BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Jezusi, zot i së shtunës
6:1 Ndodhi që një të shtunë, pas së shtunës së madhe, ai po ecte nëpër arat me grurë, dhe dishepujt e vet këputnin kallinj, i shkoqnin me dorë dhe i hanin.
6:2 Dhe disa nga farisenjtë u thanë atyre: “Përse bëni atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën?“.
6:3 Por Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “A nuk keni lexuar çfarë bëri Davidi dhe ata që ishin bashkë me të kur i mori uria?
6:4 Si hyri në shtëpinë e Perëndisë, ai mori bukët e paraqitjes, hëngri vetë dhe u dha të hanë edhe atyre që ishin bashkë me të, ndonëse nuk ishte e lejueshme për asnjërin t`i hante, përveç priftërinjve?“.
6:5 Pastaj u tha atyre: “Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës".
Shërimi i njeriut me dorë të tharë
6:6 Një të shtunë tjetër ndodhi që ai hyri në sinagogë dhe po mësonte; atje ishte një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë.
6:7 Dhe farisenjtë dhe skribët rrinin dhe e ruanin nëse ai do ta shëronte të shtunën, që pastaj ta paditnin.
6:8 Por ai ua njihte mendimet e tyre dhe i tha njeriut me dorë të tharë: “Çohu dhe dil këtu në mes“. Dhe ai u ngrit në këmbë.
6:9 Pastaj Jezusi u tha atyre: “Unë po ju pyes: A është e lejueshme, të shtunave, të bësh mirë apo keq, të shpëtosh një njeri apo ta vrasësh?“.
6:10 Dhe si i vështroi të gjithë rreth e rrotull, i tha atij njeriu: “Shtrije dorën tënde!“. Dhe ai veproi kështu dhe dora e tij iu shëndosh si tjetra.
6:11 Ata u tërbuan dhe diskutonin me njëri-tjetrin se ç`mund t`i bënin Jezusit.
Zgjedhja e të dymbëdhjetëve
6:12 Në ato ditë ndodhi që ai shkoi në mal për t`u lutur, dhe e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë.
6:13 Dhe kur zbardhi dita, thirri pranë vetes dishepujt e vet dhe zgjodhi prej tyre dymbëdhjetë, të cilëve u dha edhe emrin apostuj:
6:14 Simonin, të cilit i vuri emrin Pjetër, dhe Andrean, vëllanë e tij, Jakobin e Gjonin, Filipin dhe Bartolomeun,
6:15 Mateun dhe Thomain, Jakobin e Alfeut dhe Simonin, që e quanin Zelota,
6:16 Judën, vëllanë e Jakobit dhe Judën Iskariot, i cili u bë tradhtar.
Ligjërata në rrëzë të malit
6:17 Pastaj, pasi zbriti bashkë me ta, ndaloi në një vend të sheshtë, me turmën e dishepujve të vet dhe me një numër të madh njerëzish nga gjithë Judea, nga Jeruzalemi dhe nga bregdeti i Tiros dhe i Sidonit, të cilët kishin ardhur për ta dëgjuar atë dhe për t`u shëruar nga sëmundjet e veta;
6:18 Por edhe ata që i mundonin frymërat e ndyrë shëroheshin.
6:19 E gjithë turma kërkonte ta prekte, sepse prej tij dilte një fuqi që i shëronte të gjithë.
6:20 Ai, si i drejtoi sytë nga dishepujt e vet, thoshte: “Lum ju, të varfër, sepse juaja është mbretëria e Perëndisë“.
6:21 Lum ju, që tani keni uri, sepse do të ngopeni. Lum ju, që tani qani, sepse do të qeshni.
6:22 Lum ju, kur njerëzit do t`ju urrejnë, do t`ju mallkojnë dhe do t`ju fyejnë, do ta shpallin emrin tuaj si të keq, për shkak të Birit të njeriut.
6:23 Gëzohuni atë ditë dhe hidhuni nga gëzimi, sepse ja, shpërblimi juaj është i madh në qiell; në të njëjtën mënyrë, pra, etërit e tyre i trajtonin profetët.
6:24 Por mjerë ju, o të pasur, sepse e keni ngushëllimin tuaj!
