12 janar

[no_toc]

12 janar | çdo ditë me radhë

«…çfarë ke ti që nuk e ke marrë?…» (1 e Korintasve 4:7).

Kjo është një pyetje e mirë, sepse na zvogëlon të gjithëve në masën tonë. Ne nuk kemi asgjë që nuk e kemi marrë. Pajimin tonë fizik dhe mendor e morëm përmes lindjes. Se si dukemi dhe se sa jemi të mençur është diçka përtej kontrollit tonë për të justifikuar krenarinë [që mund të kemi]. Ky është një aksident i lindjes.

Gjithçka që dimë është rezultat i arsimit tonë. Të tjerë kanë hedhur informata në mendjen tonë. Shpesh kur mendojmë se kemi patur një mendim origjinal, atë e gjejmë në një libër që e kemi lexuar fillimisht njëzet vjet më parë. Emersoni tha: «Të gjitha mendimet e mia më të mira ishin vjedhur nga të lashtët».

Po për talentet tona? Pa dyshim disa talente vijnë në familje. Ato zhvillohen përmes trajnimit dhe praktikës. Por çështja është se ato nuk filluan me ne. Ato na u dhanë.

Pilati u krekos nga autoriteti që mbante, por Zoti Jezus e kujtoi atë: «Ju nuk do të kishit autoritet mbi Mua, po të mos të ishte dhënë prej së larti» (Gjoni 19:11, NASB).

Me pak fjalë, çdo frymëmarrje që merr njeriu është një dhuratë nga Perëndia. Kjo është arsyeja që në 1 e Korintasve 4:7 (Phillips), Pali vazhdon të thotë: «Nëse ty të është dhënë diçka, përse mburresh sikur kjo të ishte diçka që e ke arritur vetë?»

Dhe kjo është arsyeja, për shembull, që Harriet Bikër Stou (Harriet Beecher Stowe) refuzoi që të merrte ndonjë meritë për shkrimin e [novelës] «Kasollja e xhaxha Tomit»: «Unë, autori i “Kasollja e xhaxha Tomit”? Jo, vërtet, unë nuk mund ta kontrolloja historinë; ajo e shkroi veten. Zoti e shkroi atë dhe unë isha veçse instrumenti më i përulur në duart e Tij. Gjithçka erdhi tek unë në vegime, njëri pas tjetrit, dhe unë i hodha këto në fjalë. Vetëm Atij i qoftë lavdia!»

Ndërgjegjësimi i vazhdueshëm se ne nuk kemi asgjë që nuk e kemi marrë na çliron nga krenaria dhe përgëzimi i vetvetes dhe na bën t’ia japim lavdinë Perëndisë për çdo gjë të mirë që jemi apo që kemi bërë.

Prandaj «i dituri të mos lavdërohet me diturinë e tij, njeriu i fortë të mos lavdërohet me forcën e tij, i pasuri të mos lavdërohet me pasurinë e tij. Por kush lavdërohet të lavdërohet me këtë: të ketë gjykim dhe të më njohë mua, që jam Zoti, që bëj mirësinë, ushtroj të drejtën dhe drejtësinë mbi tokë, sepse kënaqem më këto gjëra, thotë Zoti» (Jer. 9:23, 24).

[previous][next]