13 prill

[no_toc]

13 prill | çdo ditë me radhë

«Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë» (1 e Korintasve 10:31).

Një nga provat e mëdha për sjelljen e krishterë është nëse ka në të lavdi për Perëndinë. Shumë shpesh ne e provojmë sjelljen tonë me pyetjen: «A ka ndonjë dëm (të keqe) në këtë gjë?» Por nuk është kjo pyetja. Ajo që duhet të pyesim është kjo: «A ka lavdi për Perëndinë në këtë gjë?»

Para se të merremi me një aktivitet, ne duhet të jemi në gjendje të ulim kokat tona dhe t’i kërkojmë Zotit që të lavdërohet në atë që mendojmë të bëjmë. Nëse Perëndia nuk mund të nderohet nga kjo gjë, atëherë ne duhet që të shmangemi nga kryerja e saj.

Fe të tjera mund të kënaqen me atë sjellje që mbart mungesën e dëmit. Krishterimi shkon përtej asaj që është thjesht negative, drejt asaj që është pa dyshim pozitive. Prandaj, siç ka thënë Kejth L. Bruks (Keith L. Brooks): «Nëse ju doni të jeni një i krishterë i suksesshëm, ndaloni së kërkuari të keqen që gjendet në gjëra dhe filloi të kërkoni të mirën. Nëse doni që jeta juaj të jetë e lumtur, zgjidhni midis atyre njerëzve që po kërkojnë “të mirën” dhe jo “të keqen” që ndodhet në atë gjë».

Gjërat mund të jenë të padëmshme në vetvete dhe prapëseprapë të jenë një barrë e vdekur në garën e krishterë. Nuk ka asnjë ligj kundër një vrapuesi olimpik që mbart një thes me patate në një garë 1500 metra. Ai mund t’i mbartë patatet, por nuk mund të fitojë garën. Kështu është edhe me të krishterin. Gjërat mund të jenë të padëmshme dhe prapëseprapë të bëhen një pengesë.

Por zakonisht kur ne pyesim «A ka ndonjë dëm në këtë gjë?», pyetja jonë shpreh një dyshim të fshehur. Këtë pyetje ne nuk i bëjmë rreth atyre aktiviteteve që janë të pranueshme në vështrim të parë – si lutja, studimi i Biblës, adhurimi, ungjillëzimi dhe puna jonë e përditshme.

Me që ra fjala, çdo punë e ndershme mund të bëhet për lavdinë e Perëndisë. Kjo është arsyeja përse disa amvisa kanë këtë moto mbi lavamanin e kuzhinës: «Këtu zhvillohen shërbesa hyjnore tri herë në ditë».

Sa herë që jemi në dyshim, ne mund të ndjekim këtë këshillë nga nëna e Xhon Ueslit: «Nëse do që të përcaktosh ligjshmërinë e një kënaqësie, ndiq këtë rregull: Çdo gjë që të dobëson arsyen, që të dëmton ndjeshmërinë e ndërgjegjes, që të errëson ndjesinë për Perëndinë ose që të heq lezetin për gjërat frymërore; çdo gjë që e rrit autoritetin e trupit mbi atë të mendjes, ajo gjë është mëkat».