Libri 1 (Psalmet 1 – 41)

Psalmi 1: Jeta e mirë

Libri i Psalmeve hapet duke larguar iluzionin e përgjithshëm që jeta mëkatare është një jetë e mirë. Përditë bota po bën një shplarje të trurit duke menduar se kënaqësia e vërtetë dhe e zgjatur gjendet në dhënien pas lakmive të mishit. Televizioni, radio, filmat dhe revistat hedhin idenë se toleranca e tepërt është rruga për kënaqësinë e plotë. Jeta në pastërti përçmohet si “puritaniste”. Por psalmisti bën një sqarim të plotë.

1:1 Njeriu me të vërtetë i i bekuar është ai që shmang stilin e jetës së të pabesëve. Në lidhjet e tij me ta ai shmang bashkëpunimin me ta. Gjithashtu në asnjë mënyrë ai nuk miraton mëkatin dhe talljen e tyre. Kjo nuk do të thotë se njeriu i bekuar e veçon veten e tij plotësisht nga të ligjtë. Në vend të kësaj ai u dëshmon atyre për “mëkat, drejtësi dhe gjykim” dhe përpiqet t’i çojë ata te Krishti, burimi i vetëm i kënaqësisë së pafundme. Njeriu i lumtur është një mik i vërtetë i të paperëndishmëve, por ai nuk është një pjesëmarrës në punët e tyre.

1:2 Është e pamundur të mendosh një njeri të bekuar që nuk është gjithashtu një njeri i Librit të Perëndisë. Ai ka një uri të pashuar për Fjalën e Zotit. Ai e do Biblën dhe mendon thellë për të ditë e natë. Kjo do të thotë se e tërë jeta e tij pasurohet dhe ai bëhet një mjet kalimi i bekimeve te të tjerët.

1:3 Njeriu që është i veçuar nga mëkati dhe i ndarë për Shkrimin ka tërë cilësitë e një peme të fortë, të shëndetshme dhe të frytshme:

E mbjellë [5] gjatë brigjeve të ujit – ai ka një kërkesë të pashtershme për ushqim dhe freskim.

Jep frytin e tij në stinën e tij – ai shfaq hiret e Frymës dhe fjalët e veprimet e tij janë gjithmonë në kohën e duhur dhe të përshtatshme.

Gjethet e tij nuk fishken – jeta e tij frymërore nuk është pjesë e ndryshimeve të përsëritura, por karakterizohet nga ripërtëritje të brendshme të vazhdueshme. Ashtu si ka thënë Mudi (D. L. Moody): “Tërë pemët e Zotit janë të gjelbra tërë kohës” [6].

Një njeri i tillë do të ketë mbarësi në çdo gjë që ndërmerr. Arsyeja sigurisht është se ai po jeton në përbashkësi me Zotin dhe tërë shërbesa e tij drejtohet nga Fryma e Shenjtë. Mënyra e vetme për të qenë i frytshëm dhe i suksesshëm në jetën e krishterë është të drejtohesh nga Fryma e Perëndisë. Veprimtaria e vetëdrejtuar është një harxhim i kotë kohe, paraje dhe përpjekjeje!

1:4 Të tillë nuk janë të pabesët; që do të thotë se ata nuk janë aq të vendosur mirë, as të frytshëm, as të qëndrueshëm apo të begatshëm. Si byku janë pa trup apo thelb. Kur fryjnë stuhitë e jetës, ata dalin të paqëndrueshëm. Era e fortë i shpërndan tutje.

1:5 Të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin. Ata sigurisht do të dalin para Perëndisë në Gjykimin e Fronit të Madh e të Bardhë. Por domethënia këtu është se ata nuk do të gjejnë mbrojtje të përshtatshme. Me një gjuhë të figurshme: nuk do të kenë shkop për t’u mbajtur! Përveç kësaj, ata kurrë nuk do të qëndrojnë në kuvendin e të drejtëve; ata do të përjashtohen përgjithnjë nga shoqëria e atyre që janë shpëtuar me anë të hirit përmes besimit në Zotin Jezu Krisht.

1:6 Cila është arsyeja e tërë kësaj? Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve. Ai jo vetëm që i njeh jetët e tyre, por i miraton gjithashtu. Çfarë dallimi me përfundimin e jetës mëkatare, që është vdekja e përjetshme!

Ne nuk mund të theksojmë shpesh se fati i një njeriu nuk përcaktohet nga mënyra se si jeton. Faktori përcaktues është nëse ka lindur sërish me anë të besimit në Jezu Krishtin. I drejti është ai që ka rrëfyer mëkatin e tij dhe ka pranuar Zotin Jezu Krisht si Shpëtimtarin e tij vetjak. Jeta e tij e drejtë është rezultati i jetës së tij të re në Krishtin. I pabesi është ai që refuzon të pranojë nevojën e tij dhe nuk përkul gjunjët e tij para Zotit Jezus. Ai më tepër pëlqen të mbajë mëkatin e tij sesa Shpëtimtarin dhe në këtë mënyrë vulos rrënimin e tij.

Psalmi 2: Dekreti i pandryshueshëm

Për ta vënë këtë psalm në vendin e duhur, duhet të shikojmë para në fundin e Mundimit të Madh, menjëherë para kthimit dhe mbretërimit të lavdishëm të Zotit tonë Jezus Krisht. Në këtë kohë një tërësi e madhe sunduesish dhe kombesh do të bashkohen me një përkushtim të zellshëm për të ndaluar që Krishti të marrë mbretëritë e qeverisjes botërore [7].

2:1-3 Por një bashkim i tillë do të vërtetojë se është një ndërmarrje e kotë. “Pse” – thotë psalmisti – “ziejnë kombet johebrenj dhe pse popujt hebrenj ndërmarrin përbetime të pashpresa? Si mund të mendojnë mbretërit johebrenj dhe sunduesit hebrenj të përparojnë në kryengritjen e tyre kundër pushtetit të Zotit dhe të vajosurit të tij?”.

2:4-6 Perëndia në qiejt do të qeshë me paturpësinë e tyre të marrë. Ai do të tallet me grushtet e forta dhe parrullat e tyre të zjarrta. Mburrjet dhe kërcënimet e tyre janë si cijatjet e miut para luanit!

Do të vijë koha kur Perëndia do të thyejë heshtjen. Kur Ai do të flasë, do të ndodhë me zemërim dhe inat saqë armiqtë e Tij do të tmerrohen. Ata do të dëgjojnë vendimin e Tij të patjetërsueshëm: “E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë”. Kur Perëndia shpall këtë vendim, përmbushja e tij do të jetë e sigurt ashtu sikur të kishte ndodhur tashmë.

2:7 Pastaj Vetë Krishti do të shtojë dëshminë e Tij. Ai do të zbulojë se në një bashkëbisedim të fshehtë Ati i kishte thënë më së pari Atij: “Ti je biri im, sot më linde”. Ky dekret mund të kuptohet në të paktën katër mënyra: së pari, ka një kuptim të vërtetë sipas të cilit Krishti ishte Biri i Perëndisë nga përjetësia. Së dyti, te Veprat e Apostujve 13:33 vargu citohet duke iu referuar mishërimit të Krishtit. Në një kuptim të tretë, Krishti u lind në ringjallje – “i parëlinduri nga të vdekurit” (Kol. 1:18). Së fundi, disa hedhin mendim se “sot” i referohet një dite në të ardhmen kur Krishti do të kurorëzohet si Mbret.

2:8 Por Ati shton gjithashtu: “Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin”. Me fjalë të tjera, Perëndia Atë i ka premtuar sundim universal Birit të Tij. Tërë toka do t’i nënshtrohet pushtetit të Tij dhe sundimi i Tij do të shtrihet në çdo skaj.

2:9 Së fundi, Perëndia i ka dhënë Krishtit pushtetin të merret me padëgjesën dhe rebelimin. Ai do të copëtojë me një shufër hekuri ata që ngrejnë krye kundër Tij, duke i thyer ata si një enë prej argjile. Nga pjesë të tjera të Shkrimit mësojmë se Krishti do të ushtrojë pushtetin e Tij qoftë kur të kthehet në tokë, qoftë edhe gjatë mbretërimit mijëvjeçar. Para se të kurorëzohet si Mbret, Ai do të shkatërrojë ata që nuk e njohin Perëndinë dhe që nuk i binden ungjillit. Pastaj, gjatë Mijëvjeçarit, Krishti do të sundojë me një shufër hekuri, duke ndëshkuar rebelimin sa herë që të ngrejë kokën e ligë.

2:10,11 Më pas dëgjohet zëri i Frymës së Shenjtë. Në një thirrje nxitëse ungjillizuese Ai shtyn mbretërit dhe sundimtarët të duan dhe t’i shërbejnë Zotit. Të mos e pranosh Atë do të thotë shkatërrim, ndërsa t’i besosh Atij sjell siguri dhe lumturi të vërtetë.

2:12 Për njeriun t’i besojë Krijuesit të tij është gjëja më e mençur, më logjike, më e arsyeshme që mund të bëjë. Nga ana tjetër, të mos besosh dhe të sfidosh Shumë të Lartin është gjëja më e paarsyeshme që mund të bëjë një njeri.

Psalmi 3: Një studim në gjendje të ndryshme shpirtërore

Nëse ndryshojmë menjëherë gjendjen shpirtërore, mund të marrim zemër nga fakti se edhe Davidi gjithashtu e ndryshonte! Në këtë psalm ai shtrin shkallën nga dëshpërimi i errët në besimin e qetë.

3:1,2 Në fillim Davidi frikësohet nga armiqtë e tij. Numri i tyre i madh i ngjall frikë zemrës së tij. Çfarë është një i vetëm para shumë njerëzve? Pastaj gjithashtu ai thumbohet nga talljet e tyre përqeshëse. Ata thonë tërthorazi se mëkati i tij e ka lënë atë pa shpresën e shpëtimit hyjnor.

Vargu 2 mbyllet me fjalën enigmatike Sela. Meqë kjo është hasja e parë e shtatëdhjetë e një herëve të përsëritura te Psalmet, do të ndalemi ta komentojmë. Fatkeqësisht, vërejtja jonë do të jetë më tepër një rrëfim paditurie sesa një shpjegim! Fakti i thjeshtë është se ne nuk e dimë se çfarë do të thotë kjo fjalë. Ajo që mund të bëjmë është të rendisim disa nga domethëniet që i janë dhënë dhe të lëmë lexuesin të vendosë se cila duket më e mira.

Sela mund të nënkuptojë të shtosh zërat apo shoqërimin me vegla muzikore, pra të këndosh apo t’u biesh veglave me zë më të lartë.

Mund të tregojë një pauzë apo një ndalesë, ashtu sikur të thuhej: “Ndalo dhe mendo për të”.

“Te Septuaginta është përkthyer nga diapsalmos, që do të thotë qoftë t’u biesh veglave me zë të lartë, forte, ose me më tepër gjasa, një interval instrumental” [8].

Disa mendojnë se nënkupton një përsëritje, si da capo.

Mund të nënkuptojë fundin e një strofe (një ndarje muzikore).

Mund të nënkuptojë gjithashtu përkuljen e trupit si një veprim nderimi apo respekti.

3:3 Gjendja shpirtërore e psalmit ndryshon në vargun 3. Davidi i heq sytë e tij nga armiqtë dhe i drejton nga Zoti dhe kjo ndryshon pamjen e tij. Menjëherë ai kupton se ka në Jehovahun një mburojë, një burim lavdie dhe ai i larton kokën. Si mburojë e tij Zoti i jep atij mbrojtje të plotë nga sulmet e papritur të armiqve. Si lavdia e tij Zoti i jep atij nder, dinjitet dhe miratim në vend të turpit, qortimit dhe shpifjes që e kishin mbuluar. Si lartimi i kokës së tij Zoti i jep zemër dhe e lartëson.

3:4 I frymëzuar nga këto mendime të mëdha dhe të vërteta të Perëndisë, Davidi shkon te Zoti në lutje dhe merr siguri të menjëhershme që kërkesa e tij është dëgjuar dhe ka marrë përgjigje. Perëndia përgjigjet nga mali i tij i shenjtë, pra, nga vendi i tempullit në Jerusalem, vendi ku Ai banoi midis popullit të Tij.

3:5,6 I siguruar nga mbrojtja e Jehovahut, psalmisti shtrihet dhe fle. Është gjumi më i ëmbël – një dhuratë e Perëndisë për ata që i besojnë Atij në mes të rrethanave më problematike të jetës.

Pas një nate të qetë Davidi çohet i vetëdijshëm se ishte Zoti Ai që kishte qetësuar nervat, të cilët e kishin mbushur me frikë frikë dhe me parandjenja të këqija. Tani ai ka guxim të përballet me armiqtë e tij pa iu dridhur qerpiku, edhe pse rrethohet nga mizëri prej tyre!

3:7 Por kjo nuk do të thotë se lutja nuk është më e nevojshme. Hiri që na mbajti mbrëmjen që shkoi nuk do të mjaftojë për të sotmen. Ne kemi nevojë për një furnizim të freskët me hirin e Perëndisë çdo ditë. Kështu Davidi shkon te Zoti për të kërkuar çlirim të vazhdueshëm, duke besuar se Perëndia do të godasë tërë armiqtë e tij në nofull dhe do të thyejë dhëmbët e tyre.

3:8 Sipas Davidit Jehovahu është i Vetmi që mund të çlirojë njeriun; shpëtimi i përket vetëm Zotit. Kështu ai kërkon që Perëndia të bekojë popullin e Tij, duke vazhduar t’u tregojë atyre çlirimin e Tij të mrekullueshëm.

Emocionet marramendëse të këtij njeriu të Perëndisë mbase mund të kuptohen më mirë nëse shohim te titulli i psalmit edhe një herë:

“Psalm i Davidit kur iku përpara Absalomit, birit të tij”

Komandanti i armiqve të Davidit ishte vetë biri i tij! Do të kishte qenë një gjë shumë e keqe nëse kundërshtarët do të ishin pushtues të huaj, por, ngaqë ata drejtoheshin nga biri rebel i Davidit, trishtimi dhe hidhërimi i tij ishte i dyfishtë.

Psalmi 4: Qetësuesi i fshehtë i Perëndisë

4:1 Ndërsa Davidi futet në praninë e Zotit, ai i drejtohet Atij si Perëndi i drejtësisë sime. Kjo përcjell idenë se Perëndia i drejtësisë do ta gjykojë Davidin drejtësisht. Njerëzit mund të shpifin dhe të përjashtojnë nga shoqëria, por Perëndia njeh faktet e vërteta dhe do të bëjë që të triumfojë drejtësia!

Pastaj Davidi shton: “Kur isha në fatkeqësi, ti më ke ndihmuar”. Në Përkthimin e Ri të Darbit (Darby) kjo është përkthyer kështu: “Në shtypje më ke zgjeruar”. Zakonisht “shtypje” zvogëlon madhësinë ose vëllimin e një objekti, por Perëndia përdor shtypje për të prodhuar zgjerim frymëror! Begatia bën shumë pak për ne, por vështirësia prodhon rritje dhe pjekuri. Spërxhëni (Spurgeon) ka thënë dikur:

Kam frikë se tërë hirin që kam marrë nga rehatitë, kohët e lehta dhe orët e lumtura mund të vlejnë sa një qindarkë. Por e mira që kam marrë nga brengat, dhimbjet dhe trishtimet është e pallogaritshme. Sa shumë i detyrohem çekiçit dhe kudhrës, zjarrit dhe limës! Pikëllimi është copa më e mirë e pajisjeve që kam në shtëpi [9].

Duke kujtuar se si Perëndia u është përgjigjur lutjeve të tij në të shkuarën kur ishte në shtypje, Davidi ndihet i lirë t’i kërkojë Perëndisë që ta dëgjojë përsëri.

4:2,3 Sfondi i thirrjes së Davidit nënkuptohet nga vargjet 2-5. Ai po pësonte gjëra të këqija dhe po përgojohej nga njerëz pa parime. Këta kritikë kërkues gabimesh te të tjerët po përdhosnin emrin e tij, duke plagosur karakterin e tij dhe duke përlyer reputacionin e tij me padi të pabazuara dhe gënjeshtra të mirëfillta.

Davidi u kërkon atyre se deri kur do të zgjaste kotësia e pamendtë e tyre, pastaj u kujton atyre se përpjekjet e tyre për ta rrëzuar atë janë të kota, sepse Vetë Perëndia është në anën e tij: “Zoti ka zgjedhur një që është i shenjtë”. Ata që besojnë në Zotin janë si “bebja e syrit të tij” (Zak. 2:8). Emrat e tyre janë gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të Tij (Is. 49:16). Ai i dëgjon ata kur ata i thërrasin dhe nxiton për t’i ndihmuar. Davidi pararend në këtë mënyrë temën e Palit te Romakëve 8:31: “Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?”.

4:4 Armiqtë e Davidit duhet të ishin të qetë. Nëse duhet të zemëroheshin, duhet të ndodhte për ndonjë shkak të drejtë. Fjalia “Zemërohuni dhe mos mëkatoni” citohet edhe tek Efesianëve 4:26, por atje i drejtohet besimtarëve, duke i kujtuar ata se është e drejtë të zemërohesh për shkakun e Perëndisë, por jo për shkakun tonë. Këtu në Psalmin 4 sigurisht, fjalët u drejtohen të ligjve për t’i paralajmëruar ata kundër kalimit të zemërimit në veprime të dhunshme. Ndërsa ata rrinë zgjuar gjatë orëve të natës, ata duhet të shqyrtojnë zemrat e tyre dhe të marrin parasysh marrëzinë e luftimit kundër Perëndisë. Përsiatje të tilla të urta do t’u mbyllin gojën thashethemeve dhe do t’u japin fund planeve të tyre të liga.

4:5 Me një besim të guximshëm ungjillor Davidi këshillon të pabesët të ndërthurin drejtësinë praktike me besimin në Zotin. “Bëni drejtësi me anë të flijimit tuaj” (Gelineau). Por kjo mund të bëhet vetëm nga ata që kanë vendosur besimi te Zoti.

4:6 Ka shumë që dëshirojnë begati dhe lumturi. Ata vazhdimisht dëshirojnë të shohin të mirën. Por problemi është se ata duan bekimin pa Bekuesin dhe të mirën pa Perëndinë. Ata duan të gjitha përfitimet e jetës së mbushur me Krishtin, por nuk duan Mirëbërësin.

Në dallim nga ta, Davidi shkon drejt te Burimi i çdo të mire me fjalët: “O Zot, bëj që të shkëlqejë drita e fytyrës sate mbi ne”.

4:7Gëzimi i tij në Zotin e tejkalon shumë gazin e të paperëndishmëve kur dhomat e tyre mbushen përplot me grurë dhe vozat e tyre çahen nga vera. “Kurrë të korrat e misrit dhe vera e të pasurit nuk sjellin gëzim sa gëzimi që ke vendosur Ti në zemrën time” (Knox).

4:8 I siguruar për tërëmjaftueshmërinë e Zotit, shqetësimi i brendshëm i psalmistit ulet. Tashmë ai mund të bjerë në paqe dhe të flejë, duke ditur se është Zoti që e mban në siguri. Me të vërtetë, një lutje prej tetë vargjeve të shkurtër ka ndryshuar komplet situatën e Davidit!

Psalmi 5: Lutja e mëngjesit

Në fillim të Psalmit 5 shkruhet: Mjeshtrit të korit. Për flaut. Psalm i Davidit.

Meqë shumë nga psalmet kanë tituj pak a shumë të ngjashëm me këtë, ne duhet të përsërisim edhe një herë atë që shumë studiues besojnë se këto mbishkrime janë pjesë e tekstit të frymëzuar. Në disa versione të Biblës (duke ndjekur hebraishten origjinale) titujt përfshihen si një varg i vetëm. Disa studiues mendojnë se titujt i përkasin fundit të çdo psalmi të mëparshëm, por prova e kësaj nuk është bindëse. Problemi i madh me këta tituj është se domethëniet janë shpesh të paqarta. Në Psalmin 5 ato tregojnë motivin e një këngë tjetër me të cilën mund të këndohet psalmi. Në Psalmin 57, për shembull, shkruhet në mbishkrim: “Mbi motivin: ‘Mos shkatërro'”. Ky mund të ketë qenë titulli i një këngë të mirënjohur në atë kohë. Ndonjëherë domethënia është aq e dyshimtë saqë përkthyesit e NKJ vendosën t’i përkthenin fjalët hebraike. Në Psalmin 16, për shembull, shkruhet: “Himn [10] i Davidit”. Fatmirësisht për ne, gëzimi ynë për një psalm nuk varet nga të kuptuarit tonë të këtij titulli.

Psalmi 5

Psalmi 5 është një lutje e mëngjesit në të cilën Davidi mendon thellë mbi përqendrimet krahasuese të Perëndisë midis të drejtit dhe të pabesit.

5:1,2 Që në fillim ai i drejtohet Perëndisë të dëgjojë jo vetëm fjalët e tij, por edhe të dëgjojë me vëmendje ankimin e tij. Kjo është një kërkesë e vlefshme. Fryma e Shenjtë mund t’i interpretojë ankimet tona aq lehtë sa edhe fjalët që flasim.

Psalmisti, gjithashtu, i drejtohet Perëndisë të dëgjojë jo vetëm ankimet e tij, por edhe zërin e britmës së tij. Kjo do të thotë më tepër se fjalët e thjeshta; kjo jep idenë e intonacionit të fortë, në skajin e thellë, të zellshëm të zërit.

Duke iu drejtuar Zotit si “mbreti im dhe Perëndia im”, Davidi zbulon marrëdhënien e ngrohtë, vetjake, intime që ai shijonte me Zotin. Në fjalët: “sepse ty të drejtoj lutjen time”, tregon se Perëndia i vërtetë ishte i Vetmi të cilit i lutej – “Ty dhe vetëm Ty”. Marrëdhënia nuk ishte vetëm zotëruese, por edhe e veçantë në të njëjtën kohë.

5:3 Lutjet e Davidit nuk ishin me hope, por të rregullta. Çdo mëngjes Zoti dëgjonte zërin e tij. Çdo mëngjes njeriu i Perëndisë përgatiste flijimin e lavdërimit të lutjeve dhe priste që Zoti t’i shfaqej gjatë ditës. Shpesh ne nuk presim për përgjigjet e Perëndisë. “Ne humbasim shumë përgjigje” – thotë Mejeri (F. B. Meyer) – “sepse lodhemi duke pritur në skelë për anijet që do të kthehen”.

5:4-6 Gjithmonë syhapur ndaj armiqve të tij, besimi i Davidit në lutje forcohet duke kujtuar shenjtërinë dhe drejtësinë e Perëndisë. Besimtarët kanë një gjurmë të brendshme drejt fronit të hirit. Por nuk është kështu me të pabesët. Perëndia nuk mund të kënaqet duke lëshuar pe ndaj pabesisë. E keqja nuk mund të jetë mysafiri i Tij i mbrëmjes. Ata që lëvdojnë veten nuk përkrahen për të folur para këtij Mbreti. Ai urren tërë keqbërësit – një e vërtetë që thumbon mitin mbizotërues se Perëndia është vetë dashuri dhe për këtë arsye nuk mund të urrejë! Shenjtëria e Perëndisë kërkon që Ai të ndëshkojë të gjithë gënjeshtarët dhe të urrejë tërë vrasësit dhe mashtruesit.

5:7 Në dallim me vështirësitë e tij të mbrapshta, Davidi kishte liri për hyrje të plotë në praninë e Zotit përmes mirësisë apo hirit të madh dhe të padështueshëm të Perëndisë. Në një frymë nderimi të thellë Davidi adhuronte, ashtu si tërë judenjtë e perëndishëm, para tempullit të shenjtë. Meqë tempulli nuk ishte ndërtuar për sa kohë ishte gjallë Davidi, fjala këtu mund t’i referohet tabernakullit, ashtu si te 1 Samuelit 1:9; 3:3 dhe 2 Samuelit 22:7.

5:8 I mërzitur nga armiqtë e tij, Davidi i kërkon Zotit që të shfaqë drejtësinë e Tij duke e çuar në një vend të sigurt përmes rrezikut rreth e qark dhe që ta bëjë rrugën e tij të pastër si kristal.

5:9 Pastaj psalmisti ndërfut arsye të forta pse Perëndia duhet të hakmerret për shërbëtorin e Tij të drejtë dhe të ndëshkojë armiqtë e ligj. Nuk mund t’u zihet besë asnjë fjale nga ato që thonë. Jetët e tyre të brendshme, mendimet dhe shtysat e tyre janë krejtësisht të prishura dhe priren drejt shkatërrimit. Gryka e tyre është një varr i hapur, qelbet erë nga prishja dhe e gatshme për të shqyer viktimat e tyre. Ata janë lakmues të pandreqshëm dhe jo të sinqertë.

5:10 Shkatërrimi i tyre është i drejtë. Ata duhet të durojnë fajin e tyre. Shestimet e tyre të liga duhet të bien mbi kokën e tyre. Të këqijat e tyre të panumërta kërkojnë dënimin e tyre. Mëkati i tyre më i madh është se kanë ngritur krye kundër Zotit Perëndi.

5:11,12 Por ndërsa Perëndia merret me armiqtë e Tij në gjykim, miqtë e Tij paçin gjithmonë të drejtë që të gëzohen dhe të nxjerrin klithma gëzimi ndërsa shkojnë tek Ai si te Streha e tyre, e fortë dhe e sigurt! Të gjithë ata që duan Jehovahun le ta madhështojnë Atë si Mbrojtësin e tyre të padështueshëm! Kjo është e sigurt – Perëndia përkrah të drejtin; Ai do ta rrethojë atë me hir ashtu si një mburojë mbrojtëse.

Psalmi 6: Shqetësimi i dyfishtë

Ishte shumë keq të mbërtheheshe nga një sëmundje serioze, por shqetësimi i Davidit kishte të bënte me shtypjen torturuese të kundërshtarëve të tij. Mbase ata po kënaqeshin brenda vetes se gjendja e tij ishte e pashpresë.

6:1 Davidi e interpreton sëmundjen e tij si një goditje të rëndë nga Perëndia, e shkaktuar nga ndonjë mëkat. Ne zakonisht e bëjmë këtë me veten tonë; zakonisht është mendimi i parë që na kalon nëpër mendje. Dhe kjo diagnozë zakonisht është e saktë: ndonjë sëmundje shkaktohet me të vërtetë nga ndonjë mëkat i parrëfyer në jetën e besimtarit (1 Kor. 11:30). Por kjo nuk do të thotë se ndodh gjithmonë kështu. Perëndia zakonisht i lejon sëmundjet si pikënisje të shfaqjes së fuqisë dhe lavdisë së Tij (Gjon. 9:3; 11:4), apo si mjete për të sjellë fryt frymëror (Rom. 5:3), apo për të parandaluar mëkatin (2 Kor. 12:7), apo si një pasojë natyrale e punës së tepërt (Fil. 2:30), apo plakjes (Predikuesi 12:3-6).

Sa herë që shfaqet sëmundja, gjëja e parë që duhet të bëjmë është të sigurohemi nëse kemi ndonjë mëkat të parrëfyer në jetën tonë. Pastaj duhet t’i kërkojmë Zotit të kryejë qëllimin e Tij me anë të sëmundjes dhe të na shërojë. Pas kësaj është e udhës të shkojmë te një doktor dhe të përdorim ilaçe, por duhet të kemi kujdes që besimi ynë të jetë në Zotin dhe jo në mjetet që përdor Ai (2 i Kronikave 16:12). Çdo shërim vjen prej Zotit, qoftë me anë mrekullish apo në mënyrë të zakontë. Nëse në ndonjë rast të veçantë Ai nuk vendos të shërojë, atëherë ai do të japë hir [forcë, durim, kurajë, guxim], qoftë për vuajtjen, qoftë për vdekjen. Zakonisht ne nuk marrim hir [forcë, durim, kurajë, guxim] që të përballojmë vdekje deri sa të kemi nevojë për të.

6:2,3 Psalmisti ishte plot zë dhe i rrjedhshëm në kërkesën e tij për shërim. Ai po tretej. Kockat e tij kishin dhimbje vazhdimisht. Madje edhe tërë jeta e tij e brendshme – emocionet, intelekti dhe vullneti i tij – ishin prekur. Por duket se Zoti po e ngadalësonte përgjigjen. Deri kur do të priste para se Ai ta shëronte me hir vuajtësin?

6:4 Davidi i kërkon Zotit të kthehet nga ajo që duket se është një qëndrim moskokëçarjeje dhe të shpëtojë jetën e tij nga sëmundja dhe vdekja. Thirrja e tij e vetme për çlirim nga mjerimi është mëshira e qëndrueshme e Jehovahut.

6:5 Pastaj vijon një argument i pazakontë për shërim, pra që, nëse Davidi do të vdiste, nuk do të kishte përfitime për Perëndinë. Për aq kohë sa është gjallë, ai mund ta kujtojë Zotin dhe ta lavdërojë Atë. Por nëse vdes, Perëndia do të harrohej. Trupi pa frymën nuk do të ishte i zoti ta kremtonte Atë.

Argumenti ka një farë vlefshmërie për sa i përket trupit, sepse një kufomë nuk ka kujtesë dhe fuqi për të lavdëruar. Por për sa i përket frymës dhe shpirtit, argumenti pasqyron njohjen e kufizuar që shenjtorët e DhV kishin për jetën pas vdekjes. Falë zbulimit më të plotë nga ana e Krishtit, dimë se kur një besimtar vdes, ai lë trupin e tij tokësor dhe shkon për të qenë me Krishtin, gjëja më e mirë (Fil. 1:23). Ai nuk është më në trup, por është në shtëpi me Zotin (2 Kor. 5:8). Kështu, besimtari nuk shkon në një harresë të gjumit të shpirtit, por është i vetëdijshëm në praninë e Zotit, duke lavdëruar dhe adhuruar Atë.

Duhet dhënë në përkrahje të Davidit se ai përdori më së miri dritën që kishte, duke e endur atë në fabrikën e lutjeve të tij. Nëse lutjet tona përdoren më së miri në bazë të dritës më të madhe që kemi, çfarë krahasimesh lavdërimi dhe lutjesh do të kemi!

6:6,7 Ne mund të imagjinojmë thellësinë e mjerimit të psalmistit me anë të këtij përshkrimi të gjendjes së tij. Ai ishte plotësisht i copëtuar duke rënkuar dhe duke psherëtirë. Çdo natë ai e lagte nënkresën e vet me vajin e tij dhe e mbushte shtrojen e tij me lotë. Sytë e tij ishin fundosur për shkak të ligështimit dhe pamja i ishte venitur për shkak të shtypjes së tërë armiqve të tij. Dukej se jeta e tij ishte e mbushur së tepërmi me probleme dhe se ai nuk mund të duronte më.

6:8-10 Por lutja i ndryshon gjërat. Me anë të komunikimit të fshehtë dhe të mistershëm të Frymës, atij i vjen siguria se Zoti ka dëgjuar zërin e vajit të tij dhe se lutja e tij kishte marrë përgjigje. I forcuar nga kjo siguri ai urdhëron armiqtë e tij të zhduken. Ai nuk trembet më nga kërcënimet e tyre, sepse ka kuptuar se ata në çast do të rrëzohen në shpartallim të turpshëm kur Zoti do të çohet për t’i ndëshkuar.

O Zot, çfarë ndodh në ne brenda një ore

një ndryshim po të kalohet në praninë Tënde!

Çfarë barrash të rënda nga kraharori ynë heq!

Çfarë vendesh të thara freskon si me shi!

Ne përkulemi dhe gjithçka rreth nesh duket se përulet;

ne ngrihemi dhe gjithçka – afër dhe larg –

qëndron në këmbë, në përvijim të bukur,

të guximshëm dhe të qartë;

Ne përkulemi, sa të dobët jemi;

ne çohemi, sa të forcuar me fuqi bëhemi!

Pse, pra, duhet t’i bëjmë vetes këtë të keqe

apo të tjerëve – që nuk jemi gjithmonë të fortë?

Që ndonjëherë jemi të shtypur nga kujdesi,

që nuk duhet të jemi të dobët, apo pa zemër,

plot ankth apo të shqetësuar,

kur me ne në lutje,

gëzim, forcë dhe guxim je Ti?

Riçërd Çeneviks Trenç (Richard Chenevix Trench)

Psalmi 7: Thirrja e të shtypurit

Titulli hebraik e njëjtëson këtë si Shigioniti i Davidit që i këndoi Zotit për fjalët e Kushit, beniaminitit. Grenti (F. W. Grant) shkruan se fjala shigion nënkupton një ode endacake apo një himn të lartë dhe entuziast, në të cilin shkrimtari rrëmbehet nga entuziazmi. Kushi, subjekti i odes, ishte nga i njëjti fis si Sauli dhe ishte mbase një nga oficerët e tij. Sido që të jetë, ai ishte një armik i lig i Davidit. Versioni NKJV përkthen fjalën shigion si meditim.

7:1,2 Në një thirrje të zjarrtë Davidi lutet për çlirim nga ndjekësit e tij. Përndryshe ai do të jetë si një qengj pa ndihmë, i sulmuar nga një luan dhe i copëtuar, i dobët dhe pa jetë.

7:3-5 Kushi mbase po akuzonte Davidin për një listë të gjatë krimesh, mbase duke përfshirë sulmet kundër jetës së Saulit dhe kundër bazave të ushqimit të mbretit. Por Davidi mbron pafajësinë e tij. Ai nuk ishte fajtor për paditë që i bëheshin. Në duart e tij nuk kishte ligësi. Ai nuk ishte hakmarrë ndaj mbretit, edhe kur pati mundësinë ta bënte një gjë të tillë. Nëse ai do t’i kishte bërë këto gjëra, atëherë do të ishte gati t’i pësonte këto gjëra – ta ndiqnin, ta kapnin, ta shtrinin përtokë dhe ta vrisnin.

7:6-8 Por meqë nuk ishte kështu, ai me guxim i drejtohet Zotit çohet në zemërimin e Tij, të ndëshkojë armiqtë dhe të marrë hak për të pafajshmin. Ai përfytyron Perëndinë i cili thërret që të bëhet një gjyq i madh: një turmë e madhe njerëzish të mbledhur në gjykatë. Jehovahu ulet në podium dhe gjykon popujt. Ajo që kërkon Davidi është të gjykohet sipas drejtësisë dhe ndershmërisë së Tij. Kjo mund të tingëllojë si një mendjemadhësi e madhe, por duhet të kujtojmë se Davidi nuk po pohon drejtësinë absolute në çdo fushë të jetës së tij – vetëm ndaj atyre padive që ishin bërë kundër tij.

7:9-11 Vargu 9 nxjerr në pah britmën e vjetër të popullit të shtypur të Perëndisë. Çdo zemër e përkushtuar gulçon për ditën kur mbretërimi i së keqes do të përfundojë dhe njeriu i drejtë do të trashëgojë tokën. Ajo ditë do të vijë kur të kthehet Krishti për të vendosur mbretërinë e Tij. Ndërkohë, Perëndia i drejtë që njeh mendimet dhe shtysat e njeriut është mburoja apo mbrojtësi i të drejtëve dhe gjykatës i drejtë zemërohet çdo ditë me keqbërësit.

