1 dhjetor
«Në qoftë se […] dëgjon të thuhet […] ti do të bësh hetime, kërkime dhe do të marrësh me kujdes në pyetje; dhe në qoftë se është e vërtetë dhe e sigurt…» (Ligji i Perterire 13:12, 14).Nëse qarkullonte ndonjë fjalë që njerëzit e një qyteti në Izrael e kishin braktisur Perëndinë për idhujt, duhet të bëhej një hetim i fortë para se të ndërmerrej ndonjë veprim ndëshkues.
Ne nuk duhet të jemi më pak të kujdesshëm kur dëgjojmë një fjalë ose thashetheme, por duhet të zbatojmë gjashtë provat: A janë thashetheme? A kam bërë hetime? A kam bërë kërkime? A kam marrë me kujdes në pyetje? A është e vërtetë? A është e sigurt?
Në fakt, do të jetë një ide e mirë nëse do të përdorim të njëjtën përpikëri dhe kujdes para se të përhapim lajme sensacionale që shfaqen në rrethet fetare herë pas here. Më lejoni t’ju jap disa ilustrime!
Para ca kohësh qarkulloi historia se gurët për ndërtimin e një tempulli në Jerusalem ishin magazinuar në një mol në Nju Jork, gati për transport në Izrael kur të vinte koha e duhur. Raportohej se gurët ishin prej guri gëlqeror indian. Të krishterët e qarkulluan këtë lajm me entuziazëm, vetëm për t’u diskredituar kur u mor vesh se raporti nuk përmbante të vërtetë.
Një herë tjetër, u përhap lajmi se shkencëtarët kishin futur në një kompjuter të dhëna të gjera për sa i përket kalendarit të historisë njerëzore dhe se rezultatet konfirmonin tregimin biblik të ditës së gjatë të Jozueut. Besimtarët, të shqetësuar për çfarëdo lajmi që konfirmon biblën, e përhapën me të madhe këtë histori në revista dhe përmes fjalës së folur. Më pas flluska shpërtheu. Historia doli se ishte pa baza.
Në kohët më të fundit një llogaritje matematikore është përdorur për të sugjeruar se një figurë publike jopopullore mund të jetë Antikrishti. Ja se si vepron! Një vlerë numerike i caktohet çdo shkronje të emrit të këtij personi. Më pas duke ndjekur një seri të caktuar mbledhjesh, zbritjesh, shumëzimesh dhe pjesëtimesh, të del numri 666. Sigurisht, kjo nuk vërteton asgjë. Mund të sajohen llogaritje matematikore që të japin pothuaj për çdo njeri numrin 666.
Unë kam një trakt që thotë se Çarls Darvini, në ditët e fundit të jetës së tij, e refuzoi evolucionin dhe iu kthye besimit të tij në Biblën. Kjo mund të jetë e vërtetë. Do të doja të besoja se kjo është e vërtetë. Ndoshta një ditë do të gjej se kjo është e vërtetë. Por ndërkaq nuk kam asnjë dokumentim për këtë histori dhe nuk guxoj ta qarkulloj, derisa vërtet të kem.
Ne do t’i kursejmë vetes mjaft telashe dhe do ta ruajmë besimin e krishterë nga diskreditimi, nëse i zbatojmë gjashtë provat e vargut të sotëm: A janë thashetheme? A kam bërë hetime? A kam bërë kërkime? A kam marrë me kujdes në pyetje? A është e vërtetë? A është e sigurt?