Vajtimet 5

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Të këqia të pranishme dhe kujtime të dhimbshme

5:1 Kujto, o Zot, atë që na ka ndodhur, shiko dhe vër re turpin tonë.

5:2 Trashëgimia jonë u ka kaluar të huajve, shtëpitë tona njerëzve që nuk janë tanët.

5:3 Ne u bëmë jetimë, pa etër, nënat tona janë si të veja.

5:4 Duhet të paguajmë për ujët që pimë, drutë tona i kemi vetëm me pagesë.

5:5 Na ndjekin me një zgjedhë mbi qafë, jemi të rraskapitur dhe nuk kemi fare pushim.

5:6 I kemi shtrirë dorën Egjiptit dhe Asirisë për t`u ngopur me bukë.

5:7 Etërit tanë kanë mëkatuar dhe nuk janë më, dhe ne mbajmë ndëshkimin për paudhësitë e tyre.

5:8 Skllevërit sundojnë mbi ne, askush nuk mund të na çlirojë nga duart e tyre.

5:9 E nxjerrim bukën duke rrezikuar jetën tonë, përpara shpatës së shkretëtirës.

5:10 Lëkura jonë është ngrohur si në një furrë për shkak të valës së urisë.

5:11 Kanë dhunuar gratë në Sion, virgjëreshat në qytetet e Judës.

5:12 Krerët janë varur nga duart e tyre, personi i pleqëve nuk është respektuar.

5:13 Të rinjtë i vunë të bluajnë, të vegjëlit u rrëzuan nën barrën e druve.

5:14 Pleqtë nuk mblidhen më te porta, të rinjtë nuk u bien më veglave të tyre.

5:15 Gëzimi i zemrave tona është pakësuar, vallja jonë është shndërruar në zi.

5:16 Kurora ka rënë nga koka jonë; mjerë ne, sepse kemi mëkatuar!

5:17 Prandaj u sëmur zemra jonë, për këto gjëra na janë errësuar sytë:

5:18 për malin e Sionit që është i shkretuar dhe në të cilin sillen dhelprat.

Kërkesë për restaurim

5:19 Por ti, o Zot, mbetesh për jetë, dhe froni yt brez pas brezi.

5:20 Pse do të na harroje për jetë dhe do të na braktisje për një kohë të gjatë?

5:21 Na bëj që të rikthehemi te ti, o Zot, dhe ne do të kthehemi; rivendos ditët tona si në të kaluarën.

5:22 Mos vallë na hodhe poshtë fare apo je zemëruar me të madhe kundër nesh?