7:12,13 Perëndia ka një armatim të sigurt. Nëse i pabesi nuk pendohet, ai do të mprehë shpatën e tij dhe ka shtrirë harkun e Tij që të gjuajë shigjetat me zjarr. Tërë armët e Perëndisë janë vdekjeprurëse!

7:14-16 Në fund, Davidi ka besim se armiqtë e tij do të korrin atë që kanë mbjellë. Mëkati i tij do të ndjekë rrjedhën e njohur të ngjizjes, barrës, lindjes dhe vdekjes. Armiku i tij së pari koncepton një përbetim për të shkatërruar psalmistin. Shpejt ai mbushet me ide të liga. Pastaj nxjerr në jetë shestimin e tij mashtrues. Por ajo i kthehet përkundër vetes. Ai bie në kurthin e vet dhe tërë ligësia dhe dhuna që kishte planifikuar për psalmistin bien mbi çafkën e kokës së tij nga një ironi e pashpjegueshme rrethanash.

7:17 Kjo drejtësi e paanshme e shtyn Davidin të ngrejë zemrën e tij drejt Zotit në falënderim dhe të këndojë lëvdime në emër të Zotit, Shumë të Lartit.

Psalmi 8: Çfarë është njeriu

Perëndia tejet i madh. Njeriu, nga ana tjetër, është tejet i vogël. Megjithatë Perëndia ka hedhur lavdi dhe nder të madh mbi njeriun. Habia e këtij fakti nxjerr një brohoritje të rrjedhshme të Davidit.

8:1 Madhështia e Zotit është e qartë në tërë krijimin, nëse një njeri ka sy për të parë. Çdo fushë e shkencës natyrore është e mbushur me prova të diturisë dhe fuqisë së Krijuesit. Lavdia e Perëndisë është më e lartë se qiejt. Planetet, yjet, gjithësia e pafund japin vetëm një paraqitje të pjesshme të asaj se sa i madh është me të vërtetë Perëndia. Megjithatë, njerëzit “modernë” anashkalojnë provën ashtu sikur të mos ekzistonte.

8:2 Por të vegjlit në besimin e tyre të pafajshëm i këndojnë madhështisë së Perëndisë në himnet e tyre të thjeshta. Është njëlloj ashtu si Vetë Krishti ka shpallur: Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i dheut, sepse ua fshehe këto gjëra të urtit dhe të mençurit dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël (Mt. 11:25).

Nëse mendojmë se flitet për foshnja në kuptimin e plotë të fjalës apo duke nënkuptuar dishepujt e Zotit që kanë besim si fëmijët në Të, është e vërtetë se ata formojnë një pritë për Zotin, për shkak të armiqve të Tij. Ata zakonisht mund t’i bëjnë të heshtin armiqtë e Perëndisë me anë të një pyetjeje të pafajshme apo vëzhgimi naiv. Ashtu siç duhet vetëm një gjilpërë e vogël për të shpuar një balonë të madhe, po kështu këta ndjekës të thjeshtë të Qengjit zakonisht ulin mëtimet e larta të atyre që mohojnë dorën e Perëndisë në krijim dhe providencë!

8:3 Asnjë degë e shkencës nuk shpall madhështinë e Perëndisë dhe vogëlsinë e njeriut më tepër qartë sesa astronomia. Fakti i thjeshtë që largësitë duhen matur me vite-dritë (largësia që drita përshkon në një vit) ilustron këtë pikë. Drita përshkron 279.000 km në sekondë dhe viti ka 31 milion e 536 mijë sekonda, kështu që drita përshkon afërsisht 8.798.544 miliardë km në një vit të vetëm! Disa yje ndodhen disa miliarda vite-dritë nga toka. Pa u çuditur ne e quajmë këtë llogaritje astronomike.

Të shqyrtuarit e qiejve gjatë natës duhet të na shtyjë të mendojmë shumë rreth Perëndisë. Hëna dhe yjet janë vepër e gishtërinjve të Tij. Kur mendojmë për moritë e panumërta të yjeve, të largësive të mëdha në gjithësi dhe të fuqisë që mban planetet në orbitë me saktësi matematikore, e gjitha kjo të çorodit mendjen.

8:4 Duke e parë relativisht, planeti i tokës është një pikë pluhuri në gjithësi. Nëse është kështu, çfarë është një njeri që banon në këtë planet? Megjithatë Perëndia interesohet për çdo individ! Ai ka një interesim vetjak dhe intim për çdo qenie njerëzore.

8:5 Perëndia e bëri njeriun në shëmbëlltyrën dhe sipas ngjashmërisë së Tij. Edhe pse pakmë i ulët se Perëndia [11], njeri ka të përbashkëta me Të disa aftësi që nuk janë të përbashkëta me asnjë gjë tjetër në tokë. Çdo gjë që Perëndia bëri tha se ishte e mirë, por vendimi mbi krijimin e njeriut qe “shumë mirë”.

8:6-8 Si përfaqësuesi i Perëndisë mbi tokë, njeriut iu dha pushteti të mbretërojë mbi zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit dhe tërë rrëshqanorët. Nuk pati asgjë që nuk ishte nën pushtetin e tij.

Por shkrimtari i Letrës drejtuar Hebrenjve na kujton se nuk po e shohim njeriun që ta shijojë këtë pushtet të padiskutuar në kohën e tashme (Hebr. 2:5-9). Qentë u lehin njerëzve, gjarpërinjtë i pickojnë ata, zogjtë dhe peshqit u shpëtojnë nga dora. Shpjegimi është se kur mëkati u fut në tokë përmes Adamit, njeriu humbi sovranitetin e tij të pacilësuar mbi krijesat më të ulta.

Megjithatë qëllimi i Perëndisë mbetet akoma. Ai ka shpallur se njeriu do të ketë pushtet dhe askush nuk mund të bllokojë qëllimet e Perëndisë. Kështu ndërsa nuk shohim tërë gjërat të nënshtruara njeriut në kohën e tashme, shohim Jezusin – Personin e vetëm me anë të të cilit pushteti i njeriut do të vihet në vendin e mëparshëm. Kur Krishti erdhi në tokë, Ai u bë për pak kohë më i ulët se engjëjt në mënyrë që si Njeri të vdiste për racën njerëzore. Tashmë Ai është i kurorëzuar me lavdi dhe nder në të djathtën e Perëndisë. Një ditë Krishti, Biri i njeriut, do të kthehet në tokë për të mbretëruar si Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve. Gjatë Mijëvjeçarit pushteti që u shpërdorua nga Adami i parë do të vihet në vendin e duhur nga Adami i fundit.

8:9 Pastaj populli i shpenguar i Perëndisë do t’i shtohet këngës me vlerësim të ri: “O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!”.

Psalmi 9: Dita e hakmarrjes

Nëse mbishkrimi në versionin Chaldee [një dorëshkrim] është i saktë, Davidi këtu po kremton fitoren e tij mbi Golinë. Por ai po shikon përtej këtij triumfi, te fitorja përfundimtare e Perëndisë kundër armiqve të Tij. Psalmi është akrostik, mbështetur në pjesën e parë të alfabetit hebraik [12].

9:1,2 Këngëtari i ëmbël është tepër i gëzuar për tërë mrekullitë e Perëndisë. Këtu ai nuk po mendon shumë për veprat e Tij të krijimit apo shpengimit, por të heroizmit të Tij madhështor duke shtypur armiqtë e kombit. Davidi i jep tërë lavdinë Perëndisë – aspak vetes dhe as armëve apo aftësive të njeriut. Me çdo qelizë të qenies së tij ai nderon dhe madhështon emrin e Shumë të Lartit. Shembulli i dashurisë dhe i përkushtimit të tij ndaj Zotit na bën shumë prej nesh të kuptojmë se sa të ftohtë dhe të papërgjegjshëm jemi zakonisht.

9:3,4 Më pas ai sjell nëpër mend betejën epike të Perëndisë, megjithëse përmbushja përfundimtare e fjalëve të tij nuk do të kryhet deri në Ardhjen e Dytë të Zotit tonë Jezu Krisht. Një vështrim i Tij do të bëjë që armiqtëtërhiqen dhe të largohen. Ata do të bien në turbullim të frikshëm dhe do të vdesin para se të largohen. Të drejtit do t’i merret hak atë ditë nga Mbreti në fronin e Tij të lavdishëm. Së fundi, toka do të shohë se si është me të vërtetë gjykimi i drejtë.

9:5,6 Shtypësit johebrenj do të qortohen egërsisht dhe tërë armiqtë e Izraelit do të bien në harresë të përjetshme. Ata do të varrosen në rrënojat e qytetërimit të tyre të mburrur. Qytetet që tani duken se janë të përjetshme do të shkulen plotësisht nga themelet. Emrat si Uashington, Moskë apo Otava do të harrohen përgjithnjë.

9:7,8 Të gjithë kundërshtarët do të kenë shkuar, por Zoti mbetet përjetë, po ashtu i drejti dhe besniku, ashtu si Ai që ka qenë gjithnjë. I shkëlqyer në lavdi në fronin e Tij, ai do të sundojë botën sipas drejtësisë absolute. Gjithsecili do të marrë gjykimin e drejtë prej Tij. Pali ka përdorur pjesën e parë të vargut 8 në mesazhin e Tij drejtuar athinasve, duke shpjeguar se ai që do të kryejë këtë gjykim të ardhshëm do të jetë Zoti i ngjallur Jezu Krisht:

Perëndia, pra, duke kaluar përmbi kohërat e padijes, i urdhëron të gjithë njerëzit dhe kudo që të pendohen. Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej së vdekurish (Vep 17:30,31).

9:9,10 Për njerëzit e shtypur të tokës Ai do të jetë kulla e tyre e lartë dhe strehimi i papushtueshëm. Të gjithë ata që e njohin emrin e Tij do të kenë besim tek Ai, duke kuptuar se Ai kurrë nuk ka zhgënjyer besimin e popullit të Tij.

9:11,12 Izraeli jo vetëm do t’i këndojë lavde Zotit, por do të përmbushë gjithashtu rolin misionar ndaj popujve johebrenj, duke rrëfyer çlirimet e mrekullueshme të Zotit dhe duke treguar se ai që kërkon arsyen e gjakut të popullit të Tij nuk ishte moskokëçarës ndaj vuajtjeve të tyre – se lutjet e tyre nuk ngelen pa marrë përgjigje.

9:13,14 Por kushtet mijëvjeçare nuk kanë ardhur akoma. Vargu 13 e 14 na kthejnë me tronditje tek e tashmja shqetësuese! Davidi akoma kishte nevojë për mëshirën e Perëndisë për ta mbrojtur nga armiku, në mënyrë që te portat e Sionit të brohorasë përsëri këngët e lumtura të lavdërimit.

9:15 Atëherë ai bën një kalim te koha kur kombet antisemitike do të bien në gropën që kishin hapur për judenjtë dhe do të zihen në rrjetën që kishin përgatitur për popullin e lashtë të Perëndisë. Historia përsëritet – një shembull tjetër i Hamanit që e varën në trekëndëshin që kishte bërë për Mardokeun.

9:16 Përsëri Zoti do të zbulojë Veten si Ai, duke i bërë të gjithë me pikë të barabarta, duke bërë që të pabesët të korrin atë që kanë mbjellë. Perëndia nuk mund të merret nëpër këmbë. Domethënia e termit “Sela” është i paqartë. Mund të nënkuptojë një shtim (shikoni shënimet mbi Psalmin 3).

9:17 Kur Davidi thotë se të pabesët do të zbresin në Sheol (nga hebraishtja ferr). Kjo nuk flet vetëm për gjendjen e njeriut jashtë trupit apo vetëm për gjendjen e trupit në varr. Kjo flet fjalëpërfjalë për Sheol. Ky është fati i të gjitha kombeve që harrojnë Perëndinë.

9:18 Po aq i sigurt është dhe fakti se nevojtari nuk do të harrohet përjetë. Ashtu siç përkthen Knoksi (Knox): “Durimi i të pikëlluarit nuk do të shkojë dëm”. Gjithçka për të cilën shpresuan do të përmbushet në atë ditë mijëvjeçare.

9:19,20 Mendimet e Davidit rreth mbretërimit të ardhshëm të drejtësisë ngriti dëshira të zjarrta për ardhjen e tij. Lutja është që Zoti çohet për të penguar planet e njeriut dhe të gjykojë kombet. Ndërsa ata qëndrojnë në prani të Gjykatësit Shumë të Lartë, ata do të kuptojnë në tmerr se si janë njerëzit, të vegjël dhe të vdekshëm.

Psalmi 10: Armiku më i madh publik

Këtu psalmisti përdor një akrostik mbështetur në pjesën e dytë të alfabetit hebraik [13] për të përshkruar mosbindjen më të lartë. Meqë “armiku më i madh publik” duket se është mishërimi i vërtetë i mëkatit, ne natyrshëm e lidhim këtë me “Njeriun e mëkatit”, që do të dalë në fillim të periudhës shtatëvjeçare të Mundimit të Madh. “Biri i humbjes” do të kundërvihet dhe do të lartësojë vetveten kundër çdo perëndie apo objekti të ashtuquajtur adhurimi. Duke zënë vend në tempullin e Perëndisë në Jerusalem, do ta shpallë veten se është perëndi (2 Thes. 2:3,4). Ata që nuk do të pranojnë ta adhurojnë do të vuajnë ndëshkime ekonomike, përndjekje e madje edhe vdekje.


Heshtja e Perëndisë (10:1)

Ndërsa psalmi hapet, gjejmë pyetjen që herët a vonë do ta hasim: Pse Zoti qëndron i heshtur ndërsa i pafajshmi vuan dhe i ligu mbretëron i pasfidueshëm? Janë mistere si këto që vënë në veprim besimin tonë, që na nxisim të besojmë kur nuk mund të besojmë dhe që na sfidojnë të durojmë deri në fund.

Lutja e të shtypurit (10:2)

Në arrogancën e tij të padurueshme, njeriu i pabesë në mënyrë të pamëshirshme sulmon shenjtorët e pandihmë. Çfarë do të ishte më e drejtë për ta sesa të vuanin fatin që ata kanë kurdisur për të drejtët?

Profili i armikut (10:3-11)

10:3,4 Është tipike për të pabesin të mburret për tërë gjërat që planifikon të bëjë. Në marrëzinë e tij të çmendur për t’u pasuruar ai blasfemon dhe përbuz Zotin, sepse të adhurosh arin do të thotë të përbuzësh Perëndinë. Stili i tij i jetës është vetëmjaftueshmëria. Ai nuk ndien asnjë nevojë për Perëndinë dhe jeton sikur Ai të mos ketë ekzistuar asnjëherë.

10:5,6 Çdo gjë duket se shkon sipas planeve të tij. Deri diku ai u shpëton problemeve që shqetësojnë pjesën tjetër të njerëzimit. Drejtimet që Perëndia ka vendosur për popullin e Tij janë tepër larg njeriut të pabesë; ai nuk mund të kuptojë të vërtetat frymërore apo parimet hyjnore. Ai tallet me gjithë armiqtë e tij me përbuzje të madhe; asgjë nuk do të tundë sigurinë e tij, mendon ai. Për aq kohë sa jeton ai do të shijojë një ekzistencë pa probleme.

10:7,8 Kudo ku shkon mund të shohësh mjedisin të mbushur me përdhosje. Nëse ai nuk po mashtron dikë, mbase po kërcënon dikë tjetër! Atë kurrë nuk e sheh të flasë për ndonjë gjë ndërtuese; ai flet gjithnjë për krime dhe shkatërrim. Ashtu si rrugaçët e tjerë, ai pret në vende jo shumë të populluara dhe vret të pafajshmin në vende të fshehta; kur ata kalojnë, ai u qëllon. Ai gjithmonë është në kërkim të së papriturës dhe fatkeqit.

10:9-11 Ashtu si luani në strofkën e tij ai rri gati për t’u sulur mbi gjahun e tij. Ashtu si një gjuetar, josh viktimën në rrjetën e tij, qoftë me kërcënim, rrëmbim me zor, ryshfet, servilizëm apo vdekje. Viktima e pafat është shushatur – e rrëzuar nga fuqia e madhe e kriminelit. Në dëshpërimin e tij ai ndien se Perëndia harron, se Ai i ka sytë gjetiu dhe nuk do ta shohë kurrë gjendjen e vështirë të birit të Tij.

Thirrja e besnikut (10:12-18)

10:12,13 Por tani është koha që Zoti të ndërhyjë duke ngritur dorën e Tij për të gjykuar shtypësin dhe për t’i dhënë mëshirë të pikëlluarit. Pse forcat e të ligut duhet të lejohen të vazhdojnë në paperëndishmërinë dhe femohimin e tyre? Pse duhet të marrin zemër të mendojnë se Perëndia nuk do t’u kërkojë kurrë llogari për krimet e tyre?

10:14,15 Perëndia shikon. Ai mban shënim tërë veprat e padrejta dhe të gabuara, për të larë më pas plotësisht hesapet ditën e ardhshme. Kështu që nuk është më kot që fatkeqi i ka shpresat te Perëndia. A nuk e ka vërtetuar Perëndia se ai është miku i jetimit? Zoti do të dëgjojë thirrjen e besnikëve duke i thyer krahun të pabesit dhe duke nxjerrë në pah ligësinë e tij derisa të ndëshkohet çdo gjurmë.

10:16 Ajo ditë hakmarrjeje do të vijë kur mbretëritë e kësaj bote do të bëhen mbretëri të Zotit tonë dhe të Krishtit të Tij. Atëherë të pabesët dhe kombet e përndjekura do të jenë zhdukur, ashtu siç është parathënë nga Isaia:

Ja, tërë ata që janë zemëruar kundër teje do të turpërohen dhe do të shushaten; ata që luftojnë kundër teje do të katandisen në hiç dhe do të zhduken. Ti do t’i kërkosh, por nuk do t’i gjesh më ata që të kundërshtonin; ata që të bënin luftë do të jenë asgjë, si një gjë që nuk ekziston më. Sepse unë, Zoti, Perëndia yt, të zë nga dora e djathtë dhe të them: “Mos u frikëso, unë të ndihmoj” (Is. 41:11-13).

10:17,18 Ne mund të jemi plotësisht të sigurt se Zoti do të dëgjojë dhe do t’i përgjigjet lutjeve të njerëzve të përulur. Ai do t’u japë atyre hir për çdo provë dhe do të ulet të shohë që e drejta është fati i jetimit dhe i të pikëlluarit. Dita po vjen, lavdi Perëndisë, kur njeriu i krijuar nga dheu nuk do të shtypë më të mjerin dhe të pambrojturin!

Psalmi 11: Pse të arratisesh kur mund të kesh besim

Psalmi 11 është një ilaç për ato ditë që janë mbushur me fatkeqësi. Kur lajmi është i keq – luftërat, dhuna, krimi, prishja dhe paqëndrueshmëria politike – Davidi na kujton se mund të dalim sipër rrethanave të jetës duke ngulur sytë tanë te Zoti.

Duket sikur Davidi ka hapur derën kryesore dhe një vizitor i tërbuar i ka dalë para. Fytyra e tij ishte e zbehtë dhe e ndukur, sytë e tij të zgurdulluar nga shqetësimi dhe buzët e tij dridheshin. Në gulçitje të menjëhershme, duke dihatur ai i tregoi fatkeqësinë kërcënuese dhe e këshilloi Davidin t’u drejtohej maleve. Ky psalm është përgjigjja e Davidit ndaj këshillës pesimiste të vizitorit të dëshpëruar dhe zemërlëshuar.

11:1-3 Në fillim Davidi pohon besimin e tij të thjeshtë te Zoti: “Pse të arratisesh kur mund të kesh besim?”. Pastaj ai qorton lajmëtarin e fatkeqësisë ngaqë u përpoq të prishë paqen e tij. Vini re se teksti nga vargu 1b deri te vargu 3 përmban fjalët e lajmëtarit të zymtë. Ai fillon me: “Ik në malin tënd, si një zog i vogël”. Ai i pat thënë Davidit, në fakt: “Ti je pa domethënie dhe pa mbrojtje si një zog i vogël. Gjëja më e mirë që mund të bësh është të arratisesh. Kriminelët tani kanë marrë hov dhe janë të armatosur deri në dhëmbë, janë gati për të rrëzuar qytetarët e ndershëm dhe që u binden ligjeve. Ligji dhe rregulli janë zhdukur dhe themelet e shoqërisë kanë rënë. Duke qenë kështu, çfarë shprese ka për njeriun e drejtë si ti?”.

11:4-6 A ka shpresë? Po. Nga Zoti vjen shpresa! Zoti është në tempullin e tij të shenjtë dhe asgjë nuk mund të ndalojë përmbushjen e planeve të Tij! Froni i tij ndodhet në qiejt, i patundur dhe i palëvizshëm, pavarësisht se mbretëritë në tokë ngrihen apo bien. Megjithëse askush nuk mund të shqetësojë qetësinë dhe rehatinë e Perëndisë, Ai interesohet për veprat e bijve të njerëzve. Ai jo vetëm që shikon atë që ndodh, por në mënyrë të vazhdueshme bën gjykime të vlefshme rreth të drejtit dhe të pabesit. Megjithëse Perëndia është dashuri e pafund, shpirti i tij urren njerëzit që praktikojnë dhunën. Ai do të bëjë të bien stuhi gjykimesh mbi ta; shiu do të jetë zjarr, squfur dhe erëra zhuritëse.

11:7 Ashtu si Perëndia urren njeriun e dhunshëm, po kështu Ai do të drejtin. Vetë Perëndia është i drejtë dhe e do drejtësinë. Shpërblimi i fundit i njerëzve të drejtë do të jetë të qëndrojnë në praninë e Perëndisë.

Po kështu ne nuk duhet të mërzitemi kur dëgjojmë lajme të këqija. Valët e rrethanave të vështira mund të duken se janë kundër nesh për një kohë të caktuar, por rryma e qëllimit të pandalueshëm të Perëndisë është me siguri për të fituar deri në fund.

Ai kudo ka pushtet dhe tërë gjërat i shërbejnë madhështisë së Tij;

Çdo vepër e Tij është e pastër, po ashtu shtegu i Tij është dritë e panjollosur.

Ne nuk arrijmë ta kuptojmë Atë, edhe pse toka dhe qielli e thonë hapur

Perëndia ulet Sovran në fron dhe sundon mbi tërë gjërat njëkohësisht.

Anonim

Psalmi 12: Fjalët e njerëzve dhe të Perëndisë

12:1 Rënia e përgjithshme e besnikërisë midis njerëzve, sidomos në të folurën e tyre, sjell lutjen e vargut 1:

O Zot, eja dhe më shpëto; mëshira ka mbaruar; në një botë të ulët, zemrat e vërteta janë bërë gjithnjë e më të rralla (Knox).

12:2 Këtu kemi tri lloj padish kundër brezit që nuk beson:

Gënjeshtra – Ata nuk janë fajtorë vetëm për format e hapura të mashtrimit, por edhe për gënjeshtrat “për mirë”, gjysmë të vërtetat, teprimet dhe premtimet e pambajtura.

Lajkat – Ata u bëjnë komplimente jo të sinqerta të tjerëve. Lavdërimi nuk është njëlloj me lajkat; ai bëhet lajkë vetëm atëherë kur dikujt i vishen virtyte të cilat dihet që nuk i ka. Dhe lajka zakonisht bëhet kur dikush ka ndaj tjetrit arsye dytësore apo shtysa egoiste.

Zemra e zhdyzuar – Ata mendojnë diçka dhe thonë diçka tjetër krejt ndryshe nga ajo që mendojnë. Ashtu si Makiaveli, ata praktikojnë dyfytyrësinë dhe intrigën.

12:3,4 Psherëtima e lashtë e shenjtorëve të vërtetë të Perëndisë është se Vetë Zoti do t’u mbyllë gojën buzëve lajkatare të të pabesëve. Ai do të ngujojë gjuhët e atyre që mburren se parimet e tyre do të sundojnë, se ata kanë liri të plotë për të thënë çfarë të duan, pa e vrarë mendjen se çfarë mendojnë të tjerët.

12:5,6 Në përgjigje të britmës së të mjerëve dhe të nevojtarëve, Zoti premton të çohet dhe “t’u japë atyre shpëtimin për të cilin kanë etje” (Galineau). Dhe atë që Ai ka premtuar me siguri që do ta kryejë. Premtimet e Tij janë të pastra, si argjend i rafinuar në një furrë prej dheu, i pastruar shtatë herë – me fjalë të tjera, si argjendi më i pastër i zbuluar deri tani. Nuk ka mashtrim, as lajka, as dykuptimësi, asnjë gabim në fjalët e Perëndisë. Atyre mund t’u besosh plotësisht.

12:7 Kështu besimtari vetvetiu kthehet te Zoti për mbrojtje nga ky brez – mbrojtje jo vetëm nga sulmet e tij, por edhe nga çdo formë kompromisi apo bashkëfajtorësie.

12:8 Vargu i fundit është një përshkrim i “këtij brezi” – brezi i të pabesëve – që vjen përqark vazhdimisht për pre, duke u ngritur lart e keqja dhe tallja me virtytet. Është i njëjti brez i përshkruar te Fjalet e Urta 30:11-14:

Ka një kategori njerëzish që mallkojnë atin e tyre dhe nuk bekojnë nënën e tyre. Ka një kategori njerëzish që e mbajnë veten për të pastër, por nuk janë të larë nga papastërtia e vet. Ka një kategori njerëzish që i ka sytë shumë kryelartë dhe qepallat krenare. Ka një kategori njerëzish dhëmbët e të cilëve janë si shpata dhe dhëmballët e tyre janë si thika, për të gëlltitur të varfrit mbi faqen e dheut dhe nevojtarët në mes të njerëzve.

Psalmi 13: Deri kur?

Katër herë u shqiptua nga buzët e Davidit shprehja: “Deri kur?”. I përndjekur egërsisht nga armiku (mbase nga Sauli), Davidi po habitej se pse po vonohej ushtria e Perëndisë. A mos vallë nuk do të vinte ndihma kurrë për ta çliruar atë nga katër barrat e tmerrshme që po e torturonin?

Ai ndihej sikur Perëndia ta kishte braktisur.

Ai e ndjeu veten të fshirë nga përkrahja që mund t’i bënte Perëndia.

Ai përjetoi probleme të mëdha psikike në shpirtin e tij përditë.

Ai vuajti përuljen e vazhdueshme në anën e të humburve.

13:1-4 Perëndia duhet të dëgjojë lutjen e Davidit dhe t’i dërgojë ndihmë të menjëhershme që të parandalojë dy fatkeqësi. E para do të ishte vdekja e Davidit dhe e dyta mburrja festuese e armiqve të tij. Nëse Zoti nuk do të vepronte menjëherë për të ripërtërirë vezullimin e syve të Davidit, ata së shpejti do të mbylleshin përgjithmonë në vdekje. Nëse Jehovahu nuk do të kthente rrjedhën e ngjarjeve, shumë shpejt armiqtë do të mburreshin se kishin fituar e Davidi do ta pësonte keq.

13:5,6 Tani nuk ka dyshim për përfundimin. Psalmisti beson se përgjigjja është duke ardhur. Duke besuar në mirësinë e Zotit, ai e di se do të jetojë për të kremtuar çlirimin nga kundërshtarët e tij. Para se të shohë shpëtimin e tij, ai mund t’i këndojë Zotit për dashamirësinë e Tij të gjerë.

Ky psalm është një ndër provat tona të dërguara nga Perëndia: ata fillojnë me një psherëtimë dhe mbarojnë me një këngë!

Psalmi 14: Bindja e të pamendit

14:1 Bindja e të pamendit është: “Nuk ka Perëndi”. Ai nuk do që të ketë Perëndi, prandaj mohon ekzistencën e Perëndisë. Ky është një pozicion i paarsyeshëm nga ana e tij. Para së gjithash, është një nënkuptim për gjithëdije: ai thotë: “Unë di gjithçka. Nuk është e mundur që një Perëndi të ekzistojë përtej caqeve të njohjes sime”. Së dyti, ky qëndrim nënkupton kudondodhje: ai thotë: “Unë jam i pranishëm në çdo vend në të njëjtën kohë dhe nuk është e mundur që Perëndia të ekzistojë në ndonjë vend në gjithësi pa e ditur unë”. Përsëri ky pozicion injoron mrekullitë e krijimit të Perëndisë – madhështinë e gjithësisë, lëvizjen e përpiktë madhështore të planeteve, qëndrueshmërinë e mrekullueshme të tokës për të mbajtur jetën, tablonë e ndërthurur të trupit të njeriut, përbërjen fantastike të trurit njerëzor dhe përbërjen e jashtëzakonshme të ujit dhe të dheut.

Merrni për shembull përshtatshmërinë e tokës për të mbajtur jetën. Henri Bosh (Henry Bosch) ka treguar shembujt e mëposhtëm të planit të kujdesshëm dhe të mrekullueshëm të Perëndisë:

Toka rrotullohet rreth boshtit të vet afërsisht me një shpejtësi prej 1.600 km/h. Nëse kjo shpejtësi do të kishte qenë 160 km/h, ditët dhe netët tona do të kishin qenë dhjetë herë më të gjata dhe planetet tona do të digjeshin me radhë dhe do të ngrinin. Në situata të tilla bimët nuk do të mund të jetonin!

Nëse toka do të ishte e vogël sa hëna, forca e rëndesës do të ishte shumë e dobët për të mbajtur të tërhequr atmosferë të nevojshme për nevojat e njeriut; por nëse do të ishte e madhe sa Jupiteri, Saturni apo Urani, forcat e mëdha të rëndesës do ta bënin lëvizjen njerëzore gati të pamundur. Nëse do të ishim afër Diellit po aq sa edhe Mërkuri, nxehtësia do të ishte e padurueshme; nëse do të ishim aq larg sa Marsi, do të duronim borën dhe acarin çdo natë, edhe në stinët më të ngrohta. Nëse oqeanet do të ishin sa gjysma e përmasave të tanishme, do të binte vetëm një e katërta e shiut që bie tani. Nëse do të ishin vetëm një e teta më të mëdhenj, reshjet do të katërfishoheshin dhe kjo tokë do të bëhej një moçal gjigant dhe i pabanueshëm.

Uji fillon ngrirjen në 0º celcius. Do të ishte shkatërrimtare nëse oqeanet do të ngrinin në atë temperaturë, sepse sasia e shkrirjes në zonat polare nuk do të baraspeshohej dhe akulli do të grumbullohej me kalimin e shekujve! Për të parandaluar një katastrofë të tillë, Zoti ka vënë kripën në det për të ndryshuar pikën e ngrirjes [14].

Mundësia që të gjitha këto të bëheshin rastësisht është shumë e vogël për t’u marrë në shqyrtim. Kjo është arsyeja pse Bibla thotë se ateistët janë të pamendë. Ata janë të pamendë moralë. Nuk është çështje e koeficientit të zgjuarsisë së tyre, por e koeficientit të moralitetit të tyre.

Vendimi i Perëndisë mbi këta të pamendë është se janë të korruptuar në veten e tyre dhe se ata veprojnë me neveri. Kjo është një lidhje e ngushtë midis bindjes së një njeriu dhe sjelljes së tij. Sa më i ulët koncepti që ka për Perëndinë, aq më i ulët priret të jetë edhe morali i tij. Qoftë si shkak apo si pasojë, ateizmi dhe agnosticizmi lidhen me një jetë të prishur. Barnsi (Barnes) shkruan:

Besimi se nuk ka Perëndi zakonisht gjendet në dëshirën për të bërë një jetë të keqe, apo përkrahet nga ata që në fakt bëjnë një jetë të tillë, me një dëshirë për të mbajtur veten në shthurjen e tyre dhe për të shmangur frikën e ndëshkimit të tyre të ardhshëm [15].

14:2,3 Kur Zoti shikon nga qielli nëse ndonjë nga pasardhësit e Adamit vepron me mençuri duke kërkuar Perëndinë, gjetjet e Tij janë për të ardhur keq. Nga natyra dhe praktika njeriu është një mëkatar. Nëse i lihet atij në dorë, ai kurrë nuk do ta ndiqte Perëndinë. Vetëm me anë të shërbesës së Frymës së Shenjtë njeriu bëhet i vetëdijshëm për nevojën e tij për Perëndinë dhe shpëtimin e Tij.

Pali citon nga tri vargjet e para të këtij psalmi te Romakëve 3:10-12 për të treguar se mëkati ka prekur tërë njerëzimin dhe çdo pjesë të qenieve njerëzore. Këtu në këtë psalm Davidi nuk po mendon për tërë racën njerëzore, edhe pse përshkrimi do të ishte patjetër i vërtetë; por më tepër ai po mendon për mohuesit e dukshëm të Perëndisë në dallim me besimtarin. Janë këta të pabesë që kanë mohuar besimin te një Perëndi i vërtetë dhe i gjallë. Ata janë të prishur moralisht. Vetë Perëndia nuk mund të gjejë dikë prej tyre që bën të mirën, as edhe një.

14:4 Padituria e tyre është e dukshme në mënyrën se si sillen me popullin e Perëndisë. Nëse ata kuptojnë se Perëndia mbron të varfrin dhe ndëshkon mëkatin, ata kurrë nuk do të gllabëronin besimtarët sikur të ishte diçka e lejueshme dhe e përditshme, si të hanin bukë! Nëse ata do të njihnin mirësinë dhe ashpërsinë e Perëndisë ata nuk do ta kalonin jetën pa u lutur.

14:5,6 Kur Zoti zë anën e të pafajshmit, i pabesi do të tmerrohet së tepërmi. Ata gjithmonë janë tallur me të mjerin për besimin e tij të thjeshtë, por tashmë ata do të shohin se Perëndia që kanë mohuar është streha e popullit të Tij.

14:7 Do të jetë një ditë e madhe kur Mesia do të vijë nga Sioni për të çliruar popullin e Tij. Gëzimi i Izraelit do të jetë i bollshëm kur shenjtorët judenj të Krishtit do të shpëtohen plotësisht dhe përfundimisht nga robëria midis kombeve që mohojnë të vetmin Perëndi të vërtetë.

Psalmi 15: Njeriun që zgjodhi Perëndia

15:1 Zgjedhja e individit nga Perëndia si shokun e Tij është tema e Psalmit 15. Megjithëse nuk thuhet një gjë e tillë në këtë psalm, mënyra e vetme për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë është të lindësh sërish. Pa u lindur sërish, askush nuk mund të shohë apo të futet në këtë mbretëri. Kjo lindje prej së larti përjetohet me anë të hirit, përmes besimit dhe ndodh plotësisht pa ndikim të ndonjë vepre të meritueshme nga ana e njeriut.

Marrë në vetvete, psalmi duket të nënkuptojë se shpëtimi lidhet deri diku me karakterin e drejtë të njeriut apo veprat e mira. Por marrë me pjesën e Shkrimit, mund të nënkuptojë vetëm atë lloj besimi që çon në një jetë të shenjtë. Ashtu si Jakobi në letrën e tij, edhe Davidi po thotë këtu se besimi i vërtetë në Zotin çon në vepra të mira të përshkruara në këtë psalm.

