14 prill

[no_toc]

14 prill | çdo ditë me radhë

«…secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj; dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj» (Mt. 20:26, 27).

Cila është madhështia e vërtetë?

Në mbretërinë e kësaj bote, i madh është ai që është ngritur në një pozitë pasurie dhe fuqie. Ai ka një shpurë (suitë) ndihmësish dhe asistentësh, të kushtëzuar për të zbatuar urdhrat e tij. Atij i jepet trajtim si një VIP dhe ka favore të veçanta kudo ku shkon. Njerëzit e shohin me respekt dhe nderim, për shkak të postit të tij. Atij nuk i duhet që të përkulet për asnjë punë shërbëtori; ka gjithnjë të tjerë që e bëjnë këtë për atë.

Por në mbretërinë e Zotit tonë, gjërat janë krejt ndryshe. Këtu madhështia matet sipas nivelit me të cilin shërbejmë, dhe jo sipas nivelit me të cilin na shërbejnë. I madh është ai që përkulet për t’u bërë një skllav për të tjerët. Asnjë shërbim nuk është tepër vartës. Ai nuk pret ndonjë trajtim apo falënderim të veçantë. Kur një nga njerëzit e Xhorxh Uashingtonit e pa atë duke kryer një punë shërbëtori, ai kundërshtoi, duke thënë: «Gjeneral, ti je njeri tepër i madh për t’u marrë me atë punë». Gjenerali iu përgjigj: «Jo, nuk jam. Jam tamam madhësia e duhur».

Duke komentuar për Luka 17:7-10, Roi Hezhën (Roy Hession) na kujton se «ka pesë tregues për një skllav: (1) Ai duhet të jetë i gatshëm që mbi të të ngarkohen një gjë pas një tjetre pa e pyetur fare. (2) Duke bërë këtë, ai duhet të jetë i gatshëm të mos falënderohet. (3) Pasi ka bërë gjithë këtë, ai nuk duhet ta akuzojë zotërinë për egoizëm. (4) Ai duhet të rrëfejë që është një shërbëtor i padobishëm. (5) Ai duhet të pranojë se pasi të ketë bërë dhe mbartur atë që kishte për të bërë me një frymë butësie dhe përulësie, ai nuk ka bërë as edhe një syth më shumë, sesa ishte detyra e tij që të bënte».

Kur Zoti ynë la lartësitë e lavdisë për t’u bërë një Njeri mbi këtë planet, ai mori «trajtë shërbëtori» (Filipianeve 2:7). Ai ishte midis nesh si Ai që shërben (Luka 22:27). Ai tha: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve» (Mt. 20:28). Ai e ngjeshi Veten me një peshqir, me përparësen e një skllavi dhe u lau këmbët dishepujve (Gjoni 13:1-17).

«Shërbëtori nuk është më i madh se padroni i tij» (Gjoni 13:16). Nëse Ai u përkul kaq shumë për të na shërbyer, përse do ta mendonim përtej dinjitetit tonë për t’u shërbyer të tjerëve?

I butë dhe i përulur ishe Ti, o Shpëtimtar,
por si mundet që një krimb si unë,
profan, i dobët dhe mëkatar,
të guxojë të ngrejë kokën lart?

[previous][next]