1 qershor

[no_toc]

1 qershor | çdo ditë me radhë

«Zoti qe me Jozefin dhe ky pasurohej [ishte një njeri i begatë]» (Zanafilla 39:2).

Kam dëgjuar se një nga versionet më të hershme të Biblës Angleze e përktheu këtë varg: «Dhe Zoti ishte me Jozefin dhe ky ishte një njeri fatlum». Ndoshta [fjala] «fatlum» (ang. luckye) në atë kohë kishte një kuptim tjetër. Sidoqoftë, ne jemi të gëzuar që përkthyesit e mëvonshëm e hoqën Jozefin nga sfera e fatit.

Për fëmijën e Perëndisë nuk ka fat. Jeta e tij kontrollohet, mbrohet, planifikohet nga Ati i dashur qiellor. Asgjë nuk i ndodh atij rastësisht.

Duke qenë kështu, është e papajtueshme për një të krishterë që t’i urojë «Paç fat» dikujt tjetër. Ai as nuk duhet të thotë: «Pata fat». Shprehje të tilla janë një mohim praktik i së vërtetës së providencës hyjnore [kujdesit hyjnor].

Bota mosbesuese i lidh disa gjëra me fatin e mirë – këmba e një lepuri, një shpor [kocka e kraharorit të shpendëve], një tërfil me katër gjethe, patkua (gjithnjë me funde të drejtuara lart që fati të mos derdhet!). Njerëzit i kryqëzojnë gishtat dhe godasin mbi dru, sikur këto veprime t’i ndikonin ngjarjet në mënyrë të favorshme ose të largonin fatin e keq [fatkeqësinë].

Të njëjtët njerëz i lidhin gjëra të tjera me fatin e keq – një mace e zezë, e premtja e trembëdhjetë, të ecësh nën një shkallë, numri 13 në një dhomë ose në dysheme ose në një ndërtesë. Është e trishtueshme t’i shohësh njerëzit duke jetuar në skllavëri ndaj besëtytnive të tilla, një skllavëri që është si e kotë ashtu edhe e pafrytshme.

Në Isaia 65:11 (NASB), Perëndia paralajmëroi ndëshkim për ata në Judë, të cilët, me sa duket, po adhuronin perëndinë e rastësisë [fatit].

Por ju që braktisni Zotin,
që harroni malin tim të shenjtë,
që përgatitni një sofër për Fatin
dhe mbushni kupën e verës së droguar për Kësmetin.

Ne nuk mund të jemi të sigurt për mëkatin specifik të përfshirë, por tingëllon me dyshim sikur populli po çonte oferta para idhujve që kishin lidhje me fatin dhe rastësinë. Perëndia e urrente këtë dhe vazhdon ta bëjë.

Çfarë sigurie gjejmë kur dimë që ne nuk jemi ushtarë të pambrojtur të rastësisë së verbër ose të hedhjes së zarit kozmik ose të z. Fat. Çdo gjë në jetë planifikohet, është kuptimplotë dhe është e qëllimshme. Për ne është Ati ynë, jo fati; Krishti, jo rastësia; dashuria, jo kësmeti.

[previous][next]