Psalmi nuk rrëfen se jep një katalog të plotë të virtyteve të qytetarëve të Sionit. Portreti jep idenë, por sigurisht nuk është i plotë.

15:2 Para së gjithash, qytetari i Sionit ecën me ndershmëri. Njeriu i ndershëm është një njeri me shëndet të mirë moral. Ai është i plotë, i matur dhe i baraspeshuar.

Së dyti, qytetari i Sionit bën atë që është e drejtë. Ai është i kujdesshëm për të ruajtur një ndërgjegje të pastër. Ai do të pëlqente më mirë të shkonte në qiell me një ndërgjegje të pastër sesa të qëndronte në tokë me një të këtillë të keqe.

Ky njeri gjithmonë do të thotë të vërtetën nga zemra e tij. Ai do të pëlqente më mirë të vdiste sesa të gënjente. Fjala e tij është betimi i tij. Po-të janë po dhe jo-të e tij janë jo.

15:3 Ai nuk shan me gjuhën e tij. Nuk do ta gjesh atë të bëjë thashetheme me të tjerët. Përgojimi dhe përbaltja e të tjerëve nuk kalon kurrë nëpër buzët e tij. Ai e disiplinon gjuhën e tij për të ndërtuar dhe jo për të vrarë!

Ai nuk i bën asnjë të keqe shokut të tij. Tërë dëshirat e tij janë të ndihmojë, të nxisë dhe ndërtojë. Kur dëgjon ndonjë skandal të fortë rreth të afërmittë tij, ai e lë atje ku e ka dëgjuar. Varet nga ai për të mos ua përcjellë të tjerëve.

15:4 Dallimet morale nuk njollosin pamjen e tij. Ai bën dallim midis mëkatit dhe drejtësisë, errësirës dhe dritës, të keqes dhe të mirës. Ai përçmon njeriun pa vlerë në kuptimin se dëshmon hapur kundër pabesisë së tij. Nga ana tjetër, ai njëjtëson veten në një miratim të hapur me dikë në shtëpinë e besimit.

Pasi ka bërë një premtim, ai kapet pas tij, edhe nëse rezulton në humbje financiare. Një besimtar, për shembull, mund të bjerë dakord të shesë shtëpinë e tij për 10.000.000 lekë. Por para se të firmosen dokumentet, ai zbulon se mund t’i kishte shitur shtëpinë një kompanie të madhe për 11.000.000 lekë. Por ai i ka dhënë fjalën blerësit të parë – dhe kështu ruan kontratën e tij.

15:5 Miku i Perëndisë nuk i jep paratë e tij me interes, pra, një pjesëtari tjetër të familjes së Perëndisë. Sipas ligjit të Moisiut, një izraelit mund t’i jepte hua një johebreu me interes (LiP. 23:19,20), por ishte e ndaluar të bënte një gjë të tillë me një jude (Eks. 22:25; Lev. 25:35-37).

Nëse judenjtë nën ligj do të drejtoheshin nga ky parim, sa më tepër duhet të jetojnë të krishterët sipas hirit!

Së fundi, i drejti nuk pranon dhurata kundër të pafajshmit. Ai e urren shthurjen e drejtësisë dhe nuk miraton thënien e vjetër se “çdo gjë ka çmimin e vet”.

Ky është ai njeri që jeton për Perëndinë tani dhe në përjetësi.

Psalmi 16: Vetëm Krishti

Çelësi për të kuptuar Psalmin 16 gjendet te Veprat e Apostujve 2:25-28 ku Pjetri citon vargjet 8-11a duke ia bashkangjitur ringjalljes së Krishtit. Le t’i vëmë pikat mbi “i” dhe, pastaj, të dëgjojmë se si Shpëtimtari ynë i mrekullueshëm i lutet Atit të Tij para se vdiste.

16:1,2 Si Njeri i përsosur, plotësisht i varur nga Perëndia, Krishti kërkon mbrojtje nga Ai që është streha e Tij e vetme. Gjatë tërë jetës së Tij tridhjetëvjeçare në tokë Shpëtimtari jo vetëm që pranon Perëndinë si Zotin e Tij, por me gëzim rrëfen Perëndinë si dëshirën përpirëse të jetës së Tij. Fjalët “Nuk kam asnjë të mirë veç teje” nuk janë një mohim i pafajësisë së Shpëtimtarit, por janë thjesht një dëshmi lëvizëse se Krishti gjente tërë mjaftueshmërinë e Tij në Perëndinë. Kjo dëshmi është e krahasueshme me adhurimin e Psalmit 73:25 – “Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje”.

16:3 Pozicioni qendror i Perëndisë në jetën e Mesias nuk përjashton, në fakt, një vështrim të thellë për njerëzit e shenjtë në vend. Në fakt, që të dy janë të lidhur thellësisht: të duash Perëndinë do të thotë të duash njerëzit e Tij (1 Gjo. 5:1,2). Zoti Jezus i quan shenjtorët e Tij fisnikërinë e tokës, popullin në të cilin është vendosur gjithë dashuria e Tij. Shikoni një dëshmi të ngjashme nga një shenjtor i vjetër i Perëndisë:

Që nga dita e parë që nisa deri në këto çaste, kam qenë një qenie tepër e favorizuar po aq sa edhe e vdekshme dhe mëkatare. Përbashkësia ime ka qenë me ajkën e tokës dhe secili prej tyre përpiqej me tërë forcat për të më treguar mirësinë për emrin e Zotit [16].

16:4 Në dallim të madh me adhuruesit e vërtetë të Perëndisë janë njerëzit që adhurojnë perëndi të tjera. Idhujtaria në mënyrë të pashmangshme sjell një mal me dhembje në jetët e të përkushtuarve të tyre. Mbase një ndër gjykimet më të mëdha të idhujtarëve është se ata bëhen si gjëja që adhurojnë. Biri i shenjtë i Perëndisë shpërnjeh [refuzon] çdo përbashkësi me libacionet e tyre të gjakut. Në fakt, Ai as nuk do të përmendë emrat e tyre në asnjë mënyrë, gjë që mund të hedhë idenë e tolerancës ndaj tyre apo riteve të tyre pagane.

16:5,6 Për sa i përket jetës së tij vetjake trashëgimia dhe kupa e Krishtit është Zoti. Tërë pasuria dhe gëzimi prehet në Perëndinë. Është Zoti që ruan kufijtë e trashëgimisë së Tij. Ndërsa Ai mendon se sa me mençuri dhe mrekulli ka planifikuar Ati çdo hollësi të jetës së Tij, Ai e krahason atë me pasurinë e këndshme në një harmoni të mrekullueshme dhe me trashëgiminë që përfshin plotësisht gjëra të bukura. Nëse jetojmë në përbashkësi me Perëndinë, edhe ne mund ta lavdërojmë Atë për rregullin e jetëve tona. Kur ne qahemi, shfaqim një mungesë besimi në diturinë, dashurinë dhe fuqinë e Perëndisë.

16:7 Këtu Krishti lavdëron Zotin për mënyrën besnike se si ka siguruar drejtim dhe se si këshillon gjatë tërë jetës. Edhe gjatë orëve të përgjumjes, ndërsa lutej dhe mendonte thellë mbi Fjalën e Perëndisë, zemra e Tij e kishte mësuar. Duke mos e shkuar kot, koha u shenjtërua për ngushëllimin dhe bekimin e Tij. Sa herë përvoja e Krishtit është dyfishuar në jetët e njerëzve të Perëndisë!

Për shumë vetë një poet i dalldisur

midis atyre bijve të dritës

do të thotë për muzikën e tij më të ëmbël:

“E mësova gjatë natës”.

Dhe shumë prej himneve gjëmimtare

që mbushin shtëpinë e Atit

do të shprehin me dënesë rrëfimin e vet

në hijen e dhomës së errësuar.

Anonim

Vargjet që mbeten të Psalmit 16 janë cituar nga Pjetri në Ditën e Rrëshajëve duke iu referuar ringjalljes së Krishtit:

Në fakt Davidi thotë për të: “E pata vazhdimisht Zotin para meje, sepse ai është në të djathtën time, që unë të mos hiqem. Për këtë u gëzua zemra ime dhe ngazëlloi gjuha ime dhe edhe mishi im do të qëndrojë në shpresë. Sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Hades dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbjen. Ti më ke bërë të njoh udhët e jetës, ti do të më mbushësh me gëzim në praninë tënde”. Vëllezër, mund të thuhet haptas për Davidin patriark që ai vdiq dhe u varros; dhe varri i tij është ndër ne deri ditën e sotme. Ai, pra, duke qenë profet, e dinte se Perëndia i kishte premtuar me betim se nga fryti i belit të tij, sipas mishit, do të ngjallet Krishti për t’u ulur mbi fronin e tij; dhe, duke parashikuar këtë, foli për ringjalljen e Krishtit, duke thënë se shpirti i tij nuk do të lihej në Hades dhe se mishi i tij nuk do të shihte kalbjen. Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur; dhe për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë! Ai, pra, duke qenë i ngritur në të djathtë të Perëndisë dhe duke marrë nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, ka përhapur atë që ju tani shihni dhe dëgjoni (Veprat e Apostujve 2:25-33).

Tani vini re pikat që nxjerr në pah Pjetri (shumë prej të cilave ne vetë nuk do t’i kishim nxjerrë nga pjesa):

1. Davidi po fliste për Krishtin (v. 25). Davidi nuk po fliste për veten e vet, meqë trupi i tij është akoma në varr në Jerusalem.

2. Si profet, psalmisti e dinte se Perëndia do ta ringjallte Krishtin para kohës kur Ai do të mbretëronte në fronin e Tij.

3. Davidi paratha për këtë se Perëndia nuk do të linte shpirtin e Krishtit në Hades, as nuk do të lejonte që trupi i Krishtit të kalbej.

4. Perëndia e ringjalli me të vërtetë Krishtin dhe ajo që ndodhi në Ditën e Rrëshajëve ishte pasoja e lavdërimit të Tij në të djathtën e Perëndisë.

Duke pasur në mendje këtë hyrje, le të shohim tani fundin e vargjeve të këtij psalmi.

16:8 Para së gjithash, Mesia pohon pa asnjë pikë dyshimi se Ai ka mbajtur vazhdimisht Zotin përpara syve të Tij. Jehovahu ka qenë Ai për të cilin jetonte. Ai kurrë nuk kishte bërë asgjë sipas vullnetit të vet; gjithçka ishte bërë në bindje ndaj vullnetit të Atit të Vet.

Duke qenë se ai rri në të djathtën time, unë nuk do të hiqem kurrë nga vendi. Në Shkrim e djathta nënkupton:

Fuqi (Psa. 89:13)

Siguri (Psa. 20:6)

Nder (Psa. 45:9; 110:1)

Kënaqësi (Psa. 16:11)

Favor (Psa. 80:17)

Ndihmë (Psa. 18:35).

Këtu nënkupton siguri dhe shpëtim.

16:9,10 I siguruar për kujdesin dhe mbrojtjen e Perëndisë, Shpëtimtari përball të ardhmen me besim. Zemra e Tij gëzohet. Shpirti i Tij ngazëllon dhe trupi i Tij është i sigurt. Ai e di se Perëndia nuk do ta lërë shpirtin e Tij në Sheol apo të lejojë që trupi i Tij të shohë korruptimin. Me fjalë të tjera, Krishti do të ringjallej prej së vdekurish.

Referenca Sheol ka nevojë për shpjegim. Kjo është fjala që në DhV përdorej për të nënkuptuar varrin, “skëterrën” dhe për të përshkruar gjendjen e dikujt jashtë trupit. Kjo është e barasvlefshme me fjalën greke në DhR “Hades”. Sheol nuk tregon një vend gjeografik, por gjendjen e vdekjes – ndarjen e personalitetit nga trupi. Përdorej për të përshkruar gjendjen e dikujt që kishte vdekur, qoftë besimtar apo jobesimtar. Nga ana tjetër e barasvlefshmja e DhR, Hadesi, përdoret vetëm për jobesimtarët. Sheoli ishte një fjalë e papërcaktuar, e pasaktë. Ajo nuk paraqiste një pamje të qartë të jetës pas vdekjes. Në fakt, ajo shprehte më tepër pasiguri dhe njohuri.

DhR e gjithë kjo u ndryshua. Krishti ka sjellë jetën dhe pavdekësinë në dritë me anë të ungjillit (2 Tim. 1:10). Sot ne e dimë se kur një jobesimtar vdes, fryma dhe shpirti i tij janë në një gjendje vuajtjeje quajtur Hades (Lluk. 16:23), ndërsa trupi i tij shkon në varr. Fryma dhe shpirti i besimtarit shkojnë për të qenë me Krishtin në qiell (2 Kor. 5:8; Filip. 1:23), ndërsa trupi i tij tokësor shkon në varr.

Kur Shpëtimtari tha: “. . . ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol” zbuloi paranjohjen e Tij se Perëndia nuk do ta lejonte të mbeste në gjendjen pa frymë dhe shpirt. Edhe pse Ai hyri në Sheol, Ai nuk mbeti atje.

Perëndia nuk lejoi të ndodhte procesi i zakonshëm i kalbjes. Me anë të një mrekullie të ruajtjes, trupi i pajetë i Krishtit u ruajt nga korruptimi për tri ditë e tri netë.

16:11 Në vargun e fundit Zoti ynë i bekuar ka besim të plotë se Perëndia do t’i tregojë shtegun e jetësshtegun nga vdekja në jetë. Ky shteg do ta çojë atë në fund në qiell, në prani të Perëndisë. Atje Ai do të përjetojë shumë gëzim dhe kënaqësi në përjetësi.

Psalmi 17: Gjëza e përjetshme

Kur bëjmë keq dhe vuajmë për shkak të saj, ndërgjegjja jonë na bën të ditur se ndëshkimi ynë është i drejtë. Por është çështje tjetër kur vuajtja jonë nuk lidhet me ndonjë të keqe që kemi bërë! Kjo lloj vuajtjeje – “vuajtja për hir të drejtësisë” ashtu siç e quan Pjetri – është një gjëzë e përjetshme për një bir të Perëndisë.

Davidi e njihte këtë fije e për pe. Por ai e dinte gjithashtu se çfarë duhet të bënte me të. Ai e çonte çështjen e tij te Gjykatësi i Drejtë. Atje ai mund të kishte besim për një gjyq të drejtë.

Për atë kohë duket se Davidi po mbronte veten ndaj diçkaje që e kishte bërë më parë për të kënaqur kotësinë e tij. Ai proteston me zë të lartë për të mbrojtur drejtësinë, ndershmërinë dhe bindjen e tij. Duket gati sikur ka arritur një gjendje të përsosmërisë së pamëkatë. Por nuk është fare kështu. Davidi nuk po shpreh pafajësinë në çdo fushë të jetës së tij, por thjesht në rrethanat e kohës kur flet. Ai po thotë se nuk kishte bërë asgjë për të nxitur armiqësinë e tashme të armiqve të tij.

Ne mund ta parafrazojmë si vijon rastin e Davidit:

17:1,2“O Zot, të kërkoj të dëgjosh çështjen time, sepse ajo është e drejtë. Dëgjo me vëmendje atë që do të Të them, sepse po përndiqem me pa të drejtë. Në lutjen time për drejtësi po t’i them gjërat ashtu siç janë – nuk ka mashtrim apo hije të së vërtetës. Para gjyqit tënd unë kërkoj shfajësim. Sytë e tu pafshin çdo aspekt të çështjes dhe pastaj vendos në favor të së drejtës”.

17:3-5 “Nëse Ti do të hetosh zemrën time, nëse më kontrollon në errësirë po ashtu edhe në dritë – nuk ka rëndësi se sa thellë do të më shqyrtosh – do të shohësh se kundërshtimi nuk ka arsye të vlefshme për të më mërzitur. Ndershmërisht – po të them të vërtetën. Për sa i përket ligësisë së njerëzve, kam qenë i zoti të mbetem i pastër nga dhuna, duke qëndruar afër fjalës Tënde, Biblës. Jo duke u varur te forca ime, por te urdhrat dhe premtimet e Tua, kam ecur në shtigjet e bindjes drejt Teje. Hapat e mia nuk kanë rrëshqitur; nuk kam vërshuar me dhunë kundër armiqve të mi kur kam pasur mundësitë më të mira për një gjë të tillë”.

17:6,7 “Tani po e lë çështjen në duart e Tua. Unë të drejtohem Ty për drejtësi, i bindur se do të më dëgjosh. Ti je Shpëtimtari i atyre që kërkojnë shenjtërimin nga armiqtë e tyre në të djathtën tënde. Ndërsa vij te Ti duke vrapuar, tregomë mirësinë tënde të mrekullueshme në mënyrë të jashtëzakonshme”.

17:8-12 “Më mbro si beben e syrit – po mendoj për beben e syrit dhe se si ‘mbrohet nga kapaku i syrit, vetulla, zgavra e syrit dhe dora që shkon drejt tij në mënyrë të menjëhershme’ (Mejer {F. B. Meyer}). Më mbulonën hijen mbrojtëse dhe plot dashuri të krahëve të tu. Atëherë do të jem i sigurt nga të pabesët që më plaçkisin nga çdo gjë që kam dhe përpiqen të marrin jetën time. Ashtu siç e di shumë mirë, zemrat e tyre fortësuara nuk arrijnë të mëshirojnë dhe goja e tyre nxjerr jashtë mburrjet më të frikshme të asaj që do të më bëjnë mua. Ata vjedhurazi më rrëzojnë përdhe. Tani më kanë rrethuar. Sytë e tyre kanë qëllim rrëzim tim përtokë. Të egër si luani që është tejet i uritur dhe vrasës si luani i vogël që rri në pritë në gëmushë, janë gati të më shqyejnë copa-copa.”.

17:13,14O Zot, Ti thjesht duhet të vish të më ndihmosh. Bjeru kokës dhe rrënoji. Me shpatën tënde më shpëto nga kthetrat e këtyre të pabesëve që interesohen vetëm për atë që mund të marrin në këtë jetë. Ti u ke dhënë atyre më tepër se gjëra materiale në jetë. Madje edhe fëmijët e tyre kanë ushqime me bollëk – të mjaftueshëm për t’ua lënë fëmijëve të tyre”.

17:15 “Kështu ata mund t’i kenë të gjitha këto. Interesi im mbetet më fort në thesaret frymërore sesa në ato materiale. Për mua më mjafton të shikoj fytyrën Tënde si i shpallur i drejtë dhe jo si një mëkatar fajtor. Do të ngopem nga prania jote kur të zgjohem“.

E. Bendor Samueli ka treguar se vargu 15 përmban çdo element të 1 Gjonit 3:2:

Kënaqësi e plotë:

1 Gjo. – Ende nuk është shfaqur,…por…

Psa. – Do të ngopem.

Një shndërrim i madh:

1 Gjo. – Do të jemi të ngjashëm me të…

Psa. – Nga prania jote do të zgjohem.

Një pamje e gjerë:

1 Gjo. – Do ta shohim se si është ai.

Psa. – Do të shoh fytyrën tënde [17].

Shikoni gjithashtu 1 Korintasve 15:51-55 dhe Zbulesën 22:4.

Psalmi 18: Fuqia që ngjalli Krishtin nga të vdekurit

Ne mendojmë se ky psalm flet për Zotin Jezu Krisht nga fakti se vargu 49 citohet te Romakëve 15:9 duke iu referohet Atij.

Për këtë do të të përlëvdoj ndër kombe dhe do t’i këndoj lavdërime emrit tënd!

Ndërsa e shqyrtojmë më nga afër shohim se kemi të drejtë. Psalmi flet në të vërtetë për Zotin Jezu Krisht. Ai përshkruan në mënyrë grafike vdekjen, ringjalljen, përlëvdimin, Ardhjen e Dytë dhe mbretërinë e Tij të lavdishme.

Në asnjë vend tjetër në Bibël nuk na jepet një rrëfim i gjallë i betejës së tmerrshme që ndodhi në botën e padukshme në kohën e ringjalljes së Shpëtimtarit.

18:1-3 Kënga hapet me lavdërim drejtuar Zotit sepse ka dëgjuar dhe u është përgjigjur lutjeve të Birit të Tij të dashur. Vini re figurat e ligjërimit që përdoren për të përshkruar forcën, sigurinë dhe shpëtimin që gjenden në Perëndinë: forca ime,… kështjella ime, fortesa ime… çliruesi im,… shkëmbi im ku gjej strehë, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, streha ime i lartë.

18:4-6Vdekja po merr fund në Shpëtimtarin që po vuan. Në figura që ndryshojnë shpejt Ai përshkruan Veten si i lidhur me litarë, i pushtuar shkallë-shkallë nga valët, i lidhur nga litarë dhe i përballur me një mori leqesh të sigurta. Në një situatë të tillë të dëshpëruar ka vetëm një burim shpëtimi: lutje ndaj Perëndisë. Krishti nuk kërkoi që të çlirohej nga të vdekurit; e, mbi të gjitha, ky ishte qëllimi i Tij për të cilin kishte ardhur në tokë (Gjon. 12:27). Ajo që Ai kërkoi ishte të çlirohej nga vdekja: “I cili, në ditët e mishit të tij, me klithma të larta dhe me lot, i ofroi lutje dhe urata atij që mund ta shpëtonte nga vdekja…” (Heb. 5:7, JND).

Në ankthin e Tij të thellë Krishti kishte sigurinë se lutja e Tij u dëgjua dhe mori përgjigje. Pjesa tjetër e psalmit bën të ditur se si thirrjet e përvajshme të Emanuelit nga Gjetsemani dhe Golgota mblodhën tërë forcat e të Gjithëfuqishmit në emër të Tij. “Zëri është i hollë dhe i vetëm” – ka shkruar Mejeri (F. B. Meyer) – “por përgjigjja trondit krijimin”.

18:7-15 Kur mbërrijmë te vargjet 7-19 duket sikur ka filluar një luftë. Dhe kjo është ajo që ka ndodhur me saktësi në ringjalljen e Krishtit. Beteja ishte midis Perëndisë dhe turmave të ferrit. Satani dhe tërë demonët e tij fushuan rreth varrit jashtë Jerusalemit, të vendosur se Zoti Krisht nuk do të ringjallej më. Suksesi i tyre duke kryqëzuar Birin e Perëndisë do të shfuqizohej plotësisht nëse Ai do të ringjallej prej së vdekurish. Kështu ata u grumbulluan pranë varrit të vulosur të Shpëtimtarit.

Pastaj Perëndia uli qiejt dhe erdhi në shfaqjen më të madhe të fuqisë që bota kishte njohur ndonjëherë. Apostulli Pal më vonë e përshkruan në këtë mënyrë: “Sipas veprimit të forcës së fuqisë së tij, të cilën e vuri në veprim në Krishtin, duke e ringjallur prej së vdekurish” (Efesianeve 1:19,20). Më e madhe se fuqia që krijoi gjithësinë, më e madhe se forca që çliroi Izraelin nga Egjipti, fuqia e ringjalljes së Perëndisë tërhoqi moritë e principatave, fuqive dhe frymërave të liga në atë mëngjes të parë Pashke.

Me afrimin e Perëndisë toka u trondit. Tërbimi i Tij ishte i egër, i paraqitur me anë të një tymi që dilte nga flegrat e Tij, nga një zjarr i madh që dilte nga goja e Tij dhe nga thëngjij të mëdhenj të zjarrtë që godisnin armiqtë e Tij. Ndërsa Ai zbret, duke qenë mbi një re që i ngjan një kerubini, bota tronditet nga një stuhi e fortë errësire, bubullime, rrufeje dhe breshëri, duke goditur armikun në një sulm të madh shpartallues. Ashtu si gjatë kalimit të Detit të Kuq, ujërat e detit dhe të lumit u mblodhën nën frikën e shfaqjes madhështore të zemërimit të të Shumë të Lartit.

18:16-19 Në një simbolikë të dukshme Perëndia shtyp, vret, godet, plagos dhe shkatërron armikun derisa ai të tërhiqet në shpartallim të plotë. Pastaj ai afrohet dhe merr Krishtin nga varri i vulosur. Aleluja! Krishti është ringjallur. Perëndia jo vetëm e ka ringjallur prej së vdekurish, por Ai i ka dhënë Atij një ngjitje triumfuese përmes mbretërisë së armikut dhe e përlëvdoi Atë në të djathtën e Tij. Prandaj, ashtu siç thotë Pali: “Mbasi i zhveshi pushtetet dhe principatat, ua tregoi sheshit njerëzve, duke ngadhënjyer mbi ata në të” (Kol. 2:15).

18:20-30 Këtu kemi arsyen themelore apo mistikën e ringjalljes. Perëndia kishte një farë nevoje morale që të ringjallte Zotin Jezus. Kjo nevojë ringjalli jetën e pamëkatë dhe të panjollë të Krishtit, prej përkushtimit të Tij të pashmangshëm ndaj vullnetit të Atit të Tij dhe prej përsosmërisë së veprës së Tij në kryqin e Kalvarit. Tërë atributet e drejta të Perëndisë kërkonin që Ai të ringjallte Shpëtimtarin nga varri me anë të fuqisë së një jete të pafund. Kjo është ajo që nënkuptohet nga shpallja madhështore: “Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit” (Rom. 6:4). Karakteri i lavdishëm i Perëndisë e bëri ringjalljen një domosdoshmëri morale, shpërblimin e drejtësisë së përsosur dhe vetjake.

Ndërsa Davidi shkroi vargjet 20-30, ato nuk janë plotësisht të vërteta për të. Në të vërtetë ai po fliste në mënyrë profetike përmes frymëzimit të Frymës së Shenjtë rreth Atij që do të ishte Biri dhe Zoti i tij (Mt. 22:41-46).

18:31-42 Këto vargje përshkruajnë Ardhjen e Dytë të Krishtit. Ai do të vijë nga qielli “me engjëjt e pushtetit të vet, në një zjarr flakërues, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht” (2 Thes. 1:7,8). Ai do të jetë “i veshur me një rrobe të ngjyer në gjak. . . nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë për të goditur me të kombet; dhe ai do të qeverisë me skeptër prej hekuri dhe ai vetë do të shkelë vozën e verës së mërisë dhe të zemërimit të Perëndisë së plotfuqishëm” (Zbulesa 19:13,15).

Krishti paraqitet këtu së pari si njeri i luftës. Kjo është në përputhje me pjesë të tjera nga Shkrimi që mësojnë se kur Ai të kthehet në tokë, së pari do të vijë “për të bërë gjyqin kundër të gjithëve dhe për të bindur të gjithë të pabesët në mes tyre për të gjitha veprat e paudhësisë dhe për të gjitha fjalët fyese që mëkatarët e pabesë folën kundër tij.” (Juda 15).

Pasi është përgatitur për luftë nga Perëndia Atë (v. 31-37) Krishti ndjek dhe shkatërron përfundimisht armiqtë e Tij (v. 37-42).

18:43-45 Pas shkatërrimit të armiqve të Tij, Krishti vendos mbretërinë e Tij në tokë dhe mbretëron si Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve. Ai tashmë është udhëheqës i tërë kombeve në tokë. Si Izraeli ashtu edhe kombet jojudease të shpenguara i shërbejnë në nënshtrim të plotë sundimit të drejtë të Krishtit të përlëvduar. Të huajt bien në bindje të plotë.

18:46-50 Psalmi mbyllet ashtu siç është nisur – me një himn lavdërimi për Perëndinë, për miratimin e Tij të mrekullueshëm të Zotit Jezus. Ai i ka dhënë fitore të mëdhaMbretit të Tij dhe është treguar dashamirës me të vajosurin e tij, Birin e Tij.

Për shkak të asaj që ka bërë edhe ne duhet ta ngrejmë Atë lart midis kombeve dhe ta kremtojmë emrin e Tij me këngë.

Psalmi 19: Dy librat e Perëndisë

19:1,2“Qiejt tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij”. Dhe çfarë historie tregojnë! Mendoni, para së gjithash, se çfarë thonë për madhështinë e gjithësisë. Nëse do të udhëtonim me shpejtësinë e dritës – 300.000 km në sekondë apo rreth 9, 460 miliardë km në vit – do të na duheshin 16 miliardë vjet për të arritur pikën më të largët që mund të shohim me teleskop. Por kjo është akoma më larg se kufijtë më të largët të hapësirës. Tani astronomët mendojnë se hapësira nuk ka fare kufij! Toka jonë nuk është gjë tjetër veçse një pikë e vogël në një hapësirë pa kufi!

Mendoni pak për numrin e yjeve dhe trupat e tjerë qiellorë. Me sy të lirë mund të shohim rreth 5.000 yje. Me një teleskop të vogël mund të shohim dy milion. Por me teleskopin Palmer mund të shohim miliarda galaktikash, për të mos folur për yjet e veçantë.

Pastaj mendoni për largësitë e trupave qiellorë nga toka dhe nga njëri-tjetri. Dikush e ka përshkruar si vijon këtë largësi: nëse kushton një qindarkë të udhëtosh 1.600 km, një udhëtim për në hënë do të kushtonte 238 lekë, një udhëtim për në diell 93.000 lekë, por një udhëtim për në yllin më të afertë do të kushtonte 26.000 miliardë lekë.

Nga ylli më i largët, që mund të shihet me teleskop, dritës i duhet 16 miliardë vjet për të mbërritur në tokë. Kështu që kur shikojmë në hapësirë, ne me të vërtetë po shikojmë pas në kohë. Për shembull, ne nuk e shikojmë galaktikën Andromeda aty ku ndodhet sot, por atje ku ka qenë dy milion vjet më parë!

Megjithëse yjet mund të duken se janë të mbledhura në kupën qiellore, largësitë midis tyre janë aq të mëdha saqë janë krahasuar me farët lundrues të vetmuar 1.6 milion km larg, duke lëvizur në një det bosh.

Nëse krijimi është kaq i madh, sa më i madh është Krijuesi! Ditë e natë qiejt tregojnë madhështinë e fuqisë dhe diturisë së Tij. Kupa qiellore pambarimisht shpall mrekullitë e veprës së duarve të Tij (në përdorimin e Biblës “kupa qiellore” i referohet hapësirës së qiejve). Ashtu siç ka shkruar Isak Uatsi (Isaac Watts): “Natyra me një vëllim të gjerë shërben për të përhapur lavdërimin e Krijuesit të saj”.

19:3,4aNuk kanë gojë, as fjalë, as zë të lartë, megjithatë predikimi i yjeve përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës. Thjesht duke parë qiejt njeriu mund të dijë se ka një Perëndi dhe mund të kuptojë fuqinë e Tij të përjetshme (Rom. 1:20). Përmasat dhe përbërja e jashtëzakonshme e gjithësisë vërteton vëzhgimin e Lord Kelvinit: “Nëse do të mendosh thellë, do të detyrohesh nga shkenca të besosh në Perëndinë”. Kenti ka shkruar:

Është e pamundur të sodisësh fabrikën e botës pa pranuar rregullin e mrekullueshëm dhe shfaqjen e dorës së Perëndisë në përsosmërinë e bashkëlidhjes së saj. Arsyetoni, pasi është marrë parasysh dhe admiruar një bukuri dhe një përsosmëri e tillë, të ndiesh një zemërim të drejtë për marrëzinë e patrembur që guxon t’ia atribuojë gjithë këtë rastit dhe një aksidenti në ditë me diell. Patjetër që ka qenë dituria më e lartë që ka përgatitur planin dhe fuqia e pafund që e ka vënë atë në zbatim [18].

19:4b-6 Psalmisti shikon harkun qiellor si një çadër të gjerë që Perëndia ka përgatitur për diellin. Ndërsa dielli lind në mëngjes, është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës. Dielli lëviz përmes harkut qiellor si një trim që vrapon i gëzuar në rrugën e tij. Lëvizja fillon në fundin lindor të qiejve dhe vazhdon deri në horizontin perëndimor. Ne e dimë, sigurisht, se dielli nuk lind dhe nuk perëndon, por është toka që lëviz në lidhje me diellin, duke krijuar këtë iluzion. Por në pjesën poetike Bibla zakonisht përdor gjuhën e këndvështrimit njerëzor, ashtu siç bëjmë ne në të folurën tonë të përditshme.

Asgjë nuk mund t’i fshihet nxehtësisë së diellit. Ai gëzon pamje universale, duke përfshirë edhe çdo cep apo plasaritje të botës.

19:7-9 Por krijimi është vetëm një ndër vëllimet e vetëzbulimit të Perëndisë. Vargu 7 na paraqet Vëllimin Dy të zbulimit të Perëndisë – “Ligji i Zotit”. Që të dy vëllimet lavdërojnë Perëndinë dhe frymëzojnë adhurimin e njerëzve të ditur. Disa komentues të psalmeve nuk mund të rrinë pa cituar thënien e famshme të Kantit:

Qielli i yjëzuar sipër meje dhe ligji moral në mua, janë dy gjëra që mbushin shpirtin me admirim dhe nderim të pareshtur [19].

Por ka një ndryshim midis dy librave të Perëndisë. Krijimi zbulon Perëndinë si Shumë të Lartin, Perëndinë e Fuqisë. Por Fjala e Tij e zbulon si Atë që futet në marrëdhënien e besëlidhjes me popullin e Tij. Veprat e Perëndisë zbulojnë njohjen dhe fuqinë e Tij, por Fjala e Tij zbulon dashurinë dhe hirin e Tij. E vërteta shkencore mund të nxisë intelektin tonë, por e vërteta frymërore mund të bindë zemrat dhe ndërgjegjen tonë!

Në lavdërimin e tij për Fjalën e Perëndisë, Davidi e përshkruan atë jo vetëm si ligjin e Zotit, por edhe si porositë e Zotit, urdhërimet e Zotit, frikën e Zotit dhe gjykimet e Zotit. Psalmisti i atribuon pesë cilësi të shkëlqyera Fjalës së Perëndisë; ajo është e përsosur, e vërtetë, e drejtë, e pastër, mbetet përjetë. Pastaj ai rendit pesë nga shërbesat e saj të mrekullueshme: ajo kthen shpirtin, bën të ditur njeriun e thjeshtë, gëzon zemrën, ndriçon sytë dhe paralajmëron shërbëtorin e Perëndisë.

19:10 Vlera e Fjalës nuk mund të llogaritet në termat e arit. Por ka këtë gjë të përbashkët me arin: njerëzit duhet të gërmojnë për të gjetur thesaret. Pasuri e madhe fshihet në faqet e Librit të Perëndisë dhe interesi ynë më i mirë plotësohet duke i kërkuar ato.

Është lavdi e Perëndisë të fshehësh një gjë, por është lavdi e mbretërve ta hetosh atë (Fja. 25:2).

Mund të them me të vërtetë se asnjë kërkues nuk gëzohet me zbulimin e arit më fort sesa unë që gjej toka ari të thesareve frymërore në Bibël! Edhe pse e pëlqej shumë mjaltin, shija e tij nuk është kurrë më e ëmbël se Fjala e mirë e Perëndisë! Asnjë fjalë nuk mund të përshkruajë pasurinë dhe kënaqësinë që kam gjetur në Biblën time.

Ky libër i vjetër është drejtimi im;

është një mik që kam afër.

Ai do të ndriçojë dhe vezullojë rrugën time.

Dhe çdo premtim që gjej

qetëson dhe gëzon mendjen time

ndërsa e lexon dhe i vë veshin çdo ditë.

Edmund Pilifant (Edmund Pillifant)

Rastësisht, ka një lidhje të mrekullueshme në shprehjen “më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet”. Mjaltë më i pastër është ai që del nga hojet sesa nga ai që shtrydhet.

19:11Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre. Me anë të Shkrimit një besimtar mësohet se si t’i bëjë ballë djallit, se si të largohet nga tundimi, se si të urrejë mëkatin dhe të shmangë çdo dukje të së keqes. Duke iu bindur urdhrave të Fjalës, i krishteri gjen kënaqësi të plotë në jetë. Nga ana frymërore, fizike dhe mendore gëzon jetë të mirë! Dhe më e mira fare, ai mbledh shpërblime për t’i vënë në Gjykatën e Krishtit. “Perëndishmëria është e dobishme për çdo gjë, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë” (1 Tim. 4:8).

19:12 Por kur mendojmë se sa i shenjtë, i drejtë dhe i përsosur është ligji i Zotit, kuptojmë se sa dështakë jemi dhe thërrasim me Davidin: Kush i njeh gabimet e tij?”. Barnsi (Barnes) shkruan:

Duke parë një ligj kaq të pastër, të shenjtë, i rreptë në kërkesat e tij dhe i zgjeruar në urdhërimet e tij – duke kërkuar juridiksion mbi mendimet, fjalët dhe tërë jetën -, cili mund të kujtojë numrin e herëve që është larguar nga një ligj i tillë? Një ndjenjë disi e tillë gjendet te Psalmi 119:96: “Pashë caqet e çdo gjëje të përsosur, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak” [20].

Ndërsa Shkrimi na bëhet i ditur dhe na bind për mëkatet për të cilat nuk kishim dijeni më parë, shtyhemi të lutemi për falje nga ato që nuk i shohim – faje të fshehura për ne dhe madje për të tjerët, por jo për Perëndinë. Mëkati është mëkat, edhe pse nuk e njohim. Po kështu rrëfimi ynë duhet të mbulojë gjithnjë edhe mëkatet që nuk i shohim.

19:13 Por psalmi na mëson të lutemi jo vetëm për pastrimin e mëkateve që nuk i shohim, por edhe për ruajtje nga mëkatet e vullnetit, pra, nga mëkatet që lindin nga krenaria dhe vetëbesimi. Krenaria ka qenë mëkati i parë i gjithësisë. Ajo nxiti rebelimin e parë të Luciferit kundër Perëndisë. Më tepër se çdo gjë tjetër, psalmisti druhej nga sundimi i mëkateve të tilla të vullnetit në jetën e tij. Nëse mund t’u shpëtonte sundimit të tyre, shkruan ai, do të jem i ndershëm dhe i pastër nga shkelje të mëdha – me pak fjalë, nga shkeljet të mëdha të largimit nga Perëndia dhe të rebelimit kundër Tij.

19:14 Lavdërimi përfundoi. Davidi ka ngritur lart librin e krijimit dhe librin e zbulimit. Tani ai ngre një lutje të fundit për fjalët e tij dhe që përsiatjet miratoheshinpara Zotit, Kështjellës dhe Shpëtimtarit të tij. Kur Perëndisë i drejtohet si kështjellë, ai shpreh me këtë forcë, siguri dhe shpëtim. Si Shpëtimtari ynë, Perëndia në Krishtin është Ai që na ka blerë nga mëkati, skllavëria dhe turpi.

Psalmi 20: Emri i Perëndisë së Jakobit

Kombi është në prag lufte. Para se të çojë trupat e tij në betejë, Mbreti David ka shkuar të ofrojë flijime. Një shumicë njerëzish besnikë ndodhen atje për t’i uruar sukses. Në vargjet 1-5 i dëgjojmë ata të luten që Zoti do ta mbrojë atë dhe do t’i japë fitoren. Duke marrë zemër nga lutjet e njerëzve të tij, mbreti shpreh besim se Jehovahu do të ndërhyjë në favor të tij (v. 6). Besimi i tij kalon te njerëzit dhe lutjet e tyre janë me bindje për sigurinë e çlirimit (v. 7-9).

Lutja e njerëzve (20:1-5)

20:1 Në prag të betejës njerëzit shikojnë nga Zoti për t’iu përgjigjur mbretit në betejën që po afrohet duke i kthyer pas armiqtë në shpartallim të madh. Kur ata këndojnë: “Emri i Perëndisë së Jakobit të mbroftë” ne kujtojmë se emri i Perëndisë nënkupton Vetë Perëndinë. Tri herë në këtë psalm hasim referenca të këtij emri të mrekullueshëm:

Emri i Perëndisë së Jakobit të mbroftë (v. 1).

Do të lartojmë flamuret tona në emër të Perëndisë tonë (v. 5).

Ne do të kujtojmë emrin e Zotit, Perëndisë tonë (v. 7).

Uilliamsi {Williams} me vend i aliteron këto nënkuptime si:

Emri mbrojtës,

Emri shfaqës,

Emri çlirues.

20:2 Burimi i ndihmës së dëshiruar është i veçantë. ShenjtërorjaSion ishte vendbanimi i Perëndisë në tokë dhe kështu ishte e arsyeshme të prisnim ndihmë nga shenjtërorja dhe përkrahje nga Sioni.

20:3 Bindja besnike e mbretit duke sjellë oferta dhe olokauste paraqitet si një arsye e veçantë se pse Zoti duhet të mos e harronte atë, duke i treguar përkrahje.

20:4,5 Ajo që mbreti dëshiron është që Zoti të kurorëzojë projektet dhe planet e tij me sukses. Këtu populli i tij i dashur lutet që vullneti i tij të jetë me të vërtetë rezultati i betejës. Ata tashmë po mendojnë për kremtimin e fitores së madhe, me gëzim dhe gaz të hareshëm, ndërsa shpallet lajmi, dhe me flamuj që tunden dhe valviten në puhi, në nderim të emrit të Perëndisë së tyre.

Del një pyetje nëse fjalët: “Zoti i plotësoftë të gjitha kërkesat e tua” janë të thëna nga njerëzit, priftërinjtë apo mbreti. Sido që të jetë kjo është një lutje e denjë.

Përgjigjja e mbretit (20:6)

I përkrahur nga interesi lutës i popullit të tij, mbreti gëzohet duke ditur se Zoti do të dërgojë tërë ndihmën e nevojshme nga qielli i tij i shenjtë dhe do të ndërhyjë me dukuri të mrekullueshme të forcës së Tij të pafund.

Lutja besuese e njerëzve (20:7-9)

20:7,8 Një besim i tillë është në ngjitje. Njerëzit e përkushtuar, të frymëzuar nga siguria e udhëheqësit të tyre, nuk frikësohen më nga fuqia ushtarake mburrëse e armikut. Le të mburren për qerret e pathyeshme dhe kuajt e sprovuar në betejë; Izraeli do të mburret në emrin e Zotit! Është më mirë të besosh në Të sesa në arsenalet e armëve. Para të shfaqurit të Zotit edhe ushtritë më të fuqishme do të rrëzohen përtokë! Por ata që janë nga ana e Zotit do të mbahen në këmbë kur tymi i betejës do të jetë larguar.

20:9 Me këtë paqe në mendje populli e ka kërkuar përsëri Zotin për t’i dhënë fitore Mbretit, si rrjedhim, duke iu përgjigjur lutjeve të tyre për çlirim.

Zbatimi

Zbatimi historik i psalmit mund të gjendet në mundjen e amonitëve dhe të sirëve nga Davidi (2 Sam. 10:14-19).

Por psalmi mund t’i referohet edhe Zotit Jezus si një lutje për ringjalljen e Tij. Populli i Tij besimtar lutet që Perëndia të tregojë kënaqësinë e Tij të plotë me flijimin e Krishtit në Kalvar duke e ringjallur nga të vdekurit. Ndërsa Mesia ndërmerr veprime për t’u përballur me Satanin dhe ushtritë e tij, ka besim në rezultatin përfundimtar. Psalmi 20 pararend ngazëllimin e mëngjesit të parë të Pashkës.

Psalmi mund t’u referohet edhe misionarëve që veprojnë në territorin e Satanit, apo çdo të krishteri që përpiqet të fitojë terren të ri për Zotin.

Psalmi 21: Falënderime për fitore

Ka një lidhje të ngushtë midis këtij psalmi dhe atij të mëparshëm. Atje dëgjuam njerëzit që luteshin për fitore për mbretin ndërsa ai u nis për luftë. Këtu lutja ka marrë përgjigje dhe të njëjtët njerëz rrëfejnë fitoren me Zotin. Së pari, ata përmbledhin mënyrën e mrekullueshme se si Perëndia u dha suksesin (v. 1-7). Pastaj ata pararendin nënshtrimin përfundimtar të tërë armiqve të mbretit (v. 8-12). Së fundi ata ngrejnë lart fuqinë dhe forcën e Jehovahut (v. 13).

Shija e ëmbël e fitores (21:1-7)

21:1-4Mbreti ngazëllon sepse Zoti i ka zbuluar forcën e Tij si Perëndia i betejës. Ai shpërthen në ngazëllim kur mendon për ndërhyrjet e shumta të Perëndisë. Perëndia i ka dhënë atij fitoren që ai kërkonte, suksesin për të cilin u lut. Jehovahu doli para me bekime triumfi dhe begatie. Shumë i Larti i vuri mbi kokë një kurorë prej ari shumë të kulluar. Si përgjigje ndaj kërkesës së mbretit për ruajtje Perëndia i dha atij jetë – po, ditë të gjata në përjetësi. Kjo shprehje e fundit mbase nënkupton jetë të gjatë në rastin e Davidit, por është fjalë për fjalë e vërtetë për jetën e pafund të ringjallur të Mesias.

21:5-7 Pjesa merr një bukuri tjetër kur e shohim se i referohet Zotit Jezu Krisht. Ndihma shpëtuese e Perëndisë i ka dhënë Atij nder të madh. Duke e ringjallur prej së vdekurish dhe duke e ulur në të djathtën e Tij, Perëndia e ka kurorëzuar me madhështi dhe me nder (Heb. 2:9). Po, Zoti e ka bërë shumë të bekuar përjetë dhe e ka bërë një bekim për mbarë botën! Ulur në vendin më të lartë, Krishti është i mbushur me gëzim në praninë e Atit të Tij. Ishte besimi i Tij i pandashëm në Zotin që e çoi Atë në këtë vend nderi. Dhe është mirësia e Shumë të Lartit që do të sigurojë përlëvdimin e Tij të përjetshëm.

Shkatërrimi i armiqve të mbretit (21:8-12)

21:8-10 Në këtë pikë populli i drejtohet vetë mbretit (në pjesën e parë ata po i flisnin Zotit). Nëse njëjtësojmë mbretin si Mesian pjesa përshkruan shkatërrimin e armiqve të Krishtit në kohën e Ardhjes së Tij të Dytë.

Dora e Tij e djathtë do të mposhtë tërë armiqtë e Tij; asnjë nga ata që e urrejnë nuk do të shpëtojë. Mjeti i shkatërrimit të tyre do të jetë zjarri; Ai do “të shfaqet nga qielli. . . në një zjarr flakërues, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht” (2 Thes. 1:7,8). Ai do të shkatërrojë gjithashtu frytin e tyre nga faqja e tokës dhe pasardhësit e tyre nga raca njerëzore.

21:11,12 Ky plan për të hedhur poshtë Krishtin, për t’i marrë mbretërimin e qeverisjes universale (përshkruar gjithashtu te Psalmi 2:2,3) do të dështojë plotësisht. Rebelët do të tërhiqen në tmerr kur Perëndia do t’i godasë në shenjë!

Lavdi Zotit (21:13)

Në vargun e fundit Zoti po merr lëvdimet për shkak të mënyrës se si e ka bërë të ditur fuqinë e Tij. Këngë lavdërimi shpërthejnë për shkak të fuqisë së Perëndisë për të çliruar të Tijtë dhe për të hedhur poshtë armiqtë e Tij. Kjo është kënga e mbetjes së Izraelit, që luten për përlëvdimin e Mesias dhe mirënjohjen ndaj Tij në fund si Zoti i të gjithëve.

Psalmi 22: Krishti në vuajtje dhe lavdi

I vetmuar! Perëndia mundi ta ndante nga vetë thelbi i Tij;

dhe mëkatet e Adamit qëndruan midis Birit të drejtë dhe Atit;

Po, një herë, thirrja e vetmuar e Emanuelit gjithësinë e Tij tundi –

doli vetëm jehona e Tij: “Perëndia im, jam i braktisur!”.

Doli nga buzët e Tij të shenjta,

përmes krijimit të Tij të humbur,

që asnjë besimtar kurrë më të mos përdorte

ato fjalë të vetmuara.

Elisabet Baret Brouning (Elizabeth Barrett Browning)

22:1,2 Afrohu te ky psalm me solemnitetin dhe nderimin më të thellë, sepse mbase nuk ke qëndruar më parë në një vend më të shenjtë se ky. Tani ti ke shkuar te Golgota kur Bariu i Mirë dha jetën e Tij për delet. Për tri orë toka u mbulua nga errësira e plotë. Tani “thirrja e vetmuar e Emanuelit” jehon në tërë gjithësinë: “Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur?”.

Pas pyetjes së mprehtë qëndron një realitet i tmerrshëm – Shpëtimtari që vuan ishte, fjalë për fjalë dhe plotësisht, i braktisur nga Perëndia. Biri i përjetshëm që kishte qenë gjithnjë objekti i gëzimit të Atit të Tij tani ishte braktisur. Njeriu i përsosur, që në mënyrë të pagabueshme bëri vullnetin e Perëndisë, përjetoi vetminë e tmerrshme duke qenë i larguar nga Perëndia.

Del pyetja: “Pse?”. Pse duhet të vuante Biri i shenjtë dhe i pamëkatë i Perëndisë tmerrin e madh të ferrit të përjetshëm në ato tri orë të gjata të errësirës? Shkrimi na jep përgjigjen. Së pari, Perëndia është i shenjtë, i drejtë e i paanshëm dhe kjo do të thotë se Ai duhet të ndëshkojë mëkatin, sepse për Perëndinë ta anashkalojë atë është e pamundur. Kjo na çon në pikën e dytë. Edhe pse Zoti Jezus nuk kishte mëkate në Vetvete, mori mëkatet tona mbi trupin e Tij. Ai me dashje mori përgjegjësinë për të paguar dënimin e tërë paudhësive tona. Borxhi që na takonte ne u ngarkua në llogari të Tij dhe Ai me dashje pagoi gjithçka. Por tani çfarë mund të bëjë Perëndia? Tërë cilësitë e Tij të drejta kërkojnë që mëkati të ndëshkohet. Megjithatë këtu Ai hedh sytë poshtë dhe shikon Birin e Tij të vetëmlindur, duke u bërë udha e shpëtimit për të tjerët. Biri i dashurisë së Tij është bërë bartësi i mëkateve tona. Çfarë do të bëjë Perëndia kur të shohë mëkatet tona të vëna mbi Birin e Tij të dashur?

Nuk ka pasur kurrë dyshime se çfarë do të bëjë Perëndia! Ai në mënyrë të vendosur derdhi tërbimin e zemërimit të Tij të drejtë mbi Birin e Tij të dashur. Rryma e ashpër e gjykimit hyjnor ra mbi Viktimën. Për hirin tonë Krishti u braktis nga Perëndia që ne të mos braktiseshim kurrë.

Prandaj kur lexojmë për vuajtjen tepër të thellë të Krishtit gjithmonë duhet të kemi parasysh se këtë Ai e duroi për ne. Duhet t’i shtojmë çdo fjalie fjalët për mua. Ai u braktis – për mua. Kur e dëgjoj të thërrasë: “Pse më rri kaq larg dhe nuk vjen të më çlirosh, duke dëgjuar fjalët e ofshamës sime?”, e di se e bëri për mua. Dhe ishte për të mirën time që qiejt qëndruan të heshtur ndaj Tij ditën dhe natën.

22:3 Në një farë kuptimi Shpëtimtari shpjegoi braktisjen e Tij me këto fjalë: “Megjithatë ti je i Shenjti, që banon në lëvdimet e Izraelit”. Dashuria e Perëndisë kërkonte që paga e mëkatit të paguhej. Dashuria e Perëndisë siguroi atë që kërkonte shenjtëria e Tij. Ai dërgoi Birin e Tij që të vdiste si një flijim i zëvendësimit. Tani “drejtësia e rreptë nuk mund të kërkojë më dhe mëshira mund të shpërndajë kërkesat e saj”.

22:4,5 Por dëgjoni përsëri! Shpëtimtari po i flet akoma Atit të Tij, duke E kujtuar Atë se patriarkët nuk qenë kurrë të braktisur. Thirrjet e tyre plot besim nuk u kthyen kurrë pa përgjigje. Asnjëherë nuk u zhgënjyen kur klithën për çlirim. Pavarësisht nga mëkatet dhe kokëfortësia e tyre nuk ndodhi asnjëherë që Perëndia t’i braktiste ata. Ajo fjali u ruajt për Qengjin e panjollë të Perëndisë!

22:6,7 Ai jo vetëm u braktis nga Perëndia, por ishte përçmimi dhe u refuzua nga njerëzit. Për krijesat që duart e Tij kishin bërë Krishti nuk ishte as edhe një njeri – por vetëm një krimb. Ai njohu hidhësinë e talljes dhe të refuzimit nga ai popull të cilin kishte ardhur ta shpëtonte. Edhe kur Krishti ishte i varur në kryq, turma soditëse qeshte dhe tallte të Dashurin e Përjetshëm të shpirtrave të tyre! Por më e pabesueshmja, ata kënduan një këngë tallëse me anë të së cilës përqeshnin pamundësinë e Tij për të ndihmuar veten dhe kotësinë në dukje të besimit të Tij në Perëndinë.

22:8“Ai i ka besuar Zotit; le ta çlirojë, pra, ta ndihmojë, mbasi e do”. Kjo është saktësisht ajo që turma përqeshëse tha para kryqit (Mt. 27:39,43).

22:9-11 Por tani Biri i Njeriut kthehet nga njeriu te Perëndia dhe kujton Betlehemin. Kishte qenë Perëndia që e kishte nxjerrë në jetë nga barku i të virgjërës. Kishte qenë Perëndia që e kishte ruajtur gjatë ditëve të brishta të fëmijërisë së Tij. Kishte qenë Perëndia që e kishte ruajtur Atë në fëmijërinë dhe rininë e Tij. Në bazë të kësaj marrëdhënieje të shkuar të dashurisë Krishti tani i drejtohet Perëndisë që t’i afrohet në këtë orë të provës së Tij shtypëse dhe vetmitare.

22:12,13 Shumë nga turmat e mbushura me urrejtje në Kalvar ishin izraelitë. Krishti i quan ata këtu dema të fuqishëm të Bashanit dhe një luan grabitqar që vrumbullit. Treva e Bashanit, në lindje të Jordanit, njihej për kullotat e pasura dhe për kafshët e saj të forta dhe të shëndetshme. Amosi më vonë iu drejtohet izraelitëve që shkonin pas luksit si lopë të Bashanit (Amos 4:1). Kur Krishti flet këtu për dema të Bashanit, po i referohet bashkëkombasve të tij, që mezi po prisnin ta vrisnin. Ata nuk ishin vetëm dema me brirë, por luanë gllabërues dhe vrumbullues. Mesia i Izraelit kishte ardhur dhe ata po suleshin mbi Të si luani mbi një qengj!

22:14,15 Vuajtjet fizike të Krishtit ishin aq mizore sa nuk mund të përshkruhen. Vuajtjet e Tij ishin rraskapitëse; Ai u derdh si ujë. Ai përjetoi agoni nga zhvendosja e kockave te varja në kryq; tërë kockat e Tij ishin të ndrydhura. Ai përjetoi çrregullim të dhunshëm të organeve të brendshme; zemra e Tij, për shembull, u shkri si dylli në mes të kraharorit të Tij. Ai përjetoi dobësi të padurueshme; forca e Tij ishte tharë si një copë qeramike. Ai përjetoi etje të pandërprerë; gjuha e Tij ishte ngjitur te qiellza. Të gjitha këto bëjnë që të mendojmë se Perëndia po e linte Atë në pluhurin e vdekjes.

22:16,17 Ashtu siç foli për torturuesit e Tij judenj me anë të figurave si demat dhe luanët, tani krahason ekzekutuesit e Tij johebrenj me qentë. Ky qe një titull i përgjithshëm që judenjtë e përdornin për t’iu referuar johebrenjve (Mt. 15:21-28). Këtu në mënyrë të veçantë i referohet ushtarëve romakë që e kishin rrethuar si një tufë qensh rrugësh ngatërrestarë dhe të prishur. Ajo ishte kompania e keqbërësve që kishin shpuar duart dhe këmbët e Tij. Ndërsa ata hidhnin sytë në trupin e Tij gjysmëlakuriq mund të shikonin kockat e Tij të dala nga lëkura. Kjo i bënte ata të ndienin kënaqësi dhe qejf të madh.

22:18 Pastaj, në një ndër profecitë e mrekullueshme të këtij psalmi, Zoti Jezus parashikon se ushtarët do të ndajnë midis tyre rrobat e Tij dhe do të hedhin në short tunikën e Tij. Ja se si ndodhi qindra vjet më vonë:

Dhe ushtarët, mbasi e kishin kryqëzuar Jezusin, morën rrobat e tij dhe bënë katër pjesë, një pjesë për çdo ushtar, dhe tunikën. Por tunika ishte pa tegel, e endur një copë nga maja e deri në fund. Prandaj ata i thanë njëri-tjetrit: “Nuk e grisim, por hedhim short kujt t’i bjerë” (Gjon. 19:23,24).

22:19-21 Për herë të fundit në këtë psalm Shpëtimtari i përgjërohet Perëndisë për praninë dhe ndihmën e Tij. Ai kërkon të çlirohet nga shpata dhe nga këmba e qenit, që të dyja si referim ndaj johebrenjve. Shpata është simboli i fuqisë qeverisëse (Rom. 13:4). Këtu i referohet qeverisjes romake me fuqinë e saj të ndëshkimit me vdekje. Qeni, ashtu siç është shpjeguar më sipër, i referohet ushtarëve johebrenj. Pastaj, në vargun 21, Krishti kërkon të shpëtohet nga gryka e luanit dhe nga brirët e buajve. Siç e pamë në vargjet 12 e 13, kjo i referohet judenjve që i thanë Pilatit: “Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit tonë ai duhet të vdesë. . . ” (Gjon. 19:7).

“Ti m’u përgjigje” bën një ndarje të dallueshme dhe triumfuese midis vargut 21 e 22. Kjo është një pikë lidhjeje midis dy pjesëve të psalmit. Poezia tashmë ndryshon nga një lutje e përvajshme në një këngë festive. Vuajtjet e Zotit Jezus kanë kaluar përgjithmonë. Vepra e Tij shpenguese është kryer. Kryqi është ndërruar me kurorën!

Midis këtyre dy vargjeve psalmisti na çon në çastin e kohës nga Ardhja e Parë e Krishtit tek e Dyta – nga Kalvari te Mali i Ullinjve! Megjithëse psalmi nuk e përmend, ne e dimë se periudha ndërhyrëse përfshin vdekjen, varrosjen, ringjalljen dhe ngjitjen në qiell të Shpëtimtarit, po ashtu edhe tërë Epokën e Kishës në të cilën po jetojmë.

22:22 Në këtë pikë në psalm Krishti është kthyer në tokë për të mbretëruar si Mbret. Pjesa besnike e mbetur e kombit të Izraelit është futur në mbretëri me lavditë e saj mijëvjeçare. Mesia i Izraelit është gati t’u dëshmojë vëllezërve të Tij judenj rreth besnikërisë së Perëndisë duke iu përgjigjur lutjeve të Tij në pjesën e parë të psalmit. Tani Krishti lavdëron Perëndinë në mes të kuvendit.

22:23,24 Këto dy vargje japin thelbin e asaj që Krishti do të thotë për të shpenguar Izraelin në atë ditë të ardhshme mijëvjeçare. Në tri paralelizma madhështorë Krishti u drejtohet atyre si “ju që keni frikë nga Zoti”, “ju të gjithë, pasardhës të Jakobit” dhe “ju të gjithë, o fis i Izraelit”. Pastaj i nxit ata të lëvdojnë Zotin, ta përlëvdojnë Atë dhe të kenë frikë nga Ai. Arsyeja e kësaj përgjigjeje nderuese është se Perëndia ka dëgjuar dhe u është përgjigjur thirrjeve plot ankth që dolën nga Kalvari i errët. Perëndia nuk i përçmoi vuajtjet e duruara nga Biri i Tij i dashur, as nuk fshehu përfundimisht fytyrën e Tij nga Ai. Por, në fakt: “Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër, që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave. . . dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë (Filip. 2:9-11).

22:25 Perëndia është tema e lëvdimit të Mesias: “Shkaku i lëvdimit tim në kuvendin e madh je ti. . . “. Në shtrëngimin e Tij Krishti ishte betuar të lavdëronte hapur Zotin dhe tani Ai do t’i plotësojë zotimet e Tij në prani të të gjithëve atyre që kanë frikë nga Zoti.

22:26 Në gjashtë vargjet e fundit të psalmit ka një ndryshim të rrëfyesit. Tani është Fryma e Shenjtë që flet, duke përshkruar gjendjen ideale që do të mbizotërojë gjatë paqes dhe begatisë së Mijëvjeçarit.

Varfëria atëherë do të zhduket – nevojtarët do të hanë dhe do të ngopen.

Toka do të jetë plot me lavdërimet e Perëndisë. Ata që kërkojnë Zotin do ta lëvdojnë. Nga të gjithë këta adhurues Fryma shpall bekimin: “Zemra juaj do të jetojë përjetë”.

22:27 Do të ketë një gjallërim mbarëbotëror. Të gjitha skajet e tokës do ta mbajnë mend se Krishti vdiq në Kalvar dhe do të kthehen tek Ai. Të gjitha familjet e kombeve do të bashkohen si një trup i vetëm në nderim dhe adhurim.

22:28,29 Vetë Zoti do të ushtrojë sundim mbarëbotëror. Të drejtat e fronit janë të Tijat dhe Ai do të sundojë mbi kombet. Tërë njerëzit e mëdhenj të tokës do t’i nënshtrohen sundimit të Tij dhe çdo njeri i vdekshëm do të përkulet para Tij – të gjithë ata që zbresin në pluhur dhe që nuk arrijnë të mbahen gjallë.

22:30,31 Fama e Krishtit do të zgjasë. Brezat njëri pas tjetrit do t’i shërbejnë dhe do të shpallin mrekullitë e Tij. Një kumt i veçantë do të kalojë nga brezi në brez: që Krishti ka kryer veprën e madhe të shpengimit. Psalmi 22 fillon me fjalën [fjalia] e katërt [Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur . . .] nga kryqi – thirrja e shlyerjes. Mbyllet me fjalët: “që ai vetë e ka krijuar”, që kanë saktësisht të njëjtën domethënie si fjala [fjalia] e shtatë e Krishtit nga kryqi: “U krye!” (Gjon. 19:30). Me kalimin e shekujve të kohës lajmi i mirë do të kalojë nga brezi në brez me mrekulli të mëshirshme, se Krishti vetë e ka krijuar.

Psalmi 23: Bariu i Madh

Psalmi 23 është mbase poema më e dashur në tërë letërsinë e krishterë në mbarë botën. Qoftë kur këndohet në përmasat madhështore të Krimondit (Crimond) apo kur recitohet në orët e Shkollës të së Dielës, ka një magjepsje që është e përjetshme dhe një kumt që është i pavdekshëm. “Bekuar qoftë dita” – ka shkruar një teolog i moshuar – “kur u shkrua Psalmi 23!”.

Skica e Litëllprudit (J. R. Littleproud) është e artë:

E fshehta e një jete të lumtur – çdo nevojë e përmbushur:

Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.

E fshehta e një vdekjeje të lumtur – çdo frikë e larguar:

Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua.

E fshehta e një përjetësie të lumtur – çdo dëshirë e plotësuar:

Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata [21].

23:1 Pavarësisht nga popullariteti mbarëbotëror, psalmi nuk është për të gjithë. Ai vlen vetëm për ata që kanë të drejtën të thonë: “Zoti është bariu im“. Është e vërtetë se Bariu i mirë vdiq për të gjithë, por vetëm ata që e pranojnë Atë me anë të një vepre të vendosur besimi janë delet e Tij. Vepra e Tij shpëtuese është e mjaftueshme për të gjithë, por bëhet e frytshme vetëm për ata që besojnë në Të. Prandaj, çdo gjë varet te përemri pronor im. Nëse Ai nuk është Bariu im, atëherë pjesa tjetër e psalmit nuk më përket mua. Nga ana tjetër, nëse Ai është me të vërtetë imi dhe unë jam i Tij, atëherë unë kam gjithçka në Të!

23:2 Nuk do të më mungojë ushqimi për shpirtin apo trupin, sepse Ai më çon në kullota me bar të njomë.

Mua nuk do të më mungojë freskia, sepse më drejton pranë ujërave që të çlodhin.

23:3 Nuk do të më mungojë gjallëria, sepse Ai ma përtërin shpirtin.

Nuk do të më mungojë drejtimi frymëror, sepse Ai më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij.

Ne qeshim me djaloshin që u frikësua kur lexoi këtë psalm dhe nxori një version të ri: “Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mërzisë”. Por ai kishte më tepër të drejtë se gabim. Ai harroi fjalët e sakta, por rroku kuptimin e saktë. Nëse Zoti është Bariu ynë, nuk kemi pse të mërzitemi!

23:4 Gjithashtu nuk duhet të kemi frikë nga vdekja. Në luginën e hijes së vdekjes nuk ka pse të kemi frikë, sepse Bariu është atje me ne. Kthetrat e vdekjes është mëkati – mëkati i parrëfyer dhe i pafalur. Por Krishti ka prishur vdekjen dhe kthetrat e saj për besimtarin. Ai ka hequr mënjanë mëkatet tona njëherë e përgjithmonë. Tani gjëja më e keqe që vdekja mund të na bëjë është me të vërtetë gjëja më e mirë që mund të na ndodhë! Prandaj mund të këndojmë:

O vdekje, o varr, nuk kam frikë nga fuqia jote;

borxhi është paguar.

Mbi Jezusin në atë orë të errët dhe të tmerrshme

mëkatet tona u vendosën.

Margaret Karsën (Margaret L. Carson)

Është e vërtetë se të krishterët mund të kenë një parandjenjë të keqe rreth vuajtjeve që zakonisht çojnë në vdekje. Një shenjtor i lashtë është shtyrë të thotë: “Nuk më intereson nëse Zoti ul poshtë çadrën time, por shpresoj që ta ulë me butësi!”.

Është gjithashtu e vërtetë se ne nuk marrim hir nga vdekja nëse nuk kemi nevojë për të. Por fakti mbetet akoma se vdekja ka humbur tmerrin e saj te ne, sepse e dimë se të vdesësh do të thotë të jesh me Krishtin – dhe kjo është gjëja më e mirë. “Të vdesësh është fitim”.

Shkopi dhe thupra e Bariut janë ato që japin zemër, mbrojtje dhe drejtim. Sa herë që është e nevojshme Ai mund të përdorë edhe thuprën për ndreqje. Shumë dele kanë nevojë për këtë shërbesë në çdo kohë.

23:5 Ndërkohë Bariu përgatit tryezën para nesh në prani të armiqve tanë. Në tryezë janë shtruar tërë bekimet frymërore që Ai ka blerë për ne me anë të gjakut të Tij të çmuar. Tryeza paraqet gjithçka që është e jona në Krishtin. Edhe pse të rrethuar nga armiqtë, ne i gëzojmë këto bekime në paqe dhe siguri.

Xhoueti (J. H. Jowett) ilustron:

Mikpritja lindore garanton sigurinë e mysafirëve. “Besa i jepet mysafirit dhe ai hyn nën mbrojtjen e shtëpisë. Ai dërgohet në çadrën e tij, ushqimi vihet para tij, ndërsa ndjekësit e shmangur qëndrojnë të vrenjtur te dera”.

Ai gjithashtu vajos kokat tona me vaj. Barinjtë vajosin kokat e deleve të tyre për të qetësuar gërvishjet dhe plagët. Për priftërinjtë vaji i vajosjes ka të bëjë me përkushtimin ndaj detyrës së tyre. Për mbretërit vaji i vajosjes shoqërohej me kurorëzimin. Çdo besimtar është i vajosur me Frymën e Shenjtë në çastin që pranon Shpëtimtarin. Kjo vajosje garanton shërbesën mësimdhënëse të Perëndisë Frymë.

Kur mendojmë për tërë pasuritë e hirit që kemi në Krishtin Jezus, shpërthejmë me mirënjohje të madhe: “Kupa ime po derdhet”.

Dashuria e Tij është pa kufi,

hiri i Tij është i pamasë,

fuqia e Tij i kalon kufijtë e njohura nga njerëzit:

sepse nga pasuritë e pafundme të Tij në Jezusin

Ai jep e jep e jep përsëri.

Eni Xhonsën Flint (Annie Johnson Flint)

23:6 Së fundi, kemi të fshehtën e përjetësisë së lumtur. Të shoqëruar gjatë gjithëjetës nga pasuria dhe mirësia e Perëndisë, ne shkojmë në shtëpinë e Atit në fund, në vendbanimin tonë të përjetshëm. Ndërsa mendojmë për tërë këto gjëra, duhet të pranojmë me Gai Kingun (Guy King) kur thotë: “Çfarë lypsarësh fatlumë jemi!”.

Psalmi 24: Kush është Mbreti i lavdisë

Psalmi i njëzetekatërt shikon në horizont ngjarjen e lavdishme që do të ndodhë në fund të Mundimit të Madh. Bubullimat e gjykimit të Perëndisë kanë pushuar, Zoti Jezus është kthyer në tokë dhe ka vënë nën këmbë armiqtë e Tij dhe tashmë Krishti po marshon drejt Jerusalemit për të mbretëruar si Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve. Ky është një sundim triumfues që bota nuk e ka parë ndonjëherë. Edhe ata që si spektatorë u tronditën nga thellësitë e vuajtjes së Shpëtimtarit, tashmë janë pa gojë para masës së lavdisë së Tij.

24:1,2 Ndërsa turma i afrohet qytetit, lajmi shpërthen se toka dhe gjithçka në të i përket Perëndisë. Kjo është një shpallje e pronësisë hyjnore dhe e drejta e plotë e Krishtit për të mbretëruar. Pastaj jepet edhe arsyeja. Krishti është Ai që ka krijuar botën. Ai mblodhi ujërat në një vend dhe bëri që të shfaqej toka e thatë. Ai formoi lumenjtë, disa në sipërfaqe të tokës dhe disa poshtë saj. Kështu që tani ka ardhur të shpallë se cila i përket Atij me të vërtetë, gjë që i është mohuar për shekuj me radhë.

24:3-6 Katër vargjet që vijojnë përshkruajnë llojin e njerëzve që do të futen në mbretëri dhe do të shijojnë mbretërimin njëmijëvjeçar të paqes dhe të begatisë. Kjo është pjesa besimtare e mbetur e Izraelit dhe johebrenjtë e shpenguar që do të ngjiten në tempull në Jerusalem për të adhuruar. Mund të duket se këta njerëz i plotësojnë kushtet për mbretërinë me anë të karakterit të tyre të mirë, por nuk është kështu. Karakteri i tyre është rrjedhoja e lindjes së tyre të re prej së larti, sepse nëse një njeri nuk lind sërish ai as nuk mund të shohë e as nuk mund të futet në mbretërinë e Perëndisë (Gjon. 3:3,5). Këta njerëz, pra, janë shenjtorët fisnikë që kanë kaluar përmes Mundimit të Madh dhe që i kanë bërë rrobat e tyre të bardha me anë të gjakut të Qengjit.

Katër veçori të karakterit jepen me hollësi. Ata janë të pafajshëm nga duart; me fjalë të tjera, veprimet e tyre janë të drejta dhe të panjolla. Ata janë të pastër nga zemra; pra, shtysat e tyre janë të sinqerta dhe mendjet e tyre të paprishura. Ata nuk shkojnë pas falsitetit të asnjë forme. Dhe së fundi, ata nuk shthurin drejtësinë duke dëshmuar kundër asaj që është e vërtetë. Duart,zemrat, shpirtrat dhe buzët e tyre janë të drejta.

Këta janë ata që do të marrin pjesë në mbretërinë mijëvjeçare të Krishtit. Edhe pse të përqeshur dhe të përçmuar më parë nga të pabesët, ata tani do të shpaguhen nga Perëndia i shpëtimit të tyre. Po, këta janë qytetarët e Mijëvjeçarit – njerëzit që kërkojnë fytyrën e Perëndisë, njerëz që kanë marrë hir nga Perëndia.

24:7,8 Më pëlqen të mendoj se turma ka kënduar fjalët e vargjeve 1-6 ndërsa kalojnë nëpër Luginën e Kidronit. Por tani kënga e tyre ndërpritet nga thirrja kumbuese e lajmëtarit në krye të marshimit. Ai u bën thirrje rojeve te portat e Jerusalemit: “O ju porta, çoni kokat tuaja; dhe ju, porta të përjetshme, hapuni krejt dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë“. Një roje në murin e qytetit thërret me një tingull të lartë dhe mbresëlënës: “Kush është ky Mbret i lavdisë?”. Përgjigjja kthehet me fjalë të qarta dhe buçitëse: “Është Zoti i fortë dhe i fuqishëm, Zoti i fortë në betejë”.

24:9,10 Tashmë ata ndodhen afër qytetit dhe portat akoma nuk po hapen. Kështu lajmëtari urdhëron përsëri që dyert të hapen para Mbretit të lavdisë. Përsëri atij i kërkohet të bëjë të njohur Mbretin. Ai përgjigjet: “Është Zoti i ushtrive; ai është Mbreti i lavdisë”.

Pastaj Mbreti futet në qytet me njerëzit e Tij besnikë për të marrë skeptrin e sundimit universal në dorën e Tij të tejshpuar.

Mejeri (F. B. Meyer) thotë:

Ky psalm përmbushet në ne kur Jezusi futet në zemrat tona si Mbreti për të mbretëruar dhe do të ketë realizimin e tij të plotë kur toka dhe popullsia e saj ta mirëpresë Atë si Zotin e saj [22].

Psalmi 25: E fshehta e Zotit

Ky është një psalm akrostik, edhe pse një shkronjë nga alfabeti hebraik mungon dhe një tjetër është përdorur dy herë [23]. Është e vështirë të gjesh një temë të përbashkët, por psalmi duket se është një potpuri lutjesh dhe përsiatjesh me lidhjen e vetme të dukshme të saj, atë alfabetike.

25:1-3 Së pari kemi një lutje për mbrojtje. Duket se armiqtë e Davidit nuk janë shumë larg. Kështu që ai drejtohet nga Zoti për ndihmë, duke pranuar Perëndinë si objektin e vetëm të besimit të tij. Përgjërimi i dyfishtë i Davidit është se ai nuk do të zhgënjehet kurrë ngaqë ka besuar në Jehovahun dhe se armiqtë e tij nuk do të kenë kurrë rastin që të kënaqen brenda vetes se Perëndia do ta braktisë birin e Tij. Kjo është lutja e tij për të gjithë ata që varen në Zotin. Ndërsa për ata që të vendosur veprojnë me mashtrim ai u uron një turp të madh.

25:4,5 Në pjesën që vijon psalmisti paraqet një dishepull që kërkon nxënie. Ai dëshiron të dijë rrugët e Zotit, të ecë në shtigjet e Tij. Shtysa e tij vjen nga dashuria për Perëndinë e shpëtimit të tij, tek i cili janë tërë shpresat e tij.

25:6,7 Pastaj Davidi shfaqet si një mëkatar që kërkon falje. Ai i drejtohet mëshirës dhe mirësisë së përjetshme të Zotit dhe i kërkon Atij të kujtojë se ka treguar një hir të tillë edhe më parë – sikur Ai do të harronte! Nëse kërkesa të tilla do të zbulonin një kuptim të papërsosur të hirit të Perëndisë ndaj Davidit, duhet të kujtojmë se ai ka jetuar në kohën e dyshimeve, ndërsa ne gëzojmë dritën e plotë të epokës së ungjillit. . . Mëkatet e rinisë së Davidit po e ndiqnin atë. Psalmisti vrullshëm i kërkon Zotit të harrojë ato mëkate, por ta kujtojë atë në dashamirësinë dhe për hir të mirësisë së Tij. Një lutje e tillë është e papërballueshme. . . Çfarë çlirimi është të dish se mëkatet tona me anë të gjakut të Tij janë hequr aq larg sa ç’është lindja nga perëndimi, varrosur në detin e harresës së Perëndisë, një herë e përgjithmonë!

25:8-10 Davidi tani zhvendoset nga lutja te soditja. Ai përhumbet në adhurim ndërsa mendon shërbesën mësimdhënëse të Jehovahut. Meqë Zoti është në thelb i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t’u mësojë mëkatarëve rrugën e së vërtetës, të drejtësisë dhe shpëtimit. Cilësia e vetme më e rëndësishme që duhet të mësojmë nga përulësia e Tij është: ne duhet të jemi tepër të bindur për të pranuar paditurinë dhe nevojën tonë për mësim të mëtejshëm. Nëse jemi të dëgjueshëm do të mësojmë shpejt atë që është e drejtë, pra, atë që është vullneti i Perëndisë. Duke mos pasur se pse të durojnë një jetë të papëlqyeshme, ata që i binden Fjalës së Zotit shohin se jeta është e mbushur me shenjat e dashurisë dhe besnikërisë së qëndrueshme të Perëndisë.

25:11 Davidi tani kthehet shkurtimisht te lutja për falje. Edhe pse i dënuar për shkak të madhësisë së fajit të tij, ai e mbështet thirrjen e tij në “emrin tënd, o Zot”. Meqë emri i dikujt tregon vetë personin, psalmisti po i lutet këtu karakterit të Perëndisë – dhe në mënyrë të veçantë mëshirës dhe hirit të Tij – ndërsa bën thirrje për falje. Nuk kemi asnjë fjalë për meritën e Davidit!

25:12,13 Përsëri ai e ndërpret lutjen e tij për t’u përfshirë në një monolog frymëror. Ai e përfytyron njeriun që ka frikë nga Zoti si ai që gëzon përkrahjen më të mirë nga Perëndia. Një njeri i tillë do të përjetojë:

Drejtim të pagabueshëm – Perëndia do t’i tregojë rrugën nëpër të cilën duhet të ecë.

Begati vetjake – ai do të gëzojë pasuri të bollshme.

Siguri familjare – fëmijët e tij do të zotërojnë vendin.

Përbashkësi hyjnore – ai do të jetë në ciklin e brendshëm të miqve të cilëve Zoti u zbulon mendimet e Tij dhe rrugët në një mënyrë intime.

25:14 Ky është pa dyshim vargu i artë i psalmit:

Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej tij,

dhe ai u bën të njohur atyre besëlidhjen e tij.

Danielit, “një njeri tepër i dashur”, Perëndia i zbuloi vegimet e mrekullueshme të qeverive jojudease, të zëvendësuara nga mbretëria përfundimtare e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Dhe Gjonit, dishepullit që u mbështet në kraharorin e Jezusit, iu dha zbulesa e lavdishme e Patmosit.

25:15 Davidi përfshin edhe veten në grupin që ka frikë nga Perëndia. Sytë e tij shikojnë vazhdimisht drejt qiellit me besim dhe shpresë dhe ai është i bindur se Zoti do ta çlirojë nga rrjeta e problemeve dhe pikëllimeve në të cilat ka ngecur tani për tani.

25:16-21 Përmendja e rrjetës bën që Davidi të ndërpresë ëndrrat e tij frymërore dhe të drejtojë një lutje për hallin e tij të tashëm. Ai është i vetëm dhe i dëshpëruar. Ankthet e zemrës së tij janë të shumta. Kështu që ai i përgjërohet Perëndisë për t’u kthyer nga ai e për të pasur mëshirë, për të çliruar zemrën e tij të tejngarkuar, për ta çliruar nga fatkeqësitë, për të vizituar pikëllimet e tij dhe për të falur të gjitha mëkatet e tij. Davidi gjithashtu i kërkoi Zotit që ta mbrojë nga armiqtë dhe nga urrejtja e tyre e helmët, që të justifikohet besimi i tij në Jehovahun. Kur thotë: “Pastërtia dhe ndershmëria më mbrofshin” nuk po i referohet drejtësisë së vet, por po kërkon nga Perëndia të tregojë drejtësinë e Tij duke e çliruar atë që vë besimin në Të.

25:22 Në vargun e fundit Davidi e njëjtëson veten me Izraelin dhe lutet për shpengimin e kombit. Kjo hedh idenë se një psalm si ky do të bëhet ligjërata e pjesës besnike të mbetur të judenjve gjatë ditëve të ardhshme gjatë Mundimit të Madh.

Psalmi 26: Një psalm ndarjeje

Kur lexojmë në fillim Psalmin 26 mund të arrijmë në përfundimin se është krijimi i një egoisti të pashoq. Një shikim më i hollë do të nxjerrë në pah se është me të vërtetë një përshkrim faktik i një jete që është ndarë për Perëndinë nga bota. Duke lexuar përgjatë rreshtave, shohim se Davidi ishte paditur për vëllazërim me të pabesët dhe, në këtë mënyrë, ishte treguar jobesnik ndaj Jehovahut. Këtu ai kërkon mbrojtjen e vet. Në asnjë vend nuk flet për pagabueshmëri, por në të vërtetë shfaqet “jofajtor” ndaj padive të veçanta që ishin bërë kundër tij.

26:1-3 Ai ia lë çështjen e tij Zotit, duke kërkuar hakmarrje hyjnore. Në dallim me atë që po thoshin paditësit e tij, Davidi kishte jetuar në ndershmëri morale. Ai kishte ecur me këmbëngulje në varësi të plotë nga Zoti. Me një gjuhë të marrë nga metalurgjia e lë veten në duart e Perëndisë për të provuar vërtetësinë dhe sinqeritetin, për të provuar në furrën e shkrirjes nëse ka prani skorjesh. Si për zemrën (dashurive) dhe mendjen (shtysave) ai ishte i bindur për shfajësim, sepse gjithmonë kishte mbajtur para vetes mirësinë e Zotit dhe kishte ecur në shtigjet e besnikërisë së Fjalës së Perëndisë.

26:4,5 Të ulesh me njerëz gënjeshtarë do të thotë të kesh marrëdhënie miratimi me ta; Davidi nuk e kishte bërë një gjë të tillë. Të shoqërohesh me hipokritë do të thotë të jesh një bashkëpunëtor i mashtruesve dhe shtinjakëve; Davidi nuk e kishte bërë as këtë. Përkundrazi, ai e kishte urryer shoqërimin me kriminelët dhe kishte treguar një vendosmëri të shenjtë për të shmangur vëllazërimin me të pabesët.

26:6-8 Por ndarja e tij nuk ishte thjesht nga të pabesët, por për Perëndinë. Para se t’i afrohej altaritZotit, Davidi kishte siguruar që duart e tij të ishin të pastra nga mëkati dhe njollosja. Pastaj, si një adhurues i flaktë, këndon nga zemra për lavdinë dhe përmend mrekullitë e Jehovahut. Për të adhurimi nuk ishte një rit i zymtë për t’u duruar në mënyrë stoike; ai donte shtëpinë e Zotit ku reja e lavdishme simbolizonte Praninë e lavdishme të Vetë Perëndisë.

26:9-11 Meqë nuk kishte pranuar të bashkohej me bandën e kësaj bote, Davidi lutet t’i shpëtojë fatit të tyre më pas. Ai u ishte shmangur praktikave të mëkatarëve, vrasësve dhe njerëzve që vrasin me pagesë në jetë; tani ai lutet t’u shpëtojë shoqërimit të tyre në vdekje. Meqë ai ka bërë një jetë të drejtë, tani kërkon të shpëtohet nga rrënimi i të pabesit dhe ta përballojë gjendjen me tërë hirin e Perëndisë.

26:12 Duke qëndruar në tokën e sheshtë të një historie të panjollosur, Davidi betohet të bekojë Zotin. . . në kuvende.

Duhet të vëmë re se ka një aspekt ndarjeje që nuk del në këtë psalm. Edhe pse duhet të jemi të ndarë nga mëkatarët për sa i përket mungesës apo bashkëfajtorësisë së heshtur me ligësitë e tyre, ne nuk duhet të ndahemi nga ata kur vjen rasti që t’i tregojmë për nevojën e tyre për Krishtin. Vetë Zoti Jezus ishte një mik i mëkatarëve; Ai jo vetëm i pranonte ata, por hante dhe pinte me ta. Por kurrë nuk kompromentoi besnikërinë e Tij ndaj Perëndisë apo nuk harroi t’u tregonte mëkatet dhe nevojën e tyre për falje. Për kohën kur vizitoi shtëpinë e Simonit, Peshkopi Rail (Ryle) thotë:

Ai i mori “punët e Atit të Tij” me vete në tryezën e farisenjve. Ai dëshmoi kundër mëkatit ngacmues të farisenjve. Ai u shpjegoi farisenjve natyrën e faljes së vërtetë të mëkateve dhe të fshehtën e dashurisë së vërtetë ndaj Tij. Ai shpalli natyrën shpëtuese të besimit. Nëse ata të krishterë (që nuk shohin asnjë të keqe në intimitetin me njerëzit e pakthyer te Zoti) vizitojnë shtëpitë e njerëzve të pakthyer te Zoti në frymën e Zotit tonë (të flasin dhe të sillen ashtu siç bëri Ai), atëherë le të vazhdojnë me çdo kusht këtë praktikë. Por, a sillen ata në tryezat e miqve të tyre të pakthyer te Zoti ashtu siç bëri Jezusi në tryezën e Simonit? Këto janë pyetje që duhet t’i përgjigjen më së miri [24].

Këto janë pyetje që të gjithë duhet t’i mendojmë thellë.

Psalmi 27: Arrestimi dhe gjyqi i Jezusit

Psalmi 27 është i mrekullueshëm në çdo aspekt, por merr një joshje të veçantë nëse e mendojmë si shprehjen e mendimeve më të thella të Zotit tonë gjatë atyre orëve vendimtare para Kalvarit.

27:1 Për shembull, kur kryeprifti, rojet e tempullit dhe pleqtë shkuan në Kopshtin e Gjetsemanit për të kapur Krishtin, Ai u tha atyre: “Kjo është ora juaj dhe pushteti i errësirës” (Lluk. 22:53). Por në atë çast Ai mund të ishte duke ngushëlluar Veten me mendimin:

Zoti është drita ime dhe shpëtimi im;

nga kush do të kem frikë?

Zoti është kështjella e jetës sime;

nga kush do të kem frikë?

Perëndia ishte drita e Tij ndërsa e mbulonte errësira. Perëndia ishte shpëtimi i Tij, pra, Çlirimtari i Tij nga armiqtë tokësorë. Perëndia ishte forca e jetës së Tij, një strehë në kohë stuhie. Me një mbrojtje të tillë Ai nuk mund të kishte frikë nga askush!

27:2 Kur njerëzit shkuan për ta arrestuar Zotin Jezus, Ai u bëri një pyetje: “Kë po kërkoni?”. Ata iu përgjigjën: “Jezusin nazareas”. Sapo Ai tha: “Unë jam”, ata u zbrapsën dhe ranë përdhe (Gjon. 18:6). Në atë çast Krishti mund të ishte duke menduar thellë mbi këto fjalë:

Kur njerëzit e këqij,

armiqtë dhe kundërshtarët e mi më sulmuan

për të ngrënë mishin tim,

ata vetë u lëkundën dhe ranë.

Ata u vërsulën mbi Të si zogjtë e gjahut, por lavdia e hyjnisë së Tij si UNË JAM-i i Madh ndriçoi përmes petkut të Tij të natyrës njerëzore dhe rrëmbyesit e Tij ranë përmbys.

27:3 Gjoni na tregon se turma që erdhi për të arrestuar Jezusin në Gjetsemani ishte e përbërë nga njësi trupash, disa oficerë, kryeprifti dhe farisenj të shumtë. Ata erdhën me fenerë, pishtarë dhe shpata (Gjon. 18:3). Ndërsa i shikonte të afroheshin, mund të thoshte me vetëpërmbajtje:

Edhe sikur një ushtri të dilte kundër meje,

zemra ime nuk do të kishte frikë;

edhe sikur një luftë të pëlciste kundër meje,

edhe atëherë do të kisha besim.

27:4 Pjetri i gjorë u përpoq të mbronte Mësuesin e tij duke i prerë veshin njërit prej shërbëtorëve të kryepriftit. Por Jezusi iu përgjigj Pjetrit: “A nuk duhet ta pi kupën që Ati Im më dha për të pirë?”. Dëshira e Tij e vetme ishte të banonte me Perëndinë dhe meqë rruga për në lavdi kalonte më parë nga kryqi, Ai u përgatit të duronte vuajtjen dhe turpin e tij. Gjuha e tij qe:

Një gjë i kërkova Zotit

dhe atë kërkoj:

të banoj në shtëpinë e Zotit

tërë ditët e jetës sime,

për të soditur bukurinë e Zotit

dhe për të admiruar tempullin e tij.

Ka diçka të paepur te njerëzit që kërkojnë vetëm një gjë. Ata e dinë se çfarë duan dhe janë të vendosur për ta marrë. Askush nuk mund t’u dalë përpara.

27:5 Së fundi turma e ushtarëve me kreun e tyre dhe oficerët e judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën (Gjon. 18:12). Për shikuesit aty duhet të jetë dukur si një çështje e humbur për Zotin Jezus. Por në atë çast Ai mund të thoshte në të vërtetë:

Sepse ditën e fatkeqësisë

Ai do të më fshehë në çadrën e Tij,

do të më fshehë në një vend sekret të banesës së Tij,

do të më lartojë mbi një shkëmb.

Zemra e Tij prehej në mbrojtjen që Perëndia u kishte premtuar tërë atyre që e duan Atë.

27:6 Ushtarët e çuan Jezusin te Kajafa, kryeprifti (Mt. 26:57). Ishte Kajafa që u kishte dhënë këshillë judenjve se ishte më mirë që të vdiste një njeri për tërë njerëzit (Gjon. 18:14). Edhe pse armiqtë e Krishtit bënin plan që ta ngrinin në një kryq midis qiellit dhe tokës, Vetë Zoti ynë po pararendte një lloj tjetër ngritjeje:

Dhe tani koka ime do të ngrihet mbi armiqtë e mi që më rrethojnë,

dhe do të ofroj në banesën e Tij flijime me britma gëzimi;

do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e Zotit.

Një optimizëm i çuditshëm ky për një njeri që ishte në gjyq për jetën e Tij dhe duke ditur se rezultati do të ishte ekzekutimi i Tij! Edhe në këto çaste gëzohej në Vetvete me lavdinë që e priste. A nuk i tha Ai Kajafës: “Në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut duke ndenjur në të djathtën e Pushtetit dhe duke ardhur mbi retë e qiellit” (Mt. 26:64)?

27:7,8 Në këto çaste kryeprifti shpërtheu me padi blasfemie: “Çfarë mendoni?” – i pyeti spektatorët. “Ai meriton vdekjen” – qe përgjigjja e tyre. Këtu mund të përfytyroj Shpëtimtarin duke thënë këto fjalë, në heshtje:

O Zot, dëgjo zërin tim, kur të këlthas ty;

ki mëshirë për mua dhe përgjigjmu.

Zemra ime më thotë nga ana jote:

“Kërkoni fytyrën time”.

Unë kërkoj fytyrën tënde, o Zot.

27:9 Ndërkohë dishepujt e kishin braktisur të gjithë dhe ishin larguar (Mt. 26:56). Por Perëndia kishte qenë ndihma e Tij në të shkuarën dhe tani Ai lutet që Perëndia të mos e braktisë në këtë çast vendimtar.

Mos ma fshih fytyrën tënde,

mos e hidh poshtë me zemërim shërbëtorin tënd;

Ti ke qenë ndihma ime;

mos më lër dhe mos më braktis,

o Perëndi i shpëtimit tim.

27:10 Me sa dimë prindërit e Davidit nuk e kishin braktisur kurrë atë. Gjithashtu, i Ati nuk e braktisi Birin e Tij, Zotin tonë. Darbi (J. N. Darby) mbase e përkthen vargun me më përpikmëri si vijon:

Nëse babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.

27:11,12 Në gjyqin fetar të Krishtit kryeprifti dhe tërë këshilli bënë dëshmi të rreme kundër Jezusit në një përpjekje të vendosur për ta vrarë. Por ata nuk mund të thurnin diçka të dëmshme derisa nuk u shfaqën dy dëshmitarë me padinë: “Ky ka thënë: ‘Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë dhe ta rindërtoj për tri ditë” (Mt. 26:59-61). Ajo që Jezusi po thoshte (duke iu referuar tempullit të trupit të Tij) ishte: “Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri!” (Gjoni 2:19,21). Por meqë tërë gjyqi ishte një shtirje, dëshmia u pranua. Tani mund të dëgjojmë Shpëtimtarin të lutet:

O Zot, më mëso rrugën tënde

dhe më udhëhiq në një shteg të sheshtë,

për shkak të armiqve të mi.

Mos më braktis në dëshirat e armiqve të mi,

sepse kanë dalë kundër meje dëshmitarë të rremë,

njerëz që duan dhunën.

27:13 Pastaj dëgjojmë turmën e tërbuar jashtë sallës së gjyqit të Pilatit, duke bërtitur: “Kryqëzoje!” (Mt. 27:22,23). Edhe i bekuari Zoti Jezus i ka dëgjuar thirrjet dhe ai e dinte se çfarë nënkuptonin. Megjithatë Ai mund të kishte thënë me të vërtetë këto fjalë në ato çaste:

Oh, sikur të mos isha i sigurt

të shoh mirësinë e Zotit në dheun e të gjallëve!

27:14 Por çfarë mund të themi për vargun e fundit të psalmit? Si mund ta interpretojmë? Më pëlqen të mendoj se ky varg është fjala e Tij e fundit për secilin prej nesh – një këshillë e vogël vetjake nga qielli, e mbështetur në përvojat e vetë Zotit duke i besuar Atit të Tij.

Ki besim të madh te Zoti;

ji i fortë,

ki zemër;

ki besim të madh te Zoti.

Psalmi 28: Heshtja e Perëndisë

28:1,2Ty dhe vetëm Ty të thërras o Zot. Ti je kështjella ime, me gjithçka që ai emër nënkupton: siguri, forcë dhe qëndrueshmëri. Të lutem mos e bëj shurdh veshin Tënd ndaj meje – nëse po, do të ishte njësoj sikur të bashkohesha me të pabesët në vdekje – një ndarje e mëtejshme nga Ti. Dëgjozërin tim lutës ndërsa i drejtohet fronit Tënd për ndihmë – ndërsa ngre duart në drejtim të vendit tënd shumë të shenjtë.

28:3 Kurrë, kurrë mos braktis me fatin e të pabesëve, që në mënyrë të pamëshirshme kurdisin plane paudhësie kundër të tjerëve, që flasin aq butësisht dhe paqësisht me të afërmit e tyre ndërsa shestojnë ligësi brenda tyre.

28:4 O Zot, merru me ta sipas asaj që meritojnë, duke u kërkuar llogari për veprat e tyre dhe ligësinë e tepruar që bëjnë. Shpërbleji sipas veprës së duarve të tyre – sipas asaj që meritojnë.

28:5 Dhe jo vetëm për shkak të veprave të tyre dhe për veprat e duarve të tyre, por se ata nuk vlerësojnë veprat e Tua dhe atë që duart e Tua kanë bërë. Kjo është arsyeja pse do t’i shkatërrosh si një ndërtesë që nuk mund të rindërtohet.

28:6 O Zot, ndërsa po lutesha, Fryma Jote e Shenjtë më ka dhënë atë siguri të mrekullueshme e të brendshme se ke dëgjuar lutjet e mia dhe je përgjigjur dhe të bekoj Ty për këtë. Tani kam një këngë për të kënduar.

28:7,8 Dikush u ka bërë një parafrazë metrike këtyre vargjeve:

Zoti është forca ime; Ai është mburoja ime.

Në Të prehet zemra ime.

Kështu më vjen ndihma, zemra ime ngazëllen,

drejt Tij ngrihet falënderimi im.

Për të gjithë njerëzit e Tij të zgjedhur gjithashtu,

Ai është burimi i forcës.

Dhe për fatlumin Birin e Tij të vajosur

do të jetë forca e Tij shpëtuese.

28:9 O Zot, tani që ke premtuar të më çlirosh, të kërkoj edhe një gjë tjetër. Shpëto popullin tënd. Beko Izraelin, trashëgiminë tënde. Si Bariu i butë dhe i mirë që je, ushqeji mirë dhe përkrahi në krahët e Tu përjetë.

Faleminderit, o Zot!

Psalmi 29: Zëri i Zotit

29:1,2 A ankohesh ndonjëherë për motin? Ndërsa Davidi shikonte një stuhi të fuqishme që binte mbi Izrael kjo e frymëzonte të lavdëronte në vend që të ankohej. Në fakt, ai u bën thirrje tërë ushtrive të qiellit për të adhuruar Zotin në mirënjohje të plotë për lavdinë dhe forcën e Tij, ashtu siç shfaqet në stuhi.

Oh, adhuroni Zotin në bukurinë e shenjtërisë,

bini përmbys para Tij, shpallni lavdinë e Tij;

me arin e bindjes dhe temjanin e përulësisë,

gjunjëzohuni dhe adhuroni Atë;

Zoti është emri i Tij.

Monsëll (J. S. B. Monsell)

29:3,4 Shprehja “zëri i Zotit” përdoret shtatë herë. Duket se i referohet stuhisë në përgjithësi dhe gjëmimit në veçanti.

Në fillim stuhia është mbi Mesdhe, duke u zhvendosur drejt tokës së Libanin. Gjëmimi jehon mbi ujërat e mëdha ashtu si një bombardim përparues. Është një zë i një fuqie të tmerrshme dhe i madhërishëm.

29:5,6 Tani malet e Libanit do të bombardohen. Kedrat e gjatë do të rrëzohen nga sulmi i rrufeve. Ndërsa era kalon mbi pyll me një shtëllungë të menjëhershme dhe të dhunshme, pemët lëkunden në valë ritmike, duke lënë përshtypjen se kedrat e Libanit kërcejnë si një viç dhe mali Sirion, si një buall i ri.

29:7,8 Shkreptima po drejtohet nga jugu. Shkretëtira e Kadeshit tronditet nga ashpërsia e vërshimit të natyrës.

29:9 Ndërsa Davidi shikon stuhinë të venitet në jug, ai përmbledh admirimin e tij në tre vëzhgime. Së pari, thotë se zëri i Zotit bën që të lindin sutat. Është një fakt shkencor se çrregullimet e motit kanë një ndikim të drejtpërdrejtë te kafshët që janë duke pjellë.

Psalmisti shikon pyjet të mbetura pa gjethe. Pemët mbeten të thata dhe të zhveshura, pa gjethet e tyre brenda një minute.

Pastaj këngëtari i ëmbël i Izraelit na kujton se në tempullin e Perëndisë çdo gjë thërret: “Lavdi!”. Tempulli i Tij këtu nënkupton qartësisht botën e natyrës, sidomos zonën që është goditur nga stuhia. Vetëtimat, kumbimi i gjëmimit, erërat e shpejtësisë marramendëse, pyjet, shkretëtirat – të gjitha së bashku tregojnë fuqinë, lavdinë dhe madhështinë e Perëndisë.

29:10,11 Stuhia ka shkuar, Zoti mbetet. Froni i Tij është i palëvizur nga kataklizmave fizike të tokës, duke përfshirë përmbytjen e madhe. Sovraniteti i Tij mbetet i pashqetësuar nga kataklizmat e natyrës. Në tërë turbullirat e jetës Ai është i zoti t’i japë forcë dhe paqe popullit të tij. Kështu bëftë gjithmonë!

Disa studiues të Biblës besojnë se ky psalm përfytyron një stuhi ushtarake që do të vërshojë nga veriu mbi kombin e Izraelit gjatë Mundimit të Madh (v. 3-9). Pas asaj kohe të turbullt Zoti Jezus Krisht do të mbretërojë si Mbret mbi tokë dhe do të bekojë popullin e Tij tokësor me forcë dhe paqe (v. 10,11). Kjo ide duhet të shqyrtohet me kujdes.

Vajni (W. E. Vine) e shikon psalmin si një figurë të Ardhjes së Dytë të Krishtit, duke u shfaqur në fillim në Armagedon (Zbulesa 16:16), pastaj duke vërshuar drejt shkretëtirës së Kadeshit, qendër në të cilën ndodhet Botsrahu (Is. 63:1) [25]. Prandaj psalmi përshkruan në mënyrë poetike rrëzimin e kombeve që do të kenë pushtuar Izraelin në atë kohë.

Por gjithmonë kemi edhe anën praktike për sot dhe për çdo ditë. Zëri i Perëndisë dëgjohet në stuhitë e jetës po ashtu edhe në ditët me diell. Ai po çon në vend qëllimet e Tij. Asgjë nuk i shpëton kontrollit të Tij. Për ata që e njohin dhe e duan Atë, Ai po i bashkëvepron të gjitha gjërat për mirë. Ajronsijdi (Ironside) thotë:

Është një figurë e mrekullueshme e shpirtit që ka kaluar përmes sprovave, shqetësimeve mendore, problemeve, por që ka mësuar se Perëndia është mbi të gjitha, se Ai është i fortë të shpëtojë. Dhe kështu zemra prehet në Të dhe është në paqe [26].

Psalmi 30: Një këngë shërimi

Shumë prej nesh herët a vonë kanë përjetuar qetësimin e ëmbël të shërimit nga ndonjë sëmundje serioze. I kemi thënë lamtumirë botës sterile të kirurgjisë, anestezisë, mjekimit të rreptë, ushqimit nëpërmjet venave, injeksioneve të nënlëkurës dhe sasisë së pambaruar të ilaçeve! Është shumë e thjeshtë të mendojmë se shërimi ynë qe “falë mjekësisë moderne!”. Ne harrojmë t’i këndojmë një psalm falënderimi Atij që është përgjegjës për tërë shërimet tona.

Por Davidi nuk harronte. Mund të kishte marrë ndonjë sëmundje kritike kur kishte ardhur koha t’i kushtohej shtëpisë së tij. Sido që të jetë, përkushtimi qe rasti për himnin e tij të lavdërimit ndaj Jehovahut, Shëruesit e tij.

30:1-4 Në fillim na mëson të gjithëve të lëvdojmë Zotin me falënderime të pastra për kthimin e shëndetit të mirë. Davidi kishte rënë shumë poshtë. Shenjat e tij të jetës ishin të dobëta. Armiqtë e tij nuk bënin gjë tjetër veçse gëzoheshin brenda vetes për vdekjen që e priste. Pastaj ai i këlthet Zotit në pikën e tij të fundit dhe Zoti u përgjigj duke e shpëtuar nga pragu i vdekjes. Ishte një arratisje e vështirë nga tretja në Sheol, një thirrje e afërt për të mos zbritur në gropë.

Psalmi 30 na mëson që ne jo vetëm duhet të falënderojmë Perëndinë, por duhet të ndajmë të mirat e bollshme që na ka dhënë duke ftuar shenjtorët që të bashkohen me ne në lavde; le të bëhet zëri solo kor! Këngëtari i ëmbël i Izraelit i bën thirrje tërë popullit të Perëndisë t’i këndojnë lavde Zotit dhe të kremtojnë shenjtërinë e Tij.

30:5 Pastaj jep arsyen e këtij lavdërimi në formën e dy dallimeve tejet të mrekullueshme. Përkthimi i Knoksit (Knox) i këtij vargu është tepër i madh:

Sepse vetëm një çast zgjat zemërimi i Tij,

por një jetë të tërë dashuria e Tij;

brenga është vetëm si një mysafir nate,

dhe gëzimi vjen në mëngjes.

Më lejoni të ndalem këtu me një histori vetjake. Ka qenë një kohë kur familja e Mekdonaldit (MacDonald) ishte zhytur në një brengë të thellë. Miqtë vërshonin nga çdo vend për të na ngushëlluar, por asnjë nuk dukej se lehtësonte trishtimin. Fjalët e tyre ishin me qëllim të mirë, por të pafrytshme. Pastaj dr. Ijronsajdi (Dr. H. A. Ironside) na dërgoi një shënim të shkurtër që e kishte marrë nga Psalmi 30:5:

Të qarat mund të vazhdojnë një natë,

por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.

Kjo ia arriti qëllimin. Vrulli i brengës u bllokua.

Sa herë kam pasur rastin të ndaj këtë varg me shumë besimtarë të tjerë që po kalonin përmes tunelit të errët të trishtimit dhe gjithmonë ky varg ka sjellë një ndjenjë mirënjohjeje.

30:6,7 Mësimi tjetër në psalm është që ne nuk duhet të mbështetemi në bollëkun material, por në Perëndinë. Para sëmundjes së tij Davidi ishte i begatë dhe mbështetej në forcat e veta. Ai mendonte se ishte i paprekshëm nga sprovat dhe problemet. Ai në dukje ishte i palëkundshëm – si një mal i madh. Ai e kishte rrethuar veten me çdo formë të mundshme mbrojtjeje dhe sigurie. Dukej sikur nuk kishte asgjë nga e cila mund të kishte frikë.

