10 nëntor
«Ruaje shkëlqimin frymëror» (Rom. 12:11, Moffatt).
Një nga ligjet që vepron në sferën fizike është se gjërat priren ta humbin vrullin ose të shtendosen ose të digjen. Ky nuk është një pohim shkencor i këtij ligji, por të jep idenë e përgjithshme.
Na thuhet, për shembull, që dielli po digjet me një normë të furishme dhe që, edhe pse mund të vazhdojë për një kohë të gjatë, jetëgjatësia e tij po bie.
Trupat plaken, vdesin dhe kthehen në pluhur. Një lavjerrës që vihet në lëvizje me dorë ngadalësohet dhe më pas ndalon. Ne e kurdisim orën dhe shpejt ajo ka nevojë për t’u kurdisur përsëri. Uji i nxehtë ftohet në temperaturën e dhomës. Metalet e humbasin shkëlqimin dhe zbehen. Ngjyrat çngjyrosen. Asgjë nuk vazhdon pafundësisht dhe nuk ka asnjë lëvizje të përhershme. Ndryshimi dhe prishja prekin gjithçka.
Vetë bota vjetrohet. Duke folur për qiejtë dhe tokën, Shkrimi thotë: «Ata do të prishen, por ti (Biri i Perëndisë) mbetesh; edhe të gjithë do të vjetrohen si rrobë, dhe ti do t’i mbështjellësh si një mantel edhe do të ndërrohen» (Heb. 1:11, 12).
Fatkeqësisht, duket se kemi një parim të ngjashëm në sferën frymërore. Kjo është e vërtetë për individë, kisha, lëvizje dhe institucione.
Edhe nëse dikush e fillon jetën e krishterë shkëlqyeshëm, ekziston gjithnjë rreziku i rënies së zellit, i uljes së fuqisë dhe i dobësimit të vizionit. Ne lodhemi, vetëkënaqemi, ftohemi dhe vjetrohemi.
E njëjta gjë është e vërtetë për kishat. Shumë kanë filluar në majë të një lëvizje të madhe të Frymës së Shenjtë. Zjarri vazhdon të digjet shkëlqyeshëm për shumë vjet. Më pas vjen dobësimi. Kisha e lë dashurinë e saj të parë (Zbulesa 2:4). Muaji i mjaltit ka mbaruar. Entuziazmi ungjillëzues i hap rrugën shërbesave rutinë. Pastërtia doktrinore mund të sakrifikohet për një unitet të pavlerë. Në fund godina e zbrazët është një dëshmi e heshtur se lavdia është larguar.
Lëvizjet dhe institucionet i nënshtrohen prishjes. Ato mund të fillojnë si fushata të fuqishme ungjillëzimi, më pas zhyten aq shumë në punë sociale, sa Ungjilli lihet kryesisht pas dore. Ose ato mund të fillojnë me entuziazmin dhe spontanitetin e Frymës, më pas kalojnë në formalitete dhe rituale të ftohta. Ne duhet të ruhemi kundër rënies frymërore. Ne duhet të përjetojmë atë që Norman Grabi (Norman Grubb) e quan rizgjim të vazhdueshëm. Ne duhet të «ruajmë shkëlqimin frymëror».