15 gusht
«Kini kujdes dhe ruhuni nga koprracia [lakmia]» (Luka 12:15).Lakmia është dëshira e tepruar për pasuri ose zotërime. Ajo është një mani që i mbërthen njerëzit, duke i bërë që të rrokin gjithnjë e më shumë. Ajo është një afsh që i shtyn për t’u dhënë pas gjërave që nuk u duhen me të vërtetë.
Ne e shohim lakminë në njeriun tregtar që nuk është kurrë i kënaqur. Ai thotë që do të ndalojë kur të ketë akumuluar një sasi të caktuar, por kur vjen kjo kohë, ai është i babëzitur për më shumë.
Atë e shohim në amvisën jeta e së cilës është argëtim i pambarim nëpër dyqane. Ajo mbledh tonelata koleksionesh, derisa papafingoja, garazhi dhe depoja janë të fryra nga mallrat.
Atë e shohim në traditën e dhuratave për Krishtlindje dhe dhuratave për ditëlindje. Të rinj e të vjetër e gjykojnë suksesin e këtij rasti nga sasia e parave të pista që janë në gjendje të akumulojnë.
Atë e shohim në gatishmërinë ndaj një prone. Kur vdes dikush, të afërmit dhe miqtë derdhin lot ritualë, më pas turren si grabitqarë për të ndarë gjahun, shpesh duke filluar një luftë civile gjatë procesit.
Lakmia është idhujtari (Efesianeve 5:5; Kolosianeve 3:5). Ajo e vendos vullnetin e vet në vend të vullnetit të Perëndisë. Ajo shpreh pakënaqësi me atë që i ka dhënë Perëndia dhe është e vendosur që të ketë më shumë, pavarësisht se cila mund të jetë kostoja.
Lakmia është një gënjeshtër, duke krijuar përshtypjen që lumturia gjendet në zotërimin e gjërave materiale. Tregohet historia e një burri që mund të kishte çdo gjë që donte vetëm duke shprehur dëshirën për të. Ai dëshiroi një vilë, shërbëtorë, një Kadillak, një jaht dhe presto! ato ishin atje në çast. Në fillim kjo ishte e gëzueshme, por më pas, ndërsa idetë e reja filluan t’i mbarojnë, ai u mërzit. Në fund ai tha: «Dua që të dal nga kjo. Dua që të krijoj diçka, të vuaj diçka. Do të parapëlqeja të isha në ferr se këtu». Shoqëruesi iu përgjigj: «Po ku mendon se je?»
Lakmia i tundon njerëzit që të komprometojnë, të mashtrojnë, të mëkatojnë për të marrë atë që duan.
Ajo e përjashton një burrë nga udhëheqja në kishë (1 Tim. 3:3). Ronald Sideri pyet: «A nuk do të ishte më biblike që disiplina e kishës të zbatohej për ata që dëshira lakmuese i ka çuar në «sukses financiar», sesa t’i zgjedhim në bordin e pleqve?»
Kur lakmia çon në përvetësim mashtrues, në zhvatje dhe skandale publike të tjera, kjo kërkon heqje nga përbashkësia (1 e Korintasve 5:11).
Dhe nëse lakmia nuk rrëfehet dhe braktiset, ajo çon në përjashtim nga Mbretëria e Perëndisë (1 e Korintasve 6:10).