13 qershor

[no_toc]

13 qershor | çdo ditë me radhë

«Perëndia […] është i pasur në mëshirë» (Efesianeve 2:4).

Mëshira e Perëndisë është keqardhja, mirësia dhe dhembshuria e Tij për ata që janë fajtorë, dështues, të hidhëruar ose nevojtarë. Shkrimi thekson se Perëndia është i pasur në mëshirë (Efesianeve 2:4) dhe i bollshëm në mëshirë (Psa. 86:5, AV). Mëshira e Tij është e madhe (1 Pjetrit 1:3); ajo është e madhe deri në qiejt (Psa. 57:10). «Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij» (Psa. 103:11). Perëndia është përshkruar si «Ati i mëshirave» (2 e Korintasve 1:3), Dikush që është «plot mëshirë e dhembshuri» (Jakobit 5:11). Ai është i paanshëm në dhënien e mëshirës: «sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët» (Mt. 5:45). Njerëzit nuk shpëtohen me anë të veprave të drejta (Tit. 3:5), por me anë të mëshirës sovrane të Tij (Eksodi 33:19; Rom. 9:15). Mëshira e Tij vazhdon përjetë për ata që e druajnë Atë (Psa. 136:1; Luka 1:50), por për atë që nuk pendohet, ajo është vetëm për këtë jetë.

Ka një dallim midis hirit dhe mëshirës. Hir do të thotë që Perëndia më mbush me bekime që unë nuk i meritoj. Mëshirë do të thotë që Ai nuk më jep ndëshkimin që unë meritoj.

Çdo doktrinë e Shkrimit ka të bashkëngjitur përgjegjësi. Mëshirat e Perëndisë kërkojnë, para së gjithash, që ne ta paraqesim trupin tonë si një fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia (Rom. 12:1). Kjo është gjëja më e arsyeshme, më racionale, më e shëndoshë, më e mençur që mund të bëjmë.

Më pas, gjithashtu, Perëndia dëshiron që ne të jemi të mëshirshëm njëri me tjetrin. Një shpërblim i veçantë u premtohet atyre që janë të mëshirshëm: «ata do të gjejnë mëshirë» (Mt. 5:7). Zoti parapëlqen mëshirën se sakrificën (Mt. 9:13), domethënë, vepra të mëdha të sakrificës janë të papranueshme nëse ato janë të ndara nga perëndishmëria personale.

Samaritani i mirë është ai që shfaq mëshirë ndaj komshiut [të afërmit] të tij. Ne shfaqim mëshirë kur ushqejmë të uriturit, kur i veshim të varfrit, kur kujdesemi për të sëmurët, kur vizitojmë të vejat dhe jetimët dhe kur qajmë me ata që qajnë.

Ne jemi të mëshirshëm kur e refuzojmë mundësinë për t’u hakmarrë kundër dikujt që ka mëkatuar kundër nesh ose kur shfaqim dhembshuri për ata që na kanë zhgënjyer.

Duke kujtuar se kush jemi, ne duhet të kërkojmë mëshirë për veten tonë (Heb. 4:16) dhe për të tjerët (Gal. 6:16 dhe 1 Tim. 1:2).

Përfundimisht, mëshirat e Perëndisë duhet t’i akordojnë zemrat tona për t’i kënduar lavde Atij.

Kur tërë mëshirat e tua, O Perëndia im,
shpirti im në ngjitje vështron,
i mbartur nga kjo pamje humbas,
në habi, dashuri dhe lavdërim.

Joseph Addison