BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Shpirti i etur kënaqet te Perëndia
63:1 O Perëndi, ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për ty; ty të dëshiron mishi im në tokë të thatë dhe të djegur, pa ujë.
63:2 Kështu të admirova në shenjtërore, duke soditur forcën tënde dhe lavdinë tënde.
63:3 Me qenë se mirësia jote vlen më tepër se jeta, buzët e mia do të të lëvdojnë.
63:4 Kështu do të të bekoj deri sa të jetoj dhe në emrin tënd do të ngre duart e mia.
63:5 Shpirti im do të ngopet si të kishte ngrënë palcë dhe dhjamë, dhe goja ime do të të lëvdojë me buzë të gëzuara.
63:6 Të kujtoj në shtratin tim, të mendoj kur rri zgjuar natën.
63:7 Duke qenë se ti ke qenë ndihma ime, unë këndoj tërë gëzim në hijen e krahëve të tu.
63:8 Shpirti im mbahet ngushtë te ti; dora jote e djathtë më mban.
63:9 Por ata që kërkojnë jetën time për ta shkatërruar, do të zbresin në pjesët më të ulta të tokës.
63:10 Ata do t`i dorëzohen pushtetit të shpatës dhe do të bëhen pre e çakejve.
63:11 Por mbreti do të gëzohet te Perëndia; kushdo që betohet për të do të përlëvdohet, sepse goja e gënjeshtrave do të detyrohet të mbyllet.