13 shtator

[no_toc]

13 shtator

«Moisiu nuk e dinte që lëkura e fytyrës së tij qe bërë rrëzëlluese, sepse kishte qenë të fliste me Zotin» (Eksodi 34:29).

Pasi Moisiu zbriti nga mali Sinai me pllakat prej guri që përmbanin Dhjetë Urdhërimet, kishte dy cilësi të dallueshme. Së pari, fytyra e tij rrëzëllente. Ai kishte qenë në praninë e Zotit që i ishte zbuluar në një re dritërrezatuese e të lavdishme që njihet si Shekina. Rrezatimi në fytyrën e Moisiut ishte shkëlqim i marrë nga dikush tjetër. Pasi kishte folur me Perëndinë, ligjdhënësi Moisi mori me vete një pjesë nga madhështia dhe shkëlqimi i lavdisë. Ishte një përvojë me të vërtet e shpërfytyruar.

Cilësia e dytë që vihet re ishte që Moisiu nuk e dinte se fytyra e tij shkëlqente. Ai ishte plotësisht i pavetëdijshëm për kozmetikën unike që kishte marrë me vete nga takimi me Zotin. F. B. Mejëri thotë që ajo ishte lavdia më e lartë e atij shpërfytyrimi – pra, fakti që Moisiu ishte i pavetëdijshëm për këtë.

Në një farë kuptimi përvoja e Moisiut mund të jetë edhe e jona. Kjo duket kur ne kalojmë kohë në praninë e Zotit. Saktësisht kjo mund të duket në fytyrat tona, pasi këtu kemi një lidhje shumë të ngushtë midis anës frymërore dhe asaj fizike. Por nuk ngul këmbë tek aspekti fizik, pasi disa kultistë kanë shpesh një fytyrë dashamirëse. Kuptimi i rëndësishëm këtu është se përbashkësia me Perëndinë e shpërfytyron dikë moralisht dhe frymërisht. Kjo është ajo çka mëson Pali tek 2 Korintasve 3:18: «Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtin shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit».

Por lavdia më e lartë e këtij shpërfytyrimi është që ne vetë jemi të pavetëdijshëm për këtë. Të tjerët mund ta shohin. Ata mësojnë nga ne, pra, që ne kemi qenë me Jezusin. Por ky ndryshim është i fshehur për vetë sytë tanë.

Po si ndodh që ne jemi të pavetëdijshëm që lëkura e fytyrës tonë po ndriçon? Arsyeja është kjo: Sa më afër jemi me Zotin, aq më të vetëdijshëm bëhemi për gjendjen tonë mëkatare, për faktin që jemi të padenjë dhe për gjendjen tonë të mjeruar. Prania e lavdisë së Tij bën që të na vijë turp për veten dhe të pendohemi.

Nëse do të ishim të vetëdijshëm për këtë shkëlqim, kjo do të na çonte në krenari dhe rrëzëllimi do të zëvendësohej menjëherë me pështirosje, sepse krenaria është e pështirë.

Prandaj është një gjendje e bekuar kur ata që kanë qenë në mal me Zotin dhe që kanë marrë me vete shkëlqimin e Zotit nuk e kuptojnë që lëkura e fytyrës së tyre po ndriçon.

[previous][next]