11 gusht
«Nëse nuk jemi në vete, jemi për Perëndinë» (2 e Korintasve 5:13).Perëndia ka ushtarë të parregullt në ushtrinë e Tij dhe shumë shpesh këta janë ata që fitojnë fitoret më të mëdha. Me zellin e tyre për Zotin ata duken njerëz të çuditshëm. Ata përdorin metoda origjinale në vend që t’u ngjiten atyre tradicionale. Ata janë gjithnjë duke thënë dhe bërë të papriturat. Ata mund ta vrasin gjuhën shqipe dhe të shkelin çdo rregull të njohur të predikimit dhe mësimit, mirëpo shohin fitime të mëdha për mbretërinë e Perëndisë. Ata janë shpesh dramatikë, madje të elektrifikuar. Njerëzit tronditen me ta, por nuk i harrojnë kurrë.
Këta të parregullt janë një burim i vazhdueshëm sikleti për të maturin dhe konvencionalin, për ata që rrëqethen para mendimit për të shkelur normat kulturore. Të krishterë të tjerë përpiqen për t’i ndryshuar, për t’i bërë më normal, për të shuar zjarrin. Por për të mirën e Kishës, përpjekjet e tyre janë zakonisht të kota.
Është e vështirë për ne të besojmë se Zoti ynë dukej i çuditshëm për bashkëkohësit e Tij. «Aq i zellshëm ishte Ai për punën e Tij, që shpesh nuk kishte kohë edhe për të ngrënë dhe nëna e vëllezërit e Tij donin që ta merrnin në shtëpi, sepse ata menduan se Ai po «marrosej». Ata thanë: «Ai nuk është në vete». Por ishte Jezusi Ai që ishte me mendje në rregull, jo vëllezërit e tij» (W. Mackintosh Mackay).
Është e dukshme se njerëzit e akuzuan apostullin Pal si të habitshëm. Përgjigjja e tij ndaj kësaj akuze ishte: «Nëse nuk jemi në vete, jemi për Perëndinë» (2 e Korintasve 5:13).
Ne të gjithë kemi dëgjuar për një nga të parregulltit e Perëndisë që mbante veshur një dërrasë me shkrime përpara dhe mbrapa. Përpara ajo thoshte: «Unë jam një budalla për hirin e Krishtit». Pastaj mbrapa ishe shkruar: «Ju, budallai i kujt jeni?»
Problemi me shumicën prej nesh është që jemi shumë si i zakonshmi dhe nuk sjellim ndonjë lëvizje për Perëndinë në shoqëri. Siç ka thënë dikush: «Ne e lëmë mesataren atje ku është. Ne jemi si Pjetri, duke ndenjur jashtë sallës së gjyqit kur Krishti po gjykohej, thjesht «duke u ngrohur».
Rouland Hill (Rowland Hill), predikuesi i madh i Londrës, ishte i çuditshëm. Kështu ishte C. T. Stadi (C. T. Studd). Edhe Billi Brej (Billy Bray). Edhe W. P. Nikolsoni (W. P. Nicholson), ungjilltari irlandez. A do të donim ne që ata të ishin ndryshe? Jo, kur marrim parasysh se si u përdorën nga Perëndia, ne vetëm do të dëshironim që të ishim më shumë si ata. «Më mirë një mijë herë tipare të çuditshme, por të efektshme, se mediokritet i pafrytshëm. Dashuria e parë mund të jetë ndonjëherë e çuditshme, por falë Zotit, ajo është e frytshme; dhe disa prej nesh e kanë humbur atë» (Fred Mitchell).