13 nëntor

[no_toc]

13 nëntor

«Nuk keni, sepse nuk kërkoni» (Jakobit 4:2).

Një vargu si ky ngre një pyetje interesante. Nëse nuk kemi, sepse nuk kërkojmë, çfarë gjërash të mëdha po humbim në jetë thjesht sepse nuk lutemi për to?

Një pyetje e ngjashme del prej Jakobit 5:16: «Shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt». Nëse ky njeri i drejtë nuk lutet, atëherë a nuk i bie që pak bëhet përmes tij?

Problemi është se shumica prej nesh nuk luten mjaftueshëm ose, kur lutemi, kërkojmë kaq pak. Ne jemi çfarë C.T. Stadi e quajti «brejtës të së mundshmes në vend që të jemi rrëmbyes të së pamundurës». Lutjet tona janë të ndruajtura dhe të pafrymëzuara kur duhet të jenë të patrembura dhe guximtare.

Ne duhet ta nderojmë Perëndinë duke u lutur për gjëra të mëdha. Me fjalët e Njutonit:

Ti po vjen para një Mbreti.
Kërkesa të mëdha sill me vete.
Se dashuria dhe fuqia e tij janë të tilla
që s’mund të kërkosh më tepër se ç’duhet.

Kur e bëjmë këtë ne jo vetëm e nderojmë Perëndinë, por e pasurojmë veten frymërisht. Atij i pëlqen të hap për ne thesaret e qiellit, por vargu i sotëm sugjeron se Ai e bën këtë vetëm si përgjigje ndaj lutjes.

Më duket mua se ky varg i jep përgjigje një pyetje që e dëgjojmë shpesh. Pyetja është kjo: a e lëviz vërtet lutja Perëndinë për të bërë gjëra që në të kundërt Ai nuk do t’i kishte bërë apo thjesht na sjell në harmoni me atë që Ai do të kishte bërë gjithsesi? Përgjigjja duket e qartë: Perëndia bën gjëra si përgjigje ndaj lutjes që në të kundërt nuk do t’i kishte bërë.

Përfytyrimet tona mund t’i kalojnë kufijtë në dy drejtime ndërsa e mendojmë këtë. Së pari, mund të mendojmë për arritjet e pamasa që kanë ardhur si rezultat e drejtpërdrejtë i lutjes. Duke i marrë fjalët e Hebrenjve 11:33, 34 kujtojmë ata që «nënshtruan mbretëri, realizuan drejtësinë, arritën ato që u premtuan, ua zunë grykën luanëve, fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fuqishëm, u bënë të fortë në betejë, thyen ushtritë e huaja».

Por mund të mendojmë edhe për atë që ne vetë mund të kemi arritur për Krishtin nëse vetëm do t’ia kishim kërkuar. Ne mund të mendojmë për premtimet e shumta të mëdha e të çmuara në Fjalën e Perëndinë që kemi dështuar t’i zotërojmë. Ne kemi qenë të dobët kur mund të kishim qenë të fuqishëm. Ne kemi prekur disa jetë për Perëndinë kur mund të kishim prekur mijëra, madje miliona jetë. Ne kemi kërkuar disa hektarë, kur mund të kishim kërkuar kontinente. Ne kemi qenë varfanjakë frymërore, kur mund të kemi qenë plutokratë. Nuk kemi, sepse nuk kërkojmë.

[previous][next]