Veprat e Apostujve 23

SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI


23:1 Pali, duke shikuar nga sinedri, tha: “Vëllezër, deri në këtë unë jam sjellë përpara Perëndisë me ndërgjegje krejt të mirë“.

23:2 Kryeprifti Anania u dha urdhër atëherë atyre që ishin pranë tij ta godisnin në gojë.

23:3 Atëherë Pali i tha: “Perëndia do të të godasë ty, o mur i zbardhur. Ti je ulur të më gjykosh sipas ligjit dhe, duke e nëpërkëmbur atë, jep urdhër të më godasin“.

23:4 Dhe ata që ishin të pranishëm thanë: “E fyen ti kryepriftin e Perëndisë?“.

23:5 Pali u përgjigj: “Nuk e dija, o vëllezër, se është kryeprift, sepse është shkruar: "Ti nuk do të flasësh keq për princin e popullit tënd"“.

23:6 Pali, pra, duke ditur se një pjesë ishte nga saducenj dhe tjetra nga farisenj, i thirri sinedrit: “Vëllezër, unë jam farise, bir farisenjsh; për shkak të shpresës dhe të ringjalljes të së vdekurve unë po gjykohem“.

23:7 Sapo tha këtë, lindi një grindje ndërmjet farisenjve dhe saducenjve, dhe kuvendi u përça;

23:8 sepse saducenjtë thonë se nuk ka ringjallje, as engjëll, as frymë, ndërsa farisenjtë pohojnë edhe njërën dhe tjetrën.

23:9 Atëherë u bë një zhurmë e madhe. Skribët e palës së farisenjve u çuan në këmbë dhe protestonin duke thënë: “Ne nuk gjejmë asgjë të keqe te ky njeri; dhe nëse i ka folur një frymë ose një engjëll të mos luftojmë kundër Perëndisë“.

23:10 Dhe duke qenë se grindja po shtohej, tribuni, nga druajtja se mos Pali bëhej copa-copa prej tyre, u dha urdhër ushtarëve të zbresin dhe ta heqin nga mesi i tyre, dhe ta çojnë përsëri në fortesë.

23:11 Një natë më pas, Zoti iu shfaq atij dhe tha: “Pal, kurajo, sepse sikurse ke dhënë dëshmi për mua në Jeruzalem, ashtu duhet të dëshmosh edhe në Romë“.

Komploti i Judenjve kundër Palit; dërgimi i tij në Cezre

23:12 Kur zbardhi dita, disa Judenj kurdisën një komplot duke u lidhur me betim që të mos hanë dhe të mos pinë derisa të kenë vrarë Palin.

23:13 Ata që kishin bërë këtë komplot ishin më tepër se dyzet.

23:14 Ata u paraqitën para krerëve të priftërinjve dhe para pleqve dhe thanë: “Ne jemi lidhur me betim të mos vëmë gjë në gojë, derisa të vrasim Palin.

23:15 Ju, pra, me sinedrin, i bëni një kërkesë tribunit që t`jua sjellë nesër, gjoja se doni ta hetoni më thellë çështjen e tij; dhe ne, para se të afrohet, do të jemi gati ta vrasim“.

23:16 Por djali i motrës së Palit, si e mori vesh kurthin, rendi në fortesë dhe, mbasi hyri, i tregoi Palit.

23:17 Atëherë Pali thirri një nga centurionët pranë vetes dhe i tha: “Çoje këtë djalë tek kryemijëshi, sepse ka diçka për t`i thënë“.

23:18 Atëherë ai e mori dhe e çoi tek kryemijëshi dhe tha: “Pali, i burgosuri, më thirri dhe m`u lut të të sjell këtë djalë, sepse ka diçka për të të thënë“.

23:19 Atëherë kryemijësi e kapi për dore, e mori mënjanë dhe e pyeti: “Çfarë ke për të më thënë?“.

23:20 Ai tha: “Judenjtë janë marrë vesh që të të kërkojnë që nesër ta nxjerrësh Palin poshtë, në sinedër, se gjoja dashkan ta hetojnë më thellë çështjen e tij.

23:21 Prandaj ti mos ua vër veshin, sepse më shumë se dyzet burra nga ata kanë ngritur kurth kundër tij, sepse janë zotuar duke u lidhur me betim, të mos hanë e të mos pinë, derisa ta kenë vrarë; dhe tani janë gati dhe presin që ti t`ua lejosh atyre“.

23:22 Tribuni, pra, e la të shkojë djalin, duke e urdhëruar që të mos i tregojë kurrkujt se e kishte vënë në dijeni për këto gjëra.

23:23 Pastaj thirri dy centurionë dhe u tha: “Bëni gati që nga ora tre e natës dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shtizëmbajtës, për të shkuar deri në Cezare“.

23:24 Dhe u tha të bëjnë gati kuajt që ta hipte Pali dhe ta çonin shëndoshë e mirë te qeveritari Feliks.

23:25 Ai shkroi një letër me këtë përmbajtje:

23:26 “Klaud Lisia, qeveritarit shumë të shkëlqyeshëm Feliks, shëndet.

23:27 Ky njeri ishte kapur nga Judenjtë që ishin gati ta vrisnin, kur ia mbërrita unë me ushtarët dhe e lirova, sepse mora vesh se ishte qytetar romak.

23:28 Dhe, duke dashur të di fajin për të cilin e akuzonin, e nxora para sinedrit të tyre.

23:29 Përfundova se e kishin akuzuar për çështje që lidheshin me ligjin e tyre dhe që ai nuk kishte asnjë faj që të meritonte vdekjen e as burgimin.

23:30 Dhe, kur më njoftuan për kurthin që Judenjtë i ngritën këtij njeriu, ta nisa menjëherë, duke u dhënë urdhër paditësve të parashtrojnë para teje ankimet që kanë kundër tij. Qofsh me shëndet!“.

23:31 Ushtarët, pra, sipas urdhrit të dhënë, morën në dorëzim Palin dhe e çuan natën në Antipatridë.

23:32 Të nesërmen, pasi ua lanë si detyrë kalorësve të shkojnë me të, u kthyen në fortesë.

23:33 Ata, pasi arritën në Cezare dhe ia dorëzuan letrën qeveritarit, i paraqitën edhe Palin.

23:34 Mbasi e lexoi letrën, qeveritari e pyeti Palin nga ç`krahinë ishte; dhe, kur mori vesh se ishte nga Kilikia,

23:35 i tha: “Unë do të të dëgjoj kur të mbrrijnë edhe paditësit e tu“. Dhe urdhëroi që ta ruanin në pretoriumin e Herodit.

[previous][next]