BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Përjetësia e Perëndisë dhe brishtësia e njeriut
90:1 O Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi.
90:2 Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.
90:3 Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: “Kthehuni, o bij të njerëzve”.
90:4 Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë.
90:5 Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si barr që gjelbëron në mëngjes.
90:6 Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet.
90:7 Sepse jemi të konsumuar nga zemërimi yt dhe jemi të tmerruar nga tërbimi yt.
90:8 Ti i vë fajet tona para teje, mëkatet tona të fshehta në dritën e fytyrës sate.
90:9 Sepse tërë ditët tona zhduken në zemërimin tënd; ne po i mbarojmë vitet tona si një psherëtimë.
90:10 Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t`u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.
90:11 Kush e njeh forcën e zemërimit tënd dhe mërinë tënde sipas frikës që duhet pasur prej teje?
90:12 Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.
90:13 Kthehu, o Zot! Deri kur? Dhe ki mëshirë për shërbëtorët e tu.
90:14 Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona.
90:15 Na gëzo në përpjestim me ditët që na ke pikëlluar dhe në kompensim të viteve që kemi vuajtur nga fatkeqësitë.
90:16 Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu dhe lavdia jote bijve të tyre.
90:17 Hiri i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne dhe e bëftë të qëndrueshme veprën e duarve tona; po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona.