14 shtator
«Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, asnjë ndëshkim nuk do të kesh për këtë» (1 Sam. 28:10).
Më parë gjatë mbretërimit të tij, Sauli kishte dekretuar që të gjithë ata që merreshin me frymëra dhe spiritizëm të shfaroseshin nga vendi. Por më pas gjërat shkuan gjithnjë e më keq si në jetën e tij personale ashtu dhe në atë publike. Pas vdekjes së profetit Samuel, filistejtë u mblodhën kundër ushtrisë së Saulit në Gilboa. Kur Sauli nuk mund të merrte një fjalë nga Zoti, ai shkoi e u konsultua me një grua mediume në En-Dor. Ajo e mbushur me frikë i kujtoi atij që ai kishte urdhëruar shfarosjen e të gjithë magjistarëve në vend. Dhe këtu Sauli e siguroi atë me fjalët: «Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, asnjë ndëshkim nuk do të kesh për këtë» (1 Sam. 28:10).
Mësimi është i qartë. Njerëzit kanë prirjen që t’i binden Zotit për aq kohë sa iu duket e mirë atyre. Kur nuk iu pëlqen, ata do ta sajojnë se s’bën një justifikim për të bërë gjithçka që dëshirojnë.
Mos thashë gjë vallë «ata»? Ndoshta duhet të kisha thënë «ne». Ne të gjithë kemi prirjen për t’iu shmangur Shkrimit të Shenjtë, për t’i shtrembëruar apo për të nxjerrë lloj-lloj justifikimesh kur nuk duam t’iu bindemi.
Për shembull, ne e dimë që kemi disa porosi të qarta në lidhje me rolin e grave në kishë. Por ato duket se përplasen me lëvizjen feministe të kohës.
Kështu që çfarë bëjmë? Ne themi që ato urdhërime ishin bazuar në kulturën e asaj kohe dhe nuk zbatohen për ne sot. Sigurisht që, me të pranuar këtë parim, ne mund të heqim qafe çdo gjë në Bibël.
Ndonjëherë ballafaqohemi me disa thënie të forta e të drejtpërdrejta të Zotit Jezus në lidhje me kushtet e dishepullimit. Nëse mendojmë që ato kërkojnë shumë, ne themi: «Jezusi nuk ishte duke thënë që ne duhet ta bëjmë këtë, por që ne duhet të jemi të gatshëm për ta bërë». Ne e mashtrojmë veten që jemi të gatshëm, kur, në fakt, nuk kemi asnjë qëllim që ta bëjmë ndonjëherë.
Ne mund të jemi shumë të vendosur duke kërkuar disiplinimin e një ofenduesi sipas kërkesave të ashpra të Fjalës së Zotit. Por kur marrim vesh që ofenduesi është miku dhe i afërmi ynë, ne mund të ngulim këmbë që kërkesat të lehtësohen dhe madje të anashkalohen fare.
Një mekanizëm tjetër i yni është që t’i klasifikojmë urdhërimet e Shkrimit të Shenjtë në «të rëndësishme» dhe «jo të rëndësishme». Ato urdhërime që janë në kategorinë «jo të rëndësishme» mund të mos merren parasysh – ose të paktën kjo është ajo çfarë i themi vetes.
Në të gjitha këto arsyetime të rreme, ne, në fakt, jemi duke shtrembëruar Shkrimin e Shenjtë për vetë shkatërrimin tonë. Perëndia dëshiron që ne t’i bindemi Fjalës së Tij, pavarësisht nëse na pëlqen apo s’na pëlqen. Kjo është udha drejt bekimit.