Veprat e Apostujve 17

SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI

Pali në Thesaloniki dhe në Berea

17:1 Dhe mbasi kishin kaluar nëpër Amfipoli dhe nëpër Apoloni, arritën në Thesaloniki, ku ishte sinagoga e Judenjve.

17:2 Dhe Pali, sipas zakonit të vet, hyri tek ata dhe tri të shtuna me radhë u paraqiti argumente nga Shkrimet,

17:3 duke deklaruar dhe duke treguar atyre se Krishti duhej të vuante dhe të ringjallej prej së vdekurish dhe duke thënë: “Ky Jezusi që unë ju shpall është Krishti“.

17:4 Disa nga ata besuan dhe u bashkuan me Palin dhe Silën, si dhe një numër i madh Grekësh të përshpirtshëm dhe jo pak gra të rëndësishme.

17:5 Por Judenjtë, të cilët nuk kishin besuar, patën smirë dhe morën me vete disa njerëz të këqij nga ata të rrugëve të tregut dhe, si mblodhën një turmë, e bënë rrëmujë qytetin; edhe sulmuan shtëpinë e Jasonit dhe kërkonin ata për t`i nxjerrë përpara popullit.

17:6 Por, mbasi nuk i gjetën, e hoqën zvarrë Jasonin dhe disa vëllezër përpara krerëve të qytetit, duke thirrur: “Ata që e kanë bërë rrëmujë botën, kanë ardhur edhe këtu,

17:7 dhe Jasoni këta i priti; të gjithë këta veprojnë kundër statuteve të Cezarit, duke thënë se është një mbret tjetër, Jezusi“.

17:8 Edhe nxitën popullin dhe krerët e qytetit, që i dëgjonin këto gjëra.

17:9 Por ata, mbasi morën një dorëzani nga Jasoni dhe nga të tjerët, i lejuan të shkojnë.

17:10 Atëherë vëllezërit menjëherë natën i nisën Palin dhe Silën për në Berea dhe ata, sapo arritën atje, hynë në sinagogën e Judenjve.

17:11 Por këta ishin më fisnikë nga ndjenjat se ata të Thesalonikit dhe e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe, duke i shqyrtuar çdo ditë Shkrimet për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu.

17:12 Shumë nga ata, pra, besuan bashkë me një numër jo të vogël grash fisnike greke dhe burrash.

17:13 Por, kur Judenjtë e Thesalonikit morën vesh se fjala e Perëndisë ishte shpallur nga Pali edhe në Berea, shkuan edhe atje dhe e turbulluan turmën.

17:14 Atëherë vëllezërit e nisën menjëherë Palin në drejtim të detit, por Sila dhe Timoteu qëndruan atje.

Pali në Athinë; ligjërata në Areopag

17:15 Ata që i prinin Palit e çuan deri në Athinë; pastaj, mbasi morën porosi për Silën dhe Timoteun që të arrijnë sa më parë tek ai, u kthyen prapa.

17:16 Ndërsa Pali po i priste në Athinë, po i ziente fryma përbrenda, kur pa qytetin plot me idhuj.

17:17 Ai, pra, po diskutonte në sinagogë me Judenjtët dhe me njerëz të përshpirtshëm dhe çdo ditë në sheshin e tregut me ata që takonte.

17:18 Diskutonin me të edhe disa filozofë epikurianë dhe stoikë. Disa thoshnin: “Vallë ç`do të thotë ky llafazan“. Dhe të tjerë thoshnin: “Ai duket se është një kasnec i perëndivë të huaja“, sepse u shpall atyre Jezusin dhe ringjalljen.

17:19 Dhe e zunë dhe e çuan në Areopag, duke thënë: “A mund ta marrim vesh ç`është kjo doktrinë e re për të cilën ti flet?

17:20 Sepse ti sjell disa gjëra të huaja në veshët tanë, prandaj duam të dimë ç`kuptim kanë ato.

17:21 Atëherë gjithë Athinasit dhe të huajt që banonin atje nuk e kalonin kohën më mirë sesa duke folur ose duke dëgjuar ndonjë fjalë të re.

17:22 Atëherë Pali, duke qëndruar në këmbë në mes të Areopagut, tha: “O burra athinas, unë shoh se në të gjitha gjërat ju jeni shumë fetarë“.

17:23 Sepse, duke ecur e duke vënë re objektet e kultit tuaj, gjeta edhe një altar mbi të cilin është shkruar: "PERÉNDISÉ SÉ PANJOHUR". Atë, pra, që ju e adhuroni pa e njohur, unë po jua shpall.

17:24 Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut,

17:25 dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë;

17:26 dhe ai ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut, dhe caktoi kohërat me radhë dhe caqet e banimit të tyre,

17:27 që të kërkojnë Zotin, mbase mund ta gjejnë duke prekur, ndonëse ai nuk është larg nga secili prej nesh.

17:28 Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: "Sepse jemi edhe ne pasardhës të tij".

17:29 Duke qenë, pra, se ne jemi pasardhës të Perëndisë, nuk duhet të mendojmë që natyra e perëndishme është e ngjashme me arin ose me argjendin, ose me gurin ose me një vepër arti të latuar dhe të shpikur nga njeriu.

17:30 Perëndia, pra, duke kaluar përmbi kohërat e padijes, i urdhëron të gjithë njerëzit dhe kudo që të pendohen.

17:31 Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej të vdekurit“.

17:32 Kur dëgjuan të flitej për ringjalljen e të vdekurve, disa e përqeshën dhe të tjerë thoshnin: “Do të të dëgjojmë përsëri për këtë gjë“.

17:33 Kështu Pali doli nga mesi i tyre.

17:34 Por disa u bashkuan me të dhe besuan, ndër këta edhe Dionis areopagiti, një grua që quhej Damaris dhe ca të tjerë me ta.