11 mars | çdo ditë me radhë
«Pajtohu me kundërshtarin tënd në ligj, sa je në një rrugë me të; që kundërshtari yt të mos të të dorëzojë te gjykatësi dhe gjykatësi të të dorëzojë te rojtari dhe ti të biesh në burg» (Mt. 5:25, NASB).
Gjykatat tona sot janë të ngopura me pretendime aksidentesh, padi të lëna pas dore, raste divorci dhe pretendime trashëgimie. Në shumë raste, njerëzit turren drejt avokatit me shpresën për t’u pasuruar shpejt. Por i krishteri duhet t’i zgjidhë gjërat me fuqinë e dashurisë dhe jo sipas proceseve të ligjit. Siç ka thënë dikush: «Nëse u futesh proceseve ligjore, atëherë proceset ligjore do të të kapin ty dhe ti do të paguash qindarkën e fundit».
I vetmi që fiton me siguri është avokati; pagesa e tij është e garantuar. Një karikaturë e pikturoi këtë proces kështu. Një paditës tërheq kokën e një lope; i pandehuri tërheq bishtin – dhe avokati mjel lopën.
Në 1 Korintasve 6 të krishterët ndalohen pozitivisht për të shkuar në gjyq kundër të krishterëve të tjerë. Kur kanë diçka ata duhet t’i parashtrojnë konfliktet e tyre para një njeriu të urtë në kishë. Por edhe përtej kësaj ata duhet të jenë të gatshëm që t’u bëhet padrejtësi dhe që të mashtrohen, në vend që t’i drejtohen gjyqeve dhe të dalin përpara gjykatësve të sistemit të kësaj bote. Kjo, me që ra fjala, i përjashton të gjitha rastet e divorcit kur përfshihen partnerë besimtarë.
Por për rastet ndërmjet një besimtari dhe një jobesimtari? A nuk duhet që të krishterët të mbrojnë të drejtat e tyre? Përgjigjja është se është shumë herë më mirë që të heqë dorë nga të drejtat e tij për të demonstruar se Krishti bën një ndryshim në jetën e një personi. Nuk nevojitet jetë hyjnore që të hapet një padi kundër dikujt që ka vepruar padrejtësisht me ty. Por nevojitet jetë hyjnore që një çështje t’i parashtrohet Perëndisë dhe që ta përdorësh këtë rast si një mundësi për të dëshmuar mbi fuqinë shpëtuese dhe ndryshuese të Krishtit. Për aq sa është e mundur, ai duhet të jetojë në paqe me të gjithë njerëzit (Rom. 12:18).
«Një burrë filloi të ndërtojë një gardh midis vetes dhe komshiut. Erdhi komshiu dhe tha: «Kur e bletë atë ngastër, ju paguat edhe një rast gjyqi bashkë me të. Ai gardh duhet të jetë 1.5 metra brenda tokës sime». Burri iu përgjigj: «E dija se do të kisha gjithnjë pranë një komshi të mirë. Po të them se çfarë sugjeroj: Vendoseni ju gardhi atje ku mendoni se duhet të jetë, më dërgoni faturën dhe unë do të paguaj për të». Gardhi nuk u ngrit kurrë. Nuk ishte e nevojshme!» (E. Stanley Jones).