BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Centurioni i Kapernaumit
7:1 Si e përfundoi gjithë këtë ligjëratë drejtuar popullit që e dëgjoi, hyri në Kapernaum.
7:2 Tani një centurion kishte një shërbëtor që e donte shumë; e kishte të sëmurë keq për vdekje.
7:3 Dhe centurioni, kur dëgjoi për Jezusin, i dërgoi disa pleq Judenj që ta lusnin të vinte e të shëronte shërbëtorin e tij.
7:4 Si arritën te Jezusi, ata e lutën me ngulm duke i thënë: “Ai e meriton që ti ta pranosh këtë gjë,
7:5 sepse ai e do popullin tonë dhe ai na e ndërtoi sinagogën“.
7:6 Atëherë Jezusi shkoi me ta. E kur ishte jo shumë larg shtëpisë, centurioni dërgoi disa miq të tij për t`i thënë: “Zot, mos u shqetëso, sepse unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën pullazin tim.
7:7 Për këtë shkak nuk e çmova veten të denjë të vij tek ti; por ti fol një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.
7:8 Sepse edhe unë jam një njeri nën autoritetin e tjetërkujt dhe kam nën urdhër ushtarë; dhe i them njerit: "Shko", dhe ai shkon; dhe një tjetri: "Eja", dhe ai vjen; dhe shërbëtorit tim: "Bëjë këtë", dhe ai e bën“.
7:9 Kur i dëgjoi këto fjalë, Jezusi u mrekullua prej tij, dhe, duke iu drejtuar turmës që i vinte pas, tha: “Unë po ju them se as në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh“.
7:10 Dhe, kur të dërguarit u kthyen në shtëpi, shërbëtorin, që kishte qenë i sëmurë, e gjetën të shëruar.
Djali i së vesë së Nainit
7:11 Dhe të nesërmen ai shkoi në një qytet që quhej Nain; dhe bashkë me të shkonin shumë nga dishepujt e vet dhe një turmë e madhe.
7:12 Dhe, kur iu afrua portës së qytetit, ja që po çonin për ta varrosur një të vdekur, djalin e vetëm të nënës së tij, që ishte e ve; dhe një turmë e madhe nga qyteti ishte me të.
7:13 Posa e pa, Zoti pati dhemshuri për të dhe i tha: “Mos qaj!“
7:14 U afrua, preku arkivolin, dhe ata që e bartnin u ndalën; atëherë ai tha: “Djalosh, unë të them, çohu!“.
7:15 Dhe i vdekuri u çua ndenjur dhe filloi të flasë. Dhe Jezusi ia dha së ëmës.
7:16 Atëherë të gjithë u mrekulluan dhe lëvdonin Perëndinë duke thënë: “Midis nesh doli një profet i madh“ dhe: “Perëndia e vizitoi popullin e vet“.
7:17 Dhe kjo e thënë për të u përhap nëpër gjithë Judenë dhe anembanë krahinës përreth.
Të dërguarit e Gjonit
7:18 Gjoni u informua prej dishepujve të vet për të gjitha këto gjëra.
7:19 Dhe Gjoni thirri pranë tij dy nga dishepujt e vet, i dërgoi te Jezusi për t`i thënë: “A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?“.
7:20 Këta njerëz, pra, shkuan te ai dhe i thanë: “Gjon Pagëzori na dërgoi te ti për të të thënë: "A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?"“.
7:21 Dhe në atë orë Jezusi shëroi shumë veta nga sëmundjet, nga fatkeqësitë dhe nga frymërat e lig, dhe shumë të verbërve ua dhuroi të parit.
7:22 Dhe Jezusi duke u përgjegjur u tha atyre: “Shkoni dhe i thoni Gjonit ç`keni parë e dëgjuar: të verbërit fitojnë përsëri të parit, të çalët ecin, lebrozët po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ringjallen, dhe ungjilli u shpallet të varfërve.
7:23 I lumi ai që nuk do të skandalizohet prej meje!“.
7:24 Kur lajmëtarët e Gjonit u larguan, ai filloi t`u thotë turmave për Gjonin: “Ç`dolët të shihni në shkreti? Një kallam që e tund era?
7:25 Po, ç`dolët të shihni? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ja, ata që veshin rroba të shkëlqyera dhe jetojnë në bollëk banojnë në pallatet e mbretërve.
7:26 Por, ç`dolët të shihni? Një profet? Po, unë po ju them: akoma më shumë se një profet.
7:27 Ai është ai për të cilin u shkrua: "Ja, unë po dërgoj përpara fytyrës tënde lajmëtarin tim, që do ta përgatitë rrugën sate para teje".
7:28 Sepse unë po ju them që nga të lindurit prej gruaje nuk ka asnjë profet më të madh se Gjon Pagëzori; por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai“.
7:29 Dhe gjithë populli që e dëgjoi dhe tagrambledhësit e pranuan drejtësinë e Perëndisë dhe u pagëzuan me pagëzimin e Gjonit.
7:30 Por farisenjtë dhe mësuesit e ligjit e refuzuan planin e Perëndisë për ta dhe nuk u pagëzuan.
7:31 Atëherë Zoti tha: “Me çfarë t`i krahasoj, pra, njerëzit e këtij brezi? Dhe kujt i ngjajnë?
7:32 U ngjajnë fëmijëve që ulen ndër sheshe dhe i bërtasin njëri-tjetrit duke thënë: "Ne i kemi rënë fyellit për ju dhe ju nuk keni kërcyer; ne kemi kënduar vajtime për ju dhe ju nuk keni qarë".
7:33 Erdhi, pra, Gjon Pagëzori, që nuk ha bukë dhe as pi verë dhe ju thoni: "Ai ka një demon".
7:34 Erdhi Biri i njeriut që ha dhe pi, dhe ju thoni: "Ja grykësi dhe pijaneci, miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve".
7:35 Por urtisë i japin të drejtë gjithë bijtë e saj“.
Mëkatarja që vajosi këmbët e Jezusit
7:36 Një nga farisenjtë e ftoi atë të hajë bashkë me të; dhe ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë.
7:37 Dhe ja, një grua nga ai qytet, që ishte një mëkatare, kur mori vesh se ai ishte në tryezën e shtëpisë së një fariseu, solli një enë alabastri plot me vaj erëkëndshëm.
7:38 Dhe, duke qëndruar prapa te këmbët e tij dhe duke qarë, filloi t`ia lajë me lot këmbët dhe t`ia fshijë me flokët e kokës së saj; dhe t`ia puthte e t`ia vajoste me vaj erëkëndshëm.
7:39 Kur e pa këtë gjë, fariseu që e kishte ftuar, tha me vete: “Nëse ky do të ishte një profet, do ta dinte çfarë lloj njeriu është gruaja që po e prek, sepse ajo është një mëkatare.
7:40 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Simon, kam diçka për të të thënë“. Dhe ai tha: “Fol, Mësues“.
7:41 Dhe Jezusi i tha: “Një huadhënës kishte dy huamarrës; njëri i kishte borxh pesëqind denarë dhe tjetri pesëdhjetë.
7:42 Meqë ata nuk kishin të paguanin, ai ua fali borxhin të dyve. Sipas teje, cili nga ata do ta dojë më shumë?“.
7:43 Dhe Simoni, duke u përgjigjur, tha: “Ma do mendja, ai, të cilit i fali më shumë“. Dhe Jezusi i tha: “Gjykove drejt“.
7:44 Pastaj, si u suall nga gruaja, i tha Simonit: “A e sheh këtë grua? Unë hyra në shtëpinë tënde dhe ti nuk më dhe ujë për të larë këmbët; ajo, përkundrazi, m`i lau këmbët me lot dhe m`i fshiu me flokët e kresë.
7:45 Ti nuk më dhe as edhe një puthje; por ajo, qysh se hyra, nuk pushoi së puthuri këmbët e mia.
7:46 Ti nuk ma vajose kokën me vaj; kurse ajo m`i vajosi këmbët me vaj erëkëndshëm.
7:47 Prandaj unë po të them se mëkatet e saj të shumta i janë falur, sepse ka dashur shumë; por kujt i falen pak, do pak“.
7:48 Pastaj i tha asaj: “Mëkatet e tua të janë falur“.
7:49 Atëherë ata që ishin në tryezë bashkë me të filluan të thonin me vete: “Po kush qenka ky që po falka edhe mëkatet?“.
7:50 Por Jezusi i tha asaj gruaje: “Besimi yt të shpëtoi; shko në paqe!“.