Por ndodhi diçka. Ashtu si brenda një nate, Zoti u duk sikur fshehu fytyrën e Tij; u duk sikur Ai ishte i zemëruar dhe e kishte tërhequr përkrahjen e Tij. Jeta u bë një ëndërr e keqe.

30:8-10 Por ëndrra e keqe prodhoi një ndryshim të menjëhershëm në jetën e lutjes së Davidit. Në begatinë e tij lutjet e tij ishin topitur dhe flashkur. Por tani në sëmundjen e tij ai u lut i përqendruar dhe me sinqeritet. Ai arsyetoi me Perëndinë se nëse do të kishte vdekur, kjo nuk do t’i sillte ndonjë të mirë Shumë të Lartit. Gjymtyrët e pajeta të psalmistit nuk mund ta kremtonin Atë, as pluhuri i tij nuk do të shpallte besnikërinë e Perëndisë.

Çfarë dobie do të kesh nga gjaku im

po të jetë se zbres në gropë?

A mundet pluhuri të të kremtojë?

A mundet ai të shpallë të vërtetën tënde?

Nga pikëpamjes së DhR, kjo nuk është saktësisht e vërtetë. Në fakt, duket si një marrëzi e madhe nga pikëpamja doktrinore. Por duhet të kemi kujdes të mos jemi shumë të rreptë me shenjtorët e DhV. Në shumë mënyra ata shikonin përmes një xhami të errët. Kemi dy ilustrime të kësaj në psalmin në fjalë.

Në vargun 5 Davidi interpretoi sëmundjen e tij si shenjë të zemërimit të Perëndisë. Ne e dimë se ndëshkimi i Perëndisë është një shenjë e dashurisë së Tij (Heb. 12:6). Megjithatë, edhe ne zakonisht biem në mendime të kota se sëmundja dhe vuajtja janë shenja të mospëlqimit të Tij.

Pastaj në vargun 9 Davidi flet sikur me vdekjen mbaron çdo lavdërim nga ana e besimtarit. Për sa i përket lavdërimit dhe dëshmisë në këtë tokë ai me siguri ka të drejtë. Por ne dimë nga mësimet e DhR se fryma e një besimtari shkon për të qenë me Krishtin kur vdes, ndërsa trupi i tij shkon në varr (2 Kor. 5:8; Filip. 1:23). Vetë besimtari është në praninë e vetëdijshme të Zotit, duke adhuruar Atë ashtu siç nuk mund ta adhuronte kurrë në tokë. Shenjtorët e DhV nuk mund ta kenë ditur këtë. Krishti është Ai që solli në dritë jetën dhe pavdekësinë përmes ungjillit (2 Tim. 1:10).

Por gjëja më e rëndësishme është kjo: me njohuritë e tyre të shumta në shumë fusha, shumë shenjtorë të DhV duken se na e kalojnë në besim, lutje, zell dhe përkushtim!

30:11 Tani të kthehemi te Davidi. Vargjet 9 e 10 na japin lutjen e tij ndaj Perëndisë kur ishte në agoninë e sëmundjes së tij. Pastaj në vargjet 10 e 11 vjen përgjigjja. Ai shërohet nga Zoti. Dy vargjet e fundit të psalmit kremtojnë shërimin e tij. Davidi pësoi ndryshimin ashtu si midis vajtimit të një funerali dhe gëzimit të një dasme. Ose për të ndryshuar figurën, ishte si një kostum i ri. Perëndia kishte larguar grethoren e tij dhe e veshi me një veshje gëzimi.

30:12 Një fryt i shërimit të Davidit ishte se tani ai mund t’i këndonte më tepër lavdi Zotit në jetë sesa nëse do të rrinte i heshtur në varr. Dhe kjo ishte saktësisht ajo që donte të bënte – të kremtonte Zotin përjetë. Ai po thotë, në fakt: “Kurrë nuk mund ta harroj atë që Zoti ka bërë për mua dhe kurrë nuk do të resht së lavdëruari Atë për atë që ka bërë”.

Nuk e di se çfarë shkakton te ju ky psalm, por mua më bën me turp. Mendoj gjithmonë kur kam qenë sëmurë dhe për lutjet e ngutshme e të dëshpëruara që kanë tundur portat e qiellit dhe se sa herë është përgjigjur Zoti me hir. Por më pas kam harruar të shkoj para Tij me një ofertë falënderimi e lavdërimi. Shumë herë jam shëruar dhe nuk kam menduar gjatë për të. Kam lënë pas dore të shprehurit e falënderimeve të mia.

Perëndia na ka dhënë shembullin e Davidit jo vetëm që ta admirojmë, por të bëjmë edhe ne të njëjtën gjë!

Psalmi 31: Në dorën Tënde.

Vargu i pestë i Psalmit 31 na bën të ditur se ka një lidhje të ngushtë me Qengjin e përvuajtur dhe të therur të Perëndisë, sepse këto fjalë përbënë thirrjen e Tij të fundit nga kryqi:

“O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!” (Lluk. 23:46).

Sigurisht, fakti që një varg në një psalm lidhet ngushtë me Mesian nuk do të thotë se duhet të kenë lidhje të tërë vargjet e tjera. Megjithatë, në këtë psalm të veçantë çdo varg duket se ka të paktën ndonjë lidhje me Të.

Megjithatë, ka një problem në shqyrtimin e këtij psalmi. Në vend që të vihen vuajtja, vdekja, varrosja dhe ringjallja e Zotit Jezus sipas kohës që ka ndodhur ngjarja, psalmi nuk e bën një gjë të tillë. Por duhet të kujtojmë, ashtu siç tregon edhe Ljuisi (C. S. Lewis), se: “Psalmet janë poema dhe poemat në radhë të parë ishin për t’u kënduar; ato nuk ishin as traktate, as predikime” [27].

Lutje për çlirim (31:1-5a)

31:1 Në vargjet hyrëse Zoti Jezus po i lutet Atit të Tij nga kryqi. Si njeriu i përsosur Ai ka jetuar gjithmonë në varësi të plotë nga Perëndia. Tani, në orën e ankthit të Tij më të thellë, ripohon besimin e Tij në Zotin si shenjtërorja e Tij e vetme dhe e mjaftueshme. Ai kërkon që të mos ngatërrohet kurrë ngaqë është mbështetur në Perëndinë Atë. Kjo është një lutje e fuqishme, duke i kujtuar Perëndisë se nderi i emrit të Tij lidhet në mënyrë të pandashme me Ringjalljen e Birit të Tij. Do të ishte një vepër drejtësie për Atin të ngjallte Zotin Jezus nga të vdekurit. Nëse nuk do ta bënte një gjë të tillë, Shpëtimtari do të ishte si një viktimë e besimit të drejtuar jo në vendin e duhur dhe do të ishte i poshtëruar.

31:2,3 Në një antropomorfizëm elegant, vuajtësi i vetmuar i kërkon Perëndisë të vërë veshin e Tij përballë Kalvarit; pastaj Ai i kërkon Perëndisë të dëgjojë lutjen e tij të ngutshme dhe të vrapojë drejt Tij që ta shpëtojë me nxitim. Më pas i kërkon Zotit të bëhet kështjellë e fortë, e qëndrueshme dhe e palëkundshme dhe të bëhet një kala e fortë në të cilën mund të jetë i sigurt nga çdo rrezik.

Sigurisht, Perëndia tashmë ishte kështjella dhe kalaja e Tij, mbrojtja dhe siguria e Tij e vetme.

Nuk kam tjetër strehë;

ngrej shpirtin tim të pashpresë te Ty.

Mos më lër, mos më lër vetëm,

më ndihmo dhe më ngushëllo prapë.

Çarls Ueslej (Charles Wesley)

Përsëri Krishti e mbështet thirrjen e Tij në faktin se fut në lojë nderin e Perëndisë. “Për hir të emrit tënd më udhëhiq dhe tregomë udhën”. A nuk ka premtuar Perëndia të çlirojë të drejtin? Në të vërtetë po! Tani i kërkohet të nderojë emrin e Tij duke çliruar Zotin Jezus Krisht nga vdekja në ringjallje dhe lavdi.

31:4Rrjeta e vdekjes ishte ngritur me kujdes për të kapur dhe mbërthyer Shpëtimtarin. Këtu Krishti i drejtohet Perëndisë ta nxjerrë jashtë rrjetës për ta shpëtuar nga varri, sepse Jehovahu është streha e Tij e sigurt dhe e fortë.

31:5a Luka shkruan se Jezusi citoi fjalët e vargut 5a me një zë të lartë. Asnjë njeri nuk ia mori jetën Jezusit; Ai e dha atë me dëshirë dhe në zotërim të plotë të aftësive të Tij. Këto fjalë janë përsëritur nga shenjtorët e Perëndisë që kanë vdekur përgjatë shekujve që nga ajo kohë – nga njerëz si Luteri, Knoksi (Knox), Husi dhe një mori njerëzish të tjerë.

Lavdërim për ringjallje (31:5b-8)

31:5b,6 Ka një ndarje të dallueshme në mes të vargut 5, një periudhë kalimtare nga vdekja te Ringjallja, një ndryshim nga lutja në lavdërim. Duke i qëndruar besnik Fjalës së Tij, Perëndia e kishte shpenguar të Shenjtin e Tij nga të vdekurit dhe varri. Kjo ishte një hakmarrje e lavdishme e Birit të Tij ngaqë kishte besuar në Perëndinë e gjallë; ata që besojnë në idhuj të kotë nuk fitojnë gjë tjetër veç përçmimit të Jehovahut!

31:7,8 Një këngë lavdërimi tani merr krahë drejt qiellit për dashurinë e pandryshueshme që qëndron pezull mbi Birin e dashur të Perëndisë në pikëllimin e Tij. Kjo qe një dashuri që hoqi tërë pikëllimin e Tij, që nuk pranoi ta linte Atë nën fuqinë e armikut, që nxori Shpëtimtarin nga gropa dhe i vuri këmbët e Tij në një vend të gjerë që është “toka e Ringjalljes”.

Shqetësimi i thellë (31:9-13)

31:9,10 Por tani zhvendosemi te jeta e Zotit tonë para gjyqit dhe kryqëzimit të Tij. Mund të dëgjojmë lutjet e Njeriut të Brengave ndërsa duronte urrejtjen e hidhur të mëkatarëve. I përçmuar dhe i kundërshtuar nga njerëzit, Ai kthehet te Jehovahu në shqetësimin e Tij dhe kërkon konsideratë plot hir. Sytë e tij ishin thelluar nga trishtimi i tepërt dhe shpirti e trupi i Tij po shkriheshin fare. Ai ishte i mbushur me pikëllim dhe i lodhur nga të qarat. Mjerimi i Tij kishte dobësuar forcat e Tij dhe kockat e Tij ishin bërë të brishta.

Mënyra e vetme se si mund t’i përshtatim Shpëtimtarit të pamëkatë shprehjen “Forca ime po mpaket për shkak të mëkatit tim” është se po flitet për mëkatintonë që Ai e mori mbi Vete si Mbartësi i mëkateve tona. Ndryshe vargu nuk mund të ketë një ngjyrim mesianik.

31:11-13 Vuajtësi i durueshëm flet më pas për Veten e Tij si një objekt përçmimi e talljeje për tërë armiqtë e Tij dhe një psherëtimë e tmerrshme për të njohurit e Tij. Ata ndryshonin rrugën nëse u dilte para apo i binin nga shtigje të tjera nëse e shikonin të vinte. Ai kishte humbur fare nga kujtesa e tyre, i harruar si një enë e thyer. Ai dëgjonte fushatën përgojuese që ishte ngrehur kundër Tij. Terrori e mundonte Atë ditë e natë ndërsa njerëzit thurnin përbetime për ta vrarë.

Kjo figurë e një patosi dhe mjerimi të madh është tepër e trishtuar për një njeri. Por çfarë mund të themi kur mësojmë se ishte shkruar për të përshkruar Krijuesin e gjithësisë, Zotin e jetës dhe të lavdisë!

Lutje për çlirim (31:14-18)

31:14-17a Brenga dhe trishtimi bëjnë që të drejtohen lutje plot besim. Ai, që njerëzit e refuzuan, rrëfen se Jehovahu është shpresa e Tij dhe Perëndia i jetës së Tij. Ai gjen ngushëllim të paimagjinueshëm në faktin se ditët e Tij janë në dorën e Atit. Ky ngushëllim është përjetuar nga njerëzit që kanë besuar në Perëndinë ndërsa kanë kënduar në ditë me diell dhe me brenga:

Ditët tona janë në dorën Tënde;

o Atë, ne dëshirojmë që

jetët, shpirtrat dhe gjithçka që kemi

t’i lëmë plotësisht në kujdesin Tënd.

Uilliam F. Llojd (William F. Lloyd)

Duke ndjekur këtë pohim të besimit dhe të nënshtrimit, Zoti Jezus lutet në mënyrë të veçantë që Perëndia ta çlirojë nga kthetrat e armiqve të Tij përndjekës. Ai kërkon që Ati të hedhë vështrimin e Tij drejt Tij me favor. Ai lutet për shpëtim nga vdekja, një lutje e mbështetur në dashurinë e qëndrueshme të Zotit. Përsëri Ai kërkon që të mos zhgënjehet kurrë ndërsa sheh vetëm Jehovahun si Çlirimtarin e Tij. Gjuha është retorike, sigurisht, duke i vënë theksin stilit në kurriz të përdorimit e kuptimit fjalë për fjalë. Nuk kishte asnjë mundësi që Krishti të ishte turpëruar meqenëse kishte besuar Jehovahun. Ai e dinte këtë, edhe ne gjithashtu. Por humbim diçka nëse ngulim këmbë në thjeshtëzimin e rreptë kur lexojmë lutje mbresëlënëse apo poezi lirike.

31:17b,18 Duke u kthyer te të pabesët Krishti lutet që ata të turpërohen, që të shkojnë pa folur në Sheol. Ai kërkon që buzët e tyre gënjeshtare të heshtin ngaqë kanë përgojuar Birin e Shenjtë të Perëndisë. Disa njerëz të sinqertë e quajnë këtë varg jo të krishterë në tonin e tij, por sa më shumë të mendoni për mungesën e mëshirës së kriminelëve, ligësinë e krimeve të tyre dhe pafajësinë e Viktimës, aq më tepër do të dilni në përfundimin se gjuha nuk është aq e fortë!

Perëndia, streha e madhe (31:19,20)

Përsëri psalmi zhvendoset nga shqetësimi në gëzim, nga lutja në lavdërim. Në një ritëm madhështor, Zoti Jezus ngre lart Atin e Tij si Vendin e Strehimit të pakrahasueshëm. Ai e përfytyron Perëndinë si kujdestarin e një magazine të pashtershme mirësie të ruajtur për njerëzit e Tij besimtarë. Për të gjithë ata që kërkojnë strehë në Të Ai pret që t’i derdhë këto thesare të bollshme në praninë e bijve të njerëzve. Prania e Perëndisë është një vend ku shenjtorët e Tij të zgjedhur mund të fshihen nga grackat e liga të njerëzve; Ai është streha e përshtatshme nga ajo të cilën Knoksi (Knox) e quan “diskutimi i zhurmshëm i botës”.

Mirënjohja vetjake (31:21,22)

Zoti Jezus kishte përjetuar një shfaqje të mrekullueshme të mirësisë së Perëndisë kur ishte i rrethuar plotësisht nga armiqtë e Tij, si një qytet i ngujuar. Në orën e Tij i dukej sikur ishte larguar plotësisht nga Jehovahu. Por edhe pse ishte i braktisur gjatë atyre tri orëve të tmerrshme në kryq, Perëndia dëgjoi thirrjen e Tij dhe e ringjalli prej së vdekurish.

Duani Zotin! (31:23,24)

Pasi e shijoi dashurinë e Perëndisë, Krishti e deshi Atë dhe me të drejtë dëshiron që secili duhet të bëjë të njëjtën gjë. Nga Jehovahu mund të presim që të mbrojë ata që i besojnë dhe t’u japë ndëshkimin e duhur rebelëve arrogantë!

Çdo besimtar që ndeshet me pabarazi të tilla në dukje të pamundura mund të jetë i fortë dhe i guximshëm në sigurinë se askush nukshpresojë tek Zoti më kot!

Psalmi 32: I falur!

Lumturia duhet të shpengohet! Ajo është një emocion që nuk mund të përshkruhet. Ajo është çlirimi i një barre të stërmadhe, një borxh i larë i një ndërgjegjeje në paqe. Faji nuk është më, gjendja e luftës ka përfunduar, paqja është në kulmin e saj. Për Davidin nënkuptonte faljen e shkeljeve të tij, mbulimin e mëkateve të tij, një mosngarkim të paudhësive të tij dhe një pastrim të frymës së tij nga mashtrimi. Për besimtarin sot do të thotë më tepër se një mbulim i thjeshtë i mëkateve të tij; kjo ishte koncepti i shlyerjes në DhV. Në këtë kohë besimtari e di se mëkatet e tij janë hequr përgjithmonë dhe janë varrosur përgjithmonë në detin e harresës së Perëndisë.

32:1,2 Te Romakëve 4:7,8 apostulli Pal citon Psalmin 32:1,2 për të treguar se shfajësimi vjen me anë të besimit pa vepra edhe në periudhën e DhV. Por prova nuk mbështetet shumë në atë që thotë Davidi, por në atë që nuk thotë. Ai nuk po flet për një njeri të drejtë që fiton apo meriton shpëtimin. Ai po flet për një mëkatar që ka marrë faljen. Dhe ai nuk përmend veprat kur përshkruan bekimin e njeriut të falur. Me anë të Frymës së Shenjtë Pali del në përfundimin se Davidi po përshkruan lumturinë e atij të cilit Perëndia i jep drejtësinë pa veprat (Rom. 4:6).

32:3,4 Më pas Davidi kalon në një çelës më të poshtëm. Pasi kishte kryer tradhtinë bashkëshortore me Bathshebën dhe kishte komplotuar vdekjen e Uriahut, ai me kokëfortësi nuk pranoi të rrëfente mëkatin e tij. Ai u përpoq ta fuste nën rrogoz. Mbase mendoi se “koha do t’i çonte gjërat në vend”. Por në mospranimin e tij kokëfortë ai po luftonte kundër Perëndisë dhe interesave të tij më të mira. Ai u bë një njeri i shkatërruar dhe e tëra kjo u shkaktua nga ankthi i tij mosbesues i frymës. Ai kuptoi se dora e Perëndisë rëndonte mbi të, duke e bllokuar, duke e hedhur poshtë, duke e munduar në çdo kohë. Asgjë nuk shkonte mirë. Çdo gjë ecte ters. Ditët moskokëçarëse ishin zhdukur dhe ekzistenca e vazhdueshme ishte një shkretëtirë e shterpët.

32:5 Një vit pas këtij mospendimi, Davidi më në fund shqiptoi dy fjalët që Perëndia kishte pritur – “Kam mëkatuar”. Atëherë tërë historia e turpshme doli jashtë si tapat mbi ujë. Tani nuk kishte më përpjekje për të zbukuruar nga jashtë, për të qetësuar apo përligjur. Më në fund Davidi e tregon mëkatin ashtu siç është – “mëkatin tim. . . paudhësinë time. . . shkeljet e mia”. Sapo bën rrëfimin, ai merr sigurinë e menjëhershme se Zoti ka falur paudhësinë e mëkatit të tij.

32:6 Përvoja e tij e lutjes së përgjigjur e shtyn të lutet se tërë njerëzit e Perëndisë do të provojnë (kërkojnë) Zotin në të njëjtën mënyrë. Ata që jetojnë në përbashkësi me Zotin do të çlirohen në kohë vështirësish. Vërshimi i ujërave të mëdha nuk do të arrijë kurrë tek ata.

32:7 Ai që kishte qenë aq i ngurtë dhe mospendues është tani i butë dhe i thyeshëm. Me mirënjohje të plotë pranon se Perëndia është vendi i tij i strehimit, mbrojtja e tij nga problemet dhe Ai që e rrethon me këngë çlirimi.

32:8,9 Del një pyetje nëse fjalët e vargjeve 7 e 8 janë të Davidit apo të Zotit. Nëse i interpretojmë si gjuhën e Davidit, atëherë ato na kujtojnë, sipas fjalëve të Xhej Adam (Jay Adam), se “përgjigjja natyrale e faljes është për të ndihmuar të tjerët duke ndarë përvojën vetjake, dhe, në mënyrë të veçantë, duke këshilluar të tjerët në kohë problemesh” [28]. Nëse përshtasim pikëpamjen tjetër, atëherë është Zoti që i përgjigjet adhurimit të Davidit me një premtim drejtimi dhe mësimi për nevojën e frytshmërisë së vazhdueshme. Është Ati që bën festë për zemërpërdalin e kthyer. Ai ofron mësim të kontrolluar rreth shtegut përpara dhe këshillë vetjake në tërë vendimet e jetës. Por ka gjithashtu një fjalë paralajmëruese. Mos u bëni si kali, që mezi pret të niset pa marrë urdhra, apo si mushka, që nuk pranon me kokëfortësi të niset kur i urdhërohet. Që të dyja kafshët kanë nevojë për frerin dhe kapistrën që të bëhen të nënshtruara dhe të bindura. Besimtari duhet të jetë i ndjeshëm ndaj drejtimit të Zotit që ai të mos ketë nevojë për disiplinën e ashpër të jetës për ta vënë në bina.

32:10,11 Për sa i përket Davidit i drejti përfiton më tepër se i pabesi. Nuk mund të ketë krahasim. Të shumta janë dhembjet që trashëgon i pabesi. Por besimtari i përulur rrethohet nga mëshira e Zotit. Kështu nga kjo del se njerëzit e drejtë duhet të gëzohen tek Zoti dhe të lëshojnë britma gëzimi.

Psalmi 33: Një këngë e re

Duket se kemi të bëjmë me një lidhje të pashkëputshme midis vargut të parë të këtij psalmi dhe vargut të fundit të psalmit më sipër. Në të dy shkrimtari nxit të drejtin të gëzohet në Zotin. Por ky psalm e trajton temën duke treguar se pse është e përshtatshme për të drejtin të lavdërojë Atë.

Duhet të vëmë re se nuk përmenden këtu armiqtë veprues, të përndjekjes dhe të mundimit. Kemi të bëjmë më tepër me një skenë paqësore, me Izraelin që banon në siguri dhe Zotin, i pranuar si Sovrani universal. Psalmi i përket fillimit të mbretërisë së Krishtit, kur shtypja e johebrenjve do të këtë përfunduar dhe koha e mundimit të Jakobit do të ketë kaluar.

33:1,2 Thirrja për adhurim i drejtohet Izraelit në shtatë vargjet e para, pastaj johebrenjve në vargun 8. Lëvdimi është i bukur dhe shumë i madh aq sa duhet të përdoret shoqërimi më i ëmbël dhe më i bukur i mundshëm – me qeste dhe me harpën me dhjetë tela.

33:3Kantiku i ri është kënga e shpengimit. Ajo vjen pas faljes së mëkateve (Psa. 32) dhe i përket të gjithëve atyre që janë pastruar nga gjaku i çmuar i Krishtit. Por ky kantik do të këndohet në mënyrë të veçantë nga Izraeli i shpenguar në fillim të Mijëvjeçarit (Zbulesa 14:3).

33:4 Kantiku i ri kremton fjalën e Zotit dhe të gjithë veprat e Tij. Fjala e Tij është tërësisht e vërtetë dhe e drejtë, e pandryshueshme dhe besnike. Të gjithë veprat e Tijjanë bërë me besnikëri. Kjo shihet në krijim – “nuk do të pushojnë kurrë së ekzistuari mbjellja dhe korrja, të ftohtit dhe të nxehtit, vera dhe dimri, dita dhe nata” (Zanafilla 8:22). Duket në parashikim – “Të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij” (Rom. 8:22). Dhe shihet në shpengim – “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjon. 1:9).

33:5 Perëndia nuk është vetëm i drejtë dhe besnik, që përkrah drejtësinë dhe barazinë, por provat e mirësisë së Zotit janë gjithandej.

33:6,7 Madhështia e Perëndisë duket në atë që Ai krijoi qiejt dhe ushtrinë e tyre të yjeve jo me anë të ndonjë përhapjeje të madhe energjie, por veç me fjalën e Tij jetëdhënëse. Po në të njëjtën mënyrë kufizoi oqeanet brenda caqeve të caktuara. Disa i shohin këto dy shpallje si një referim të mbuluar poetik për Izraelin si yjet e qiellit (Zanafilla 15:5) dhe ndaj kombeve jojudease si dete të tërbuara, të taposur në fund nga Zoti Jezus për Ardhjen e Tij të Dytë.

33:8,9 Sido që të jetë, Perëndia është aq i madh saqë tërë njerëzimi duhet ta nderojë Atë dhe t’i tregojë Atij respektin më të thellë. Fjala e Tij ishte energjia zanore që u bë lëndë. Me anë të urdhrit të Tij u krijuan tërë gjërat.

33:10,11 Përgjatë historisë njerëzore kombet e pabesa kanë bashkëpunuar për të hedhur poshtë Perëndinë dhe për të shkatërruar popullin e Tij. Por ashtu siç thotë dikush: “Skemat e thurura më së miri zakonisht shkojnë kot”. Perëndia ndëshkon përbetimet më dinake të thurura nga kundërshtarët e Tij. Dhe asgjë nuk mund të pengojë përmbushjen e qëllimeve të Tij. Ai gjithmonë do të ketë fjalën e fundit dhe gjithmonë planet e Tij do të përmbushen.

33:12 Kështu shtegu i bekimit mbështetet në bashkëpunimin me Perëndinë. I lumtur është ai komb që pranon Jehovahun si Perëndinë e tij. Ky është populli që ai ka zgjedhur për trashëgimin e tij.

33:13-17 Ndërsa Zoti shikon nga qielli, Ai shikon si në pëllëmbë të dorës tërë njerëzimin. Asgjë nuk i shpëton syve të Tij. Ai shikon çdo gjë që bëhet dhe, jo vetëm kaq, por Ai njeh mendimet dhe qëllimet e çdo zemre. Ai shikon disa që luftojnë me armë mishi – dhe Ai qesh me marrëzinë e tyre. Ata varen nga ushtria, anijet dhe forca ajrore më shumë sesa nga Perëndia i gjallë. Kur do të mësojnë se kalorësia më e mirë nuk mund t’u sjellë atyre fitoren?

33:18,19 Perëndia shikon gjithashtu ata që besojnë në Të për shpëtim dhe që varen në mëshirën e Tij për ndihmë. Këta janë ata që i pëlqejnë Atij. Ai shikon drejt tyre me përkrahjen më të madhe.

33:20-22 Nuk ka rëndësi se në ç’klasë bën pjesë psalmisti dhe populli i tij. Ata i besojnë Jehovahut si Ndihmësit dhe Mbrojtësit të tyre. Ata kanë gjetur lumturi të vërtetë duke vendosur tërë besimin e tyre në emrin e tij të shenjtë. Ajo që ata kërkojnë është që të vazhdojnë të rreziten nën diellin e dashurisë së Tij të qëndrueshme ndërsa vazhdojnë të varen vetëm nga Ai.

Psalmi 34: Psalmi i lindjes së re

Sfondi historik i këtij psalmi gjendet te 1 Samuelit 21. Pas arratisjes së tij nga Sauli Davidi kishte gjetur strehë te mbreti i filistenjve të Gathit, emri i të cilit ishte Akish, apo Abimelek, sipas titullit të psalmit (Abimelek mund të ketë qenë një titull më tepër sesa një emër vetjak). Duke pasur frikë se mos ky mbret armik mund ta vriste, Davidi u shtir si i marrë, duke bërë shenja nëpër dyert e portës dhe duke lënë jargët e tij që t’i rridhnin nëpër mjekër. Hileja funksionoi. Mbreti nuk kishte nevojë për të marrë dhe kështu nuk i bëri gjë Davidit, i cili më pas u arratis në shpellat e Adullamit. Ky episod nuk ishte me siguri një ndër kapitujt heroikë apo të shkëlqyer në karrierën e bujshme të psalmistit, por ai e shihte atë si një çlirim dramatik nga ana e Zotit dhe kështu shkroi këtë psalm për të kremtuar atë ngjarje.

Besimtarët gjatë shekujve e kanë dashur Psalmin 34, sepse shpreh aq rrjedhshëm dëshminë e tyre të shpëtimit me anë të hirit e prej besimit në Zotin. Le ta shohim psalmin nën këtë dritë.

34:1 Shpëtimi nga mëkati është një dhuratë me një vlerë të jashtëzakonshme që duhet të nxjerrë falënderime të pareshtura nga zemrat tona ndaj Dhuruesit. Nëse do ta bekojmë Zotin në çdo kohë, nuk e di se sa kohë do të vazhdonim. Nëse lëvdimi i Tij do të ishte gjithnjë në buzët tona nuk do të mund t’ia dilnim kurrë. Asnjë gjuhë njerëzore nuk është kurrë e aftë të falënderojë Perëndinë ashtu siç duhet për tërë përjetësinë.

34:2 Njerëzit e kthyer mburren me Zotin – jo në karakterin apo në arritjet e tyre. Kur kuptojmë ungjillin e hirit kuptojmë se kemi bërë veprat e mëkatit dhe Krishti ka bërë veprën e shpëtimit. Kështu krenimi ynë duhet të jetë vetëm në Të. Nëse ata që janë akoma në anën e mëkatit do të dëgjojnë dhe do t’i vënë veshin dëshmisë sonë të shpëtimit të plotë dhe falas, edhe ata do të zgjohen me gëzim duke kuptuar se ka shpresë edhe për ta.

34:3 Shpirti i shpëtuar nuk është i kënaqur ta shijojë shpengimin e tij i veçuar nga të tjerët. Tema është e një rëndësie të veçantë, kështu që ai thërret tërë vëllazërinë e tij të lartojnë Zotin bashkë me dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij. Disa çifte e kanë të mbishkruar këtë referim në unazat e tyre të martesës.

34:4 Kur Fryma e Perëndisë fillon të mbizotërojë në shpirtin e mëkatarit, Ai shtin në të një instinkt hyjnor për të kërkuar Zotin. Vetëm më vonë mëkatari i shpëtuar kupton se ishte Zoti Ai që e kërkoi atë më parë! Një himn e shpreh kështu këtë fakt:

Unë kërkova Zotin dhe më pas mësova

se Ai shtyu shpirtin tim ta kërkoja Atë,

duke më kërkuar.

Nuk të gjeta unë Ty, o Shpëtimtar i vërtetë.

Jo, unë u gjeta nga Ty.

Anonim

Përsëri, kur ne e kërkojmë Atë, Ai përgjigjet, duke na çliruar nga të gjitha tmerret tona – frika e së ardhmes të panjohur, frika e vdekjes me mëkatet tona të parrëfyera dhe të pafalura, frika kur do të qëndrojmë para Gjykimit të Fronit të Madh e të Bardhë. Kur i besojmë Krishtit si Zot dhe Shpëtimtar, ne dëgjojmë fjalët e Tij absolute: “Mëkatet e tua janë falur; shko në paqe!”.

34:5 Por ky nuk është një shpëtim privat – ai është i vlefshëm për të gjithë. Të gjithë ata që shikojnë drejt Krishtit me besim ndriçohen. Vrenjtjet kthehen në buzëqeshje gëzimi dhe shqetësimi mendor e dëshpërimi në hare. Askush që ia dorëzon jetën e tij Zotit nuk do të zhgënjehet; Ai nuk mund të lërë në baltë zemrën që beson.

34:6 Ne shkojmë tek Ai në varfërinë dhe pisllëqet tona, në përuljen tonë e kur jemi pa ndihmë dhe rrëfejmë me gëzim paaftësinë tonë për të siguruar shpëtimin tonë. Ne vendosim tërë besimin tonë në Të. Gjuha jonë është:

Duart e mia janë pa vlerë,

thjesht para kryqit Tënd përkulem.

Zoti dëgjon thirrjen tonë. Varfëria jonë i drejtohet ndihmës së Tij të pakufishme. Ai përkulet dhe na shpëton nga të gjitha fatkeqësitë tona – nga rrjeti i ngatërruar i mëkatit që kemi endur me vetë duart tona.

34:7 Besimtari jo vetëm që është shpëtuar, por edhe është i ruajtur mirë gjithashtu. Engjëlli i Zotit, pra, Vetë Zoti Jezu Krisht, shërben si një pikë e fortifikuar për ata që kanë frikë prej tij, duke i çliruar nga rreziqet e dukshme dhe të padukshme. Asnjë dele e Tij nuk mund të humbasë (Gjon. 10:28).

34:8,9 Ata që e njohin Shpëtimtarin dëshirojnë me zjarr të flasin për Të me të tjerët. Ashtu si katër lebrozët në Samari, thonë: “Nuk veprojmë mirë kështu; kjo është ditë sihariqi, por ne nuk hapim as gojën” (2 i Mbreterve 7:9, AB). Dhe në të njëjtën mënyrë ungjilli thërret: “Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai”.

Kjo është ftesa e vërtetë dhe e ngutshme për të pakthyerit. Ne mund të arsyetojmë, të argumentojmë, t’i vihemi logjikës dhe provave të renditura të krishtera, por kur gjithçka thuhet dhe bëhet, një njeri duhet të shijojë dhe të shohë vetë. Kampbell Mardoku (G. Campbell Murdoch) shkruan:

Ne mund të argumentojmë rreth Perëndisë, ekzistencës së Tij dhe rreth tërë provave të jashtme që sigurojnë gjithësia dhe ato që ndodhen brenda saj. Por vetëm kur dashuria dhe prania e Tij prekin zemrat tona mund të njohim me të vërtetë Atë në mirësinë më të paimagjinueshme [29].

Pastaj vijon ftesa për të kthyerit. Ajo është një ftesë për një jetë me besim. Shenjtorët janë ftuar të ecin me besim e jo me anë të vegimit dhe të përjetojnë parashikimin e mrekullueshëm, të çuditshëm dhe të bollshëm të Perëndisë. Ky është mesazhi i Mateut 6:33:

Por, para së gjithash, kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.

34:10 Ndërsa luanët e vegjël [30] ndonjëherë vuajnë nga mungesa e madhe e ushqimit dhe nga uria, por atyre që kërkojnë Zotin nuk u mungon asgjë, sepse Zoti ynë Jezu Krisht është Siguruesi ynë i madh dhe i vetëmjaftueshëm!

34:11 Hiri i Perëndisë jo vetëm shpëton, ruan dhe siguron, por mëson gjithashtu.

Sepse hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve dhe na mëson të mohojmë pabesinë dhe lakmitë e botës, sepse ne rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë, duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, i cili e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të pastruar për vete një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira (Titi 2:11-14).

Këtu psalmisti u jep disa mësime praktike bijve të tij në lidhjen me frikën e vërtetë Zotit.

34:12-15

1. Një gjuhë e kontrolluar – ai që është larg së keqes dhe buzëve thonë gënjeshtra.

2. Një ecje e ndarë – e ndarë nga e keqja që të bësh veprat e mira.

3. Një gatishmëri paqësore – ashtu siç thotë Pali: “Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit” (Rom. 12:18).

Pjetri pohon te 1 Pjetrit 3:9: “Duke e ditur se për këtë u thirrët (për të bekuar të tjerët), që të trashëgoni bekimin”. Pastaj citon vargjet 12-16a të këtij psalmi për të riforcuar mësimin e tij që ne nuk duhet të kthejmë të keqen me të keqe apo fyerjen me fyerje, por më tepër duhet të bekojmë. Bekimi është favori i Zotit; Sytë e Tij janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre (Psa. 34:15).

34:16 Duke cituar vargun 16, Pjetri përdor vetëm pjesën e parë të tij:

Fytyra e Zotit është kundër atyre që sillen keq.

Ai nuk citon pjesën tjetër që thotë: Për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut.

Pjesa e parë e vargut vlen për çdo kohë. Pjesa e dytë do të përmbushet kur të kthehet Zoti Jezu Krisht në tokë si Mbret i mbretërve.

34:17Të drejtët kanë privilegjin e paimagjinueshëm për të hyrë menjëherë në praninë e Zotit. Ai i dëgjon sa herë që ata e thërrasin dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre. Barnsi (Barnes) bën këtë koment në këtë pikë: “Askush asnjëherë nuk e ka vlerësuar plotësisht privilegjin që të thërrasë Perëndinë, d.m.th. privilegjin e lutjes”.

Para se të largohemi nga vargu 17 duhet të vëmë re se Zoti nuk na çliron nga problemet; Ai na nxjerr nga to. Besimtarët nuk janë të paprekshëm nga problemet, por ata kanë një Çlirimtar Shumë të Lartë! Ky është ndryshimi vendimtar.

34:18Zoti di se si t’i bëjë ballë krenarit, por Ai nuk mund t’i bëjë ballë atij që ka një zemër të thyer. Ai u afrohet atyre që janë të thyer në zemër dhe gjithmonë është gati të shpëtojë frymën e dërrmuar.

34:19 Ashtu siç e kemi përmendur, i drejti ka vuajte të shumta. Mbase ndonjë ditë do të shohim se ka të këtilla më tepër se të pabesët. Por në fund të fundit problemet tona janë vetëm për këtë jetë. Për më tepër, ne nuk kemi se pse t’i durojmë vetë, sepse Miku ynë i përjetshëm është në anën tonë. Ne kemi sigurinë e çlirimit të plotë dhe përfundimtar nga pikëllimet përmes Ringjalljes së Zotit Jezus. Meqë Ai është ringjallur prej së vdekurish, edhe ne do të ringjallemi një ditë, përgjithmonë pa mëkat, sëmundje, brengë, vuajtje dhe larg vdekjes!

34:20 Por kur vdesin shenjtorët e Tij Zoti i mbron trupat e tyre:

Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet.

Ky varg u përmbush fjalë për fjalë me vdekjen e Zotit tonë:

Por kur erdhën te Jezusi, dhe si panë se ai tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë. Këto gjëra në fakt ndodhën që të përmbushet Shkrimi: “Nuk do t’i thyhet asnjë eshtër” (Gjon. 19:33,36).

Në këtë, sigurisht, Zoti ynë ishte shembulli i përsosur i qengjit të Pashkës, për të cilin ishte shkruar:

Nuk do të thyeni asnjë kockë të tij (Eks. 12:46).

34:21,22 Dy vargjet e fundit të psalmit vënë theksin mbi fjalën “shkatërrohen”. Për sa u përket të pabesëve fatkeqësia do t’i shtjerë në vdekje dhe ata do të shkatërrohen. Por shërbëtorët e Jehovahut kanë Atë që shpengon shpirtrat e tyre dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë te ai nuk do të shkatërrohet. Lavdi Perëndisë, nuk ka dënim për ata që janë në Krishtin Jezus! (Shikoni Rom. 8:1).

Kush do të na dënojë tani?

Meqë Krishti ka vdekur,

është ringjallur dhe është ngritur lart,

për të ndërhyrë për ne në të djathtë të Dashurisë,

kush do të na dënojë tani?

Horacius Bonar (Horatius Bonar)

Dhe kështu besimtari është i shpëtuar, i ruajtur dhe i kënaqur me bollëk tani dhe në përjetësi. Është një gjë e mrekullueshme të lindësh sërish! Ky është mesazhi i këtij psalmi.

Psalmi 35: Miqtë që u kthyen në tradhtarë

35:1-3 Në një përdorim të pafajshëm të imagjinatës së tij Davidi i drejtohet Perëndisë që të armatoset me një tërësi të konsiderueshme armësh dhe të ndërhyjë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj miqve të shtirur të psalmistit që u bënë kundërshtarët e tij mizorë. Psalmisti dëshiron të shohë Zotin të rrokë mburojën dhe parzmoren e Tij dhe të hidhet në veprim, duke hedhur shtizën e Tij të shënjestruar mirë, pastaj t’i thotë Davidit mënjanë: “Do të merrem unë dhe ta dhe do të jem Shpëtimtari yt”.

35:4-6 Do të ishte drejtësi e barabartë për vrasësit e mundshëm që të turpëroheshin dhe të pësonin fatkeqësi dhe që përbetimet e tyre djallëzore të zmpraseshin dhe të zhdukeshin. Do të ishte diçka e drejtë që ata të mbesnin pa ndihmë dhe pa peshë si byku erë, të shtyrë pa mëshirë nga Engjëlli i Zotit (Zoti Jezu Krisht në një nga shfaqjet e Tij para se të mishërohej). Po, do të ishte një shpagim i drejtë për rrugën e tyre të errët dhe me shkarje si akulli, duke pasur Engjëllin e Zotit që t’i përndjekë.

35:7,8 Ata nuk kishin arsye të drejta për përbetimin kundër psalmistit, për përpjekjen për ta kapur, ashtu sikur të ishte një egërsirë. Kështu Zoti tani le të hedhë gjëmën mbi ta papritur dhe le të kapen në rrjetën e tyre!

35:9,10 Pastaj Davidi do të ngazëllejë te Zoti duke kremtuar shpëtimin e tij. E gjithë qenia e tij do të bjerë në mirënjohje para Zotit, Ai i pakrahasueshmi që shpëton të pambrojturin nga fuqia më e madhe e kundërshtarit të tij, të pashpresin dhe nevojtarin nga plaçkitësi.

35:11-14 Për të kuptuar përfshirjen më të thellë emocionale të psalmistit duhet të kuptojmë se këta njerëz që po dëshmojnë kundër tij kishin qenë më parë miqtë e tij. Tani ata i bëjnë keq atij dhe e paditin për gjëra që nuk e ka idenë. Për tërë mirësinë që ka treguar ndaj tyre po shpaguhet me urrejtje. Pa dyshim që është zemërlëshuar! Kur këta njerëz ishin të sëmurë ishte ndryshe. Davidi ishte njëjtësuar me trishtimin e tyre. Ai as nuk mund të hante dot. Me kokën e tij të ulur nga brenga ai ishte lutur për ta vazhdimisht – ashtu siç do të bënte për një shok o për vëllanë më të ngushtë. Zija e tij ishte aq e thellë sa ishte e ngjashme me atë kur një njeri mban zi për të ëmën.

35:15,16 Por, kur u pengua dhe fatkeqësia mbërtheu Davidin, ata u gëzuan. Ata u çuan si një trup i vetëm për ta paditur. Ata mblodhën njerëz të braktisur rrugëve për të shpifur kundër tij me një padi të vazhdueshme. Në mënyrë të paturpshme e tallnin atë gjithnjë e më tepër, në të njëjtën kohë duke i nxjerrë dhëmbët me urrejtje. Përvoja e psalmistit na bën të mendojmë për Zotin Jezus para Ponc Pilatit apo Herodit; një pjesë e mirë e ligjëratës këtu vlen patjetër për atë që duroi Ai.

35:17,18Deri kur do të vazhdojë të shikojë Zoti padrejtësinë pa ndërhyrë? Ka ardhur koha të shpëtojë të pafajshmin nga shkretimi i armiqve të tij dhe të shpëtojë jetën e tij nga këta luanë njerëzorë.

35:19-21 Çfarë parodie do të ishte nëse ata që janë armiqtë e Davidit për ndonjë arsye të drejtë të kenë rast gëzimi për rënien e tij dhe të lëvizin sytë në një triumf të dukshëm. Ata nuk duan paqen – ajo që duan ata është të thurin padi të rreme kundër qytetarëve të ndershëm dhe që u binden ligjeve. Sa herë që shohin rënien më të vogël ata thonë: “Ah, ah! Ashtu siç e paramenduam! Të pamë që e bërë”.

35:22-25 Por Ti i ke parë këto gjëra, o Zot. Ti ke parë tërë rrëmujën e mjerueshme. Mos rri gojëmbyllur në veçim të heshtur. Mos u largo nga unë. Është koha të zgjohesh dhe të ndërhysh për të më mbrojtur mua dhe çështjen time të drejtë. Dëshiroj me zjarr që të marrësh hak për mua – Ti gjithmonë bën atë që është e drejtë – të hedhësh poshtë dëshirat e tyre, për të kremtuar mbi rrëzimin tim. Mos bëj ata të gëzohen se u janë plotësuar dëshirat e tyre, që ia kanë dalë mbanë duke më përpirë.

35:26 O Zot, bëj që ata që gëzohen kur më shohin të rrëzuar të pësojnë fatkeqësi. Mbuloi me poshtërim dhe me turp për mënyrën e pacipë me të cilën janë sjellë me mua.

35:27,28 Por ata që shpresojnë për shfajësimin tim përfundimtar do të kenë arsye të këndojnë dhe të gëzojnë} Le të japin dëshmi se Ti je me të vërtetë një Zot i madh, sepse Ti ndien një gëzim të madh me mirëqenien e atyre që të shërbejnë. Dhe gjuha ime nuk do të rrijë e heshtur; ajo vazhdimisht do t’u tregojë të tjerëve rreth drejtësisë Tënde dhe të drejtës Tënde për të marrë lavdi!

Psalmi 36: Mëkati i madh, Perëndia i madh

36:1-4 Një orakull në zemrën e Davidit paraqet një figurë të gjallë të mëkatit të të pabesit. Mëkatari largon çdo frikë nga Perëndia që mund të kishte pasur. Ai gënjen veten se krimet e tij nuk mund të vërtetohen kundër tij dhe kështu të dënohet. E folura e tij është e mbushur me faj dhe mashtrim. Ai përqesh një jetë të respektueshme dhe bindëse ndaj ligjit. Kur duhet të ishte në gjumë, thur paudhësi të reja, pastaj me dashje i merr mbi vete, duke i thënë me gëzim “po” kënaqësive mëkatare.

36:5 Në një përqasje të fortë ndaj shthurjes së një mëkatari janë përsosuritë e Zotit. Mirësia e Tij, për shembull, arrin deri në qiell. Barnsi (Barnes) shkruan:

Është shumë e lartë: deri në qiejt, aq e lartë sa edhe objekti më i lartë që mund të perceptojë njeriu. Ideja nuk është se mëshira e Perëndisë shfaqet në qiell. . . jo se ka fillesën në qiell (edhe pse kjo është e vërtetë), por se është e një natyre shumë më të lartë, është më e lartë nga sa mund ta mendojë njeriu [31].

Besnikëria e Perëndisë arrin deri te retë, që do të thotë se është e pakufizuar në përmasat e saj. Pinku (A. W. Pink) thotë:

Çfarë fjale! “Besnikëria jote arrin deri te retë”. Përtej çdo perceptimi të fundëm është besnikëria e pandryshueshme e Perëndisë. Çdo gjë rreth Perëndisë është e madhe, e gjerë, e pakrahasueshme. Ai nuk harron kurrë, nuk dështon kurrë, nuk ndryshon kurrë, nuk e lë pa çuar në vend fjalën e Tij. Çdo shpallje premtimi apo profecie që Zoti ka dhënë në mënyrë të saktë, çdo zotim besëlidhjeje apo kërcënim, Ai do ta bëjë mirë, sepse “Perëndia nuk është një njeri që mund të gënjejë, as edhe bir njeriu që mund të pendohet. Kur ka thënë një gjë e nuk do ta bëjë? Ose kur ka shpallur një gjë e nuk do ta kryejë?” (Num. 23:19, AV). Prandaj besimtari shpall: “Mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht. . . E madhe është besnikëria jote.” (Vajt. 3:22,23, AV) [32].

36:6Drejtësia e Perëndisë është si malet që ka bërë – të qëndrueshme, të forta, të palëvizshme, të varura prej Tij. Prej Tij mund të presim gjithnjë që të bëjë të mirën. Kjo u shpreh në mënyrë të mrekullueshme në kryq. Drejtësia e Perëndisë kërkon që mëkati të ndëshkohet. Nëse duhet të ndëshkoheshim ne për mëkatet tona do të kishim humbur për tërë përjetësinë. Kjo është arsyeja pse Biri i bekuar i Perëndisë mori mëkatet tonë mbi Vete. Aq e pakthyeshme ishte drejtësia e Perëndisë saqë, kur pa mëkatet tona në Birin e Tij të pamëkatë, vërshoi përrenjtë e gjykimit të Tij mbi Të. Tani Perëndia ka një bazë të drejtë me anë së cilës mund të shpëtojë mëkatarët e paperëndishëm – ndëshkimi është paguar nga një Zëvendësues i denjë.

Drejtësia e përsosur e Perëndisë

dëshmohet me anë të gjakut të Krishtit.

Në kryq të Krishtit shohim

drejtësinë e Tij,

një hir të mrekullueshëm.

Albert Midllein (Albert Midlane)

Gjykimet e Perëndisë janë si një humnerë e madhe. Kjo do të thotë se dekretet, vendimet, mendimet dhe planet e Tij janë tejet të thella, të ndërlikuara dhe të mençura. Kur sodit këtë cilësi të Perëndisë, Pali shpall: “O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij!” (Rom. 11:33).

“O Zot, ti ruan njerëz dhe kafshë”. Këtu kemi të bëjmë me një shpëtim të përkohshëm – të providencës së Perëndisë që ruan krijesat e Tij. Dhe çfarë mëshire e madhe është kjo! Mendoni se çfarë duhet për t’u kujdesur për kaq qenie njerëzore dhe kaq shumë kafshë, zogj dhe peshq. Për sa i përket njeriut Perëndia i numëron edhe flokët e kokës së tij; për sa i përket harabelit të papërfillshëm, asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tonë qiellor!

36:7 Asgjë që bën pjesë në jetën njerëzore nuk është më e çmuar se mirësia e Perëndisë. Ajo është e përjetshme, sovrane, e pafund, pa kushte dhe e pandryshueshme. Dhe asgjë nuk mund ta ndajë birin e Perëndisë nga ajo. Më 1743 Xhon Brajni (John Brine) ka shkruar:

Asnjë gjuhë nuk mund të shprehë plotësisht pafundësinë e dashurisë së Perëndisë dhe asnjë mendje nuk mund të kuptojë: ajo “tejkalon çdo njohuri” (Efesianeve 3:19). Idetë më të ndritura që një mendje e kufizuar mund të formulojë rreth dashurisë hyjnore janë poshtë natyrës së saj të vërtetë. Qielli nuk është aq larg nga toka sa ç’është mirësia e Perëndisë nga konceptimi më i lartë që jemi të aftë të formojmë. Ajo është një oqean që ngritet më lart se tërë malet e kundërvënies . . Ajo është një burim nga i cili rrjedh çdo e mirë e domosdoshme për tërë ata që janë të interesuar [33].

Kjo është arsyeja pse bijtë e njerëzve gjejnë strehë nën hijen e krahëve të Tij. Fatkeqësisht, jo të gjithë njerëzit zgjedhin të shijojnë mbrojtjen e dashurisë së Perëndisë. Por privilegji është për të gjithë dhe njerëzit e çdo kombi, klase dhe kulture kanë gjetur prehje, freski dhe siguri nën ato krahë të pakrahasueshëm.

36:8 Jo vetëm që ka mbrojtje, por edhe furnizim të bollshëm. “Ata ngopen me bollëkun e shtëpisë sate, dhe ti u heq etjen në përroin e kënaqësive të tua”. Çfarë ushqimi mund të krahasohet me atë të shtëpisë së Zotit për nga cilësia dhe sasia? Dhe cilat kënaqësi? Ashtu siç tregon Mejeri (F. B. Meyer), Perëndia sjell brenga me kanaçe, por kënaqësi me fuçi!

36:9 Në Krishtin gjendet burimi i jetës. “Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve” (Gjon. 1:4). Me anë të asaj drite ne shohim dritën. Ashtu si drita natyrale që i zbulon gjërat në formën e tyre të vërtetë, po kështu edhe drita e Perëndisë na bën të shohim gjërat ashtu siç i bën Ai. Ajo na bën që të kemi vlerësime të sakta të realiteteve frymërore, të botës, të të tjerëve dhe të vetes tonë.

Koroti (Corot), piktori i madh i peisazhit, ka thënë: “Kur gjendem ndër vende të bukura të natyrës, inatosem me pikturat e mia”. I kënaqur me to në studion e tij, artisti ishte i përulur para lavdisë së Natyrës. Të gjykuarit e vetes në dritën e botës, bën që shumë lehtë mund të gjejmë terren për kënaqësi vetjake; por të gjykojmë veten në dritën e Zotit, të masim veten me standardin Hyjnor, do të thotë të kthejmë krenarinë në turp (Choice Gleanings).

36:10,11 Pasi ka përshkruar majat e Himalajeve të përsosurive të Perëndisë, biri i Isait kthehet në luginën e nevojës njerëzore dhe lutet për mbrojtje të vazhdueshme nga të pabesët. Vargu 11 shpjegon vargun 10. Mënyra se si Davidi i kërkon Perëndisë të vazhdojë mirësinë dhe çlirimin e Tij është duke ndalur që këmba e njerëzve arrogantë ta rrëzojë dhe dora e të pabesit mos e marrë me vete.

36:12 Kjo lutje ka marrë përgjigje. Besimi bën që psalmisti të shohë të pabesin tek rrëzohet dhe që është i pafuqishëm të ringjallet përsëri.

Psalmi 37: Paqja e vërtetë

Davidi kishte vuajtur shumë në duart e të pabesëve, njerëzve të paskrupuj gjatë jetës së tij. Tani si një plak ndan disa këshilla se si duhet të kundërveprojmë kur bëhemi viktimë e shestimeve të liga dhe gjuhëve helmuese.

37:1,2 Më së pari, ne nuk duhet të dëshpërohemi për shkak të njerëzve të këqij. Rreziku është se mund të shtrihemi në shtrat natën dhe të rrëfejmë tërë episodin që na ngjall mëri. Në fillim mendojmë gjithçka që thanë dhe bënë, mendohemi se si u përgjigjëm, pastaj dëshirojmë të kishim menduar disa zgjedhje të tjera fjalësh për t’ua përplasur! Shumë shpejt lëngjet tona tretëse kthehen në acid sulfurik dhe ne rrotullohemi në shtrat pa na zënë gjumi! Dëshpërimi nuk lëndon tjetër njeri veç vetes tonë dhe nuk të sjell asgjë të mirë. Ne nuk duhet të dëshpërohemi!

Çfarëdolloj gjëje të bëjmë, nuk duhet të kemi smirë të pabesët! Kjo botë është “qielli” i tyre i vetëm që do të kenë sepse ata nuk do të hyjnë fare në qiellin e vërtetë bashkë më Zotin. Kosa e hakmarrjes do t’i kosisë shpejt dhe karrierat e tyre spektakolare do të thahen dhe zhuriten.

37:3 Ky është kahu negativ i figurës – mos u shqetëso për ta dhe mos dëshiro të jesh si ata. Në kahun pozitiv – gjëja e parë që duhet të bësh është: “Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira”. Ky besim nuk do të thotë një optimizëm i pabazuar dhe që e merr era, që çdo gjë në fund të fundit do të rregullohet. Por nënkupton një mbështetje të thellë dhe të qëndrueshme në Perëndinë që ka premtuar të ndëshkojë të pabesët dhe të shpërblejë të drejtët. Fjala e Tij nuk mund të mbetet pa u plotësuar. I drejti do të banojë vendin dhe do të shijojë sigurinë. Pavarësisht nga sulmet e egra të demonëve apo njerëzve, asnjë dele e Krishtit nuk do të humbasë kurrë (Gjon. 10:27-29). Një vendbanimi në shtëpinë e Atit u sigurohet të gjithëve atyre që besojnë në Krishtin (Gjon. 14:1-6).

Xhon Uesllej (John Wesley) një herë i dërgoi ndihmë financiare një predikuesi, që ishte edhe miku i tij, të quajtur Samuel Bredbërn (Bradburn). Brenda një zarfi me një kartmonedhë 5 stërlinëshe angleze shkroi: “I dashur Sem: ‘Beso në Zotin dhe bëj të mira; bano vendin dhe me të vërtetë do të sigurosh ushqim'”. Duke shprehur falënderimin e tij, Bredbërni iu përgjigj: “Shpeshherë jam mahnitur me bukurinë e Shkrimit të cituar në letrën tënde, por duhet të rrëfej se kurrë më parë nuk kam shikuar një shpjegim aq të dobishëm për të”.

37:4 Por mendoni sikur të keni pasur një dëshirë të madhe që të kryeni një shërbesë të caktuar për Zotin. Ndiheni plot besim që Ai ju ka drejtuar dhe dëshira juaj e vetme është ta lavdëroni Atë. Megjithatë, një vështirësi e fuqishme ka dalë para, ju ka stepur dhe ju ka hedhur në çdo kthesë të rrugës. Çfarë do të bënit në një rast të tillë? Përgjigjja është se ju do të gjenit kënaqësinë tuaj në Zotin, duke ditur se në kohën e duhur Ai do të plotësojë dëshirat e zemrës suaj. Nuk është e domosdoshme që të kundërpërgjigjeni. “Beteja nuk është juaja, por e Perëndisë” (2 i Kronikave 20:15). “Zoti do të luftojë për ju, dhe ju do të rrini të qetë” (Eks. 14:14).

37:5,6 Ose mund të ketë ndodhur që të jeni fajësuar pa shkak, të paditeni në mënyrë të rreme apo t’ju kenë marrë nëpër gojë. Nëse do të kishe ndonjë pjesë të së vërtetës së padive nuk do të ishin të vështira për t’u përballuar. Por janë tërësisht të pavërteta dhe të liga. Çfarë do të bënit? Vendose tërë çështjen tënde te Zoti. Hidhe tërë barrën mbi Të. Le të veprojë Ai për llogarinë tënde dhe atëherë do të hakmerresh me të vërtetë. Do të bëhet e qartë për të gjithë kur të shohin se në fund të fundit ke qenë i pafajshëm. Barnsi (Barnes) thotë:

Nëse të kanë përgojuar, nëse të kanë sulmuar në karakter dhe duket për çastin se je poshtë një reje, nëse të vijnë qortime nga këshillat e njerëzve të ligj në një mënyrë të tillë saqë nuk mund t’i durosh – atëherë, nëse do ta lësh çështjen në duart e Perëndisë, Ai do të mbrojë karakterin tënd, do të bëjë që të largohet reja dhe gjithçka do të jetë e pastër për sa i përket karakterit tënd dhe shtysat e sjelljes tënde do të jenë si dielli pa re [34].

37:7,8 Pasi ke vendosur fatin tënd në Zotin, hapi tjetër është të rrish në heshtje para Tij. Meqë ai mban barrën tënde, nuk është e nevojshme që edhe ti të mbash të njëjtën peshë. Shumë shpesh kjo është me të vërtetë ajo që bëjmë. Ne hedhim çështjen tonë pa ngurruar tek Ai, pastaj pa kaluar shumë kohë e hedhim përsëri mbi kurrizin tonë.

Në vullnetin e Perëndisë do të hedh

mbi Të shqetësimit tim çdo ditë.

Ai gjithashtu më urdhëron që të mos hedh

besimin tim asgjëkundi.

Por oh, jam shumë i marrë,

kur jam i pavetëdijshëm,

hedh gjetiu besimin tim

dhe mbaj mbi vete këtë shqetësimin tim.

Berd (T. Baird)

“Dhe prite atë”. Vini re se si forca e besimtarit thuhet shumë herë të jetë në Zotin:

Beso në Zotin (v. 3).

Gëzohu në Zotin (v. 4).

Vendose fatin tënd në Zotin (v. 5).

Rri në heshtje para Zotit (v. 7a).

Prite atë (v. 7b).

Ndonjëherë kjo është gjëja më e vështirë për t’u bërë nga ne. Të priturit është gjëja e fundit që bëjmë! Por besimi i vërtetë pret, i bindur se Perëndia është i zoti të bëjë atë që ka premtuar (Rom. 4:21).

Më pas Davidi thotë: “Mos u hidhëro. . . “. Pse kemi këtë përsëritje? Për një theksim të mëtejshëm, sigurisht. Edhe kur është vendosur që të mos mërzitemi me mënyrën se si sillen me ne, zakonisht kthehemi pas dhe bëjmë çorbë përsëri mendjet tona. Por kjo është sa vetëshkatërruese aq edhe e rrezikshme. Edhe sikur të ligut t’i shkojnë mbarë punët – edhe sikur të ketë sukses duke kryer planet e këqija – i krishteri nuk duhet të shqetësohet emocionalisht apo të nxisë zemërimin, mërinë, ligësinë dhe urrejtjen. Nëse lejojmë që të zhytemi në këto cilësi, ato do të na çojnë në fjalë dhe vepra të dhunshme. Pastaj ne vetë bëhemi fyes.

37:9-11 Po vjen dita kur tërë të këqijat e tokës do të marrin vendimin e drejtë. Në atë kohë njerëzit e këqij do të shfarosen dhe shenjtorët që kanë besuar do të zotërojnë tërë bekimet që Ai ka premtuar. Nuk do të zgjasë shumë nga koha kur të pabesët të zhduken nga skena. Nëse do të kërkosh me kujdes për ta në vendet ku shkojnë për të zënë miqësi kërkimi yt do të jetë i kotë! Në atë ditë zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të shijojnë begatinë e pashoqe. Kur do të vijë ajo ditë? Për kishën do të fillojë kur Shpëtimtari do të zbresë në retë për të rrëmbyer njerëzit e Tij që po e presin dhe do t’i çojë ata në shtëpinë qiellore. Për pjesën besuese të Izraelit dhe të kombeve do të fillojë kur Zoti Jezus do të kthehet në tokë për të shkatërruar armiqtë e Tij dhe për të mbretëruar për një mijë vjet në paqe. Në Predikimin në Mal, Jezusi e përshkroi atë ditë të lavdishme me këto fjalë:

“Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën” (Mt. 5:5).

37:12,13 Ndërkohë mashtruesit, zhvatësit dhe shtypësit ngrejnë planet e tyre kundër bijve të Perëndisë. Ata shprehin armiqësinë më të hidhur ndaj atyre që e duan Zotin. Por Jehovahu nuk shqetësohet nga zhurma e dhëmbëve të tyre kërcëlluese. Ai e di se dita e shpagimit nuk është larg. Është një gjë e mirë kur shohim mbi armiqtë tanë me të njëjtën moskokëçarje kur, ashtu siç e ka paraqitur dikush, mund të kemi pas nesh botën e burrave të vegjël.

37:14,15 Duket zakonisht se “e vërteta është gjithmonë në podiumin e të dënuarve me vdekje, ndërsa e gabuara në fron”. Të pabesët janë të armatosur dhe të stërvitur mirë. I drejti, duke u krahasuar me të, duket i pajisur keq dhe vazhdimisht ia hedhin me dredhi. Por ka disa ligje të pandryshueshme në veprim në mbretërinë morale. Udha e shkelësve është e vështirë në fund. Pasojat e mëkatit do të bien mbi ata një ditë. Njerëzit nuk do të jetojnë me mëkatet e tyre duke bërë përgjithmonë një sy qorr dhe një vesh të shurdh. Pasoja bumerang është gjithmonë në veprim: Shpata e tyre do të hyjë në zemrën e tyre. Kur do t’ua kenë më tepër nevojën shpatat e tyre nuk do të jenë gati: harqet e tyre do të thyhen.

37:16 Zotërimet e pakta të të drejtitvlejnë më tepër sesa bollëku i shumë të pabesëve, meqë shenjtorët kanë Zotin, ndërsa mëkatarët jo. Shkrimtari i Letrës drejtuar Hebrenjve, pasi ka sqaruar tërë pasurinë e pakrahasueshme që besimtari gëzon në Krishtin, shton me ngërdheshje: “Sjellja juaj të jetë pa lakmi paraje dhe kënaquni me atë që keni, sepse vetë Perëndia ka thënë: ‘Nuk do të të lë, nuk do të të braktis'” (Heb. 13:5).

37:17,18Sepse krahët e të pabesëve (pra, forca e tyre) do të thyhen. Por nuk do të ndodhë një gjë e tillë me të drejtët. Ata do të ruhen nga Zoti i fuqisë së pafundme. Ai i njeh numrin e ditëve të njerëzve të ndershëm, gjithçka që do të sjellin ato ditë dhe se ku do të jetë në fund. Ai di se trashëgimia e të drejtit do të zgjasë përjetë – një trashëgimi që është e paprishshme, e panjollë dhe e pafishkur, që është ruajtur në qiejt për tërë ata, që nga fuqia e Perëndisë me anë të besimit janë të ruajtur, për shpëtimin gati për t’u zbuluar në kohët e fundit (1 Pjetrit 1:4,5).

37:19 Shenjtorët nuk do të ngatërrohen për besimin e tyre kur do të vijnë kohë të vështira. Ata kanë me vete forcat e fshehura frymërore. Në kohën e pamjaftueshmërisë ata gëzojnë një sasi të veçantë bollëku. Para së gjithash, ata kanë mësuar të jetojnë me sakrifica, në mënyrë që të mos ndihen të mangët kur ushqimi është i pakët. Por ata gjithashtu kanë Zotin, që është i aftë të shtrojë një tryezë në mes të shkretëtirës. Ata kanë privilegjin për të parë Perëndinë që siguron për ta në mënyra të mrekullueshme dhe me një shije të veçantë e të ëmbël manën nga qielli.

37:20Por të pabesët do të vdesin. Në të gjithë psalmin kjo vdekje tingëllon për armiqtë e Zotit. Ata quhen të pabesë, keqbërës, ata që përparojnë në rrugët e tyre, njerëz që çojnë përpara këshillat e tyre të liga, armiq të Zotit, bij të ligësisë dhe shkelës. Fjala “i pabesë” përmendet 14 herë në këtë psalm dhe përbën një ndër pikat kyçe të tij.

Armiqtë e Zotit janë si shkëlqimi i kullotave apo livadheve. Sot ata shkëlqejnë me lule dhe bar të egër; nesër kositen nga kositësi apo thahen me ndryshimin e stinës. Të papeshë si tymi do të bëhen si dhjami i qengjave.

37:21I pabesi merr hua dhe nuk e kthen. Kjo do të thotë se ai është i shkujdesur për ta kthyer pas ose nuk mund. Por me gjithë paratë që ka pse nuk e kthen huanë? Përgjigjja është se ai nuk mban aq sa fiton. Në lakminë e tij për para ai spekulon. Kur humbet, merr hua për të mbuluar humbjet e tij. Ai e ndërton perandorinë e tij me kredi dhe pastaj, kur vjen koha për t’i shlyer, dëshpërohet për të mbajtur pasurinë e tij që po bie. Përtej shfaqjes së jashtme të begatisë qëndron kaosi financiar.

Megjithëse i drejti është zakonisht lart pasurisë, ata janë tejet bujarë, gjithmonë shohin më tepër bekim të japin sesa të marrin. Ata kanë vërtetuar se nëse një besimtar dëshiron me të vërtetë të japë, kurrë nuk do t’i mungojnë mjetet për të bërë një gjë të tillë. Ashtu siç mëson Pali:

Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë për ju, aq sa mbasi të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë, t’ju teprojë për çfarëdo pune të mirë (2 Kor. 9:8).

37:22 Fati i të drejtëve dhe i të pabesëve varet në marrëdhëniet e tyre me Zotin. Ata që janë shfajësuar me anë të besimit janë të bekuarit e Zotit; ata do të zotërojnë tokën. Ata që nuk kanë pranuar dhuratën e Perëndisë për shpëtimin e kanë vënë veten në një pozicion të pakalueshëm qëndrimi nën mallkimin e Tij; ata do të shkatërrohen.

37:23,24Hapat e njeriut i drejton Zoti… Megjithëse fjala të mirë nuk gjendet në tekstin origjinal, ideja me siguri përfshihet në vargjet 23 e 24. Perëndia planifikon dhe drejton shtigjet e njeriut që jeton në përbashkësi me Të. Ai mban atë rrugët e të cilit i pëlqejnë. Edhe pse një njeri i tillë mund të bjerë në sprova dhe mundime, ai nuk do të gllabërohet prej tyre, sepse Zoti e mban atë të sigurt për dore. Është gjithashtu e vërtetë se, nëse një njeri i drejtë bie në mëkat, ai nuk do të braktiset nga Zoti, edhe ky nuk është lloji i veçantë i rrëzimit që po i referohet ky varg.

37:25 Gjatë tërë jetës së Davidit – dhe ai ishte i plakur kur ka shkruar këtë psalm – nuk kishte parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë. Nëse dikush kundërshton se ka njohur raste kur këto gjëra kanë ndodhur, do të dëshironim të bënim dy komente. Së pari, Davidi donte të thoshte se ai kurrë nuk ka njohur dikë të drejtë që të jetë braktisur përfundimisht. Ose të dyti, ai mund të ketë shpallur një parim të përgjithshëm, pa përjashtuar ndonjë rast të veçantë. Shkrimi zakonisht e bën një gjë të tillë. Ai paraqet shpallje të gjëra që përshkruajnë veprimin normal të ligjeve frymërore. Përjashtimet nuk hedhin poshtë parimet e përgjithshme.

37:26 Në vend që të çojë bijtë e tij të lypin, njeriu i drejtë është një dhurues bujar dhe jep kurdoherë hua. Duke ndjekur Fjalën e Perëndisë ai praktikon punëdashjen, ekonominë dhe kursimin. Duke punuar shumë, duke bërë blerje të kujdesshme, duke eliminuar harxhimin e kotë dhe duke shmangur teprimin, ai është i zoti t’i mbajë mirë paratë dhe kështu të ndihmojë të tjerët që janë në nevojë. Pasardhësit e tij bëhen një bekim sepse kanë marrë këto mësime në shtëpi dhe i kanë ndjekur në vetë jetët e tyre.

37:27 Ky varg është një ndër vargjet në Bibël që duket se mëson se shpëtimi merret me anë të veprave të mira. Ne dimë nga pjesë si Efesianëve 2:8-10 dhe Titi 3:5 se nuk është kështu. Duhet të dalim në përfundimin se nëse një njeri shpëtohet ai do të bëjë vepra të mira dhe se këta shenjtorë besnikë janë të vetmit që do të qëndrojnë përgjithnjë.

