1 shtator

[no_toc]

1 shtator

«Dhe do të shenjtëroni vitin e pesëdhjetë dhe do shpallni në vend lirinë për të gjithë banorët e tij. Do të jetë për ju një jubile; secili prej jush do të kthehet në pronën e vet dhe secili prej jush do të kthehet në familjen e vet» (Lev. 25:10).

Çdo pesëdhjetë vjet në kalendarin e Izraelit njihej si viti i jubileut. Dheu mendohej të lihej si tokë ugare, pra, lihej djerrë. Toka i rikthehej pronarit fillestar. Skllevërit liheshin të lirë. Ishte një kohë e gëzuar lirie, hiri, shpengimi dhe çlodhjeje.

Kur dikush blinte një copë tokë, ai duhet të merrte parasysh afërsinë e vitit të jubileut. Për shembull, toka do të ishte më e vlefshme nëse ngeleshin dhe dyzet e pesë vjet deri në jubileun e ardhshëm. Por nëse kishte ngelur vetëm një vit, toka nuk ia vlente dhe aq për t’u blerë. Blerësi do të mund të rriste vetëm një të korrë.

Në njëfarë kuptimi ardhja e Zotit do të jetë viti i jubileut për besimtarët sot. Ata do të hyjnë në prehjen e përjetshme të shtëpisë së Atit. Ata do të jenë të lirë nga zinxhirët e vdekshmërisë dhe do të marrin trupa të lavdishëm. Dhe të gjitha gjërat materiale që u janë besuar atyre si administratorë do t’i rikthehen zotëruesit fillestar.

Ne duhet ta marrim këtë parasysh kur vlerësojmë zotërimet tona materiale. Ne mund të kemi mijëra dollarë në pasuri të patundshme, në investime dhe në depozita bankare. Por nëse Zoti do të kthehej sot, ato nuk do të na vlenin për asgjë. Sa më afër që shkojmë drejt ardhjes së Tij, aq më pak vlerë reale kanë ato. Kjo sigurisht do të thotë që ne duhet t’i futim ato në punë sot për përparimin e kauzës së Krishtit dhe për të ulur nevojat njerëzore.

Ashtu sikurse viti i jubileut shpallej me rënien e borisë, po kështu kthimi i Zotit do të shpallet me tingullin e «borisë së fundit». E gjithë kjo na jep një mësim të mirë. Nëse zemrat tona dëshirojnë fort shpresën e qëndrueshme të kthimit të Zotit, ne duhet të çlirohemi nga gjërat tokësore. Është e pamundur moralisht që ne të jemi duke e pritur Birin nga qielli dhe të mos shkëputemi nga kjo botë…. Ai i cili e ka bërë zakon në jetën e tij që të presë të shfaqurit e Krishtit duhet të ndahet nga ajo që do të gjykohet dhe do të shkatërrohet kur Ai vjen…. Qofshin të prekura zemrat tona dhe e tërë sjellja jonë le të ndikohet në çdo gjë nga kjo e vërtetë e shenjtëruar dhe shumë e çmuar» (C. H. Mackintosh).

[previous][next]