, u largua prej tij, për një farë kohe.
Jezusi e dëbojnë nga Nazareti
4:14 Dhe Jezusi, në fuqinë e Frymës, u kthye në Galile dhe fama e tij u përhap në mbarë krahinën përreth.
4:15 Dhe ai mësonte në sinagogat e tyre, i nderuar nga të gjithë.
4:16 Pastaj erdhi në Nazaret, ku ishte rritur, dhe si e kishte zakon ditën e shtunë, hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar.
4:17 I dhanë në dorë librin e profetit Isaia; e hapi dhe gjeti vendin ku ishte shkruar:
4:18 “Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit,
4:19 dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit“.
4:20 Pastaj, si e mbylli librin dhe ia dha shërbyesit, u ul; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë u drejtuan mbi të.
4:21 Atëherë ai nisi të thotë: “Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja“.
4:22 Dhe të gjithë jepnin dëshmi dhe mrekulloheshin për fjalët e hirit që dilnin nga goja e tij, dhe thoshnin: “Po ky, a nuk është biri i Jozefit?“.
4:23 Dhe ai u tha atyre: “Me siguri ju do të më përmendni fjalën e urtë: "Mjek, shëro veten tënde"; të gjitha ato që dëgjuam se u bënë në Kapernaum, bëji edhe këtu në atdheun tënd“.
4:24 Por ai tha: “Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet.
4:25 Në të vërtetë po ju them se në kohën e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe u bë një uri e madhe në gjithë vendin, ishin shumë të veja në Izrael;
4:26 e megjithatë tek asnjëra nga ato nuk u dërgua Elia, përveç se te një grua e ve në Sareptë të Sidonit.
4:27 Dhe në kohën e profetit Elize kishte shumë lebrozë në Izrael; megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveç Naamanit Sirian“.
4:28 Kur i dëgjuan këto fjalë, të gjithë ata që ishin në sinagogë u zemëruan shumë.
4:29 Dhe u ngritën, e dëbuan nga qyteti dhe e çuan deri në buzë të majës së malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur poshtë.
4:30 Por ai, duke kaluar përmes tyre, u largua.
4:31 Pastaj zbriti në Kapernaum, qytet i Galilesë, dhe i mësonte njerëzit ditët e shtuna.
4:32 Dhe ata habiteshin nga mësimi i tij, sepse fjala e tij ishte me autoritet.
Shërimi i të idemonizuarit nga të Kapernaumit
4:33 Në sinagogë ishte një njeri që ishte pushtuar me frymën e një demoni të ndyrë. Ai bërtiti me zë të lartë duke thënë:
4:34 “Ah, ç`ka mes nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di se kush je ti: i Shenjti i Perëndisë!“.
4:35 Por Jezusi e qortoi duke thënë: “Hesht dhe dil prej tij!“. Dhe demoni, pasi e përplasi përpara tyre, doli prej tij pa i bërë asgjë të keqe.
4:36 Atëherë të gjithë i pushtoi habia dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Ç`fjalë është kjo, vallë? Ai urdhëron me autoritet dhe pushtet frymërat e ndyra dhe ata dalin!“.
4:37 Dhe fama e tij përhapej në çdo vend të krahinës përreth.
Shërimi i vjehrrës së Simonit
4:38 Mbasi doli nga sinagoga, Jezusi hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta; dhe ata e lutën për të.
4:39 Ai u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lëshuan; dhe ajo u ngrit menjëherë dhe filloi t`u shërbejë.
4:40 Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme i prunë tek ai; dhe ai i shëroi duke vënë duart mbi secilin prej tyre.
4:41 Prej shumë vetëve dilnin demonë që bërtitnin dhe thoshnin: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë“. Por ai i qortonte dhe nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti.
4:42 Kur zbardhi drita ai doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Por turmat e kërkonin dhe e arritën; dhe e mbanin që të mos largohej prej tyre.
4:43 Por ai u tha atyre: “Më duhet ta shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë jam dërguar“.
4:44 Dhe ai predikonte nëpër sinagoga të Galilesë.