37:28Sepse Zoti e do drejtësinë dhe në bazë të drejtësisë së Tij bën që shenjtorët e Tij të jenë të sigurt përgjithnjë. Nuk është se shenjtorët meritojnë jetë të përjetshme, por se Krishti vdiq për t’i blerë dhe se Krishti duhet të nderojë rregullat e blerjes.

Psalmisti pëlqen të përsiasë mbi sigurinë e besimtarit (shikoni v. 18, 24, 28 dhe 33). Të gjithë ata që janë lindur sërish me anë të besimit në Zoti Jezu Krisht mund të dinë me anë të autoritetit të Fjalës së Perëndisë se ata janë të shpëtuar përgjithnjë. Diksoni (F. W. Dixon) ka shkruar:

Nëse të mungon siguria ka vetëm një mënyrë për ta fituar përsëri – merr Fjalën e Perëndisë. Merre dhe besoje. Perëndia thotë se ti je i Tiji; se ti je i shpëtuar dhe plotësisht i sigurt dhe se Ai nuk do të të lërë që të jesh vetëm; merre me doza të mëdha [35].

Të drejtët do të ruhen përjetë, ndërsa bijtë e të pabesëve do të shfarosen. Është një gjë melankolike të soditësh rrënimin e të pashpëtuarve. Çfarë do të thotë të jesh i ndarë nga Perëndia, nga Krishti dhe nga shpresa për tërë përjetësinë?

37:29 Shpresa kryesore e Izraelit ishte të jetonte në tokë nën mbretërimin e Mesias. Judenjtë e përkushtuar kishin edhe ata një shpresë qiellore (Heb. 11:10), por theksi në epokën e DhV ishte mbi gjërat materiale në vendin e Izraelit, gjatë epokës së artë të paqes dhe begatisë. Kur lexojmë se i drejti do të banojë në tokë përgjithnjë duhet të kuptojmë se mbretëria tokësore e Krishtit do të zgjasë për një mijë vjet, pastaj do të jetë hyrja në mbretërinë e Tij të pafund. Do të ndodhë që në gjendjen e përjetshme Izraeli i shpenguar do të banojë në tokën e re të përmendur te Zbulesa 21:1; nëse është kështu, atëherë premtimi i zotërimit të tokës për gjithnjë mund të merret fjalë për fjalë.

Dallimi midis të drejtit dhe të pabesit vazhdon.

37:30, 31 E folura e njeriut të drejtë është plot me dituri. Ajo që ai thotë është e shëndoshë, frymërore dhe e fortë. Ai flet për drejtësi – jo për pandershmëri apo mashtrim. Ai përsiat vazhdimisht mbi Fjalën e Perëndisë dhe kjo i ruan hapat e tij nga shkarja në mëkat dhe turp. Ashtu siç ka përmendur Spërxhëni (Spurgeon), ai ka:

gjënë më të mirë – ligjin e Perëndisë,

në vendin më të mirë – në zemrën e tij,

duke dhënë frytin më të mirë – hapat e tij nuk rrëshqasin.

37:32,33I pabesi kërkon një mundësi për ta përdorur për keq kundër të pafajshmit dhe për ta shkatërruar atë. Por Jehovahu as nuk do ta braktisë të pafajshmin në duart e fuqisë së armikut, as nuk do ta lejojë të shpallet fajtor nëse kundër tij çohet një padi në gjyq. Perëndia është Rojtari dhe Avokati i tërë popullit të Tij.

37:34 Atëherë siguria jonë më e mirë është të besojmë (ki shpresë të patundur tek Zoti) dhe të bindemi (ndiq rrugën tij). Nuk ka rrugë tjetër për të qenë i lumtur në Jezusin!

Por nuk mbaron këtu. Për të gjashtën herë psalmisti premton se këta do të trashëgojnë tokën. Pastaj shton një siguri shtesë. Kur të pabesët të jenë të shfarosur, përfshirja e vetme e besimtarëve është se do të jenë vetëm shikues. Ata nuk do të kënaqen me këtë ngjarje të tmerrshme, por do të qëndrojnë larg çdo forme të tillë gjykimi.

37:35 Davidi ishte i mprehtë dhe i kapshëm në vëzhgimin e jetës njerëzore. Ai një herë kishte vëzhguar një të pabesë, njeriun arrogant të begatohej si një pemë luksoze në tokën e tij të lindjes. Në pamje të parë mendimi është se kjo pemë nuk kishte vuajtur tronditjen e shkaktuar nga transplantimi. Ishte akoma toka e saj e lindjes dhe për këtë ishte e fortë dhe e madhe. Njeriu i pabesë ishte i begatë dhe i fuqishëm.

37:36 Por herën tjetër Davidi po kalonte nga po ai vend dhe ai njeri nuk ishte më. Ai e kërkoi, por nuk mundi ta gjendte asgjëkundi. Njeriu u begatua për pak kohë. Fuqia e tij zgjati për një kohë të shkurtër, por më pas ai vetë ishte zhdukur dhe po kështu begatia dhe fuqia e tij.

37:37,38 Psalmisti na këshillon të vëmë re dallimin midis njeriut të ndershëm, njeriut të drejtë dhe shkelësit. Ka një pasardhës për njeriun e paqes, ndërsa në fund të pabesët do të dërrmohen. Si i drejti ashtu edhe i pabesi lindin breza të gjatë pasardhësish fizikë. Toluku (Tholuck) thotë për njeriun e paqes: “Në fund të fundit një njeriu të tillë do t’i shkojë mirë”. Por të pabesit nuk i është premtuar një e nesërme të tillë.

37:39,40 Gjëja më e madhe rreth të drejtëve është lidhja e tyre me Perëndinë. Ai është Shpëtimtari dhe forca e tyre në kohë vështirësish. Nuk është çudi kur të krishterët shkojnë tek ai në kohë nevoje! Ata shohin se Ai i ndihmon ata, i çliron dhe i shpëton sepse varen tek Ai plotësisht. A je në probleme në këto çaste? Beso në Të. Ai do të vijë në ndihmë!

Psalmi 38: Brengë për mëkatin

Ne mund të mendojmë se ky psalm përshkruan vuajtjet e Shpëtimtarit që nuk qenë në referim të “mëkatit tim” (v. 3), “paudhësitë e mia” (v. 4), “marrëzia ime” (v. 5) dhe “plagës sime” (v. 11). Mund të jetë e vlefshme nëse i referojmë një pjesë të ligjëratës së Zotit Jezus ndërsa Ai vuante në duart e Perëndisë dhe njeriut, por interpretimi themelor me siguri që i përket Davidit në atë kohë të jetës së tij kur shtypja fizike dhe shqetësimi mendor ishin të lidhura së tepërmi me një mëkat që kishte kryer.

38:1-4 Së pari Davidi mendon se vuajtjet e tij janë sharje të zemërimit të Perëndisë dhe ndëshkimi i zemërimit të Tij dhe ai i kërkon Zotit t’i hiqte rrethimin. Shigjetat e Shumë të Lartit kanë goditur mendjen dhe trupin e psalmistit dhe dora e Perëndisë binte me shtypje të fortë mbi të. Si rrjedhojë e zemërimit hyjnor tërë trupi i tij ishte i sëmurë. Sëmundja ishte ndërfutur në kockat e tij – dhe e tëra kjo për shkak të mëkatit të tij. Nuk ka përligjje për paudhësitë e tij – ai është tërësisht i lidhur nga ato. Ashtu si valët gjigante, ato kanë rënë sipër tij. Si një barrë e stërmadhe ato kanë prishur forcën e tij.

38:5-8Plagët dhe marrëzia kishin prishur trupin e tij dhe ai nuk ka dyshime pse ka ndodhur një gjë e tillë. Ai ka marrë dhimbje të dyfishta, është dobësuar më tepër – një fantazëm e gjallë trishtimi. Trupi i tij është shkatërruar nga një temperaturë e lartë dhe nuk ka pjesë të trupit të tij që të ketë shpëtuar. Ai nuk ka më forcë në vetvete. Në mes të lodhjes nuk mund të bëjë gjë tjetër veç drithmës për të shprehur se si ndihet.

38:9-11 Është disi ngushëlluese për Davidin të kuptojë se Zoti njeh ankthet e zemrës së tij dhe emocionet që ndien, por që nuk mund të shprehen. Por akoma zemra e tij po rreh së tepërmi, fuqia po i binte me shpejtësi dhe vezullimi po i largohej nga sytë. Miqtë dhe shokët e tij mundohen t’i rrinë larg sikur të ishte me lebër dhe madje fqinjët e tij ngurrojnë ta vizitojnë.

38:12-14 As vrasësit e tij të mundshëm nuk heqin dorë nga përbetimet, kërcënimet dhe poshtërsia e tyre. Por Davidi është i shurdhët ndaj kërcënimeve të tyre dhe nuk mbrohet, nuk vetëhakmerret apo nuk qorton.

38:15-17 Pavarësisht se sa e errët mund të duket situata e tashme, ai nuk është pa shpresë. Ai përsëri ka besimin se Perëndia do t’i përgjigjet. Ai kërkon që kundërshtarët e tij të mos kenë kënaqësinë për të kremtuar mbi fatkeqësinë e tij të plotë. Por tashmë ai po sfilitet nga dhimbja dhe është afër kufirit të durimit njerëzor.

38:18 Me çiltërsi e thyerje të freskët dhe pa u përpjekur për të mbuluar mëkatin e tij Davidi rrëfen mëkatin e tij dhe thotë: “Më vjen keq!”. Çdo njeri që me sinqeritet merr këtë pozicion para Perëndisë nuk do t’i mohohet falja. Zoti ka bërë të ditur se Ai do t’i japë mëshirë atij që rrëfen dhe braktis mëkatin e tij (Fja. 28:13). Nëse nuk do të ishte kështu, tërë njerëzit do të ishin të shkatërruar e pa mundësi shpëtimi.

38:19,20 Mendimet e Davidit kthehen te armiqtë e tij përsëri. Edhe pse është i dobët dhe shëndetlig, ata janë tërë gjallëri dhe të fortë. Ai atëherë pranon drejtësinë e ndëshkimit të Perëndisë, por ngre zërin se kundërshtarët e tij nuk kanë shkak të vlefshëm për ligësinë e tyre. Ai ishte treguar i mirë me ta, por kishte marrë vetëm urrejtje prej tyre. Dhe pavarësisht nga armiqësia e tyre Davidi mbeti një ndjekës i Perëndisë dhe i së mirës.

38:21,22 Kështu ai i bën thirrje Perëndisë që të mos e braktisë, por të qëndrojë afër tij dhe të nxitojë për ta shpëtuar – të jetë me të vërtetë Shpëtimtari dhe Perëndia i psalmistit!

Parafrazë e Psalmit 39: Zjarri i brendshëm

39:1-3 “Isha tepër i vendosur të ruaja veten që të mos ngrija krye apo qahesha kundër Zotit pavarësisht nga halli im i madh. U betova t’i vë fre gojës sime për aq kohë sa isha në prani të jobesimtarëve; nuk desha t’u jepja një rast për të vënë në dyshim parashikimin e Perëndisë. Kështu mbeta i shurdhët dhe i heshtur, pa rrugëdalje për emocionet e mia të shtypura. Por qe e kotë. Zemra më digjte përbrenda me zemërim dhe dyshim. Nuk arrija të kuptoja pse Zoti po lejonte të duroja një trishtim kaq të madh e të padurueshëm. Sa më tepër qetësoja hidhërimin tim të shpirtit, aq më e madhe bëhej shtypja e brendshme. Së fundi ndjenjat e mia të përmbajtura shpërthyen në lutje pyetëse”.

39:4-6O Zot, edhe sa do të zgjasë kjo ëndërr e keqe? Më trego se sa kohë më ka mbetur dhe kur do të mbarojë. Në rastin më të mirë hapësira e kohës së jetës sime është vetëm sa gjerësia e pëllëmbës sime; krahasuar me përjetësinë Tënde, jeta ime nuk ia vlen të përmendet. Të tërë ne qeniet njerëzore jemi si avull. Ne e kalojmë jetën si fantazma. Ne turremi vërdallë në veprimtari të tërbuara – por në fund të fundit çfarë mbetet nga e tërë kjo? Ne kalojmë jetët tona duke kursyer dhe vënë mënjanë dhe i lëmë pas që të gëzohen nga mosmirënjohësit, të marrët apo të huajt!”.

39:7,8 “Kështu që çfarë shprese kam, o Zot? Shpresa ime e vetme është te ti. Veç Teje nuk kam asgjë. Çliromë nga të gjitha fajet e mia – në mënyrë të veçantë nga ato mëkate që mund të kenë sjellë këtë shqetësim të tmerrshëm në jetën time. Nuk mund të duroj mendimin e njerëzve pa mend që gëzohen me fatkeqësinë time”.

39:9,10 “Ti e di se si e kam ruajtur qetësinë që kur më ka zënë ky shqetësim – sepse e di se ka ardhur ngaqë Ti e ke lejuar. Por tani po të kërkoj të largosh dorën Tënde ndëshkuese nga unë; jam i sfilitur nga goditjet e Tua të herëpashershme”.

39:11Kur Ti e korrigjon njeriun, o Zot, për mëkatet e tij me forma të ndryshme disipline, ai prishet si një rrobë e çmuar kur hahet nga mola. Është e qartë se të gjithë jemi të shpërbëshëm si avulli!”.

39:12,13 “Kështu, unë vij te Ty, o Zot dhe të kërkoj që të dëgjosh lutjen time. Dëgjo dhe përgjigjju thirrjes sime të ngutshme. Mos rri i palëvizur para lotëve të mi. Mbi të gjitha jam si një mysafir nate në këtë botën Tënde, një shtegtar si paraardhësit e mi. Gjithçka që kërkoj është që Ti të reshtësh së godituri me gjykime dhe më lejo të shijoj një periudhë të shkurtër shëndeti dhe lumturie para se të dal nga skena e jetës, për t’u mos u parë më në tokë”.

Psalmi 40: I shpëtuar!

Fjalët e mirënjohura “Ti nuk kënaqesh as me flijime as me oferta” (v. 6-8) e njëjtësojnë këtë psalm si Psalmin e Mesias; fjalët i referohen Zotit Jezus tek Hebrenjve 10:5. Por psalmi paraqet një vështirësi në atë që pjesa e parë merret me Ringjalljen e Tij, ndërsa pjesa e fundit duket se kthehet te agonia e Tij në kryq. Për të shpjeguar këtë ndryshim teme nuk është e thjeshtë. Disa hedhin idenë se në vargjet e para Shpëtimtari ka ndërmend Ringjalljen e Tij dhe flet për të ashtu sikur të kishte ndodhur tashmë. Të tjerë i referojnë lutjen e ankthshme në fund të psalmit pjesës së mbetur të judenjve gjatë periudhës së Mundimit të Madh. Në studimin tonë ne do t’ia referojmë tërë psalmin Zotit Jezus – së pari Ringjalljes së Tij dhe pastaj vuajtjeve të Tij në kryq. Nëse kjo thyerje e rendit kronologjik nuk shkon përshtat me mendimet tona perëndimore, mund të gjejmë ngushëllim në faktin se njerëzit nga Lindja zakonisht nuk e mbajnë rendin kohor shumë të rëndësishëm.

40:1 Folësi është Jezusi Mesia. Ai ka pritur me ngulm dhe me durim Zotin për të dëgjuar lutjen e Tij dhe për ta çliruar nga vdekja. Edhe Zoti ynë i bekuar nuk mori gjithmonë përgjigje të menjëhershme ndaj lutjes. Por ai kuptoi se vonesat nuk do të thonë patjetër mohime. Perëndia i përgjigjet lutjes në kohën kur është më e përshtatshme për të përmbushur qëllimet e Tij në jetët tona.

Ndihma e Perëndisë vjen, jo shumë shpejt,

që të mos mbetemi pa njohur

bekimet e besimit në errësirë,

dhe jo shumë vonë,

sa të njohim mjerimin

e të besuarit më kot.

40:2 Shpëtimtari e krahason çlirimin e Tij të lavdishëm nga vdekja si shpëtim prej një grope shkatërrimi dhe nga balta e moçalit. Cili mund ta imagjinojë se çfarë donte të thoshte për Dhuruesin e jetës të dilte nga varri si Fitimtar mbi mëkatin, Satanin, vdekjen dhe varrin – i gjallë përgjithmonë!

Edhe pse çlirimi i Krishtit ishte i përveçëm, në një farë kuptimi ne të gjithë mund të përjetojmë fuqinë e Perëndisë duke na shpëtuar nga gropa dhe balta e jetës. Ashtu siç e dimë të gjithë, jeta është e mbushur me këto gropa të thella. Njeriu i pakthyer nga mëkatet e tij me anë të Frymës së Shenjtë është një gropë shkatërrimi e veçantë. Besimtari zemërlëshuar gjithashtu e sheh veten në një moçal. Ekziston moçali i sëmundjes, i vuajtjes dhe i brengës. Zakonisht kur kërkojmë udhëheqje duket sikur jemi në një burg të nëndheshëm. Dhe sigurisht, zakonisht fundosemi në kënetën e zisë, vetmisë apo shkurajimit. Këto janë përvoja të paharrueshme, kohë kur lutemi, qajmë, rënkojmë, por duket sikur nuk ndodh asgjë. Duhet të mësojmë nga shembulli i Shpëtimtarit tonë për të pritur me durim Zotin. Në kohën dhe mënyrën e duhur të Perëndisë Ai do të vijë në anën tonë, do të na tërheqë nga gropa, duke vënë këmbët tona mbi një shkëmb dhe duke i bërë hapat të sigurta.

40:3 Vini re se Perëndia është burimi i lëvdimit tonë, po ashtu edhe objekti i tij. Ai në gojën tonë një kantik të ri – dhe ky është një kantik për të lëvduar Perëndinë tonë.

Çlirimi ynë nuk çon vetëm në lavdërimin e Perëndisë, por edhe në dëshminë ndaj të tjerëve: “Shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t’i besojnë Zotit”. Kjo është tepër e vërtetë në lidhje me Ringjalljen e Zotit Jezus. Mendoni për rreshtat e pafund të besimit të shtegtarëve që janë fituar nga Perëndia i Gjallë përmes mrekullisë së varrit bosh!

40:4 Ndërsa mendon për ata që kanë shijuar dhe parë se Zoti është i mirë, Shpenguesi i Ringjallur shpall një ndër të vërtetat më të mëdha e më themelore në tërë jetën frymërore: “Lum ai njeri që i beson Zotit. . . “. Lumturia dhe kënaqësia e vërtetë në jetë vjen vetëm përmes besimit në Perëndinë. Nuk mund të ndodhë ndryshe. Ne jemi krijuar në mënyrë të atillë që të kuptojmë fatin tonë vetëm kur pranojmë Perëndinë si Zotin dhe Pronarin tonë. Paskali ka thënë gjithashtu: “Zemra e njeriut nga brenda është e formuar në mënyrë të atillë që të mund të nxërë Perëndinë!”. Dhe Augustini e shpjegon kështu: “Ti na ke bërë, o Zot, për veten Tënde dhe zemra jonë nuk do të gjejë prehje derisa të gjejë prehje në Ty!”.

Njeriu i bekuar jo vetëm kthehet te Perëndia, por largohet gjithashtu nga krenarët dhe ndjekësit e perëndive të rreme. Ai nuk mashtrohet nga dy zhgënjimet më të mëdha të jetës – ideja se nderi i njerëzve krenarë është i rëndësishëm dhe koncepti se perënditë e rreme të materializmit, kënaqësisë dhe shthurjes seksuale mund të kënaqin zemrën njerëzore. Njeriu i bekuar shqetësohet më tepër për atë që miraton Perëndia sesa për atë që shqetëson njerëzit, duke kuptuar se plotësia e gëzimit gjendet vetëm në praninë e Perëndisë – jo në shoqërinë e atyre që adhurojnë në altarin e idhujve.

40:5 Kjo bën që Mesia të mendojë se sa të panumërta janë mirësitë e Perëndisë. Mrekullitë e Tij dhe gjërat që ka menduar për popullin e Tij nuk mund të imagjinohen. Kush mund të përshkruajë plotësisht hollësitë e pafundme të krijimit të Tij natyror? Kush mund të reshtë ndërhyrjet e paharrueshme të kujdesit të Tij? Kush mund të kuptojë lartësinë e bekimeve të Tij frymërore – zgjedhjen, paracaktimin, shfajësimin, shpengimin, shlyerjen, mëshirën, faljen, shpëtimin, lindjen e re, Frymën që banon në ne, vulën e Frymës, vendosmërinë e Frymës, vajosjen, shenjtërimin, birësimin, të drejtën e trashëgimisë, përlëvdimin – “Po të duhej t’i shpallja dhe t’i tregoja, do të ishin tepër për t’i radhitur”.

Kur tërë mirësitë e Tua, o Perëndia im,

shpirtin tim të ngritur vëzhgojnë,

i rrëmbyer nga pamja, bëhem i përhumbur

në çudi, dashuri dhe lëvdim!

Xhozef Edisën (Joseph Addison)

40:6 Ashtu siç u përmend më parë, vargjet 6-8 e njëjtësojnë psalmin plotësisht mesianik. Tek Hebrenjve 10:5-9 mësojmë se këto fjalë ishin gjuha e Birit të Perëndisë kur erdhi në botë. Ai po thoshte, në fakt, se edhe pse Perëndia kishte caktuar flijimet dhe ofertat për kombin e Izraelit, ato kurrë nuk përfaqësonin qëllimin e Tij përfundimtar. Ato qenë përcaktuar si figura dhe hije të diçkaje më të mirë që do të vinte. Si zgjidhje të përkohshme ato patën vendin e tyre. Por Perëndia nuk qe kurrë i kënaqur me to; për Të ato ishin poshtë idealit, sepse nuk siguronin një zgjidhje përfundimtare për problemin e mëkatit. Duke pranuar dobësinë e trashëguar të flijimeve dhe ofertave të djegura, Perëndia shpoi veshët e Birit të Tij të dashur. Kjo do të thotë se veshët e Shpëtimtarit ishin të hapura për të dëgjuar dhe për t’iu bindur vullnetit të Atit. Krishti erdhi në botë me këtë qëndrim gatishmërie dhe bindje të menjëhershme.

Në shënimet anësore të versionit ERV shprehja “Më ke shpuar veshët” është përkthyer “Veshët që më ke shpuar (apo tejshpuar)”. Disa interpretues mendojnë se kjo i referohet skllavit hebre të Eksodit 21:5,6. Nëse një skllav nuk dëshironte të çlirohej në vitin e shtatë, veshi i tij shpohej me një fëndyell në pragun e derës dhe bëhej i pronarit të tij përgjithmonë. Krishti, si një Kundërfigurë, me dashje u bë shërbëtor në mishërimin e Tij (Fil. 2:7) dhe do të vazhdojë t’i shërbejë popullit të Tij kur të vijë përsëri (Lluk. 12:37).

Kur fjalia “Më ke shpuar veshët” citohet te Hebrenjve 10:5, ndryshohet në “bëre gati për mua një trup”. Për sa i përket autoritetit që bëri këtë ndryshim, i njëjti Frymë e Shenjtë që më parë frymëzoi fjalët e Psalmit 40 me siguri ka të drejtën t’i qartësojë ato fjalë kur e citon atë varg në DhR. Përkthimi fjalë për fjalë i shprehjes hebraike “shpoj veshët” është mbase një figurë e të folurit në të cilën një pjesë (këtu veshi) përfshin të tërë trupin (kjo quhet sinekdokë). DhR shtjellon dhe shpjegon domethënien si një referencë ndaj Mishërimit.

40:7,8 Kur Krishti u bë Njeri, nuk u bë me dorëheqje të dobët, por me gëzim të thellë nga zemra. Ai tha këtë herë: “Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua. Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time”. Nga faqja e parë deri në atë të fundit të DhV ishte parathënë jo vetëm që Krishti do të vinte në botë, por do të vinte me një frymë të zellshme dhe të gatshme për të bërë vullnetin e Perëndisë. Vullneti i Perëndisë nuk ishte vetëm në mendjen e Tij, por ishte shkruar edhe në zemrën e Tij.

40:9,10 Këto vargje përshkruajnë shërbesën e Tij tokësore. Ai ia kishte shpallur drejtësinë. . . në kuvendin e madh shtëpisë së Izraelit. Ai nuk kishte mbajtur fshehur ndonjë gjë që Perëndia i kishte dhënë për ta shpallur. Ai nuk mbajti për vete të vërtetat e mëdha të ndihmës shpëtuese, besnikërisë së durueshme apo dashurisë së qëndrueshme të Perëndisë.

40:11 Vargjet që mbeten të psalmit (11-17) duken sikur na çojnë te kryqi. Ne dëgjojmë Shpëtimtarin të lëshojë thirrjen e përvuajtur më të madhe dhe therëse. Kemi një lidhje të ngushtë me atë që është thënë në vargun 10. Lidhja është kjo: “I kam treguar popullit për shpëtimin, besnikërinë dhe dashurinë Tënde të qëndrueshme. Tani mos më moho dëshminë Time duke më fshehur mëshirën zemërbutë. Mirësia jote dhe e vërteta jote më mbrofshin gjithnjë“.

40:12 Rasti i menjëhershëm i kësaj lutjeje të Tij të dëshpëruar ishte se torturat fatkeqe të Kalvarit ranë mbi Të. Këto të këqija të panumërta lidheshin me mëkatet e panumërta, ashtu siç lidhet pasoja me shkakun. Por kur Ai thotë: “Paudhësitë e mia. . . “, duhet të jemi të sigurt që të kujtojmë se ato ishin paudhësitë tona – ato mëkate që Ai ra dakord për t’i paguar ndëshkimin e tmerrshëm. Aq të forta ishin vuajtjet saqë zemra e Tij po dërrmohej. Cili prej nesh mund të imagjinojë thellësitë e agonisë që duroi në mënyrë që ne të merrnim mëshirë dhe falje?

40:13 Në kulmin e vuajtjeve të Tij Krishti tundi portat e qiellit për ndihmë -ndihmë të menjëhershme. Është njësoj si të lutej: “Të lutem, shpejto të më çlirosh dhe të lutem bëje tani!“. Ky është lloji i lutjes që fiton. Gjithëpushtetshmëria hyjnore futet në veprim nga një lutje e tillë.

40:14,15 Për sa u përket armiqve të Tij, kërkon që ndëshkimi i tyre të binte mbi ta për krimet që kishin kryer. Për përpjekjet e tyre në jetën e Tij dëshironte për ta fatkeqësi dhe pështjellim. Ngaqë kishin dashur ta shkatërrojnë jetën e Tij, shpreson sprapsjen dhe turpin e tyre. Për gëzimin ndaj fatkeqësive të Tij dëshiron t’i shohë të tronditur nga thellësia e përuljes së tyre. Nëse dikush kundërshton se këto fjali janë të papërputhshme me Perëndinë e dashurisë, do të doja t’i kujtoja se në dashurinë e refuzuar, njeriu me dashje zgjedh ndëshkimin e tij.

40:16 Për sa u përket miqve të Perëndisë, Krishti lutet që ata të gjejnë gjithmonë gëzimin e tyre në Zotin. Ai shpreson që të gjithë ata që kërkojnë Perëndinë u gëzofshin dhe ngazëllofshin në Të dhe ata që duan shpëtimin tënd thënçin: “Lëvduar qoftë Zoti”.

40:17 Për Veten e Tij, forca e Tij është e vogël dhe nevoja e Tij është e madhe. Por Ai gjen ngushëllim në faktin se Zoti mendon për Të. Ashtu siç ka thënë dikush: “Varfëria dhe nevoja nuk janë pengesa për mendimet e Perëndisë”.

Për Vetë Perëndinë, Ai është mbështetja dhe çlirimtari i Birit të Tij të dashur. Dhe kështu në një breshëri përfundimtare përgjërimesh Zoti Jezus lutet: “Perëndia im, mos u vono”. Përgjigjja nuk do të vonojë shumë. Në ditën e tretë Ati zbret dhe e çliron nga gropa e shkretë, ashtu siç e pamë në pjesën e parë të psalmit.

Duket se në këtë psalm kemi së pari përgjigjen ndaj lutjes dhe pastaj vetë lutjen. Kjo gjallëri na sjell ndërmend premtimin: “Para se të më kërkojnë, unë do të përgjigjem; do të jenë akoma duke folur, dhe unë do t’ua plotësoj.” (Is. 65:24).

Psalmi 41: Lutja nga dhoma e të sëmurit

Davidi ishte i sëmurë dhe armiqtë e tij shpresonin të mos ishte diçka e parëndësishme. Ata tashmë po ngazëllonin midis tyre se sëmundja e tij ishte pa dyshim fatale për të. Një trishtim më tepër për Davidin ishte se një prej tradhtarëve kishte qenë miku i tij i ngushtë një herë e një kohë.

41:1-3 Por pacienti nuk është pa ngushëllim. Së pari, ai kujton se Zoti bekon njeriun që kujdeset për të varfrin. Këtu “të varfrin” nuk do të thotë të varfrin nga ana financiare më tepër sesa të varfrin në shëndet, të dobësuar nga sëmundja. Davidi ngushëllon veten me mendimin se ai kishte bërë atë që Zoti kishte bërë për popullin në ngushticë – ai kishte ndihmuar, ngushëlluar dhe gëzuar tërë ata që ishin në shtrëngimin e sëmundjes. Tani ai kujton premtimin se Zoti do ta çlirojë edhe atë ditën e fatkeqësisë. Po, Zoti do të ketë një sy mbrojtës mbi të, duke ruajtur jetën e tij. Ngaqë Davidi kishte fituar një emër të mirë për ndihmën e tij ndaj të sëmurëve dhe vuajtësve, ai ka besim se Perëndia nuk do ta lërë atë nën vullnetin e lig të armiqve të tij. Ai do t’i japë Davidit tërë hirin e nevojshëm për të në dhomën e sëmundjes, pastaj do t’i kthejë përsëri shëndetin dhe forcën. Zoti paraqitet si një infermiere që rregullon shtratin e pacientit, që të ndihet sa më rehat.

41:4 Por psalmisti nuk varet vetëm në kujdesjen e tij të shkuar ndaj sëmundjes dhe dobësisë. Ai me mençuri ia paraqiti sëmundjen e tij Zotit në lutje, duke rrëfyer mëkatin e tij dhe duke u përgjëruar për shërim si për diçka që nuk e meritonte. Jo çdo sëmundje është një pasojë e drejtpërdrejtë e mëkatit në jetën e një besimtari. Shumë nga sëmundjet e pleqve, për shembull, janë pjesë e rritjes normale të keqësimit për shkak të moshës. Ndonjëherë, megjithatë, ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis mëkatit dhe sëmundjes dhe atje ku ekziston mundësia më e vogël e këtij fakti, besimtari duhet të vërsulet në praninë e Zotit në rrëfim të dalë prej zemre. Në të gjitha këto raste falja e Doktorit të Madh do të vijë para ilaçeve të doktorit të zonës.

41:5 Ndërkohë, armiqtë e psalmistit po prisnin me shpresë për një lajm nga spitali, i cili do të shpallte se Davidi kishte vdekur. “Kur do të vdesë?” – pyesnin njëri-tjetrin – “dhe deri kur do të dëgjojmë të flitet për këtë të mjerë?”.

41:6 Rastësisht një prej këtyre keqdashësve do të shfaqej gjatë orëve të vizitës, por nuk kishte ngushëllim për të dhënë, as ndonjë fjalë shprese apo nxitjeje. Ai fliste pa thënë asgjë. Në atë çast dukej se po kërkonte ndonjë lajm për ta përdorur kundër Davidit. Pasi largohej përhapte çdo lajm negativ që mund të imagjinohej.

41:7,8 Një fushatë psherëtimi po vërshonte kundër të sëmurit dhe profetët e shkatërrimit po mendonin me shpejtësi një fatkeqësi mashtruese për Davidin. Ata përhapnin fjalën se një e keqe e kishte zënë atë dhe hapi tjetër do të ishte morgu.

41:9 Mbase “kulmi i të gjitha gjërave” ishte mashtrimi i atij që kishte qenë miku i tij më i ngushtë. Nga të gjitha brengat e jetës, kjo është me siguri më e hidhura – të tradhtohesh nga ai që ka marrëdhënie të ngushta me ty. Ishte një brengë që Shpëtimtari e përjetoi me tradhtinë e Judës dhe një përvojë jo e zakontë në jetët e atyre që ndjekin kapitenin e tyre.

Zoti Jezus citoi vargun 9 në lidhje me Judën. Megjithatë, është domethënëse që Ai nuk përmendi fjalët: “edhe miku im i ngushtë, tek i cili kisha besim”. Duke ditur që më parë se Juda do ta tradhtonte, Zoti nuk i kishte besuar kurrë Atij, kështu që Ai thjesht thotë: “Ai që ha bukën me mua, ka ngritur thembrën kundër meje” (Gjon. 13:18).

41:10 Davidi i kthen krahët atij që e kishte goditur pas shpine dhe drejtohet nga Zoti për mëshirë. Kur të tjerët po e braktisnin, ai beson në Zotin duke qëndruar me besnikëri. Pastaj bën atë që mund të duket pak e çuditshme: “dhe më ço në këmbë që të mund t’ua shpaguaj”. Nëse në fillim kjo mund të duket e padenjë për pozitën e Davidit, duhet të kujtojmë se ai ishte sundues i Izraelit, i vajosur nga Zoti dhe ishte detyra e tij si mbret të zgjidhte çështje të rebelimit dhe tradhtisë. Nëse si individ ai mund të ketë zgjedhur të tolerojë të keqen dhe mashtrimin kundër vetes së tij, si mbret ishte i detyruar të shtypte çdo përpjekje për të përmbysur qeverinë.

41:11,12 Davidi shikon në dështimin e përbetimit të armiqve të tij një tregues të përkrahjes së Zotit ndaj tij. Pastaj shton:

Sa për mua, më ke përkrahur në ndershmërinë time dhe më ke vendosur në praninë tënde përgjithnjë.

Nëse parapëlqejmë këtë përkthim, mund të tingëllojë sikur Davidi po mburret së tepërmi. Por ai tashmë ishte një njeri i ndershmërisë pavarësisht nga mëkatet dhe dështimet e tij. Dhe krahasuar me armiqtë e tij, ai ishte një krahasim virtyti. Është plotësisht e mundur që Zoti ta ketë përkrahur, sepse Ai pa sinqeritetin dhe drejtësinë në jetën e tij.

Përkthimi i Gelineaut i këtij vargu paraqet më pak vështirësi:

Nëse do të më përkrahësh nuk do të pësoj gjë të keqe dhe do të vihem në praninë tënde përgjithnjë.

Në këtë version gjithçka varet më fort nga Zoti sesa nga ndershmëria e Davidit. Hiri përkrahës i Zotit jep siguri në këtë jetë dhe një qëndrim të përhershëm në praninë e Mbretit qiellor.

41:13 Plot besim dhe i qetë, psalmisti tani ngre zërin e tij në një shpërthim lavdërimi. Jehovahu, Perëndia besëlidhje-ruajtës i Izraelit, është i denjë të adhurohet përjetë. Davidi mundi të shtonte një Amen të dyfishtë ndaj këtij lëvdimi dhe të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe ne!