6:25 Mjerë ju, që jeni të ngopur, sepse do të keni uri. Mjerë ju, që tani qeshni, sepse do të hidhëroheni e do të qani!
6:26 Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit do të flasin mirë për ju, sepse në të njëjtën mënyrë vepruan etërit e tyre me profetët e rremë.
6:27 Por unë po ju them juve që më dëgjoni: “T`i doni armiqtë tuaj; u bëni të mirë atyre që ju urrejnë.
6:28 Bekoni ata që ju mallkojnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë.
6:29 Nëse dikush të bie në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën; dhe atij që të merr mantelin, mos e pengo të të marrë edhe tunikën.
6:30 Jepi kujtdo që kërkon prej teje; dhe në se dikush merr gjënë tënde, mos kërko të ta kthejë.
6:31 Por, ashtu siç dëshironi që t`ju bëjnë juve njerëzit, po ashtu bëni me ta.
6:32 Por po t`i doni ata që ju duan, ç`meritë do të keni nga kjo? Sepse edhe mëkatarët i duan ata që i duan.
6:33 Dhe në se u bëni të mirë atyre që ju bëjnë të mirë, çfarë merite do të keni nga kjo? Të njëjtën gjë bëjnë edhe mëkatarët.
6:34 Dhe nëse u jepni hua atyre që shpresoni t`jua kthejnë, çfarë merite do të keni nga kjo? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që t`u kthehet aq sa dhanë.
6:35 Por ju t`i doni armiqtë tuaj, bëni të mirë dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë, dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e Shumë të Lartit, sepse ai është mirëdashës me mos-mirënjohësit dhe të mbrapshtët.
6:36 Jini të mëshirshëm, pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm.
6:37 Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni; mos dënoni dhe nuk do të dënoheni; falni dhe do të jeni të falur.
6:38 Jepni dhe do t`ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t`ju derdhet në gji, sepse me atë masë që do të matni, do t`ju matet edhe juve gjithashtu“.
6:39 Pastaj ai u tha një shëmbëlltyrë: “Një i verbër a mund t`i prijë një të verbri tjetër? Vallë nuk do të bien të dy në gropë?
6:40 Dishepulli nuk ia kalon mësuesit të vet, madje çdo dishepull që ka mësuar do të jetë si mësuesi i vet.
6:41 Po pse ti e shikon lëmishtën në sy të vëllait tënd dhe nuk e sheh traun në syrin tënd?
6:42 Ose, si mund t`i thuash vëllait tënd: "Vëlla, më lër të të heq lëmishtën që ke në syrin tënd", kur ti vetë nuk e sheh traun në syrin tënd? O hipokrit, nxirre më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të mund të shohësh mirë për të nxjerrë lëmishtën nga syri i vëllait tënd.
6:43 Sepse nuk ka pemë të mirë që të japë fryt të keq, as pemë të keqe që të japë fryt të mirë.
6:44 Çdo pemë, pra, njihet nga fryti i vet, sepse nuk mblidhen fiq nga gjembat dhe nuk vilet rrush nga ferra.
6:45 Njeriu i mirë e nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së vet; dhe njeriu i mbrapshtë e nxjerr të mbrapshta nga thesari i keq i zemrës së vet, sepse goja e njërit flet nga mbushullia e zemrës.
6:46 Përse më thirrni, "Zot, Zot" dhe nuk bëni atë që ju them?
6:47 Çdo njëri që vjen tek unë dhe dëgjon fjalët e mia dhe t`i vë në praktikë, unë do t`ju tregoj kujt i ngjan.
6:48 Ai i ngjan njeriut që, kur ndërtoi shtëpinë e vet, gërmoi shumë thellë dhe e vendosi themelin mbi shkëmb. Erdhi një vërshim, përroi u sul mbi atë shtëpi, por s`e tundi dot, sepse e kishte themelin mbi shkëmb.
6:49 Përkundrazi, ai që e dëgjoi dhe nuk i vuri në praktikë, i ngjan njeriut që e ndërtoi shtëpinë mbi tokë, por pa themel; kur iu sul përroi, ajo u shemb menjëherë dhe rrënimi i saj qe i madh“.